Kreu Panair Panairi i Librit në Prishtinë, sprova me lexuesit

Panairi i Librit në Prishtinë, sprova me lexuesit

Interes i jashtëzakonshëm i lexuesve të Kosovës për librin shqip. Në pesë ditët e mbajtjes së Panairit të Librit në Prishtinë, mjaft aktivitete e promovime kanë paraqitur autorët shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, ku edhe janë ndarë çmimet nga Shoqata e Botuesve

Lexuesi i Kosovës është sprovues, ka kuriozitetin e njohjes, komunikimit, edhe pse shumë emra nga Shqipëria nuk i kanë dëgjuar më parë. Për këtë fenomen, jo pak herë personalitete të kulturës dhe letërsisë janë shprehur se mes nesh vazhdon të jetë e pamjaftueshme njohja, kur as gazetat nuk këmbehen, sidomos kultura ende nuk ka integritetin e natyrshëm. Edhe pse flitet shqip dhe jemi një gjuhë e kulturë, edhe pse agjendat politike përpiqen të ndërtojnë kalendarë vjetorë, sërish mes nesh njohja është e paktë. Por lexuesi është befasues. Në Panairin e 21-të të Librit që u mbajt në Prishtinë prej datës 5 deri më 9 qershor, i vetmi organizim që përmbush komunikimin, rreth 100 botues nga të gjitha trevat shqiptare janë paraqitur me botimet e reja, sidomos me autorë shqiptarë të rinj e të afirmuar. Duke mos përjashtuar përkthimet, ky panair, ashtu si edhe ai i Tiranës, vëmendjen e ka mbi botimet letrare, ku edhe treguesin se çfarë botohet në arealin shqiptar e kanë dëshmuar vlerësimet, çmimet vjetore që ndahen. Shoqata e Botuesve të Kosovës në këtë edicion e shpalli Fatos Kongolin shkrimtar të vitit me veprën “Gënjeshtarë të vegjël”. Kurse për shkrimtarin e huaj të vitit, çmimi iu nda Jacques Baudouin-it për veprën “Lindja e Demokracisë”. Organizatorët thanë se panairi i sivjetshëm ka tejkaluar pritshmëritë.

Në mesin e shumë çmimeve të tjera që u ndanë, ishte edhe çmimi për letërsinë për fëmijë, të cilin e fitoi autorja Anila Kruti me veprën “Flutura e Majit”. Për publicistikën, çmimi iu dha Mirela Oktrovës me veprën “55 ditë”. Kurse, në kuadër të poezisë dhe prozës më të mirë, çmimet iu ndanë Ismail Sylës dhe Kim Mehmetit. Ndërsa stenda më e vizituar këtë vit, sipas organizatorëve, është “Botë Art”.

Në universin e përditshmërisë

Letërsia shqipe nuk është vetëm ajo e temave të mëdha rapsodike me bajlozë, por edhe një art i fjalës që depërton tek e thjeshta me pafund histori të zakonshme. Aty ku heronj janë të rëndomtit dhe përditshmëria e tyre. Ndryshe nga protagonisti i konsumuar me heroizëm e bëma të mëdha gjatë letërsisë njëlineare të kohës së regjimit komunist, tani bota e njerëzve të “vegjël” shfaqet me një dimension të ri të psikologjisë njerëzore. Një situatë pa dramaticitete ideologjike dhe ku gënjeshtra bëhet aq e kudondodhur në përditshmërinë e njerëzve, shkruan sot Koha Ditore.

Romani më i ri i Fatos Kongolit, “Gënjeshtarët e vegjël”, ka si antihero personazhin Alpi, i cili rrëfen në vetën e parë dashuritë e tij, zhgënjimet, si dhe një univers të tërë përditshmërie ku njerëzit gënjejnë njëri-tjetrin.

“Në dukje mund të jetë një temë e vogël, por e trajtuar në mënyrë të jashtëzakonshme nga Kongoli, me psikologjinë e njeriut të thjeshtë dhe jo me heronj të mëdhenj”, – ka thënë në fjalën e saj drejtoresha e shtëpisë botuese “Toena”, Irena Toçi. Shkrimtari Fatos Kongoli u shpreh për Koha Ditore se “jam një çikë pesimist në rolin që mund të luajë letërsia. Kjo është pasqyrim i ndërgjegjes kombëtare. Politikanët le të bërtasin sa të duan, por nuk e bëjnë ndërgjegjen kombëtare. Ata s’janë ndërgjegjja kombëtare, megjithëse kanë frenat e gjithçkaje në dorë. Ndaj, duan apo nuk duan, ata nuk janë ndërgjegjja e kombit. Ndërgjegjja e kombit janë shkrimtarët dhe artistët. Këtë s’ma heq askush nga mendja”.

Shoqata e Botuesve të Kosovës

Me recitimin e vargjeve të Sevasti Qiriazit nga Safete Rugova, u bë hapja e edicionit të 21-të të Panairit të Librit në Prishtinë, ku organizatori Edon Zeneli, përfaqësuesi i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, u shpreh se, me gjithë sfidat e panumërta, lexuesi është i vetëdijshëm dhe më i pranishëm se kurrë. Duke kërkuar përkrahjen nga personat me ndikim, institucionet publike, u kërkua që të veprohet për bibliotekat në vendin tonë, që janë në gjendje letargjie, ku rrjedhimisht lexuesi nuk është i pranishëm.

Kurse kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ishte i kënaqur me përkthimin e letërsisë botërore në gjuhën shqipe. “Kemi pjesëmarrës një numër të madh të shkrimtarëve tanë që janë sot këtu dhe jemi të kënaqur që Panairi i 21-të përkon me çlirimin e Prishtinës. Bëj thirrje që qytetarët ta frekuentojnë sa më shumë Panairin dhe të blejnë libra, sepse leximi është baza e kulturës së çdo kombi”, – tha Ahmeti ku bëri hapjen e Panairit. Veçanti e Panairit të 21-të është prezenca e shkrimtarit shqiptar Fatos Kongoli, i cili merr pjesë në këtë ngjarje pas një kohe. “Jam shumë i prekur për fjalët e mira që u thanë për mua. Ndihem i lumtur që jam në Prishtinë, ku edhe do ta prezantoj romanin tim më të ri”, – tha ai për mediat.

Edhe një emër i njohur i letërsisë bashkëkohore ishte pjesëmarrës në hapje. Shkrimtari i shquar francez Juan Asensio u shpreh se ishte i lumtur që gjendet në mesin e shqiptarëve dhe shihte shumë dashuri për kulturën e librin në kryeqytetin kosovar. Dashuria e shqiptarëve për librin i ka lënë mbresa atij dhe është gjë e bukur që romani i tij është sjellë në gjuhën shqipe. Kurse ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, i lumtur për pjesëmarrjen në këtë ngjarje, u shpreh: “Kudo në Kosovë festohet 20-vjetori, ndërsa këtu festohet 21-vjetori. Është diçka unike që Kosova gjatë kohës së luftës festoi hapjen për herë të parë të Panairit të Librit shqip, që sipas Minxhozit është ngjarje madhore historike. Ai thotë se libri, krahas pushkës, solli lirinë që kemi sot. Ndërsa shkrimtari Daut Demaku në fjalimin e tij foli për ligjin e krijimit me të cilin tha se u mor gjatë. “Jeta ecën veç përpara, libri është një mundësi që çel dritë në rrugën e ecjes përpara. Krejt ata që i doni, ftoni, le ta marrin librin, të bashkëjetojnë me të, e jo me thashetheme që janë jo vetëm kot, por janë edhe në kundërshti me ligjin e jetës që ec përpara”, – përfundoi ai. Në kuadër të panairit janë mbajtur shumë aktivitete.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Durs Grünbein: Fjalët, çfarë janë ato, miq apo armiq?

Intervistoi Arno Widmann(botuar më 30.10.2020, në Frankfurter Rundschau) Përktheu nga gjermanishtja Valon Veliqi Z. Grünbein, cila...

“E verdhë mbi të zezë”, cikël poetik nga Nafije Zogaj

GJETHE TË GJELBËRTA FILLUAN TË BININ dielli u shkëput nga yjetqë i rrinin larg zërit të zi të natësu...

“Kush ma gjen lisin e moçëm?” tregim nga Mehmet elezi

1. Qyteti dhe vetë kalaja mbi lumë u mpakën prej tute. Çka po u shihnin sytë, nuk ishte parë...

“Paris mon amour”, tregim nga Roland Gjoza

Nuk e di a beson në Krisht e, nëse beson në Krisht, beson dhe te Viktor Hygoi, i cili ta dëgjon fjalën...

KATEGORITË