nga Antony Grafton
Udha nga frymëzimi deri te botimi nuk ka qenë asnjëherë më e lehtë sesa në ditët e sotshme, të paktën teknikisht. Një studiuese lexon dokumente dhe artikuj në ekran, mban shënime në Zotero, shkruan në Scrivvener, dhe në fund, dërgon një material në një gazetë apo shtëpi botuese. Shumica e miqve dhe kolegëve të saj do të lexojnë produktin përfundimtar jo në letër, por në ekran.
Dikush mund të përgatisë një punim historik apo kritik pa dalë nga krevati, duke bërë pis duart e tij ose të kujtdo tjetër shumë më pak. Gishtat e bojatisur (Inky Fingers), libri im i ri, hedh një vështrim mbi atë çka bota ishte kur të shtypurit qe një teknologji e re dhe çdo fjalë apo shënim ishte i gdhendur në letër nga stilolapsi apo shenja grafike që lë makina e shkrimit.
Gjysëm mijëvjeçari më parë, librat dhe dorëshkrimet mbusheshin me informacione sikurse dhe tani. Por e vetmja mënyrë për t’i lidhur ishte konkrete, e prekshme dhe kërkonte shumë mundë. Për të mësuar rreth tekstit të Biblës Hebreje, Spinoza duhej të lexonte komentet e dijetarit të shekullit XII, Abraham ibn Erza të cilin e admironte, një hyrje në tekstin biblik të studiuesit hebre të shekullit XVI Jacob ben Chajim të cilin e përçmonte dhe një studim voluminoz e polemik të traditës hebreje nga një hebreo – italian i vonë e pa ndonjë rëndësi të madhe, Azariah de’ Rossi, mendja e pavarur e të cilit ndoshta e tërhiqte.
Jacob-i dhe Azariah-u, nga ana tjetër, citonin tekste më të vjetra. Ata i dhanë Spinozës një pirg të dhënash të cilat ai i shndërroi në polemikën e tij të shkëlqyer Traktati Teologjiko – Politik që solli një goditje sizmike në botën e mësimeve europiane.
Spinoza ishte mendimtar, jo filolog. Ai i përdorte këto burime pa bërë përpjekje të mëdha për t’i vlerësuar në aspektin kritik. Jo të gjithë syresh ishin të sakta apo të vërtetuara. Duke ndjekur de’ Rossi-n, Spinoza u dha pas një kopjeje të një punimi që i atribuohej shkrimtarit antik hebre, Filo-s.
Të lexuarit qe jetike në punën e tij. Pa informacionin që kjo laramaní tekstesh i siguruan, Spinoza nuk do mund ta kishte përgatitur argumentin e tij të shkëlqyer se Bibla Hebreje ishte e vonë, historikisht e dyshmitë dhe e shkruar për një lexues të pakultivuar.
Spinoza nuk ishte i vetëm. Në kohën e tij, një dorë e mirë e punimeve të shkrimtarëve ndiqnin një rutinë të mundimshme pune. Lexuesit nënvizonin dhe mbanin shënime ndër libra, u bënin përmbledhje ndër blloqe dhe i ritregonin të gjitha me fjalët e tyre. Shumë nga gjërat më të paharrueshme të shkruara gjatë modernizmit të hershëm europian – monologu i Hamletit “Të rrosh a të mos rrosh” është një shembull i famshëm – janë copëzua mozaiku të një fraze të shumëpërdorur, me gjasë shkruar në bllokun e parë të shënimeve që autori mbante si nxënës, shndërruar mandej nga alkimia e një mendje dhe stili të maturuar.
Penët dhe gishtat e bojatisur shfaqen në secilën fazë të këtij procesi, edhe pasi teksti është shkruar. Rishikimi kërkon të bëhen kopje të reja, duke siguruar lexueshmërinë e kopjes për tipografin që do ta shtypë.
Sikurse shkrimtarët modernë, modernistët e hershëm duhet të binin dakord me portierët, pra shtypësit që vendosnin nëse puna e tyre meritonte botimin si dhe me korrektorët e tyre. Këto maskarenj të keqpaguar nga skajet e botës të të mësuarit dhe letërsisë, jo vetëm korrektonin bocat, puna që u jepte atyre këtë emër, por edhe vendosnin nëse libri meritonte të botohej dhe përgatisnin dorëshkrimin për shtypje, shpeshherë duke ndryshuar drejtshkrimin, korrektuar sintaksën dhe sfiduar me idetë e tyre.
Shtypësit e suksesshëm dhe autorët e njohur mbështeteshin pjesërisht në punën rraskapitëse të korrektërove dhe shpesh bashkëpunonin me to, duke kaluar bocat me shënime sa prapa, para. Modernistët që punojnë me tastierë shqetësohen rreth sindromës së tunelit të kyçit. Dijetarët e hershëm mesjetarë i kishin sytë e lodhur prej leximeve të pafundme të kopjeve shkronjëvogla, kurrizet e përkulura nga vite të tëra kruspullim mbi tavolinat plot libra dhe gishtat e rënduar nga atridi e të njollosur me bojë.
Gjithë ky ritëm i ngadaltë pune të rrëmujshme ngjan si jo i kësaj bote: studentëve bashkëkohorë të cilët asnjëherë nuk kanë kaluar një dimër në të ftohtin artik të Bibliotekës së vjetër Britanike e as nuk kanë mbajtur shënime me një penë, ndonjëherë u duket e papërfytyrueshme. Për fat të mirë, shkrimtarët vijonin të punonin në atë mënyrë. Disa njerëz të mprehtë të letrave, si Francis Daniel Pastorius apo bashkëkohësi i tij më i njohur Isaac Newton, pëlqenin shumë të shkruanin. Edhe më për befasi, me sa duket shumë syresh gjenin një shtysë të fuqishme intelektuale në rutinën e të mbajturit të shënimeve sistematike.
Shumë shkrimtarë të Rilindjes ishin tmerrësisht krenarë për origjinalitetin dhe madhështinë e tyre. Zeja e shkrimtarit sikurse ne e praktikojmë, vijonte të kishte karakter artizanal. Edhe shkrimtarët me eruditë mësonin nga praktikat e punëdorësve të tjerë, dukshëm shumë larg prej tyres. Kritikët e tekstit mësuan nga astrologët dhe të tjerë tregtarë nomadë që predikonin arritjet në “parashikim e së ardhmes” të cilat u mundësonin të rikuperonin tekstet e humbura.
Shpikësi i paleografisë, Jean Mabillon mësoi nga skribët profesionistë të cilët botonin manuale të shkruara me të dhëna të detajuara rreth shkrimeve të moçme e të reja – dhe disa herë përdornin mjeshtërinë e tyre për të falsifikuar dokumente – si të analizonte sistemin shkrimor të latinishtes gjatë kohës së Republikës Romake për të shkruar pastaj historinë e saj.
Rikrijimi i këtyre praktikave të vështira shkrimore i mori goxha kohë. Gjithsesi, ia vlejti barra qiranë. Po hyre në laboratorin e punës së një shkrimtari të hershëm modernist, nuk do të gjendesh në një luginë hijesh të librit, por në një provincë të gjallë të së shkuarës. Historianët intelektualë mund të mësojnë shumë jo veç duke vajtur pas asaj çka krijojnë mendjet e ndritura, por edhe pas mundit të ulët të gishtave të bojatisur.
Përktheu dhe përshtati për publikim: Andreas Dushi
(Marrë nga Harvard University Press, publikuar në LitHub)