More
    KreuLetërsiBibliotekë"Në V.", tregim Nerinda Hysa

    “Në V.”, tregim Nerinda Hysa

    Aty ne u ndalëm dhe i hodhëm teshat përtokë, fëtyrat që mbartnin vetëm qiell na ishin mbulue prej flokëve.

    Duart na dhembnin !

    U ulëm si mundëm dhe nxorëm psherëtimat tona ; hodhëm sytë te disa xhama që ishin të mbuluem nga pluhni dhe u kotëm.

    Por shpejt u zgjuem, ma saktë u hodhëm përpjetë ; jashtë pemë të mbushuna me fruta në atë pasdite të hirtë, njerëz që po na turreshin në banesë dhe disa kërcitje si thyerje pjatash apo enësh që hidhen.

    Kjo banesë e vjetër, e ngarkueme me aq shumë histori, e mbyllun për sytë kurreshtarë, tashma e jonë, rrinte ballaz detit në fshatin tonë V., aty ku kaluem korrikun dhe gushtin në vogëli.

    Atëherë kush po i ban këto zhurma, nga po vijnë.

    Kati i parë, me nji odë të errët të mbushun me stola të ronitun dhe nji tavolinë, aty s’ ka kambë njeriu, ma tej janë disa oda të lana bosh me dy shtretën të thatë dhe në fund nji banjë me vaskë.

    Kontrollojmë kudo dhe kudo asgja.

    Asht vetëm nji derë që asht e kyçun.Nji derë me nji vrimë të hapun, që ne e shtyjmë lehtë dhe shohim…

    Aty… shërbëtorja jonë e vjetër Adilja. Trupvogël si atëherë me flokët kaçurrelë dhe me nji buzëqeshje.Sa më ka marrë malli për te !

    Ajo ka ardhë Këtu, vetëm me gatue për ne!

    Ka marrë udhët dhe pa i thanë askujt asht futë Këtu në këtë odë të humbun të humbun, krejt të futun, në katundin V. dhe gatuen…

    Ç’ po gatuen ?!

    Ajo qesh. Nuk flet.

    Ka vendosë lule në nji vazo të stërmadhe dhe po sistemon.

    Ajo vishej me teshat që i falja, por kishte aq shije saqë gjithçka i dukej mirë në trup. Ishte njeriu që i tregoja gjithçka, i’a hapja zemrën, gjithë ato vite… Nuk e dija ku jetonte, kishte shumë vite që nuk ishte ma me ne ! Dhe qe, sot Adilja i’a behu… Ketu.

    U ulëm jashtë duke pi çaj dhe kafe e ma vonë duke ba nji shëtitje buzë detit…

    Jo, i thashë, sot do të gatuej unë dhe ti do të rrish.

    E nxorëm tavolinën e randë në atë oborr të mbushun me pemë dhe që shihte nji fije det.

    Vuna nji çarçaf të bardhë si mbulesë dhe vuna ato që kisha gatue.

    Fola me Adilen dhe ajo foli me mua.

    I kujtova atëherë kur isha nuse dhe ajo më ndihmoi, ose si kujdesej për femijët e mi, si i vente në gjumë duke i përkundë mbi nji jastek.

    Dhe mandej në orën dy ajo ikte…

    duke marrë nji buzëqeshje me vedi.

    Adilja tashti jetonte në V., kishte shtëpinë e saj ballaz detit, por kishte degjue se do të vinim aty dhe donte me më ba surprizë dhe ia kishte behë si dikur.

    Shpesh më tregonte për fshatin e saj Z., që ndodhej përballë liqenit tonë.

    Më thoshte që punonte shumë dhe lodhej e ma andej erdh në qytet.

    Mandej ajo u ngrit e shkoi, kaloi nga nji derë natyrore e bame nga pemët.

    Që aty ku isha ndigjoja perplasjen e dallgëve të detit, nji ulërimë dhe nji thirrje si askund në botë…

    dhe ashtu më zuni gjumi duke u përkund nga ai za dhe dhe nga e qeshuna e Adiles që kishte shkue…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË