KreuLetërsiShënime mbi libraMira Meksi: Për të shpëtuar një këngë

Mira Meksi: Për të shpëtuar një këngë

Mbi romanin e ri “Bitëllsat i vranë para mesnatës”

Ajo ecte bulevardit e veshur përherë me të zeza, me një elegancë zonjash të sërës së lartë, me trupin e gjatë lastar, këmbët si të statujave antike greke, në gjoks përherë një trëndafil të kuq të punuar petal pas petali me duart e saj – Ganimetja, gruaja më e bukur e Tiranës së viteve ’60.

Që kur Maks Velo botoi në vitin 1994 tregimin Ganimeti dhe vite më vonë, bazuar në këtë tregim, siç ka thënë, por edhe si bashkëkohës, Kadareja do të botonte romanin e shkurtër Përballë pasqyrës së një gruaje, Ganimete Cuka u bë idengulitja ime. Njëlloj si Koha e shkurtër e lirisë në diktaturë, siç e ka titulluar librin e tij Fatos Tarifa, pra periudha e viteve 1960-1972 në Shqipëri.

Për Ganimeten dhe fatin e saj tragjik mësova sa munda jo vetëm nga shtypi i shkruar shqiptar, emisionet televizive, kujtimet e bashkëkohësve të saj, nga një sportist i njohur i asaj kohe në Tiranë që pati një lidhje dashurie me të, por edhe nga familjet tiranase rrënjëse që e kishin njohur mirë atë dhe familjen e saj. Në vitin 1944 Ganimetja u fejua me një oficer të Shërbimeve të Inteligjencës Britanike që vepronte në Shqipëri, anëtar i SOE-së, i dashuruar marrëzisht me të. Me nismën e Çurçillit ishte krijuar Drejtoria e Operacioneve Speciale (SOE), e cila kishte për mision të nxiste rezistencën kundër gjermanëve në Europën e pushtuar dhe të krijonte një lloj “kolone të pestë” për kohën kur do të zbarkonin aleatët. Lexova librin e një anëtari të SOE-së, David Smile, Vitet shqiptare ’43-’45 – Kujtimet dhe fotot e kolonelit anglez gjatë Luftës së Dytë Botërore. Një libër i veçantë, i shkruar mrekullisht mirë, që më mësoi shumë gjëra për atë kohë dhe më krijoi përfytyrimin e asaj pjese të jetës së personazhit tim.

Për fat, një mikeshë imja e ngushtë kishte hyrë dhe kishte dalë në shtëpinë e Ganimetes, një ngrehinë e bukur në Rrugën e Dibrës, me një rruginë luleborash të kaltra, çka do të më ndihmonte shumë në shkrimin e këtij libri-homazh për të, njëlloj si albumet e saj. Grishja ime për të njohur jetën e Ganimetes vinte edhe nga fakti se, sipas Kadaresë dhe Velos, ajo ishte kurtizane, një fjalë e pazakontë e shqipes që prej autorëve përdorej si një zëvendësim i mëndafshtë i fjalës prostitutë. Porse ishte e njëjta gjë. Gjithsesi, “dëshmitarët” penëmprehur të kohës, me një lloj adhurimi të epshët, i jepnin jo pak zjarr fantazisë dhe rrëfenin se kishte një klientelë të zgjedhur, se e përdorte shtëpinë, ku jetonte vetëm me të ëmën, si çerdhen e aktivitetit të saj prej putane luksi, madje flisnin edhe për tarifa… Ndërkohë që digjeshin të ishin qoftë edhe një herë në shtratin e Ganimetes.

Arrita të zbërthej, jo pa mundim, anën e errët të Hënës, atë që nuk dëshironin ta nxirrnin në dritë as pas viteve ’90 dhe rënies së diktaturës. Çka zbulova ishte tronditëse. Ajo grua e kultivuar, e bukur si aktoret e filmave (thoshin se i ngjante shumë aktores së famshme italiane Silvana Pampanini), e mirësjellë dhe elegante, prejardhëse e një familjeje tiranase të fisme, por të shpallur armike e pushtetit popullor, që dashuronte një djalosh më të ri se ajo në moshë si “fajin” e saj të vetëm, ishte viktimë jo vetëm e Sigurimit të Shtetit, e regjimit komunist që i shkatërroi familjen, të ardhmen dhe i mori jetën, por edhe e një shoqërie që mbeti e mbërthyer në darën e paragjykimeve, e izoluar dhe tokë pjellore ku kultivohej propaganda e ndyrë e kohës – së bashku me një pjesë të intelektualëve të saj.

Ky roman u kushtohet dashurive të dhunuara dhe të vrara nga pushtetet e kohërave. Lirisë së penguar dhe të vrarë nga diktatura. Është pjesë e trilogjisë për Shqipërinë e diktaturës: Diktatori në kryq – vdekja e diktatorit si rëndësi historike e kohës, Parisi vret – në kapërcyell të vitit ’90 dhe Bitëllsat i vranë pas mesnatës – vitet e lirisë së zbehtë në diktaturë.

Gjithmonë më ka interesuar Tirana e midis dy luftërave botërore, ngrehinat e saj, kafenetë, kinematë, restorantet, argëtimet e shoqërisë, jeta dhe plagët e saj. Një linjë e shkurtër flet për kafenenë e famshme “Kursal”, e hapur nga vitet ’30, që edhe unë e kam jetuar të shndërruar në bar-kafe “Rinia”, e cila ka qenë një qendër e vërtetë kulturore dhe argëtimi, vendi ku mblidheshin intelektualët, trupi diplomatik, aristokratët, të rinjtë shqiptarë që studionin jashtë vendit, artistët… Sipas historive që kanë qarkulluar në kryeqytetin e atyre viteve, “Kursali” është bërë dëshmitar i një dashurie të penguar. Personazhet ishin një balerinë hungareze e grupit “Caprice Girls” që jepte shfaqje në kafenenë e famshme, një djalosh shqiptar që studionte jashtë vendit dhe vetë mbreti Zog, bashkë me gruan që jetoi tre vjet me të, me emrin e vërtetë Tatiana Formova Stronovskaya, balerinë e kabaresë së njohur të Parisit “Folies Bergère” dhe me emrin e artit Tania Visarova, e njohur në Tiranë si “moldavja e Zogut”.

Gazetarja franceze Maria Craipeau ka botuar në Francë në vitin 1980 librin Tania Visarova: nga Kaukazi në Folies Bergère. Është një libër shumë interesant mbi jetën e balerinës moldave me prejardhje nga fisnikëria ruse dhe mbretëresha Natalia e Serbisë. Por edhe më interesant është udhëtimi i saj nga Parisi, ku punonte si balerinë e kabaresë legjendare dhe ku e quanin “Virgjëresha e Folies Bergère”, e shoqëruar nga e ëma dhe disa nga ministrat e Zogut, për në Durrës, ku e priste vetë Ahmet Zogu. I kishte premtuar punë në një teatër në Tiranë, por i ofroi jetën pranë tij në pallat si mbret i Shqipërisë. Kujtimet, mbresat, gjykimet e Visarovës për Zogun, për vendin, për marrëdhëniet e tij me pushtetin, me ministrat, por edhe me të ëmën dhe motrat janë lëndë e vyer për shkrimësinë, sepse gjithçka mësova dhe lexova iu nënshtrua procesit të trillit romanesk. Ajo që përgojohej Tiranës së viteve 1932-1933 ishte se Ahmet Zogut, me Visarovën në krah, i ra në kokë balerina hungareze e “Kursalit”, çka solli largimin e moldaves nga pallati mbretëror dhe nga Shqipëria.

Koha magjike që ngjizi një tjetër linjë të romanit ishte ajo e viteve 1960-1972, që është konsideruar si rrezja e dritës në diktaturë, ku pati një lloj lirie që u mohua tragjikisht më vonë. Koha e “Broduejit” të Tiranës, e muzikës së Elvisit, Çelentanos, Bitëllsave… Koha e xhinseve, e rrobabanjove veç, e modës perëndimore, e librave të ndaluar, e fërnetit dhe kaçurrelit, e dashurive… Shkrimi për këtë periudhë ishte një aventurë e gëzuar në kërkim të kujtesës sime prej fëmije, të zbehur dhe të strukur diku në ndonjë skutë të trurit. Instrumenti i perëndishëm për ta nxjerrë nga skuta ishin shkrimet e atyre që kishin qenë protagonistët e asaj kohe. Kështu, lexova shkrimet e Uvil Zajmit, i mbiquajtur “biografi i nostalgjisë”, librin e mrekullueshëm Brodueji i Tiranës të Bedri Alimehmetit, Koha e shkurtër e lirisë në diktaturë të Fatos Tarifës, por edhe shkrimet e profesor Ethem Rukës dhe të tjerëve. Ishte magjike gjithçka që lexova dhe pashë me sytë e kujtimit. Aty kisha qenë edhe unë, ndonëse shtatë-tetë vjeçe në vitet ’67-’68, kur zhvillohen ngjarjet e romanit.

Tirana ime. Peshkova në përfytyrimin e kujtimit pothuaj gjithë “Broduejin”, statujën e Stalinit aty ku sot është Skënderbeu, Pallatin e Kulturës, policin e trafikut me dorashkat e bardha, xhiron e famshme të Bulevardit, të cilën e jetova edhe vetë gjer në vitet ’90, reklamat e kinemasë në sheshin përpara Pallatit të Kulturës, filmat, shumëçka. Kur nuk e prisja, gjeta një kujtim krejtësisht timin, një dyqan të vogël në “Broduej”, ku xhaxhai filatelist i thekur që vinte nga Vlora, me mua për dore, shkonte dhe blinte, apo edhe shkëmbente, pulla te një burrë i vjetër që ngjante si një karkanxholl plak përrallash. Diku po në “Broduej” mbaj mend një varkë metali ëndrre ku hipnim ne fëmijët dhe lëkundeshim.

Dhe muzika. Liria vegullimë e atyre viteve lejonte të dëgjoheshin hapur këngët e botës perëndimore, sidomos ato të Beatles-ave. Diku pashë të shkruar që vetë Nexhmije Hoxha kishte blerë jashtë shtetit disqe me këngët e djemve të Liverpulit për Radio Tiranën. Grupe muzikore roku u krijuan nëpër gjimnaze dhe në Institutin e Lartë të Arteve, dega muzikë. Kam takuar nga ata që e kanë jetuar muzikën e këtyre grupeve të mrekullueshme, sidomos në plazhin e Durrësit gjatë verës.

Dhe ardhja aksidentale e Beatles-ave në Shqipëri. Aty rreth viteve 2002-2003, kur kisha nisur të shkruaja romanin Porfida, ballo në Versailles dhe përdorja Google-in, gjeta krejt papritur një shkrim gazete (nuk më kujtohet emri) që fliste për ardhjen e Beatles-ave në Rinas në vitin 1968, pastaj qëndrimin e tyre në hotel “Adriatik” për një natë. Avioni me të cilin udhëtonin nga Rishikeshi i Indisë për në Londër kishte bërë një ulje të detyruar në Rinas. Në shkrim thuhej se një kameriere që u kishte shërbyer dhe u kish kënduar, për habinë e madhe të muzikantëve, pjesëza nga këngët e tyre, ruante në përparësen e bardhë të punës firmën e Beatles-ave. Këtë të dhënë, që më çmeriti, e vendosa në romanin që u botua më 2006, së bashku me ardhjen në Shqipëri të një tjetër personaliteti botëror, siç ishte Ajnshtajni. Kjo vizitë dihej nga shumë njerëz, sepse fizikani i madh kishte pasur takime me mbretin Zog për të krijuar një strehë në Shqipëri për hebrenjtë që po persekutoheshin nga nazizmi. Porse ardhjen e fshehtë të Beatles-ave pak njerëz e dinin. Më qëlloi që ato vite të pyesja një oficer të lartë të Sigurimit të Shtetit, i afërm i familjes së tim shoqi, i cili kishte punuar në Drejtorinë e Parë, dega që merrej me të huajt. Ai më pohoi uljen e detyruar në Rinas të avionit britanik me Beatles-at, pa më shpjeguar se sa nga muzikantët ndodheshin në bord. I kishin çuar për një natë në hotel “Adriatik” në Durrës. Ajo që më mbeti në mendje si e dhënë e rëndësishme ishte koha e uljes së detyruar të avionit të muzikantëve, prilli i vitit 1968.

Këtë datë të rëndësishme mora në dorë si “fillin e Arianës” për t’u mirëdrejtuar në labirintin e kohës dhe historisë së përpara pothuaj gjashtëdhjetë vjetësh. Përkimet ishin të pabesueshme. Beatles-at, në shkurt të vitit 1968, kishin shkuar në Rishikesh në këmbë të Himalajeve për të mësuar meditimin transhendental pranë gurusë së famshëm Maharishi. Ringo Starr-i ishte larguar i pari pas nja dhjetë ditësh, Paul McCartney ishte larguar i dyti pak më vonë, ndërsa John Lennon-i dhe George Harrison-i u larguan pikërisht nga mesi i prillit 1968. Nga Rishikeshi në Londër. Kërkova shumë gjersa gjeta itineraret që përdornin avionët britanikë Delhi-Londër më 1968. Ajo që zbulova ishte sërish e habitshme. Itinerari ishte Delhi-Karaçi-Teheran-Athinë-Londër. Mësova se në detin Jon në prill janë jo të rralla stuhitë subtropikale. Një stuhi e tillë mund ta kish shtrënguar avionin të bënte ulje të detyruar në Rinas. Këto të dhëna sërish hynë në magjen e krijimit dhe iu nënshtruan ligjësive të tij.

Kërkimet që më dhembën në shpirt ishin ato të arratisjeve të të rinjve ato vite, por edhe më vonë dhe shumë më vonë nga Shqipëria. Pjesa më e madhe kishin dështuar, një pjesë e vogël kishin arritur lirinë.

Gjithsesi, mekanizmi i shkrimësisë ishte vënë në lëvizje. Element i rëndësishëm i tij ishte profecia dhe Porta e Kohës. Beatles-at (dy prej tyre) ndodheshin në mes të furtunës mbi Jon, Bitëllsat e Tiranës (dy prej tyre) ndodheshin në dallgët e Jonit në mes të furtunës, në të njëjtën orë, në të njëjtën datë, pasqyrime të njëri-tjetrit – Porta e Kohës ishte hapur për të shpëtuar një këngë, shpirtin e një brezi të tërë…

Brenda trillit të romanit, ku mund të ishte kom-pozuar Let It Be, një baladë, një këngë elegjiake që nuk ngjante me asnjë këngë tjetër të Beatles-ave, përveçse në tokën pa Zot që përgjërohej për të shenjtën me dritë, Nënën Mari?

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË