Përktheu: Orin Maxhari
Zonjës Uilliam H. Grenfell të oborrit Taplou – Ledi Desborou
Ishte ditëlindja e infantës[1]. Ajo sapo kishte mbushur dymbëdhjetë vjeç dhe dielli shndriste fort mbi kopshtet e pallatit.
Megjithëse ishte një princeshë e vërtetë dhe infanta e Spanjës, ajo kishte vetëm një ditëlindje çdo vit, porsi fëmijët e njerëzve më të varfër, ndaj edhe ishte e natyrshme për të gjithë vendin që kalimi i një dite vërtet të këndshme prej saj të përbënte një çështje me rëndësi të madhe. Dhe me të vërtetë ishte një ditë e këndshme. Tulipanët shtatlartë me vija qëndronin drejt mbi kërcenjtë e tyre, si ushtarë të rreshtuar në radhë të gjata, dhe duke i vështruar në mënyrë sfiduese trëndafilat, u thoshin: “Ne jemi po aq të bukur sa ju tani.” Fluturat ngjyrë vjollcë fluturonin përreth me pluhur ari nëpër krahë, duke vizituar secilën lule me radhë. Hardhucat e vogla dilnin prej të çarave të mureve dhe ngroheshin nën shkëlqimin e bardhë. Shegët ndaheshin e çaheshin me të nxehtin, duke shfaqur zemrat e tyre të gjakosura. Edhe limonët e verdhë, të zbehtë, që vareshin me shumicë mbi kornizat e drurëve të kalbura dhe përgjatë kalimeve të errëta të mbuluara, dukeshin se kishin marrë një ngjyrë më të pasur prej dritës së mrekullueshme të diellit. Pemët e magnolias po ashtu hapën lulet e tyre të mëdha, në trajtë globi, si prej fildishi të palosur, duke e mbushur ajërin me një aromë të ëmbël e të rëndë.
Vetë princesha e vogël shkonte lart e poshtë me miqtë e saj nëpër tarracë, dhe luante kukafshehti rreth vazove prej guri dhe statujave të vjetra të mbuluara me myshk. Në ditët e zakonshme asaj i lejohej të luante vetëm me fëmijët e të njëjtit rang me të, ndaj i duhej të luante përherë vetëm, ndërsa për ditëlindje i bëhej përjashtim. Mbreti kishte dhënë një urdhër që i lejonte asaj të ftonte cilindo nga miqtë e saj që dëshironte për të ardhur e për t´u argëtuar me të. Kishte një hijeshi madhështore tek këta fëmijë të hollë spanjoll ndërsa endeshin lirshëm: djemtë me kapele të zbukuruara me pendë të mëdha e pelerina të shkurtra që u valëviteshin, dhe vajzat që mbanin lart bishtat e fustaneve të tyre të gjata me motive dhe mbronin sytë nga dielli me erashka të mëdha ngjyrë të zezë dhe argjendi. Por infanta ishte më e hijshmja prej të gjithave, dhe e veshura më me shije, sipas modës disi të rënduar të kohës. Fustani i saj ishte prej sateni gri. Fundi dhe mëngët e gjera e të fryra ishin të qëndisura dendur me fije argjendi, ndërsa korseti i ngurtë ishte i mbuluar me radhë perlash. Dy këpucëza me trëndafila të mëdhenj rozë dukeshin poshtë fustanit të saj teksa ecte. Në dorë mbante një erashkë stofi ngjyrë perle dhe rozë, ndërsa në flokët, të cilët i qëndronin mbi fytyrë si një aureolë floriri e zbehur, një trëndafil të bardhë.
Prej një dritareje në pallat mbreti i trishtuar dhe melankolik i vështronte të gjithë. Pas tij qëndronte i vëllai, Don Pedro i Aragonit, të cilin e urrente, ndërsa në krah të tij ishte ulur Inkuizitori i Madh i Granadës. Edhe më i trishtuar se zakonisht shfaqej mbreti ndërsa vështronte infantën, e cila përulej përpara oborrtarëve që mblidheshin, ose qeshte pas erashkës së saj me dukeshën e zymtë të Albukerkut, që e shoqëronte gjithmonë. Ai mendonte për mbretëreshën e re, mamanë e saj, e cila i dukej sikur jo shumë kohë më parë kishte ardhur prej shtetit të lumtur të Francës, dhe ndërkaq ishte shuar brenda shkëlqimit të zymtë të oborrit spanjoll, vetëm gjashtë javë pasi kishte lindur, përpara se të kishte mundësinë të shihte bajamet të çelnin për së dyti në pemishte, ose të shkulte frutat e vitit të dytë prej pemës së fikut që ndodhej në qendër të oborrit, tashmë të mbirë me bar. Aq e madhe kishte qenë dashuria e tij për të, sa nuk kishte lejuar dot as varrin që t´ia fshihte. Ajo ishte balsamosur prej një mjeku arap, të cilit në këmbim të shërbimit të tij i ishte falur jeta, (e cila, siç thuhej, i përkiste Zyrës së Shenjtë për herezi dhe dyshime për praktika magjike) dhe trupi i saj qëndronte ende mbi shtratin mortor të mbuluar me sixhade, në kishëzën prej mermeri të zi të pallatit, pikërisht ashtu siç e kishin sjellë murgjit atë ditë me erë të muajit mars, gati dymbëdhjetë vjet më parë. Një herë në muaj, mbreti, i veshur me një pelerinë të errët dhe me një fener në dorë, hynte brenda dhe gjunjëzohej pranë saj, duke thirrur: “Mi reina! Mi reina![2]” Duke shkelur ndonjëherë edhe etikën e rreptë që në Spanjë rregullon çdo veprim të jetës, e i vë kufij madje edhe hidhërimit të një mbreti. Ai i shtrëngonte duart e saj të zbehta e të stolisura me gurë të çmuar, në një agoni të egër dhimbjeje, dhe përpiqej të zgjonte me puthje të zjarrta e të dëshpëruara atë fytyrë të ftohtë e të pikturuar.
Sot, atij iu duk se e pa sërish, ashtu siç e kishte parë për herë të parë në kështjellën e Fontenoblosë, kur ishte vetëm pesëmbëdhjetë vjeç, ndërsa ajo edhe më e re. Ata ishin fejuar zyrtarisht në atë rast nga përfaqësuesi i Papës, në prani të mbretit francez dhe të gjithë oborrit, dhe ai ishte kthyer në Eskorial duke mbajtur me vete një tufë të vogël flokësh të verdhë dhe kujtimin e dy buzëve fëminore që përkuleshin për t´i puthur dorën ndërsa hipte në karrocë. Më pas erdhi martesa, e kryer me ngut në Burgos (një qytet i vogël në kufirin mes dy shteteve), si dhe hyrja madhështore publike në Madrid, shoqëruar nga kremtimi i zakonshëm i meshës në kishën “La Atoça” dhe një auto-da-fé[3] me solemnitet të jashtëzakonshëm, gjatë të cilit gati treqind heretikë (mes të cilëve kishte edhe shumë anglezë), iu dorëzuan autoriteteve civile për t´u djegur.
Padyshim që e kishte dashuruar atë marrëzisht, dhe, sipas mendimit të shumë vetave, në dëm të vendit të tij, i cili asokohe ishte në luftë me Anglinë për zotërimin e perandorisë së Botës së Re. Rrallëherë e lejonte jashtë fushëpamjes së tij. Për hir të saj, ai kishte harruar, ose dukej se kishte harruar, të gjitha çështjet e mëdha të shtetit, dhe, me atë verbëri të tmerrshme që pasioni u shkakton shërbëtorëve të tij, nuk kishte vënë re se ceremonitë, me të cilat përpiqej t´i pëlqente asaj, vetëm sa e përkeqësonin sëmundjen e çuditshme prej së cilës ajo vuante. Kur ajo vdiq, ai u shfaq për njëfarë kohe si dikush që kishte humbur arsyen. Në të vërtetë, nuk kishte asnjë dyshim se ai do të kishte abdikuar dhe do të ishte tërhequr në manastirin e madh të Granadës, i të cilit ishte tashmë prior titullar[4], sikur të mos kishte pasur frikë ta linte infantën e vogël në mëshirën e të vëllait, mizoria e të cilit, madje edhe në Spanjë, ishte famëkeqe, dhe që dyshohej nga shumëkush se kishte shkaktuar vdekjen e mbretëreshës me anë të një pale dorezash të helmuara, të cilat ia kishte dhuruar me rastin e vizitës së saj në kështjellën e tij në Aragon. Edhe pas përfundimit të zisë trevjeçare, të cilën e kishte urdhëruar me dekret mbretëror në të gjitha zotërimet e tij, ai nuk pranonte kurrsesi që ministrat t´i flisnin për ndonjë aleancë të re. Madje, kur vetë perandori i dërgoi fjalë duke i ofruar për martesë dorën e mbesës së tij, arkidukeshës së hijshme të Bohemisë, ai u kërkoi ambasadorëve t´i thoshin zotërisë së tyre se mbreti i Spanjës ishte martuar tashmë me Pikëllimin, dhe se, ndonëse ajo ishte një nuse shterpë, ai e donte më shumë se Bukurinë. Një përgjigje kjo, e cila i kushtoi kurorës së tij provincat e pasura të Holandës, që pak kohë më pas, me nxitjen e perandorit, u ngritën kundër tij nën udhëheqjen e disa fanatikëve të kishës së reformuar.
E gjithë jeta e tij martesore, me gëzimet e saj të hovshme e plot zjarr dhe me agoninë e tmerrshme të përfundimit të papritur, dukej se po i rikthehej në mendje sot, ndërsa vëzhgonte infantën duke luajtur në tarracë. Ajo i kishte të gjitha sjelljet e lezetshme të mbretëreshës: të njëjtën mënyrë kryeneçe të hedhjes së kokës prapa, të njëjtën gojë të bukur, të harkuar e krenare, të njëjtën buzëqeshje të mrekullueshme (vrai sourire de France[5], padyshim), teksa ngrinte sytë herë pas here nga dritarja, apo zgjatte dorën e saj të vogël që t´ia puthnin zotërinjtë hijerëndë spanjollë. Por e qeshura e fëmijëve i vriste veshët, drita e fortë dhe e pamëshirshme e diellit tallte hidhërimin e tij, dhe një erë e rëndë erëzash të çuditshme, nga ato që përdorin balsamuesit, dukej se e ndotte (apo mos vallë ishte thjesht një përfytyrim?) ajrin e pastër të mëngjesit. Ai e mbuloi fytyrën me duar dhe, kur infanta ngriti sërish sytë, perdet ishin mbyllur dhe mbreti ishte larguar.
Ajo bëri një gjest të vogël pakënaqësie me buzë dhe ngriti supet. Vallë nuk mund të kishte qëndruar me të në ditëlindjen e saj? Ç’rëndësi kishin ato punët e kota shtetërore? Apo mos vallë kishte shkuar në atë kishëzën e zymtë, ku qirinjtë digjeshin gjithmonë dhe ku asaj nuk i lejohej kurrë të hynte? Sa e marrë nga ana e tij, kur dielli shkëlqente aq fort dhe të gjithë ishin kaq të lumtur! Përveç kësaj, ai do të humbiste ndeshjen shtirur me dema, për të cilën po binte tashmë boria, pa përmendur shfaqjen me kukulla dhe gjërat e tjera të mrekullueshme. Xhaxhai i saj dhe Inkuizitori i Madh ishin shumë më të arsyeshëm. Ata kishin dalë në tarracë dhe i bënë komplimente të këndshme. Kështu, ajo hodhi kokën e saj të hijshme mënjanë dhe, duke e marrë Don Pedron për dore, zbriti ngadalë shkallët drejt një pavijoni të gjatë prej mëndafshi vjollcë, të ngritur në fund të kopshtit. Fëmijët e tjerë e ndiqnin sipas një rendi të rreptë, ku të parët vinin ata me emrat më të gjatë.
Një vargan djemsh fisnikë, të veshur si toreadorë, doli për ta pritur. Konti i ri i Tierra-Nuevas, një djalosh tejet i pashëm, rreth katërmbëdhjetë vjeç, pasi zbuloi kokën me gjithë hirin e një hidalgoje dhe fisniku të lartë spanjoll të lindur, e shoqëroi solemnisht drejt një karrigeje të vogël prej fildishi e të larë në ar, të vendosur mbi një podium të ngritur mbi arenën. Fëmijët u mblodhën rreth e rrotull, duke tundur lehtas erashkat e tyre të mëdhaja dhe duke pëshpëritur me njëri-tjetrin, ndërsa Don Pedro dhe Inkuizitori i Madh qëndronin te hyrja duke qeshur. Madje edhe dukesha ( Kamerera-Major e quajtur), një grua e dobët, me tipare të ashpra dhe një jakë të rrumbullakët e të verdhë, nuk dukej aq e vrenjtur sa zakonisht. Një buzëqeshje e ftohtë i përshkonte fytyrën e rrudhur dhe e bënte t´i dridheshin buzët e holla e pa gjak.
Ishte padyshim një ndeshje e mrekullueshme me dema dhe, sipas mendimit të infantës, shumë herë më e bukur se ajo e vërteta që e kishin çuar të shihte në Sevilje, me rastin e vizitës së dukës së Parmës te i ati. Disa nga djemtë hidheshin e kërcenin mbi kuaj lodër të stolisur, duke tundur shtiza të gjata në të cilat ishin lidhur shirita shumëngjyrësh. Të tjerë ecnin në këmbë, duke valëvitur pelerinat e tyre të kuqe para demit dhe duke kërcyer lehtë mbi barrierë kur ai u turrej. Sa për vetë demin, ai ishte tamam si një dem i gjallë, ndonëse ishte bërë vetëm nga thupra dhe lëkurë. Ndonjëherë edhe vraponte nëpër arenë vetëm këmbët e pasme, gjë që asnjë dem i gjallë nuk do ta ëndërronte kurrë ta bënte. Ai bëri atë vërtet një ndeshje të shkëlqyer, dhe fëmijët u entuziazmuan aq shumë, saqë u ngritën në këmbë mbi stola, valëvitën shamitë e tyre prej dantelle dhe thirrën: Bravo toro! Bravo toro! po aq me mend sa të ishin njerëz të rritur. Megjithatë, në fund, pas një dyluftimi të gjatë (gjatë të cilit disa nga kuajt artificialë u shpuan tej e përtej dhe kalorësit e tyre u rrëzuan përtokë), konti i ri i Tierra-Nuevas e bëri demin të binte në gjunjë dhe, pasi mori lejen nga infanta për t´i dhënë coup de grâce[6], ai e nguli shpatën e tij prej druri në qafën e kafshës me aq forcë, saqë koka u shkëput krejtësisht dhe zbuloi fytyrën e qeshur të vogëlushit Monsieur de Lorraine, djalit të ambasadorit francez në Madrid.
Më pas, arena u spastrua mes duartrokitjeve të shumta dhe kuajt artificialë të ngordhur u tërhoqën zvarrë me solemnitet nga dy shërbëtorë arap, të veshur me uniforma të verdha e të zeza. Pas një ndërprerjeje të shkurtër, gjatë së cilës një mjeshtër francez i akrobacisë dha një shfaqje mbi litar, në skenën e një teatri të vogël, të ndërtuar enkas për këtë rast, u shfaqën disa kukulla italiane që vunë në skenë tragjedinë gjysmë-klasike të “Sofonisbës”. Ata aktronin aq mirë dhe gjestet e tyre ishin aq të natyrshme, saqë në fund të shfaqjes sytë e infantës ishin mbushur plot me lot. Madje, disa nga fëmijët vërtet qanë dhe u desh t´i ngushëllonin me ëmbëlsira. Edhe vetë Inkuizitori i Madh u prek aq shumë, saqë nuk mundi të mos i thoshte Don Pedros se i dukej e patolerueshme që gjëra të bëra thjesht prej druri e dylli me ngjyra, e që viheshin në lëvizje mekanikisht me anë të telave, të ishin kaq të palumtura dhe të pësonin fatkeqësi kaq të tmerrshme.
Më pas doli një zhongler afrikan, i cili solli një shportë të madhe e të sheshtë, të mbuluar me një pëlhurë të kuqe. Pasi e vendosi atë në qendër të arenës, nxori nga çallma e tij një fyell të çuditshëm prej kallami dhe i ra atij. Pas pak çastesh, pëlhura nisi të lëvizte dhe, ndërsa tingulli i fyellit bëhej gjithnjë e më i mprehtë, dy gjarpërinj ngjyrë jeshile e ari nxorën kokat e tyre të çuditshme në formë pyke dhe u ngritën ngadalë lart, duke u lëkundur në ritmin e muzikës, ashtu siç lëkundet një bimë në ujë. Fëmijët ama, u trembën disi nga majat e kokave të tyre me njolla dhe gjuhët që u dilnin me shpejtësi, ndaj u gëzuan shumë më tepër kur magjistari bëri që nga rëra të rritej një pemë e vogël portokalli, e cila nxori lule të bukura të bardha dhe vile me fruta të vërteta. Dhe kur ai mori erashkën e bijës së vogël të markezit de Las-Torres dhe e shndërroi në një zog blu, i cili fluturoi rreth e qark pavijonit dhe këndoi, gëzimi dhe habia e tyre nuk kishin të sosur. Edhe minueti solemn, i interpretuar nga djemtë valltarë të kishës “Nuestra Senora del Pilar”, ishte magjepsës. Infanta nuk e kishte parë kurrë më parë këtë ceremoni të mrekullueshme, e cila zhvillohet çdo vit në muajin maj, para altarit të lartë të Virgjëreshës, për nder të saj. Në të vërtetë, askush nga familja mbretërore e Spanjës nuk kishte hyrë në katedralen madhështore të Saragosës që kur një prift i çmendur (për të cilin shumë besonin se ishte paguar nga Elizabeta e Anglisë) kishte tentuar t´i jepte princit të Asturias helm. Kështu, ajo vetëm e kishte dëgjuar të flitej për “Vallen e Zonjës Sonë,” siç quhej ajo, dhe me siguri që i ishte dukur një pamje e bukur. Djemtë mbanin veshje ceremoniale të stilit të vjetër prej kadifeje të bardhë. Kapelat e tyre të veçanta trekëndëshe ishin të zbukuruara me argjend dhe të kurorëzuara me pendë të mëdha struci, ndërsa bardhësia verbuese e kostumeve të tyre, teksa lëviznin nën dritën e diellit, theksohej edhe më shumë nga fytyrat e tyre të zeshkëta dhe flokët e gjatë e të zinj. Të gjithë mbetën të magjepsur nga dinjiteti solemn me të cilin ata lëviznin, si dhe nga hirësia e rafinuar e gjesteve të tyre të ngadalta e përuljeve madhështore. Kur e përfunduan shfaqjen, ata hoqën kapelat e mëdha me pupla përpara Infantës. Ajo ua ktheu gjestin plot me nderim e mirësjellje dhe u zotua se do të dërgonte një qiri të madh dylli në shenjtëroren e Zonjës Sonë të Pilarit, në shenjë mirënjohjeje për gëzimin që Ajo i kishte dhuruar.
Një grup egjiptianësh të pashëm (kështu quheshin në atë kohë ciganët) hyri më pas në arenë dhe, duke u ulur këmbëkryq në një rreth, filluan t´u binin lehtë ziterave[7], duke lëvizur trupin në ritmin e melodisë dhe duke murmuritur, thuajse pa zë, një melodi të ulët e ëndërrimtare. Kur panë Don Pedron, disa e vështruan me vrer, e të tjerë të tmerruar (pasi, vetëm pak javë më parë, ai kishte urdhëruar varjen e dy pjesëtarëve të fisit të tyre në sheshin e tregut në Sevilje), por infanta e hijshme i magjepsi teksa mbështetej pas dhe hidhte vështrime mbi erashkën e saj me sytë e mëdhenj blu. Ata ishin të bindur se një vajzë aq e bukur nuk mund të tregohej mizore ndaj askujt, ndaj vazhduan të luanin shumë butë, duke prekur lehtësisht telat e ziterave me thonjtë e tyre të gjatë e të mprehtë. Kokat filluan t´u vareshin sikur t´i zinte gjumi. Papritur, me një klithmë aq të mprehtë saqë të gjithë fëmijët u trembën dhe dora e Don Pedros u shtrëngua mbi dorezën prej agati[8] të hanxharit të tij, ata u ngritën në këmbë dhe filluan të vërtiteshin furishëm përreth, duke rrahur dajretë e tyre dhe duke kënduar një këngë dashurie të egër në gjuhën e tyre të çuditshme dhe grykore. Pastaj, me një shenjë tjetër, të gjithë u hodhën sërish përtokë dhe qëndruan aty krejt të palëvizshëm. Tingëllima e mbytur e ziterëve ishte e vetmja gjë që e prishte heshtjen. Pasi e bënë këtë disa herë, u zhdukën për një çast dhe u kthyen përsëri duke tërhequr me zinxhir një ari ngjyrë kafe me qime të shpupurisura dhe duke mbajtur mbi supe disa majmunë të vegjël. Ariu qëndronte mbi kokë me përqëndrimin më të madh, ndërsa majmunët bënin lloj-lloj marifetesh gazmore me dy djem ciganë që dukeshin se ishin të zotët e tyre. Ata dyluftonin me shpata të vogla, qëllonin me armë dhe kryenin ushtrime ushtarake, si vetë roja personale e mbretit. Në fakt, ciganët patën një sukses të madh.
Por pjesa më gazmore e gjithë argëtimit të mëngjesit ishte padyshim vallëzimi i xhuxhit të vogël. Kur ai hyri me hapa të pasigurt në arenë, duke u lëkundur mbi këmbët e tij të shtrembra dhe duke tundur kokën e madhe e të deformuar herë në njërën anë e herë në tjetrën, fëmijët shpërthyen në të qeshura dhe vetë infanta qeshi aq shumë, saqë kamerera u detyrua t’i kujtonte se, ndonëse në Spanjë kishte pasur raste të shumta kur një bijë mbreti kishte derdhur lot para të barabartëve të saj, nuk kishte asnjë rast që një princeshë me gjak mbretëror të shfaqte një gëzim të tillë para atyre që ishin të rangut më të ulët se ajo. Xhuxhi ishte vërtet tejet tërheqës (edhe në oborrin spanjoll, të shquar gjithmonë për pasionin e tij të kultivuar ndaj së tmerrshmes, nuk ishte parë kurrë një përbindësh i vogël kaq fantastik). Ishte shfaqja e tij e parë po ashtu. Ai ishte gjetur vetëm një ditë më parë, teksa endej nëpër pyll, nga dy fisnikë që rastisën të ishin duke gjuajtur në një pjesë të largët të pyllit të madh që rrethonte qytetin, dhe ishte marrë prej tyre e dërguar në pallat si një surprizë për infantën. I ati, i cili qe një qymyrtar i varfër, ishte tejet i kënaqur që po e hiqte qafe një fëmijë kaq të shëmtuar e të pavlerë. Ndoshta gjëja më gazmore tek ai ishte mungesa e plotë e vetëdijes për pamjen e vet groteske. Ai dukej mjaft i lumtur dhe plot gjallëri. Kur fëmijët qeshnin, ai qeshte po aq lirshëm dhe me po aq gëzim sa ata. Në fund të çdo valleje, u bënte të gjithëve nga një përkulje qesharake, duke buzëqeshur dhe duke tundur kokën drejt tyre, a thua se ishte vërtet njëri prej tyre e jo një krijesë e vogël e shfytyruar, të cilën Natyra, në ndonjë çast humori, e kishte krijuar që të tjerët të talleshin me të. Sa për infantën, ajo e magjepste atë plotësisht. Ai nuk mund t´i hiqte dot sytë prej saj dhe dukej sikur vallëzonte vetëm për të. Kur, në fund të shfaqjes, (teksa kujtonte se si i kishte parë zonjat e mëdha të oborrit t´u hidhnin buqeta lulesh Kafarellit, këngëtarit të famshëm italian me zë të lartë, të cilin papa e kishte dërguar nga kapela e tij në Madrid për të shëruar melankolinë e mbretit me ëmbëlsinë e zërit të tij), ajo e hoqi trëndafilin e bukur të bardhë nga flokët dhe, pjesërisht për shaka e pjesërisht për të ngacmuar kamereran, ia hodhi atij me buzëqeshjen e saj më të ëmbël, ai e mori shumë seriozisht. E shtrëngoi lulen te buzët e tij të ashpra, vuri dorën në zemër dhe u gjunjëzua para saj, me një buzëqeshje të gjerë që i shkonte vesh më vesh dhe me sytë e tij të vegjël e të gjallë që shkëlqenin nga kënaqësia.
Ky gjest i kishte bërë aq shumë përshtypje Infantës, saqë vazhdonte të qeshte edhe shumë kohë pasi xhuxhi i vogël kishte dalë me vrap nga arena, dhe i kishte shprehur xhaxhait të saj dëshirën që vallëzimi të përsëritej menjëherë. Por kamerera, me pretekstin se dielli ishte tepër i fortë, vendosi se do të ishte më mirë që madhëria e saj të kthehej pa vonesë në pallat, ku tashmë ishte përgatitur një gosti e mrekullueshme për të, bashkë me një tortë ditëlindjeje, e cila mbante kudo inicialet e saj të punuara me sheqer të ngjyrosur dhe një flamurth të bukur argjendi që valëvitej në majë. Infanta u ngrit me shumë dinjitet dhe, pasi dha urdhër që xhuxhi i vogël të kërcente sërish për të pas orës së siestës dhe shprehu falenderimet e saj ndaj kontit të ri të Tierra-Nuevas për pritjen e këndshme, u kthye në dhomat e saj, ndërsa fëmijët e ndiqnin sipas të njëjtit rend me të cilin kishin hyrë.
Kur xhuxhi i vogël dëgjoi se do të vallëzonte për herë të dytë para Infantës, me urdhrin e saj të prerë, u krenua aq shumë sa vrapoi në kopësht duke e puthur trëndafilin e bardhë në një ekstazë gëzimi të absurde e qesharake, duke bërë gjeste gëzimi tejet të pagdhendura e të shkujdesura.
Lulet ishin mjaft të zemëruara që ai kishte guxuar të hynte në shtëpinë e tyre të bukur, dhe kur e panë duke kërcyer lart e poshtë nëpër shtigje e duke tundur krahët mbi kokë në atë mënyrë qesharake, nuk mundën t´i përmbanin ndjenjat e tyre.
“Ai është vërtet tepër i shëmtuar për t´u lejuar të luajë aty ku gjendemi ne,” thanë tulipanët.
“Ai duhet të pijë lëng lulëkuqeje dhe të bjerë në gjumë për një mijë vjet,” thanë zambakët e mëdhenj e të kuq flakë, të cilët u nxehën e u zemëruan shumë.
“Ai është një tmerr i vërtetë!” klithi Kaktusi. “Pse është aq i deformuar dhe i shtypur? Kokën e ka në përpjestim të zhdrejtë me këmbët. Më bën të ndihem i gjithi me gjemba. Nëse më afrohet, kam për ta shpuar.”
“Dhe ai ka një nga të çelurat e mia më të bukura.” shtoi bima e trëndafilit të bardhë. “Ia dhashë vetë Infantës këtë mëngjes, si dhuratë për ditëlindje, dhe ai ia ka vjedhur.” Dhe nisi të thërriste: “Hajdut, hajdut, hajdut!” me sa i mbante zëri.
Edhe barbarozat e kuqe, të cilat zakonisht nuk mbaheshin me të madhe dhe dihej se kishin vetë një mori të afërmish të varfër, u tkurrën nga neveria kur e panë, dhe kur manushaqet vunë në dukje se, ndonëse ai ishte pa dyshim tejet i shëmtuar, prapëseprapë nuk kishte ç´të bënte për këtë, ato u përgjigjën me mjaft të drejtë se ky ishte pikërisht defekti i tij kryesor dhe se nuk kishte asnjë arsye për ta admiruar dikë vetëm pse gjendja e tij ishte e pashërueshme. Madje, edhe disa prej vetë manushaqeve mendonin se shëmtia e xhuxhit të vogël ishte sfiduese, dhe se ai do të ishte treguar më i sjellshëm po të dukej i trishtuar, ose të paktën i shqetësuar, në vend që të hidhej gëzueshëm dhe të merrte poza kaq groteske e qesharake.
Sa për orën e vjetër të diellit (një individ vërtet i jashtëzakonshëm, që dikur i kishte treguar orën vetë perandorit Karl V), ajo mbeti aq e shtangur nga pamja e xhuxhit të vogël, saqë për pak sa nuk harroi të shënonte dy minuta të plota me gishtin e saj të gjatë e hijezues. Madje, nuk mundi të mos i thoshte dot palloit të madh e të bardhë si qumështi, i cili po shijonte rrezet e diellit mbi parmak, se të gjithë e dinin që fëmijët e mbretërve ishin mbretër, ndërsa fëmijët e qymyrtarëve ishin qymyrtar, dhe se ishte absurde të pretendohej e kundërta. Një pohim me të cilin palloi u pajtua aq shumë, sa bërtiti: “Sigurisht, sigurisht!” me një zë aq të lartë e të ashpër, saqë peshqit e artë, që jetonin në pellgun e shatërvanit me ujë të freskët, nxorën kokat nga uji dhe i pyetën Tritonët gjigantë prej guri se çfarë dreqin po ndodhte.
Kurse zogjtë, për habi, e pëlqenin. Ata e kishin parë shpesh në pyll, duke kërcyer si një elf pas gjetheve që vërtiteshin, ose të strukur në zgavrën e ndonjë lisi të vjetër, duke ndarë lajthitë e tij me ketrat. Atyre nuk u bënte aspak përshtypje fakti se ai ishte i shëmtuar. Madje edhe vetë bilbili, që këndonte aq ëmbël në pemëtoret me portokaj gjatë natës, sa ndonjëherë edhe vetë hëna ulej për ta dëgjuar, nuk ishte ndonjë gjë e veçantë për t´u parë. Përveç kësaj, ai ishte treguar i sjellshëm me ta, dhe gjatë atij dimri tejet të ashpër, kur në pemë nuk kishte më kokrra, toka ishte bërë e fortë si hekuri, e ujqërit kishin zbritur deri te portat e qytetit në kërkim të ushqimit, ai nuk i kishte harruar kurrë, por gjithmonë u jepte thërrime nga thela e tij e vogël e bukës së zezë dhe ndante me ta çfarëdo mëngjesi të thjeshtë që kishte.
Ndaj ata fluturonin rreth e qark tij, duke ia prekur lehtas faqen me krahë teksa kalonin, dhe cicëronin me njëri-tjetrin. Xhuxhi i vogël ishte aq i gëzuar, sa nuk u përmbajt dot pa u treguar trëndafilin e bukur të bardhë, dhe pa u thënë se vetë infanta ia kishte dhënë, sepse ajo e donte.
Ata nuk kuptonin asnjë fjalë nga ato që thoshte ai, por kjo nuk kishte rëndësi, sepse e anonin kokën mënjanë dhe shfaqeshin të vëmendshëm, që është po aq e vlefshme sa ta kuptosh diçka, e madje shumë më e lehtë.
Edhe hardhucat e pëlqyen jashtë mase dhe, kur ai u lodh së vrapuari e u shtri në bar për të pushuar, ato lozën e kërcyen mbi të, duke u përpjekur ta argëtonin sa më mirë që mundeshin.
“Jo të gjithë mund të jenë të bukur si hardhucat.” thoshin ato. “Do të ishte e tepërt të prisje një gjë të tillë. Dhe, sado absurde të duket, ai në të vërtetë nuk është aq i shëmtuar, me kusht, natyrisht, që njeriu t´i mbyllë sytë e të mos e shikojë.”
Hardhucat ishin jashtëzakonisht filozofike nga natyra dhe shpesh rrinin duke u menduar me orë të tëra, kur nuk kishin asgjë tjetër për të bërë ose kur binte më shumë shi se duhej për të dalë jashtë.
Megjithatë, lulet ishin tejet të irrituara nga sjellja e tyre dhe nga sjellja e zogjve. “Kjo vetëm sa tregon,” thanë ato, “se çfarë efekti vulgarizues ka ky vrapim e fluturim i pandërprerë. Njerëzit e edukuar mirë qëndrojnë gjithmonë pikërisht në të njëjtin vend, ashtu siç bëjmë ne. Askush nuk na pa kurrë duke u hedhur lart e poshtë nëpër shtigje, apo duke vrapuar me vrull nëpër bar pas pilivesave. Kur duam të ndërrojmë ajrin, thërrasim kopshtarin dhe ai na çon në një lehe tjetër. Kjo është gjëja më e denjë, dhe mënyra si duhet të jetë. Por zogjtë dhe hardhucat nuk e njohin qetësinë e qëndrimit në një vend. Madje, zogjtë nuk kanë as adresë të përhershme. Ata janë thjesht endacakë, siç janë ciganët, ndaj edhe duhet të trajtohen në të njëjtën mënyrë.”
Ato i ngritën hundët përpjetë, morën një pamje tejet fodulle dhe u gëzuan pa masë kur, pas pak kohësh, panë xhuxhin e vogël të ngrihej me mundim nga bari dhe të kalonte përmes tarracës drejt pallatit.
“Padyshim që duhet mbajtur brenda për gjithë pjesën e mbetur të jetës së tij.” thanë ato. “Shikojani kurrizin e kërrusur dhe këmbët e shtrembra.” dhe filluan të qeshnin nën zë.
Por xhuxhi i vogël nuk merrte vesh asgjë nga këto. Ai i donte pa masë zogjtë e hardhucat, dhe mendonte se lulet ishin gjërat më të mrekullueshme në të gjithë botën, përveç, sigurisht, infantës. Ajo i kishte dhuruar trëndafilin e bukur të bardhë dhe e donte atë, e kjo bënte një ndryshim të madh. Sa shumë do të kishte dashur të kishte shkuar me të! Ajo do ta kishte vendosur atë në krahun e saj të djathtë dhe do t´i kishte buzëqeshur, e për këtë nuk ai do të ishte larguar kurrë nga ana e saj, por do ta kishte bërë shoqe loje dhe do t´i kishte mësuar lloj-lloj trukesh të këndshme. Sepse, ndonëse nuk kishte qenë kurrë më parë në një pallat, ai dinte shumë gjëra të mrekullueshme. Ai mund të bënte kafaze të vogla prej kallamishtesh për karkalecat që të këndonin brenda tyre, si edhe të shndërronte bambunë e gjatë me nyje në atë fyell që Pani dëshironte aq shumë ta dëgjonte. Ai e njihte zërin e çdo zogu dhe mund t´i thërriste gargulleshat nga maja e pemës apo çafkat nga këneta. Ai i njihte gjurmët e çdo kafshe dhe mund ta ndiqte lepurin nga gjurmët e tij të lehta, ndërsa derrin e egër nga gjethet e shkelura. Të gjitha vallet e egra ai i njihte: vallen e çmendur me veshje të kuqe nën shoqërinë e vjeshtës, vallen e lehtë me sandale blu mbi fushat e misrit, vallen me kurora dëbore të bardhë në dimër dhe vallen e luleve nëpër pemishte gjatë pranverës. Ai e dinte se ku i bënin foletë pëllumbat dhe, një herë, kur një gjahtar kishte kapur në kurth zogjtë prindër, ai vetë i kishte rritur të vegjlit dhe u kishte ndërtuar një fole në zgavrën e një vidhi të krasitur. Ata ishin të butë dhe ushqeheshin prej duarve të tij çdo mëngjes. Ajo do t´i pëlqente ata, si dhe lepujt që vraponin andej-këndej mes fierit të gjatë, laraskat me pendë ngjyrë çeliku e sqep të zi, iriqët që mund të mblidheshin si topa me gjemba, dhe breshkat e mëdha e të mençura që lëviznin ngadalë, duke tundur kokën dhe duke kafshuar gjethet e reja. Po, ajo patjetër duhet të vinte në pyll e të luante me të. Ai do t’i jepte shtratin e tij të vogël dhe do të qëndronte roje jashtë dritares deri në agim, për t´u siguruar që bagëtia e egër me brirë të mos e dëmtonte, e as ujqërit e dobët e të uritur të mos i afroheshin shumë kasolles. Më pas ai do të hapte grilat dhe ta zgjonte, e ata do të dilnin jashtë të kërcenin së bashku gjithë ditën. Nuk ishte aq pyll i vetmuar. Me raste, përmes vendit mund të kalonte ndonjë peshkop mbi mushkën e tij të bardhë, duke lexuar një libër të pikturuar. Herë pas here kalonin mbajtësit e skifterave me kapele prej kadifeje të gjelbër dhe xhupa prej lëkure dreri, duke mbajtur zogjtë në kyçet e dorës. Në kohën e vjeljes vinin shtypësit e rrushit, me duar e këmbë ngjyrë vjollcë, të mbuluara me gjethe të shndritshme dhe lëkura prej frutit. Qymyrtarët rrinin ulur rreth mangallëve të tyre të mëdhenj gjatë natës, duke vëzhguar trungjet e thata që digjeshin ngadalë në zjarr dhe duke pjekur gështenja, ndërsa grabitësit dilnin nga shpellat e tyre dhe argëtoheshin me ta. Një herë, gjithashtu, kishte parë një vargan të bukur që shkonte përgjatë rrugës së gjatë e me pluhur drejt Toledos. Murgjit ecnin përpara duke kënduar ëmbël dhe duke mbajtur flamuj të ndritshëm e kryqe prej ari. Pastaj vinin ushtarët me parzmore argjendi, të armatosur me pushkë e shtiza, në mes të së cilëve ecnin tre burra zbathur, të veshur me petka të çuditshme të verdha, të pikturuara gjithandej me figura të mrekullueshme, të cilët mbanin në duar qirinj të ndezur. Në pyll kishte shumë gjëra për të parë dhe, kur ajo të lodhej, ai do t´i gjente ndonjë shtrat të butë me myshk, ose do ta mbante në krahë, sepse ishte shumë i fuqishëm, ndonëse e dinte që nuk ishte i gjatë. Ai do t´i bënte asaj një gjerdan me kokrra të kuqe, po aq të bukura sa kokrrat e bardha që mbante në fustan, e kur të lodhej me to, mund t´i hidhte, dhe ai do t´i gjente të tjera. Ai do t´i sillte asaj kupa të bëra prej frytit të lisit, fillikate të lara me vesë dhe dhe krimba të ndritshëm që të bëheshin si yje në arin e zbehtë të flokëve të saj.
Por ku ishte ajo? Ai e pyeti trëndafilin e bardhë, por ai nuk i dha asnjë përgjigje. I gjithë pallati dukej sikur flinte. Edhe aty ku grilat nuk ishin mbyllur, perdet e rënda ishin vendosur para dritareve për të penguar dritën e fortë. Ai u end gjithandej duke kërkuar ndonjë vend nga ku mund të hynte dhe, më në fund, pa një derë të vogël që qëndronte hapur. Hyri brenda dhe e gjeti veten në një sallë madhështore, shumë më madhështore, druhej ai, sesa pylli, pasi kishte shumë më tepër zbukurime të arta gjithandej. Madje edhe dyshemeja ishte prej gurësh të mëdhenj me ngjyra, të bashkuar në njëfarë modeli gjeometrik. Por infanta e vogël nuk ndodhej aty. Aty kishte vetëm disa statuja të mrekullueshme të bardha, të cilat e vështronin atë nga lart prej piedestaleve të tyre, me sy të trishtë e të zbrazët dhe buzë që qeshnin në një mënyrë të çuditshme.
Në fund të sallës varej një perde prej kadifeje të zezë, e qëndisur me motive dielli e yje (simbolet e preferuara të Mbretit, mbi ngjyrën që ai donte më së shumti). Ndoshta ajo po fshihej pas saj? Ai do ta provonte.
Kështu, ai kaloi me kujdes dhe e tërhoqi mënjanë. Jo. Pas saj kishte vetëm një dhomë tjetër, edhe më të bukur në sytë e tij se ajo në të cilën ndodhej. Muret ishin të veshura me një tapiceri të gjelbër, me figura të shumta që paraqitnin një skenë gjuetie (vepër e disa artistëve flamandë që kishin punuar më shumë se shtatë vjet për realizimin e saj). Ajo kishte qenë dikur dhoma e Jean le Fou, atij mbreti që ishte aq i dhënë pas gjuetisë, sa në delirin e tij ishte rrekur shpesh t´u hipte kuajve të stërmëdhenj që ngriheshin përpjetë, dhe të tërhiqte përtokë drerin mbi të cilin hidheshin zagarët e mëdhenj, duke i rënë bririt të tij të gjuetisë e duke goditur me kamë drerin e zbehtë që ikte fluturimthi. Tani ajo përdorej si sallë këshilli dhe mbi tryezën qendrore ndodheshin dosjet e kuqe të ministrave, të stampuara me tulipanët e artë të Spanjës, si dhe me stemat e emblemat e Habsburgëve.
Xhuxhi i vogël shikonte përreth me habi dhe druhej të vazhdonte. Kalorësit e çuditshëm, të heshtur, që galoponin aq shpejt përmes hapësirave të gjata të pyllit pa lëshuar asnjë zhurmë, i dukeshin si ato fantazma të tmerrshme për të cilat kishte dëgjuar të flisnin qymyrtarët, Kompraçoset, të cilat gjuanin vetëm natën dhe, nëse ndeshnin ndonjë njeri, e shndërronin në drenushë dhe viheshin pas. Por ai mendoi për Infantën e bukur dhe mori guxim. Donte ta gjente vetëm dhe t´i thoshte se edhe ai e donte. Ndoshta ajo ndodhej në dhomën ngjitur.
Ai vrapoi mbi qilimat e butë dhe hapi derën. Jo. Ajo nuk ishte as këtu. Dhoma ishte e gjitha bosh.
Ishte një dhomë froni, e cila përdorej për pritjen e ambasadorëve të huaj, kur mbreti (i cili kohët e fundit nuk e kishte bërë shpesh), pranonte t´u jepte atyre një audiencë personale. E njëjta dhomë ku, shumë vite më parë, ishin shfaqur të dërguar nga Anglia për martesën e mbretëreshës së tyre (e cila në atë kohë ishte një nga sovranet katolike të Evropës) me djalin më të madh të perandorit. Muret ishin veshur me letër Kordobe të praruar, dhe një llambadar i larë në ar me degëzime për treqind qirinj, varej nga tavani bardhezi. Nën një pëlhurë të gjerë e të artë, ku ishin qëndisur luanë e kulla të Kastiljes, lartohej vetë froni, i mbuluar nga një shtresë e pasur prej kadifeje të zezë, e stolisur me tulipanë argjendi, dhe përgjatë thekut të saj me argjend e margaritarë. Mbi shkallën e dytë të fronit ishte vendosur stoli i gjunjëzimit për infantën, me jastëkun e tij prej pëlhure me fije argjendi. Më poshtë se ai, dhe jashtë rrethit të pëlhurës ceremoniale, qëndronte karrigia e përfaqësuesit të papës (të vetmit që kishte të drejtën të ulej në praninë e mbretit gjatë çdo ceremonie publike), kapela prej kardinali e së cilit, me xhufkat e ngatërruara ngjyrë të kuqe të ndezur, qëndronte mbi një stol të vogël ngjyrë vjollcë, përballë. Në mur, përballë fronit, varej një portret i Karlit të V-të me veshje gjuetie dhe me një qen të madh të rracës mastif në krah, ndërsa në qendër të murit tjetër ndodhej një pikturë e Filipit të II-të që priste homazhet e Holandës[9]. Mes dritareve qëndronte një kabinet i zi, me pllaka fildishi, mbi të cilat ishin gdhendur figurat nga “Vallja e Vdekjes” e Holbainit (sipas fjalëve të disa njerëzve, nga dora e vetë atij mjeshtri të famshëm).
Por xhuxhi i vogël nuk e çante kokën aspak për gjithë këtë madhështi. Ai nuk do ta kishte dhënë trëndafilin e tij as për të gjitha perlat e pëlhurës. Madje, nuk do të kishte dhënë as edhe një petal të vetëm të bardhë të trëndafilit për vetë fronin. Ajo që donte ishte ta shihte infantën para se ajo të zbriste dhe t´i kërkonte të ikte me të pasi të kishte mbaruar vallëzimin. Në pallat ajri ishte i rëndë, kurse në pyll era frynte e lirë dhe rrezet e diellit, me duar endacake prej floriri, mënjanonin gjethet që luhateshin. Kishte lule në pyll po ashtu. Ndoshta jo aq të bukura sa ato të kopshtit, por me një aromë më të ëmbël, si zymbylat në fillim të pranverës, që i mbushnin me valëzime vjollcë luginat e freskëta dhe kodrinat me bar, ose lulet e tjera të verdha që strehoheshin në tufa të vogla rreth rrënjëve të përdredhura të lisave, ose latrapecat e ndritshme, veronikat blu dhe iriset në ngjyrë jargavani e ari. Kishte lule gri që vareshin nëpër pemët e lajthive, dhe të tjera që përkuleshin nën peshën e rëndë të bletëve që vërtiteshin brenda tyre. Gështenja kishte majat e saj me yje të bardhë, ndërsa murrizi, hënat e tij të zbehta plot bukuri. Po, me siguri ajo do të vinte, nëse ai do të mund ta gjente! Ajo do të vinte me të në pyllin e bukur dhe, gjatë gjithë ditës, ai do të kërcente për t´i sjellë gëzim. Një e qeshur i vezulloi sytë prej atij mendimi, dhe më pas kaloi në dhomën ngjitur.
Nga të gjitha dhomat, kjo ishte më e ndritshmja dhe më e bukura. Muret ishin të veshura me damaskë nga Luka me lule rozë, të zbukuruara me figura zogjsh dhe me lule të vogla e delikate prej argjendi. Mobiliet ishin prej argjendi po ashtu, të zbukuruara me kurora lulesh të punuara imët dhe me figura Kupidësh që lëkundeshin. Përpara dy oxhaqeve qëndronin sipërfaqe të mëdha ruajtëse, të qëndisura me papagaj e pallonj, dhe dyshemeja prej oniksi në të gjelbër deti, e cila dukej sikur humbiste thellë në largësi. Ai këtu nuk ishte vetëm. Duke qëndruar nën hijen e hyrjes, në skajin më të largët të dhomës, ai pa një figurë të vogël që po e vëzhgonte. Zemra po i rrihte fort dhe nga gëzimi i shpëtoi një britmë teksa dilte në dritën e diellit. Ndërsa ai lëvizte, figura bënte po të njëjtën gjë, derisa iu bë e qartë.
Infanta! Ishte një përbindësh. Përbindëshi më grotesk që kishte parë ndonjëherë. Me një trup të formuar ndryshe nga të tjerët. Me kurriz të dalë dhe gjymtyrë të shtrembra. Me një kokë të madhe që i varej rëndshëm dhe me një tufë flokësh të zinj. Xhuxhi i vogël u vrenjt dhe përbindëshi u vrenjt gjithashtu. Ai qeshi, dhe përbindëshi qeshi bashkë me të, duke i mbajtur duart mbi ije, porsi ai vetë. Ai i bëri një përkulje tallëse, dhe tjetri i ktheu një përkulje të ulët e plot nderim. Ai shkoi drejt përbindëshit, e përbindëshi shkoi drejt tij, duke imituar çdo hap që ai bënte dhe duke ndaluar kur ai vetë ndalonte. Ai qeshi me të madhe, vrapoi përpara dhe zgjati dorën. Dora e përbindëshit preku të tijën, dhe ishte e ftohtë si akulli. Ai u tremb, dhe u përpoq ta lëvizte dorën, por ajo sa herë takohej me atë të tjetrit. Ai u përpoq ta shtynte tej, por diçka e lëmuar dhe e fortë e ndalonte. Fytyra e përbindëshit ndodhej tani fare pranë asaj të tij, dhe dukej e tmerruar. Ai i largoi flokët nga sytë. Përbindëshi e imitoi atë. Ai u përpoq ta godiste, por përbindëshi ia kthente çdo goditje mbrapsht. Ai e urrente atë. Përbindëshi i bënte grimasa të shëmtuara. Ai u tërhoq dhe tjetri u zmbraps.
Çfarë është? Ai u mendua për një çast dhe më pas i hodhi sytë rreth e rrotull në pjesët e tjera të dhomës. Ishte e çuditshme, por gjithçka dukej se e kishte shëmbëllimin e saj në këtë mur të padukshëm prej uji të kthjellët. Po, përsëriteshin pikturë pas pikture dhe divan pas divani. Fauni që flinte në pjesën e strukur brenda murit pranë derës kishte vëllain e tij binjak që gjithashtu flinte, ndërsa Venera[10] prej argjendi, e cila qëndronte në dritën e diellit, i shtrinte krahët drejt një Venere tjetër po aq të hijshme sa ajo vetë.
A ishte eko? Ai kishte thirrur një herë në luginë dhe ajo i ishte përgjigjur fjalë për fjalë. A mund ta imitonte ekoja syrin, ashtu siç imitonte zërin? A mund të krijonte një botë imituese, krejt si bota reale? A mund të kishin ngjyrë, jetë dhe lëvizje hijet e gjërave? Mos vallë… ?
Ai u trondit dhe, duke nxjerrë nga gjoksi trëndafilin e bukur të bardhë, u kthye dhe e puthi. Përbindëshi kishte një trëndafil të vetin, identik në çdo petal! E puthi me të njëjtat puthje dhe e shtrëngoi pas zemrës me gjeste të tmerrshme.
Kur e kuptoi të vërtetën, ai lëshoi një klithmë të egër dëshpërimi dhe u rrëzua përtokë duke qarë me dënesë. Pra ishte ai vetë që e kishte trupin të deformuar e gungaç, që dukej i neveritshëm dhe grotesk. Përbindëshi ishte vetë ai. Pikërisht atë po tallnin të gjithë fëmijët, madje edhe princesha e vogël, që ai mendonte se e donte. Edhe ajo thjesht po tallej me shëmtinë e tij dhe po argëtohej me gjymtyrët e tij të shtrembëruara. Pse nuk e kishin lënë në pyll, ku nuk kishte asnjë pasqyrë që t´i tregonte se sa i neveritshëm ishte? Pse nuk e kishte vrarë i ati, në vend që ta shiste për turpin e tij? Lotët e nxehtë i rridhnin faqeve dhe ai e bëri copë-copë trëndafilin e bardhë. Përbindëshi bëri të njëjtën gjë dhe i shpërndau petalet në ajër. Shembëllimi i zvarritej përtokë dhe, kur ai e shikoi, tjetri e vështroi me një fytyrë të shtrembëruar nga dhimbja. Ai u largua, që të mos e shihte, dhe i mbuloi sytë me duar. U zvarrit, si ndonjë krijesë e plagosur, drejt hijes dhe u shtri aty duke rënkuar.
Pikërisht në atë çast, vetë infanta hyri brenda bashkë me miqtë e saj përmes dritares së hapur, dhe kur e panë xhuxhin e vogël e të shëmtuar përtokë duke i rënë dyshemesë me grushta, në mënyrën më fantastike e të ekzagjeruar, nisën të qeshnin me të madhe, e hapën vend përreth për ta vëzhguar.
“Kërcimi i tij ishte qesharak.” tha infanta. “Por aktrimi i tij është edhe më qesharak. Vërtet, ai duket po aq i mirë sa kukullat. Veçse, më pak natyral.” dhe tundi erashkën e saj e më pas duartrokiti.
Por xhuxhi i vogël nuk e ngriti kurrë kokën. Ofshamat e tij u bënë gjithnjë e më të dobëta dhe papritur ai nxori një gulçim të çuditshëm dhe shtrëngoi brinjët. Më pas ra përsëri dhe mbeti krejt i palëvizshëm.
“Kjo po që ishte e shkëlqyer.” tha infanta. “Por tani ti duhet të vallëzosh për mua.”
“Po.” thanë të gjithë fëmijët. “Ti duhet të ngrihesh e të kërcesh, sepse je po aq i shkathët sa majmunët dhe shumë herë më qesharak.”
Por xhuxhi i vogël nuk u përgjigj.
Infanta përplasi këmbën në tokë e thirri xhaxhain e saj, i cili po shëtiste në tarracë me kryeshërbëtorin e oborrit, duke lexuar disa shkresa që sapo kishin mbërritur nga Meksika, ku ishte themeluar së fundmi Zyra e Shenjtë.
“Xhuxhi im i vogël e qesharak po mban mëri.” i tha ajo. “Duhet ta zgjoni dhe t´i thoni të kërcejë për mua.”
Ata shkëmbyen buzëqeshje dhe hynë brenda me hapa të lehtë. Don Pedro u përkul dhe i ra xhuxhit në faqe me dorezën e tij të qëndisur.
“Duhet të vallëzosh.” i tha. “petit monsire[11]. Duhet të vallëzosh. Infanta e Spanjës dhe e Indive dëshiron të argëtohet.”
Por xhuxhi i vogël nuk lëvizi kurrë.
“Duhet dërguar dikush për të sjellë xhelatin.” tha Don Pedro me lodhje dhe u kthye në tarracë.
Kryeshërbëtori dukej i shqetësuar. Ai u gjunjëzua pranë xhuxhit të vogël dhe i vuri dorën në zemër. Pas pak çastesh, ai lëvizi supet, u ngrit në këmbë dhe pasi iu përkul me nderim Infantës, i tha:“Mi bella Princesa[12], xhuxhi jot i vogël e qesharak nuk do të kërcejë më kurrë. Është për të ardhur keq, sepse ai ishte aq i shëmtuar sa mund ta kishte bërë edhe mbretin të buzëqeshte.”
“Por pse nuk do të kërcejë më ai?” pyeti infanta, duke qeshur.
“Sepse e ka zemrën të thyer.” u përgjigj kryeshërbëtori.
Dhe infanta u vrenjt, ndërsa buzët e saj të brishta, si petale trëndafili, u shtrembëruan në një përbuzje hijerëndë. “Në të ardhmen, ata që vijnë të luajnë me mua bën mirë të mos kenë zemra.” tha ajo dhe vrapoi për në kopsht.
Fund.
Disa shprehje:
“Përçmimi i realizmit në shekullin e nëntëmbëdhjetë është zemërimi i Kalibanit kur sheh fytyrën e vet në pasqyrë.” – Parathënia e “Portreti i Dorian Greit”
“Pas çdo gjëje të mrekullueshme që ekzistonte, fshihej diçka tragjike.” – Kapitulli III, “Portreti i Dorian Greit”
“Si tjetër, veçse përmes një zemre të thyer, / Mund të hyjë Zoti Krisht?” – “Balada e burgut”
“…është më mirë të jesh i bukur sesa i mirë. Por… është më mirë të jesh i mirë sesa i shëmtuar.” – Kapitulli XVII, “Portreti i Dorian Greit”
“Aty ku ka hidhërim, ka tokë të shenjtë.” – “De Profundis”
[1] “Infanta” është një titull që u jepet vajzave të një monarku spanjoll.
[2] Përkthyer në shqip: “Mbretëresha ime! Mbretëresha ime!”
[3] “Auto-da-fé” ishte një ritual publik pendimi dhe dhënieje dënimi për heretikët nga Inkuizicioni spanjoll.
[4] “Prior Titullar” është një titull nderi kishtar, i cili mbart një emër dhe gradë të lartë, por nuk ushtron asnjë pushtet mbi vetë institucionin.
[5] Përkthyer në shqip: “Buzëqeshje e vërtetë franceze”
[6] Përkthyer në shqip: “Goditjen përfundimtare”
[7] Ziteri është një lloj instrumenti me tela.
[8] “Agati” është një lloj kuarci (gur i çmuar).
[9] Kur një sovran i ri trashëgonte provincat e Holandës, ai ndërmerrte një turne mbretëror të njohur si Blijde Inkomst (Hyrja e Gëzueshme). Gjatë kësaj, shtetet dhe qytetet e Holandës betoheshin zyrtarisht për besnikëri ndaj sundimtarit të ri.
[10] Perëndesha e bukurisë, Afërdita.
[11] Përkthyer në shqip: “zotëri i vogël”. Megjithatë ekzistojnë edhe disa teori të cilat e cilësojnë këtë shprehje si “të shtypur gabimisht”, dhe se synimi i vërtetë i saj ishte “petit monstre”, pra “përbindësh i vogël” në shqip.
[12] Përkthyer në shqip: “Princesha ime e bukur”


