More
    KreuLetërsiBibliotekë"Natën vonë", tregim nga Gazmend Bërlajolli

    “Natën vonë”, tregim nga Gazmend Bërlajolli

    Nadje. Herët. Dielli naltohet mbi godinën trikatëshe, zdrit nji pjesë të platformës që ndodhet mbrapa saj. Rrezja e diellit po e zdrit nji fytyrë femne. Femne të shtrime mbi platformë. Të shtrime mbi platformë? Të shtrime? Pse? Ç’ban e shtrime mbi platformë? Çudi! Fort besa! Dielli po i bjen drejt në fytyrë, e kjo as po ngacmohet, as po ngryset prej tij. O Zot! O ZOT! Po kjo… kjo femën qenka… qenka e vdekun! Shihja more gjakun nën krye! Shih! Edhe këndej, nën trup, e këtu anash, shih! Shih si i qenka nxi krejt fytyra tashma! Shih edhe nji thikë ku qenka, gjithë gjak! Tmerr… o Zot! Alarm! ALAAAAARM!

    *

    Jo para se me kalue tetë e mjezit, kur platformën dielli e kish ndritë bajagi mirë, erdhi policia.

    Njizet e tri-katër vjeçe, besoj. Nuk e kam njohtë aq mirë. Jo-jo, me qira, qe në katin e dytë të kësaj ndërtesës trikatëshe këtu. Po-po, njikjo hymja këtu. Po, ka nja dy vjet, ndoshta pak ma shum. Jo, ka jetue vetëm, në nji garsonierë. Po, në katin e dytë. Ajo dritarja aty. Paj, si me thanë, jo se…  ka qenë e qetë, s’ka ndërrue fort llafe me ne. Ja-a, pak, shum pak; ndoj «mirëdita» a «mirëmbrama» ndojherë. Njaq.

    E… a i ka ardhë kush për vizitë ndojherë? …ndonji që e njeh së afërmi? …ndonji që e dyshoni? …keni pa diçka të çuditshme ditëve të fundit? …e mbramë? …ndie diçka të pazakonshme?

    Mirëpo, këtu pyetjet e inspektorit veç rrudhjen e supeve nisën me e marrë për gjegje.

    *

    Kjo ndodhi, u mor vesh, ish krejt e pazakontë për qytetin mbarë, se lene ma për lagjen, e lene ma për banorët e dy ndërtesave që e kufizojnë platformën, për mos me folë hiç për njata kojshi që dritaret i kanë të kthyeme cok kah vendi ku, për nji natë të tanë, trupin e pajetë e kishin pasë ballanballë. Prandej, tue e pasë parasysh natyrën kaq të tejzakontë të ndeshtrashës, nisën tanë kojshitë me stisë, gjithsecili mbas zotësisë vetjake, gjithnduer sajesash, secila sosh nji shtjellim në vete i nji teorie të tanë komploti, që jo veç hymja, jo veç lagjja, jo veç qyteti, po i tanë mileti i kish aq fort për huj. E të nisi me dëftue gjithcili kojshi historina të ngjeshuna me tanë njato hollësi, sa me të mbushë mendjen se shi njajo e vetja ishte ajo e gjetuna, e vërteta, e sakta.

    *

    Ajo, e ndjera pra, paska qenë e lidhun me nji tip mafiozi, të cilin fillimisht e paska pasë dashtë fort, por, tue nisë me pa se ai s’po mundet me ia ofrue rahatinë që kjo ia ka kërkue, i paska ikë nji ditë, tue shkue prej vendi në vend për t’u mshefë, e tue ardhë përfundimisht këtu, në lagjen tonë. Po ama ky paska ba be me e gjetë ku asht e ku s’asht, më tha sot njani që banon në hymjen e saj.

    Mirëpo, s’asht kurrgja kjo. Ndigjoje këtë tjetrën njiherë! Njani më tha mbramë se paska qenë… prit de, ndigjoje njiherë aman… ai dugajxhiu më tha, më tha se kjo vajza paska… paska qenë prej nji planeti tjetër,  shum të largët, ama po prej Kashtës së Kumtrit, e se paska… paska mbledhë e komunikue prej Toke, të dhana me randësi për disa «qeveri të hueja» (kështu u shpreh, nuk ke rrenë, qafsha loken) e se paska ardhë në qytetin tonë gjoja për studime, por ndërkohë paska ba punë krejt tjera, punë spiunimi «ndërplanetar» (këtë fjalë e përdori për besë), edhe prandej nuk paska qenë fort e shoqnueshme, demek për të mos ra në sy, kupton? Por jo, prit, prit, se ma e forta, ma e… jo, veç edhe këtë ndigjoje, mandej m’i trego ti ato të tuat, se… kjo asht ma e trenta, ma imagjinativja mbas mendimit tem. Ndigjoje aman! Asht nji variant që ma tha dje nji pastruese në hymjen teme. Më tha se kjo e… kjo vajza e vrame, para se me ardhë këtu në qytetin tonë, për nji kohë shum të gjatë… o, nuk ke me besue kur ta ndiesh… ha-ha-ha… pra, kjo vajza, për nji kohë goxha të gjatë paska qenë, paska …

    *

    Natë. Do hapa të shpejtuem (se po resh ngapak) përmbi asfalt, janë të vetmit që po shoqnojnë zhumhurin e lehtë të shiut. Kish të qëllonte aty ndokush me i ndie, do ta dinte fill se janë hapa femne, ngase do t’i shquente cakëllimat e nxjerra prej takash të holla. Sapo takat nisën me ecë mbi mermerin e platformës, cilësia e krismës u ndryshoi ndjeshëm. U ba, si me thanë, ma e kumbueshme. Por nuk shkoi gjatë kjo, dhe hapat, pra cakëllimat, ndaluen. Nji palë kambë të tjera, që mbasi mbathë me këpucë me sholla gome nuk ishin ndie fare, qenë ndalë mu përkundrejt tyne. Kambët me taka banë do lëvizje të shkurta të shpejtueme para-mbrapa.

    Përnjiherë, u ba terr i zi. Mermeri i platformës tashma mezi e pasqyronte veç nji dritë të zbehtë të gjysmëhanës. Cakëllimat e takave u ndien tek rrehnin në të njejtin vend. N’atë përpëlitje, nji takë u rras në plasaritjen e nji pllake të mermertë. Taka u thye, kamba tjetër mori përpara, mandej, mbas pak, u çue n’ajri, e nji trup u përplas përtokë. Fill, ama fill mbas trupit, nji krye me flokë të gjatë të valëzuem, u përplas edhe ai, tue e shtypë përposht nji aeroplan prej letre, e madje, meqë ky krye u dëbue prap nji grimë përpjetë mbas përplasjes, ra edhe nji herë të dytë mbi aeroplanin, tue e ba krejt petaq.

    *

    Natë. Nisi nji shi; i imët. Shpejtoi hapin, gati ishte me mbërritë në shpi. Sapo hypi mbi platformën e mermertë, ai kumbim i takave u ba njaq i kristaltë e jehues, sa ajo cakëllimë, që nisi me u përvijue si nji ritëm, u shndërrue fill mandej në nji harmoni veglash muzikore, që e ndiqnin të tana këtë të njejtin ritëm, e që nisën me ia muzikue në krye melodinë e asaj kange të vjetër që aq shum e kish për zemër, e që gjithë ditën e kishte sillë nëpër mend. Këndimin e vargjeve (gjithmonë vetëm mbrenda në krye), e nisi diku nga mesi: «…n’bu-le-vard ka-lojm’ të qe-shun baaashk’, e nalt y-jet ndrijn’, pa-ra nesh sho-him a-gi…». Nji cakëllimë e mungueme take dhe i gjithë kompozimi u shpartallue përnjiherë. Kishte shkelë mbi diçka të butë. Shikoi mbrapa. Ishte nji aeroplan prej letre. U kthye m’e vazhdue rrugë.

    Hëëëghhh! – klithmën nuk e nxori, por e përpiu me marrje thellë të frymës, kur ia pa ata sy dhe gojën asaj fytyre të veshun me maskë të zezë. Sa të randueme iu banë kambët që mezi lëvizën nji gjysmë pëllambe mbrapa. U fik drita që vinte nga e vetmja shtyllë elektrike e paprishun.

    *

    Natë. E pa prap orën. Kish njizet e tre minuta që kish kalue njimbëdheta. «Hajde shpejt çantën…telefonin…unazat…krejt…edhe zinxhirin…hajde…»! «Qe besa, s’kish me qenë keq për nji natë» mendoi, por dronte se ndoshta as sonte ajo mund të mos kalonte, se mund të ketë dalë jashtë qytetit, (edhe pse e premte s’ish), e mandej vuni re nji aeroplan prej letre në tokë, as dy metra larg, ndriçue zbehtas nga drita e nji shtylle elektrike nja tridhetë metra ma tutje. Çudi si nuk e kishte vu re ma herët. Mblodhi nji sasi pështyme në gojë, rrudhi buzët përpara për ta fërfëllue pështymën drejt tij. «Nëse pështyma e qëllon aeroplanin» mendoi, «atëherë ajo do të vijë, nëse jo…». Ptuu! pështyu. «Eh, nejse, kjo qe veç provë. Qe, tash po e provoj me gjithë mend». Phtuu! «Uh, nanën»! Kaluen edhe nja tridhetë sekonda që si tridhetë minuta iu dukën. «Hajde ma! Hajde! Ti duhesh me kalue këndej. Nuk ke kah tjetër me ia mbajtë. Ku dreqin je»? Qetësi e plotë. Veç zhumhuri i zbehtë i shiut. E kur mendimet iu zhdavaritën, tue i lanë syve me kundrue prap mjedisin përreth, shquejti prap mbi platformë njatë aeroplan prej letre. «Po e pështyj edhe nji herë të fundit. Ta provoj. Tekefundit, e treta e vërte-…». Do cakëllima takash nisën me u ndie bajagi zashëm përmbi platformë.

    *

    …Sa të randueme iu banë kambët që mezi lëvizën nji gjysmë pëllambe mbrapa. U fik drita që vinte nga e vetmja shtyllë elektrike e paprishun. Në fakt, jo bash. Drita u fik, po jo para se ajo t’ia veneronte nji shkëlqim metalik në dorë – thikën.

    E tmerrueme, bani mbrapa. E tash po: drita u fik. Oh, njana takë iu ngul në nji të çame të platformës. Ajo e humbi merandimin. Deshti me u mbajtë mos me ra, e u dha drejt tij, tue i ra bash në tehun e thikës. Sëmbimi njaq zhbirues iu duk se i doli prej mbrenda jashtë, ma parë se anasjelltas. Ajo u përplas përtokë. Kryet mbi aeroplanin prej letre.

    Ai pa siluetën e saj të shafitej. Mornicat prej kurrizit iu shpërndanë nëpër tanë trupin. «Unë… ajo… ajo ve-… unë nuk de-… ajo vetë… më ra në thikë, unë nu-… nuk deshta. Ishte… ishte aksident», belbëzoi përpara gjykatësit, prokurorit dhe jurisë që i përftyroi përreth. Por fytyrat e tyne të mrrolta shprehje nuk ndërruen; shkurt, asnjani nuk i besoi. Prandej ky lëshoi thikën dhe iku.

    *

    Natë. Nji aeroplan prej letre e fërfëlloi n’ajri prej ballkonit në katin e gjashtë. Aeroplani nisi të fluturonte nëpër qiellin sipër platformës. Ndezi nji cigare dhe e shikonte aeroplanin nësa përshkonte spiralen që zdirgjej. Avioni u ul mjaft afër hymjes së dytë të ndërtesës trikatëshe përballë. Shihej ende atje poshtë, nji pikël e bardhë ndriçue zbehtas nga e vetmja shtyllë elektrike që llamburiste.

    E nxori tymin e cigares prej goje. Marifet, 17-vjeçar me pi duhan, e kishte qortue i ati. Tash e pinte veç tinëz, msheftas tij, natën vonë, në ballkon, ose, u mor vesh, me shokë jashtë shpisë. U zmbraps pak prej parmakëve për mos me e lagë shiu që piklonte. Qe tue e mbarue cigaren, kur do cakëllima takash nisën me jehue fort nëpër platformën poshtë e u ndien deri në katin e tij. «Uh, a thue të jetë farë femne?», e xigëloi kureshtja me pa. U mbështet për parmakë dhe pa kur ajo…

    *

    …ha-ha-ha, a s’të thashë që kjo asht teoria ma e trentë që ke me e ndie? Fol tash, çka deshte me më tregue ti… Qysh po mendon, e ke «pa»? Çka ke pa? Prej ballkonit? Me pi cigare? E ai? Me thikë? Mandej? Fol çka u ba mandej! U fikën dritat?! Qysh u fikën dritat?! Aaa, u ndal rryma a? Mos de! Ik aman, shitja dikujt tjetër këto. Ani, paske «pa» ti diçka. Edhe dugajxhi-… edhe… edhe pastruesja e hymjes i sajon ma të mira se ti.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË