Kreu Letërsi Botime të reja Namik Dokle: Gjerdan perlash të kulturës shqiptare në spanjisht

Namik Dokle: Gjerdan perlash të kulturës shqiptare në spanjisht

Botohet në Spanjë libri E BUKURA E DHEUT, me 106 përralla shqiptare, të përzgjedhura nga studiuesja dhe përkthyesja MARÍA ROCES GONZÁLEZ mes qindra përrallave të botuara që nga viti 1854 e deri më sot

Disa ditë më parë më erdhi një libër nga Spanja, i botuar në Madrid, në një format luksi, nën kopertinën e të cilit ishin “fshehur” 106 perla të kulturës shqiptare, 106 përralla të përzgjedhura nga qindra të tilla, të mbledhura në më shumë se tre shekuj. Dërguesja fisnike, përkthyesja dhe studiuesja e letrave shqipe, MARIA ROCES GONZALES, më thoshte se ky libër ishte realizimi i një ëndrre dhjetë vjeçare. Ëndërr e saj dhe e bashkëshortit RAMON SANCHEZ LIZARRALDE, përkthyesit të famshëm të letërsisë shqipe, veçmas të veprave të Ismail Kadaresë, nëpërmjet të cilave, shkrimtari ynë i madh u bë shumë i njohur për lexuesit në gadishullin iberik dhe mori edhe çmimin Princi i Asturias, më i larti i Spanjës për autorë që nuk shkruajnë në gjuhën spanjolle.

Ramon Sanchez botoi 28 përrallat e para shqiptare që në vitin 1994 dhe dhjetë vite më vonë edhe dhjetë të tjera. Ai kishte një projekt dhe një ëndërr për të botuar jo vetëm pjesën më të mirë të përrallave shqiptare, por edhe Ciklin e famshëm te Kreshnikëve, me këngët legjendare të Mujit dhe Halilit, Gjergj Elez Alisë dhe kreshnikë të tjerë. Por, me vdekjen e Ramon Sanchesit, projekti u bë një “këngë e ndërprerë”.

Guximshëm, Maria Roces vendosi ta vazhdojë. E apasionuar pas gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, krahas vazhdimit të përkthimit të veprave të Kadaresë dhe autorëve të tjerë, ajo vazhdoi pa ndërprerë punën për njohjen dhe përkthimin e përrallave më të mira shqiptare, duke studiuar gjithë historinë e tyre, që nga mbledhësit e herëshëm të folklorit shqiptar, me fillesë në vitin 1635, me botimin e pesë përrallave të para në vitin 1854, nga konsulli austriak në Janinë, Johann Georg von Hahn e deri në ditët e sotme. Ato pesë përrallat e para që panë “dritën e librit”, habitën edhe njerin nga vëllezrit GRIMM, të famshmit e përrallave gjermane, Wilhelmin. Ai shkroi: është tronditëse afria e këtyre përrallave me ato gjermanet. Vetëm me një ndryshim; përrallat shqiptare, atëherë, por edhe një shekull më vonë, tregoheshin në vatrat shqiptare, nga njerëz që nuk dinin shkrim dhe këndim, nga pleq që tymosnin çibukun, apo plaka që thurnin triko. Është për këtë arësye që ato janë aq origjinale, të pastra dhe të pandikuara nga letërsia e kultivuar.Ndoshta edhe ky vlerësim do ta ketë nxitur Hahnin që, dhjetë vjet më vonë, në librin e tij Përralla greke dhe shqiptare të përfshinte edhe nëntë përralla të tjera shqiptare dhe 25 motërzime, gjithashtu në shqip.

Përveç përrallave të botuara nga Ramon Sanchez Lizarralde, të gjitha përrallat e tjera të këtij libri botohen për herë të parë në Spanjë. Siç njofton përkthyesja María Roces në parathënien e librit, në të janë përfshirë pesë përrallat e para të Hahnit ( Jena,1854), gjashtë të tjera te botuara nga konsulli francez Auguste Dozon (Paris, 1879), plus katër motërzime, në vazhdim katër të botuara nga filologu danez Holger Pedersen (1895) i cili mblodhi edhe një motërzim në të folmen e Çamërisë; një përrallë nga ato që albanologu i shquar Gustav Meyer mblodhi në vitin 1888 dhe një tjetër e folkloristit të madh Thimi Mitko, me tre motërzime. Arbëreshët e Greqisë përfaqësohen me katër përralla të botuara nga Petros Furiqis, botuar në Athinë, në vitin 1933. Dy përralla të tjera janë të arbëreshve të Italisë.

Nga mbledhësi dhe studiuesi i shquar i folklorit, Donat Kurti (që kaloi 17 vite të jetës në burgjet komuniste) janë përfshirë në librin e Maria Roces González plot 29 përralla. Një pjesë tjetër e rëndësishme janë përzgjedhur nga botimet e Institutit të Folklorit, i cili, pas vitit 1954, me ekspeditat e shumta që vazhduan për shumë kohë, pat mbledhur 6.700 faqe të prozës popullore, 23.000 proverba, 750.000 vargje këngësh, 3.100 inçizime muzikore etj. Libri kompletohet edhe me disa përralla të mbledhura në Kosovë dhe të botuara në librin Antologjia e përrallave shqiptare, përgatitur nga Anton Berisha dhe Myzafere Mustafa. Me gjithë këtë punë voluminoze studimore e përzgjedhëse, me verifikimet në terren (deri në Vermosh), me përkthimin dhe botimin për herë të parë në gjuhën e Servantesit të përrallave shqiptare, pa asnjë hezitim, do ta cilësoja Maria Roces Gonzalesin me termin e përdorur dikur nga rilindasi Thimi Mitko: Bleta shqiptare.

Jam i bindur që lexuesit spanjollë do të mrekullohen me këto perla shqiptare, të përkthyera mjeshtërisht dhe të botuara me një përkujdesje të veçantë nga botuesja ANA KRISTINA HERREROS, që meriton gjithë falenderimet. Po ashtu meriton përgëzime piktori JESÚS GABÁN që ka bërë ilustrimet e librit. Për përkthyesen, siç shprehet ajo vetë, kjo është puna që i ka dhënë më shumë kënaqësi. “Ka qenë një sfidë e bukur,- thotë ajo.- Përrallat shqiptare përshfaqin një realitet mitik dhe magjik. Edhe pse tregohen në dialekte të ndryshme, gegnisht, toskërisht, apo në të folmen çame, ato ruajnë një përmbajtje dhe mjeshtëri të përbashkët, gjë që, për nga forma, figurshmëria, motivet dhe përmbajtja, i dallon dukshëm nga përrallat e tjera ballkanike dhe mesdhetare.”

Lexuesit e një letërsie me imagjinatën tipike donkishoteske do të gjenden si në ujërat e veta brenda përrallave shqiptare. E bukura e Dheut dhe zanat, me siguri do t’u kujtojnë Dulqinjën, dhe katallani, divi, kuçedra do t’u kujtojnë “viganët” me të cilët luftonte heroi i tyre, Don Kishoti. Fuqia metaforike e metamorfozës në përrallat shqiptare e kapërcen ku e ku metamorfozën kafkiane. “ Merre këtë ujë, laje fytyrën dhe do të bëhesh ajër…” thuhet në një prej përrallave e vazhdojnë më tej shndërrime të shumta e të jashtëzakonshme, për të arritur tek ajo “lufta e shndërrimeve” mes njeriut dhe djallit, gjatë së cilës, pas shumë metamorfozave të tjera, njeriu u bë grurë dhe yshti djallin të bëhej pulë për ta çukitur dhe…fap!, njeriu bëhet skifter dhe e ha pulën.

Për të mos u zgjatur në detaje të tjera, po kthehem edhe një herë tek të famshmit Vëllezrit Grimm, emblemat e përrallave gjermane. Një nga më të famshmet e tyre është përralla Hänsel dhe Gretel. Ngjan me të përralla jonë Gjoni dhe Mria, botuar për herë të parë nga Donat Kurti. Por në fundin e përrallës, ndërsa Hänsel dhe Gretel kthehen në shtëpi me çantat mbushur plot me gurë të çmuar dhe vazhdojnë jetën të lumtur, në përrallën shqiptare, Gjoni dhe Mria, shndërrohen në dy zogj, për të kënduar vëllau natën dhe motra ditën. A nuk iu duket kjo mbyllje e jashtëzakonshme dhe e papritur shumë më e padëgjuar, më imagjinative dhe më poetike nga ajo e variantit gjerman?

Maria Roces Gonzalesit i duket se po, me një PO të madhe, prandaj punoi vite të tëra, me pasion dhe dashuri, për t’u dhënë lexuesve spanjollë TË BUKURËN E DHEUT, që shkon nga Shqipëria në Gadishullin Iberik.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Henri Matisse, “Shënimet e një piktori”, 1908

Një piktor i cili i drejtohet publikut jo vetëm që t’i paraqesë veprat e tij, por për t’i shfaqur edhe ca nga...

Anisa Markarian: Disa pikla dëshmi në oqeanin e kujtesës së përbashkët

Bisedoi Andreas Dushi A.D: Tuj rrëmue n’do gjana t’vjetra / gjeta nji fotografi. Këto dy vargje nga një...

Anisa Markarian: Trupat e rinj

fragment nga romani «15 ditë prilli» – Botime Çabej Tavolina e laboratorit të anatomisë, e gjatë dhe e...

Sevdai Kastrati: Romanet që janë konsideruar gabimisht (pjesa 5)

Më bën përshtypje se si Fotaq Andrea nuk ngurron para hipotezave dhe ec përpara pa fakte. Pajtohem pjesërisht se Konica nuk...

KATEGORITË