Vjen në shqip libri “Miti dhe realiteti” i shkrimtarit e filozofit rumun Mircea Eliade, përkthyer nga Azem Qazimi, botimet “Pika pa sipërfaqe”. Eliade (1907-1986) njihet edhe si një nga historianët më të rëndësishëm të fesë në shekullin XX. Ai studioi në Bukuresht, Kalkuta, Paris, dhe ishte profesor i historisë së feve në University of Chicago nga viti 1957 deri kur vdiq. Eliade përpunoi shumë prej elementeve kyçe të shkollës fenomenologjike. Disa nga idetë e tij janë sot e kësaj dite pjesë e paradigmave kryesore të studimit të fesë në Perëndim. Në “Miti dhe realiteti”, Eliade merr në studim ato shoqëri në të cilat miti luan ende rolin kryesor në formimin e tiparave kulturore themelore të shoqërisë: marrëdhënien e mitit me botëkuptimin, me konceptimin e historisë, kohës, me përvojën njerëzore në përgjithësi. Ja një pjesë e shkurtër e shkëputur nga libri: “Zor se mund të formulohet një përkufizim për mitin, që do të ishte i pranueshëm për të gjithë studiuesit dhe, njëherësh, i kuptueshëm për jospecialistët. Për më tepër, a është vallë e mundur të formulohet një përkufizim që do të ngërthente të gjitha tipet dhe funksionet e miteve në tërë shoqëritë tradicionale dhe arkaike? Miti është një realitet kulturor jashtëzakonisht kompleks, të cilit mund t’i qasesh dhe ta interpretosh nga këndvështrime të ndryshme dhe përplotësuese. Më ngjan se përkufizimi më pak i papërshtatshëm, duke qenë dhe më gjithpërfshirësi, është si vijon: miti rrëfen një histori të shenjtëruar; ai tregon një ngjarje që ndodhi në Krye të Herës, në kohën përrallore të “fillimit”. Me fjalë të tjera, miti na tregon se si, falë veprimeve të Qenieve të Mbinatyrshme, u krijua një realitet i caktuar, qoftë ky realiteti në tërësi, pra Kozmosi, apo vetëm një pjesëz e tij – një ishull, një lloj bime, një lloj i veçantë sjelljeje, një zakon. Miti pra, është gjithherë shpjegim për një “krijim”; ai rrëfen se si është krijuar diçka, se si filloi ajo të jetë. Miti na tregon vetëm atë që ka ngjarë vërtet, atë që e ka shpërfaqur plotësisht vetveten…”