More
    KreuLetërsiBibliotekëOdise Kote: Imagjinoje (poezi)

    Odise Kote: Imagjinoje (poezi)

    1- Mirënjohja nuk është më fjalë amtare …

    Mirënjohjet e vogla njerëzore, si thasë droge,
    i transportuan, i mbuluan me beton ilegalisht.
    E tretën njeriun e djersës, krejt të dalë boje,
    e trodhën, larguan e përtallën edhe zyrtarisht.

    Mjerimin zevëndesuan me shpresa digitale,
    të rrejshme, si kriptovaluta në tregun e zi.
    Fjala trafik – uzurpoi të drejtën qytetare,
    mbreteron në Tempull Drejtësie e bën Ligj.

    Një copëz hëne fshati, këngë a degë ulliri,
    si t’ia shpiesh “mirëbërësit” tënd për dhuratë.
    Duhen hotele, pallate e bizhu floriri,
    ndryshe: zhduku qelbanik i paaftë.

    Tani në vendin tim të mbledhur galiç,
    nga kancer hormonesh në tëmth e pankreas.
    Mirënjohja – fjalë amtare, nuk është më hiç,
    por veç mallkim i fatit që të ndjek pas.

    2- Kohë manekinësh …

    Frikëra e makthe futur nëpër shishe,
    shkrumbim kujtese, arkivë në errësirë.
    Çdo gjë simetrike, asnjë presje ndryshe,
    llurbë mediokrish, zezim e shurdhim.

    Buzë të njëjta, të njëjta dhe veshët,
    fjalë e programuar dhe një gromësimë.
    S’bën punë kjo inteligjencë artificiale,
    tallen, përqeshin çhat xhidipinë.

    Sekrete të vogla që i fshehim botës,
    mbllacisin padukshëm si çimçakiz.
    Ngurosje, terror mbi njeriun e kohës,
    tretet e vdes çdo ide që lëviz.

    Po vijnë manekinët, ushtria memece,
    si flamë kolektive po bie verbimi.
    A ka më kuptim ajo pikëza e lotit,
    a ka më afsh njerëzor përqafimi?

    3- Mendohu dhe njëherë …

    Pandemi e re pllakosi dhe s’e paskemi ndjerë,
    ku shkon o i mjerë të përplasësh kokën.
    Qielli s’ka porta, po mendohu dhe njëherë,
    portofoli është bosh dhe gati shkop i gomës.

    E di që shpirti tënd ështe mbushur me mërzi,
    kujtesën ta vodhën, je peshk në konservë.
    Dhe sillesh rrotull, rrotull, humban, në vetmi,
    toka e të parëve ndën këmbë të rrëshket.

    Askush nuk të thotë sa i trashë është mëkati,
    sa i zi tundimi, që ngjitet kat më kat.
    Përkulja gjer në shesh si ves popullor,
    dhe fitimtarët e mjerë që si humbsa ngjajnë.

    Prej kohësh ëndrrat të kanë braktisur keq,
    shpresat kanë vdekur, në varreza s’ka vend.
    Ikja të shpon trurin si tyrjelë per dreq,
    dhe harresa më shumë se çdo gjë të tremb.

    Pllakosi pandemia dhe s’e paskemi ndjerë,
    ku shkon o i mjerë rrugëve të botës.
    Qielli s’ka porta, po mendohu dhe njëherë,
    portofoli është bosh dhe gati shkop i gomës.

    4- Amanetet e Gurit

    Dëgjoje gjuhën e vjetër sa toka që mbrojnë zogjtë bredharakë, drurëve, lutjeve,
    kambanave e riteve përposh në luginë,
    limanit të botës në Butrint, lumit të nëndheshëm,
    përtej kufijve të një ëndrre amtare që arratiset në perëndim.

    Koha ka gjurmë e plagë,
    shenja e vrima jonike ku kalon
    drita e zbrazëtia,
    libri i një perandori që emrin ia mbaj mend,
    violina dhe valltarët që shndërrohen
    në shtysë e shkëmb, lermë ta kapërcej terrin pesëqindvjeçar që ende më tremb.
    Pyesni diellin, pastaj të vdekurit,
    ngjyrat në festën e rrushit,
    qiellin si kuarcë që ulet poshtë,
    sikur kërkon të prekë me dorë,
    kthimin e pelikaneve, sendet e thinjura dhe fjali të motmotshme,
    a keni parë ndonjë hartë dhe dorën e mikpritjes në portë?

    Një poet syngulur në kapilarë – guri, në dritare nga vjen lindja e diellit,
    për të folur gjuhën e bekuar me ëngjëjt apo me diçka tjetër …

    5- Shenja, në ikje …

    Dyqind e gjashtë eshtrat e trupit më dridhen si një harpë,
    gjërat të vogla humbin, ngasje rikthimi, ç’kurth i madh.
    Dhimbja, frika, histori kërkimi, nuk janë fjalë por tinguj,
    kohë e çuar kot, fundit të zemrës, pik – pik pikon gjak.

    Askush s’ka lindur për të ndenjur vetëm si qyqar,
    punët e lëna përgjysmë të hanë nga brenda shpirtin.
    Njeriu në fund, ngarkuar me të kaluar, marraze shpraz
    boshllëqet në kujtesë, tronditen, lodhen prej finishit.

    Nuk është rast mëshire, mjaftojnë kujtime, imagjinatë,
    që dalëngadalë të bien, si dëbora, pandërprerë.
    Sa mirë do ish të dëgjoje lulet kur flasin për vdekjen.
    Inteligjenca – si qumështi i nënës, s’ndahet me të tjerë.

    6- Ç’na e nxinë faqen …

    Ç’na e nxinë jetën ca politikanë,
    në trup kanë Evropë, në kokë sulltanë.

    Në trup kanë Evropë, në kokë sulltanë.
    të hënën yes men, të martën me çallmë.

    Ditën në mediume, botës mend i japin,
    natën bëjnë orgjira, zullume satrapi.

    Krimba të mëkatit këta poli – garkë,
    zyrat – lavatriçe eurot i lajnë.

    Veshur me armani, zinxhira floriri,
    në trup estetikë, në tru – krimkatili.

    Kullat mu në qendër si mullarë bari,
    t’i jep për peshqesh kryekatundari.

    Kështu pakuptuar tretet Shqipëria,
    ditën nga Evropa, natën nga Azia.

    7- Ka kohë që kërkoj një kishë të re

    Të kisha harruar padashur
    në breg të kujtesës,
    nën fije bari, trëndelina, lëpjeta,
    syve të së gjelbrës
    në maraje e rrëkeza.

    Kur befas u ngrite.
    “Ç’u bëre, çuçurise,
    ku ishe?”
    Kam kaq kohë që kërkoj për një kishë,
    kambana të lajmëroje dashurinë…!

    Nuk e di që e urrej atë psalm të vjetër,
    të përhumburat, të përunjurit, të vdekur?
    Të thënat si të pëgërat,
    ditë për ditë
    që tretën qëndresën.

    Ka kaq kohë që kërkoj një kishë të re
    kult për dashurinë e shpresën!

    Dua psalm të ri
    që ngre në këmbë të pamundurin,
    që e bën të ecë
    me hapin e lehtë të barit
    që zgjon agun,
    që mbush kraharorët e vegjël të zogjve
    dhe niset drejt gurit të mbijetesës – altarit.

    Me sytë e miliona lutjeve, dritën qiellore,
    lëngun përtëritës, verën e kuqe, pjellorinë…
    Ka kaq kohë që të kërkoj një kishë të re,
    hapur kanat më kanat për dashurinë!

    Dua shfrim vullkani,
    të prek me dorë hyjnoren,
    nuk dua ushtri me murgjër e murgesha,
    as zotër, as hyjni!

    Kaq kohë që kërkoj një kishë të re,
    të shqepem, të ngopem dashuri!

    8- Imagjinoje…

    Imagjinoje vargun si kalorës digital,
    bredharak, nga njëra kohë në tjetrën.
    Takon Homerin kur dielli bie jashtë,
    në klinikë okulisti me epet e vjetër.

    Kalon shpejt kodra të kaltra e qytete,
    lexon kalimthi një faqe Teori të Reales.
    Cytyr zbërthen alfabetet katalehe,
    në piramidat enigmatike egjyptiane.

    Qëndron syngulur përballë Keopsit,
    me petka beduini e ndjek pas fantazma.
    Ikën pa mëdyshje në bosht të paradoksit,
    në ç’simetri mendimi, abra – katabra?

    Një ishull e një ishull, agjërim, ngashnjim,
    amfora, gjurmë, shenja, Çezar e Hamlet.
    Prust, Yonesko, Kamy, kafeneja në Paris,
    luftë me zhdukje dielli, qiellit mbi Odesë.

    Takimi me ëngjëjt e dritës e të territ,
    Pa lejen e Umberto Ecos dhe Shekspirit.
    Vrojtim ujërave të nëntokës që rrjedhin,
    alkimi që e shet kallajin për floririn.

    Imagjinoje vargun si kalorës digital,
    plagosur në shkretëtirë Saharaje.
    Dy sekonda kapërcen oqeanin Indian,
    në tre sekonda në majë të Himalaje.

    9- Dashuria ime ikën e vetmuar

    Dashuria ime ikën e vetmuar larg,
    në vendet diellore ku nuk shkuam dot.
    Thonë që zemra ia plotëson dëshirën vetes,
    kështu thonë, kështu thonë …

    Kapur pas plagësh që kullojnë gjak,
    pas zogjve të lodhur shtegëtarë.
    Mer frymë ëndërrimi që kapërcen çdo kufi,
    edhe pak, edhe pak …

    Fryn erë e furishme, mbi kontinent e oqean,
    dhëmb udhë e kërkimit, arratisja vuan.
    Mos i thuaj dashurisë se e humba shpresën,
    mos i thuaj, mos i thuaj.

    Dashuria ime tejmbushur me ne të dy,
    çon gjak kënaqësie … ku duhet e çon.
    Në viset ku derdhet, shterohet, fshihet,
    aty çon shpirtin, aty e çon …

    Dashuria ime ikën e vetmuar larg,
    në vendet diellore ku nuk shkuam dot.
    Thonë që zemra ia plotëson dëshirën vetes,
    kështu thonë, kështu thonë …

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË