Poeti i vuajtur, fliste me një zë…me një zë… sado të trashë…aq edhe të dridhur, të pasigurt…ligjërata i rridhte jo si pena, shpenguar…por siç do thoshte vetë, “si ujë i turbulluar përroi…ngecur nëpër gurë të mëdhenj e të vegjël…” herë i humbte e herë i dilte zëri…veç po ti vije vesh…të kishe vesh…i gjeje gurgullimë, i gjeje melodi…
…poeti spiun fliste e fliste…edhe flet qashtër,kulluar …vargu i tij vjen nga rezervuari e rrjedh direkt në rubineta, zemrash…ujë i mbajtur pastër e kulluar…me shumë kujdes…me filtra e trajtim kimik…purifikues…zbutës( kini dëgjuar besoj zbutës uji)
…Poeti i vuajtur vazhdon të trajtohet, vettrajtohet varfër, ushqehet keq…pi raki të keqe, të lirë në zgëqe( ngushëllohet me thënien e kryepoetit pijetar: “ nuk ka raki të keqe…) …gjithsesi poeti i vujtun pret kurdoherë ta ftojnë dikur…diku… ndonjëherë…herë herë…ti japin një gotë raki, vërtet raki…
…Poeti spiun( spy-poet), jeton në një shtëpizë të ëmbël poetike, mes kodrash të buta….thotë se e ka bërë me paratë e librave…sidomos të librit “ Armiqtë e nanës…” “ ai libër” i thotë një miku “ m’ka dhanë shumë pare…”
…poeti-spy, pi verë të mirë… ushqehet edhe në shtëpi, por sidomos ftohet të pihet e ushqehet…në restorante me emër si,Forum, Paladium, Podium…
…Poeti i vuajtur dikur foli a shkroi diçka,sikur protestoi a sikur u ankua, (më shumë u trishtua) për poetin e patalentuar-spiun …diçka si… “gjithmonë këta…nuk u ngopën…pa talent…”
…pastaj heshti…se edhe pak e lexuan… ca pak e “like”-n…më të shumtët s’e vunë re…a bënë sikur s’e vunë re…çne melazëm… ta prishnin me …poetin-spiun… me poetin me pozitë Barbun…
…Poeti spiun e mori çmimin e parë, ja bënë dhuratë diku…
…Aty në atë aktivitet me ceremoni, blatuar poetit Barbun, i ftua e shkoi dhe poeti i vuajtur…
….Vajti po nuk foli… nuk foli fare…u struk në karriken e shtate te rrjeshtit në fund…e pastaj kur zulma mbaroi… që andej, si me turp, si anash e anash…mbrriti së fundmi pranë tryezave të kokteit, të pijeve, mezeçkave të vogla…s’e fshihte dot… I pihej…
…Aty poeti i vuejtun, u zbut, u zbrujt, u lag…u bë i gjithi këmishë e bërë qullë…
…dhe u zbërthye pak aty…poeti i vuejtun…piu një gotë raki aty…dy, i dhanë dhe një të tretë …dhe qau…por as aty, as-as…si edhe në mexhlisin poetik…nuk tha gjë për çmimet, për kultet, për poezinë e vet, e për atë të poetëve spiunë, për klanet e trofetë mes vedi…ishte i mallëngjyer, tru i zbutur, në avuj alkooli…i donte, njerëzit poeti…ndjeu se i donte të gjithë aty përreth…kolegët poetë..edhe poetin spiun… bashkë me ta…të gjithë skotën e palodhur, e pambaruar të poetëve spiunë…
…Natyrshëm: poetët e vuejtun janë humanë..e duan njeriun…me gjithë mëkatet…”e si mund të jesh poet pa mëkatet” mendoi dhe piu edhe ca…
…Poeti spiun as që e e vuri re poetin e vujtun, që ishte…a s’ishte atje… …ose dhe e vuri re…e bëri sikur s’e vuri re…e as bëri sikur u kujtua që ai i pat shkruar ca fjalë, që i patën raportuar se i pat shkruar ca fjalë…për talentin…jo-talentin e tij…
…pas do kohesh ju blatua diku, një çmim tjetër…një tjetër poeti-spiun, …por aty poeti i vuejtun nuk mori pjesë, ndonëse e patën ftuar…pa e ditur kush…se poeti i vuejtun…pat vdekun.