KreuLetërsiBibliotekëPetro Çerkezi: E dashura ime është re ose vitro vetëtimash

Petro Çerkezi: E dashura ime është re ose vitro vetëtimash

Poemë

E dashura ime është re.
Jo nga ato që enden shkujdesur
mbi çatitë e qyteteve të përgjumura.
Është re shtatzanë,
me barkun mbushur me vetëtima,
një mitër e zezë që ngjiz
shpërthimin e qiellit.

Ngjitet,
ngjitet deri në zenitin e vranësimit,
atje ku horizonti humbet emrin
dhe Zoti, nëse ekziston,
fsheh fytyrën pas telave elektrikë.
Bubullin. Shkrep e vetëtin
Dhe trupi i saj qiellor
kryqëzon jataganë drite
brenda syve të mi.
Më bën copë-copë.
Pastaj hap damarët e qiellit
dhe derdh mbi mua
shira të pafund si shtampa të thyera vjeshte.

Më lag të tërin.
Lëkura ime bëhet lumë,
kockat e mia ura
që nuk të çojnë askund.
Dhe ajo, mbi kokën time,
një re që nuk e di
nëse ka ardhur të më shpëtojë
apo të më zhdukë.

***
Vija e plumbtë që zgjatet në horizont,
përtej pushtetit të syve të mi,
është një anije.
Një anije pa atdhe portual,
pa mol ku të gjunjëzohet,
pa një pëllëmbë tokë që t’i thotë:
këtu mund të ankorohesh.
Lundron.
Rilundron gjer na pafundësinë vrastare.
Dhe prapë lundron pa drejtim.
Me direkun ngulur në kraharorin e erës,
me velat e shqyera
si letra të vjetra dashurie,
që askush nuk kujton më
se ç’dorë i shkroi
dhe kush u vuri shkrepse.

Shtrëngatat e rrethojnë
si qen të zinj të apokalipsit.
Valët ngrenë kokat e tyre prej hekuri
dhe e kërcënojnë me zhdukje.
Anija nuk ka ku të shkojë.
Dhe bota, nga bregu, vështron.
Disa numërojnë fuçitë e naftës.
Disa numërojnë të vdekurit.
Të tjerë numërojnë fitimet
nga shuma e të dyjave.

Në Ngushticën e Hormuzit
Historia mban një thikë ndër dhëmbë dhe pret.
Ngushticat e tjera rrezatojnë një valëzim
iluzor.
Anijet-cisternë duken si arterie të zeza
të një planeti që po pëson infarkt.
Motorët kolliten tym të zi.
Ekranet vezullojnë të kuqe.
Dhe raca njerëzore pret të mësojë
nëse bota do të vazhdojë të lëvizë,
të marrë frymë, të shtërngojë grushtin.

Por kush i kujton
anijet që nuk mbërritën?
Kush i kujton fytyrat
që vështronin nga dritaret rrethore
tokën e tyre të fundit?
Kujtesa e njeriut
është një doganë me vula të thyera.
Gjithçka kalon. Gjithçka fshihet
Me një trok të shurdhët Kali Trojan.
Pastaj bota rihap bursat,
sikur të mos kishte rënë kurrë
asnjë pikë gjaku.

Anija vazhdon të lundrojë.
Kundër fatit. Kundër motit.
Kundër asaj harrese të madhe
që gëlltit gjithçka
dhe gjithmonë kërkon më shumë.
Dhe pranë saj, një mjellmë. E plagosur.
Ra në ujë pa arritur të hapte sqepin,
pa arritur të të kafshonte gjirin,
të të linte mbi lëkurë
shenjën e një dhembshurie të egër.

Zeusi u kthye sërish në mjellmë,
por kësaj here Leda nuk priti një perëndi,
vetëm një trup që rrotullohej në ujë,
si një mit që kërkon të lindë nga e para.

Tani pluskon
mbi kadifenë e kaltër të shtratit dashuror,
me krahët hapur
si flamuj të bardhë të një disfate
që askush nuk e nënshkroi.
Uji mban erë deti dhe diçka tjetër.
Diçka metalike. Ndoshta gjak.
Ndoshta vetëtimë, ndoshta bombardim.
Ndoshta aroma e vjetër e gjërave që deshëm
dhe nuk arritëm t’i shpëtonim.

***
Bukuria, nganjëherë, është e pamëshirshme.
Nuk hap rrugë. I ngushton. Ul barrierat, kyç daljet,
shtrëngon me gishtat e saj fytin e mirësisë.
Dhe mirësia, ajo zorkadhe e pambrojtur,
që fle në oborrin e botës,
nuk mund të kalojë më.
T’u thyen krahët. Ah!
Kush? Kush e bëri këtë krim
Mos më shiko mua.
Unë mbaja vetëm një pasqyrë.
Brenda saj kalonin ushtri,
të dashuruar, fëmijë, bomba, dhe një grua
që kërkonte fytyrën e saj mes rrënojave.

Kush t’i theu krahët, dashuria ime e brishtë?
Kush vuri tela me gjemba
në rrugën që të çonte te shtrati i ëndrrës
sonë?
Nga do të kalosh tani për ta zbukuruar
atë natë të çuditshme hënore
që e kishim projektuar si shtëpi kuklle
dhe pallat princëror?
Ku do t’i mbështetësh krahët e thyer?
Në supin tim? Mbi jastëk?
Apo mbi hartën
e një vendi që nuk ekziston më?

***
Pse u ngushtua kështu befas
nata e syve të tu?
Kush e uli tavanin e qiellit
dhe na detyroi të shiheshim
nën një tavan kaq të ulët?
Natë yjesh të vjedhur.
Natë me zgavra të zbrazëta.
Natë kur yjësitë
janë arratisur në drejtim të panjohur
dhe astronomët kërkojnë nëpër kanalizime
kufomën e Rrugës së Qumështit.
Kush t’i vodhi yjet erotikë?
Kush i fiku dritëzat që ndizeshin brenda teje
kur shqiptoje emrin tim si emrin e lirisë?
Mos u përgjigj.
Përgjigjja është transmetuar tashmë
nga të gjitha rrjetet televizive,
me edicione të jashtëzakonshme,
me harta, me shigjeta, me pika të kuqe
mbi qytete të huaja.

Përgjigjja tashmë është harruar.
(Sa shpejt harron njeriu!?)
E megjithatë, sonte, në thellësinë e natës,
njerëzimi vazhdon të bombardojë
atë që nesër do ta quajë
kujtesa jonë e përbashkët.

***

Kupa e hënës
ishte mbushur me petale trëndafilash.
E mbanim së bashku,
si dy njomzakë që kishin zbuluar
një pije të fshehtë,
të harruar në kuzhinën e universit.
Pastaj erdhën duar të panjohura.
Duart pa fytyra.
Duart me unaza pushteti e pranga.
Duart që dinë të nënshkruajnë urdhra,
por nuk dinë të përkëdhelin.
E trazuan hënën. Shpërndanë petalet.
Dhe kupa ngriu në buzët tona.

Pija u bë koktej i hidhur. Pije e njelmët,
sikur ta kishte përgatitur
vetë Poseidoni, perëndia e detit,
duke përzier me sfurkun e tij
kristale kripe, anije të mbytura
dhe trishtimin e një dielli
që perëndon pa dëshmitarë.
E pimë. Nuk e dinim nëse po pinim dashuri
apo ujin e fundit të mërgimit tonë.
Nuk e dinim nëse kripa ishte e detit
apo e lotëve tanë.

Vetëm goja jote ruante ende pak ëmbëlsi.
Prandaj, mos e kthe gotën.
Mos e kthe fytyrën nga ana tjetër e botës.
Mos e shiko ngjyrën. Më mjafton një pikë
nga nektari i buzëve të tua, vetëm një pikë,
ta mbyll në herbariumin e kujtimeve,
mes dy gjetheve të zverdhura,
atje ku ruhen lulet që i mbijetuan
vdekjes së stinës së tyre.
Mos më kërko më shumë.
Bota tashmë e ka shpenzuar të gjithë gjakun e saj.
Dhe unë nuk kam më veçse një pikë prej teje.
Një pikë që nesër mund ta harroj.

***
Mos ma vrit zogun e zemrës,
atë zog të vogël, llafazan,
që këmbëngulte të ligjëronte edhe kur qielli
binte copë-copë mbi çatitë.
Mos ma vrit. Ai e deshi kaq fort këtë qiell,
këtë kaltërsi të pafund
që dukej sikur ishte pikturuar
për një stinë të pestë.
Një stinë që nuk gjendet
në kalendarët e meteorologëve,
që nuk e njeh asnjë shtet,
që nuk ka kufij, flamur as ushtri.
Një stinë e krijuar
nga trupa që përqafohen,
nga buzë që nuk kërkojnë pasaportë,
nga njerëz që kujtojnë
se dikur mbanin një pjesë të timonit të botës.
Mos u kthe. Mos e lër zogun të shohë
ç›i ka ndodhur qiellit të tij.
Nuk dua t’ia helmoj qelizat këtij idili.
Nuk dua që Historia të hyjë me çizme
në laboratorin e vogël të butësisë,
të ngrejë çarçafët, të kërkojë nën jastëk
ëndrra të dyshimta.
Mos u kthe, të them.
Por fjalët e mia
kanë filluar tashmë të dridhen.

***
Ngjyrat e peizazhit
përputhen me ngjyrat e motit.
E gjelbra humbet të gjelbrën.
E kaltra nxihet.

E bardha vesh uniformë kamuflazhi.
Si flamur dorëzimi
Një peizazh i pashpjegueshëm.
Qielli plumboset. Syri mjegullohet.
Dhe mes tyre një vijë e hollë
ku realiteti ndërron turnin me makthin.
Zigzage vetëtimash! Zigzage zemërimi!
Rrufetë çajnë terrin si bisturi kirurgjikale
në duart e një perëndie të verbër.
Një shkarkim i beftë.
Një grusht shteti elektrik
brenda kafkës së botës.

Dhe gjarpërinjtë ngrënë kokën!
Gjarpërinj që gërshetohen,
shkëputen, kafshojnë bishtat e tyre
dhe ngjiten në trurin e Kohës.
Atje, mbi fronin e saj, Meduza.
Me flokë prej gjarpërinjsh,
me sy të mbushur me klithma të gurëzuara,
me fytyrën kthyer
nga e ardhmja që shndërrohet në gur.
Kushdo që e sheh bëhet statujë.
Kushdo që pushon së vështruari harron.
Dhe kështu njerëzimi
gjen gjithmonë një mënyrë
për t’u mbijetuar krimeve të veta:
ose ngurtësohet, ose harron.

***
Lumturia nuk përputhet kurrë
me shenjat e qiellit.
Është një tingull i çakorduar
në simfoninë e shkatërrimit,
një lule e kuqe
që mbin në grykën e një topi.
Përkulu pak. Më lër të lexoj
pergamenin e natës, atë shkrim të mykur
që njerëzimi e mbart pas qepallave të tua.
Dua të lexoj historinë e syve të tu,
jo gënjeshtrat e profetëve.

Natën e turbullt, natën e lashtë,
natën që kalon nga brezi në brez
si një testament mallkim familjar.
Mos iu drejto pemës së horoskopit.
Mos prit nga yjet
të të japin udhëzime përdorimi për kaosin.
Lëre erën t’i shkulë gjethet e fatit.
Lëre t’i shpërndajë nëpër sheshe,
nëpër shkolla, nëpër varreza,
në sallat ku të fuqishmit
projektojnë të nesërmen
me vizoren e vdekjes.

E ardhmja nuk është fallxhore.
E ardhmja është një pemë
që e presim vetë dhe pastaj qajmë
mbi trungun e saj.
Qielli është nxirë. I fshehu të gjitha shenjat.
Asnjë yll nuk tregon rrugën.
Asnjë yjësi nuk merr përgjegjësinë.
Errësira është verbuar nga e zeza e vet.
Horizonti është bërë demonjak,
një gojë gjigante që gëlltit largësitë
dhe pështyn rrënoja.

***
Era i zhveshi pemët.
Ua rrëmbeu gjethet një nga një,
sikur t’u hiqte fjalët e fundit.
Tani përpiqet të na zhveshë edhe ne.
Të na gryejë lëkurën, të na zhveshi kujtesën,
të na marrë edhe atë zë të brendshëm minor
që pëshpërit: mos e bëj, është njeri.
Kjo epokë delirante me Kasandrat e saj
histerike,
me profecitë që transmetohen drejtpërdrejt,
me klithmat që përshkojnë
skajet e planetit nga njeri te tjetri
dhe humbasin brenda pak sekondash.
Kasandra me sy hapur,
që vrapojnë çmendurisht drejt askundit.
Askush nuk i beson.
Pastaj, kur katastrofa ndodh,
të gjithë deklarojnë se e prisnin.
Po ne? Ne përse vrapojmë bashkë me to.

Vrapojmë pa cak, pa busull,
pa atë fillin e hollë të Arianës
që do të na udhëhiqte përsëri drejt vetvetes.
Dhe sa më shumë vrapojmë,
aq më shumë humbasim fytyrën.
Së pari e harrojmë. Pastaj e shpërfytyrojmë.
Në fund e njohim
vetëm në fotografitë e të vdekurve.

***
Bletët, të ngarkuara me polen,
u ngjitën deri te kosheret e yjeve.
U kacavarrën në kosheret qiellore,
me trupat e tyre të vegjël
që dridheshin si motorë të artë,
dhe mbushën hojet me mjaltin e dritës.
Punuan në heshtje.
E bartën pranverën nga lulja në lule,
nga jeta në jetë,
nga një mrekulli e vogël te tjetra.
Dhe vdiqën për hir të mbretëreshës.
Për hir të një pushteti
që nuk ka nevojë të prodhojë mjaltë,
mjafton t’i mbajë bletët në robëri.

Ide e vjetruar, mbretërit, do të thuash.
Kurorat e tyre kanë ndërruar material.
Nuk shkëlqejnë gjithmonë prej ari.
Herë janë prej letrash, herë prej aksionesh,
herë prej flamujsh që valëviten mbi varre.
Mbretërit kanë ndërruar emër.
Pushteti e ka ruajtur gojën.
Dhe tani? Tani pjellin larva.
Larva të vogla, të padukshme,
që futen në rrënjë, gërmojnë nën lëvore,
brejnë fijet e jetës.

Breza larvash që ushqehen me kalbëzimin,
që rriten në zemrën
e vetë pemëve që i mbajnë gjallë.
Dhe ndërsa ne shohim lart,
ato punojnë poshtë.
Gllabërojnë gjethnajën e jetës,
klorofilin e ditëve me diell,
gjakun e gjelbër të Tokës.

Derisa një ditë pemët mbeten të zhveshura
nën një diell që vazhdon të shkëlqejë
sikur të mos dijë asgjë.
Dhe njerëzit shohin degët
dhe pyesin: Kur ndodhi kjo?
Ku humbi e gjelbra? Kush e hëngri
pranverën?
Askush nuk i kujton larvat.
Askush nuk i kujton bletët.Askush nuk e
kujton
për ç’arsye kishte filluar i gjithë ky
shkatërrim.

***
Dhe, për një arsye të pashpjegueshme,
ajo fytyrë
që ngjante me fytyrën e Shën Mërisë,
ishte fytyra e një dashurie të shqyer më dysh.
Një dashuri mëkatare,
që lindi jashtë ligjeve, jashtë lutjeve,
jashtë regjistrit zyrtar të mrekullive.
Një ëndërr pagane, që nuk gjunjëzohej
para asnjë faltoreje,
sepse shenjtëria e saj ishte trupi.
Dhe trupi nuk kishte më siguri.
Një buzëqeshje pa buzë.
Një zemër pa aortë.
Një fytyrë që kishte harruar si lind shprehja,
por vazhdonte të vështronte
me një mall të çuditshëm,
sikur sapo të ishte kthyer
nga një botë që nuk kishte ekzistuar kurrë.

Dhe dinte, ose ngjante se dinte
t’i pëshpëriste kaq ëmbël
ato dy fjalë: TË DUA.
Dy fjalë që dilnin nga një gojë pa buzë,
nga një zemër pa arterie, nga një trup
që kishte filluar tashmë të bëhej kujtim.
E megjithatë, sa herë që i thoshte,
diçka brenda meje ringjallej.

Krizantemat e arta të shpirtit përpëliteshin,
petalet e tyre hapeshin
si diej të vegjël në errësirë,
dhe shpirti im i fryrë mbushej me dritë,
një dritë absurde, pothuajse të ndaluar.
Sepse edhe tani, mes kalbëzimit,
mes luftërave, mes kalimeve të mbyllura të detit
dhe kujtimeve që fundosen
pa arritur të bëhen histori, njeriu mund të thotë:

TË DUA! TË DUA

Dhe për një çast të mos harrojë.
Shelgu nis e qan. Kurora e tij është prej reje.
***
E dashura ime është re.
Dhe shtrati ynë lundron mbi valë,
si një anije që ka harruar
për ku lundron e ç’emër ka porti?
Ç’far do të na drejtojë në detin e trazuar?

Stuhia ngrihet. Qielli përplaset mbi detin.
Erërat çjerrin velat e natës
dhe unë, me duar prej mishi e frike,
nuk arrita të ndërtoja Arkën e Noes.
Por e dua tokën.
E dua tokën edhe kur dridhet,
kur rrënjët e saj dalin nga varret
dhe pemët ecin të verbra
nëpër rrugët e njerëzve.
E dua pranverën. E dua prillin,
kur lulet shpërthejnë
si lambada të vogla drite
në fytyrën e bardhë të dimrit.

E dashura ime është re.
Unë e dua dhe rend ta nxjerr
nga zemra e shkatërrimit,
kur stuhia i fshin kufijtë e botës
dhe shiu i verdhë
bie mbi kujtimet tona.
Ku shtrihet tani rruga e zemrës?
Në ç’hart ta gjej? Në ç’horizont?
Kush e ka zhvendosur shenjën
që na tregonte kthimin?
Kush i ka shuar dritat drejt Itakës
në stacionin ku prisnim
të mbërrinte dashuria?

Dhe nëse nesër askush nuk kujton
se ku lulëzonim bashkë,
kush do të dëshmojë
se dikur ekzistonte
një stinë që pranveronim?
Kush do t’i thotë tokës
se ne ishim këtu,
se dashuruam, se për mote të tëra
i dolëm përpara stuhisë
me gjoksin zbuluar;

***
Dua një vilë rrush, the ti.
Rrushi ende i papjekur
u përvëlua nga ngrica.
Dhe ne, të mërguar nga stina jonë,
qëndrojmë para vreshtit
si dy hije që kanë harruar portretet e tyre.

E dashura ime, re e purpurt,
e mbyll portën e zemrës dhe çelësin
e hedh larg, në det.
Por dashuria nuk ka nevojë për çelësa.
Ajo hyn nga çarjet e mureve,
nga plagët e mishit dhe gurëve,
nga një pikë drite
që depërton në burgun e natës.

Dashuria nuk ka varreza.
Mos e zgjoni. Lëreni të flejë
në gjumin e saj të thellë,
larg nga toka e të vdekurve
nuk kanë më emra dhe të gjallët
nuk kanë më frikë nga humbja.
Ndoshta një ditë do të vijë stina e pestë.
Një stinë pa kufij, pa qiej të shqyer
pa tela me gjemba, pa racizëm,
pa shfrytëzues që peshojnë djersën e të
tjerëve
si monedha në kasafortat e tyre.
Një stinë pa ngjyrën e monedhave
që blejnë ndërgjegjen,
pa gjak që paguan faturat e historisë,
pa njerëz që shiten
dhe pa ata që besojnë se janë zotër të tokës.

E dashura ime është stuhi.
Dhe unë nuk dua ta ngrij
brenda një sarkofagu prej heshtjeje.
Le të flejë, si një zog i lirë
nën çatinë e botës,
me krahët hapur drejt një qielli
që askush nuk e zotëron.
Le të flejë dhe të ëndërrojë
atë stinë të pamundur,
ku dashuria nuk kërkon leje
dhe njeriu nuk ka nevojë
të urrejë tjetrin
për të ndier se ekziston.
E dashura ime, tokësore.
E dashura ime, hyjnore.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË