Kreu Letërsi Kritikë Minella Aleksi: Të gjallët që jetojnë së brendshmi në "Dorëshkrimet e fshehta...

Minella Aleksi: Të gjallët që jetojnë së brendshmi në “Dorëshkrimet e fshehta të burgut”

Njohja me historitë e të burgosurve në burgjet e regjimeve komuniste pavarësisht nga vënde  dhe gjuhë të ndryshme tregon se një elementë ato histori e kanë të përbashkët: instiktin natyror të të burgosurit për të mbijetuar brenda një universi që të mohon, Truri është pa dyshim pasuria më e vlefshme e individit, mjeti ose arma më e mirë për t’i shpëtuar dehumanizimit dhe humbjes së identitetit nën presionin e vazhdueshëm të mekanizmit represiv shtetëror.

Mënyra të dukëshme të zhdukjes së identitetit ishin ato nëpërmjet krijimit të tufës njerëzore uniforme. Shenja të humbjes së unikalitetit human pasoheshin nga qethja demostrative e kokës, veshja njëngjyrëshe standarte dhe diabolizmi depersonalizues i përzierjes me të burgosurit ordinerë.

Disa përpiqen që të provojnë se jeta në atmosferën antinjerëzore të burgut komunist stimulon kreativitetin artistik në forma të ndryshme. Por e vërteta është se jeta në burgjet politike realisht i ngjan në vetvete trillimit.

Atëhere më mirë sesa një poet e shkrimtar i burgosur askush tjetër nuk mund ta përshkruante këtë trillim absurd real. Trillimi artistik i përmban edhe skenat e tmerrit, edhe groteskun, edhe meditimin serioz.

Te libri “Dorëshkrimet e fshehta të burgut” ashtu si edhe te “Ferri i çarë” (Burgologjia e V. Zhitit) gjejmë absurdin ekzistencial, tmerrin por dhe groteskun sidomos që të kujtojnë  fjalët e Mark Tvvain se: “Burimi sekret i humorit në vetvete nuk është gëzimi, por hidhërimi. Nuk ka humor në parajsë”.

Kur themi se komunizmi është logjika përfundimtare e dehumanizimit të njeriut nënkuptojmë se dehumanizimi nuk është një mënyrë për të folur. Është një mënyrë të menduari që mbi shtypësin vepron si një lubrifikant psikologjik. I largon atij frenimet logjike duke i ndezur pasionet shkatërruese që e shtyjnë atë fuqishëm për të kryer veprime të cilat, në rrethana të tjera do të ishin të paimagjinueshme.

Për çdo rishtar që bie  në burgim politik, në BRSS apo në Hungari, në Shqipëri apo në Poloni, Çekosllovaki, Rumani etj,  gjëndet gjithmonë një i burgosur më i vjetër i cili i mëson atij një Dekalog. “Dekalogu universal i mbijetesës” i ndërtuar nga eksperiencat më antinjerëzore të burgjeve politike. Nga ky “Dekalog i mbijetesës” ose “Urdhëresat e shenjta të jetës në burg” po sjell vetëm dy prej tyre:

1. Në burg ka vetëm dy kategori njerëzish: të vdekurit  së jashtëmi dhe të gjallët që jetojnë së brendshmi. 2. Në burg Zoti mund të fshihet nën çdo uniformë rojeje dhe djalli nën uniformën e çdo të burgosuri. Një situatë ferri e vërtetë mbi tokë.

Janë fare pak ata të burgosur politikë që brenda burgut e bënë temë të krijimtarisë së tyre artistike këtë jetë ferri “trillim”. Sigurisht artisti me talent gjen dhe zotëron aftësinë që këtë tmerr shpirtëror dhe torturë fizike t’a veshë artistikisht me vlerë estetike. Mendoj se te “Dorëshkrimet e fshehta” instikti e nxit poetin që të mendoj estetikisht mbi konfliktin midis prirjes njerëzore për të kërkuar kuptimin e natyrshëm të kësaj jete “fiction” dhe përgjigjes së heshtur të universit shoqëror.

 Mungesa e përmbushjes intelektuale dhe dëshpërimi çon progresivisht vetëm në përkeqësim psikologjik dhe fizik. Në burg për zotërimin e shpirtit të tij individi poet lufton me dehumanizimin.

E kuptoj se ku e gjenin qëndrueshmërinë stoike klerikët e burgosur në komunizëm të cilët kanë aderuar në një sistem të ndërtuar, të trilluar besimesh dhe idesh, të cilat shërbejnë për vetmashtrim shmangës nga banaliteti dhe e vërteta e ashpër e ekzistencës. Ndryshe ndodh me poetin i cili ndjek një tjetër sistem mbijetese, atë të rebelimit estetik kundër absurditetit të urryer të ekzistencës në burg. Revolta poetike kundër ekzistencës është ajo që i jep vlerë jetës në absurdin egzistencial dhe vet krijimit të tij estetik.  Jo duke e mashtruar veten me iluzione shpresëdhënëse por mbi të gjitha duke e analizuar dhe përshkruar artistikisht atë tmerr. Poeti, shkrimtari, artisti gjithmonë krijon duke imagjinuar audiencën. Në burgun komunist, ku nuk ke dhe as nuk pret të kesh audiencë, ku nuk shpreson që ndonjëherë të marrësh vlerësim, poeti i talentuar duhet të zotëroj forcë shpirtërore të jashtëzakonshme për të krijuar poezi dhe tekste letrare. Në këtë moment, është e nevojshme të kuptohet se ekziston gjithmonë një bërthamë shpirtërore që ushqen lirinë e brendshme e cila nuk mund të shkëputet, as mund të hiqet në skutat më të errëta të një burgu apo të një rrethi të hekurt internimi. Ndërsa krijon art rifiton një ndjenjë qëllimi ku krijimi artistik ndihmon autorin në mjerim që të kanalizoj emocionet  në dobi të vetes dhe të të tjerëve, për të jetuar jetë më të përmbushur.

 Krijimtaria poetike në burgje dëshmohet si mekanizëm për t’i rezistuar presionit të jashtëm të paktën “së brendshmi”. – për të kompensuar me pasurinë e jetës krijuese mjerimin e ekzistencës së përditshme fizike. Duke qenë se çdo fjali e ka një folje, ndjehet se fjala është një krijim i orientuar nga veprimi. Brenda kësaj bote fjalësh poeti kapërcen heshtjen e izolimit. Jo se me këtë i shpëtoi fatit të destinuar të vuajtjes apo të çfarosjes por duke përdorur fjalën e orientuar nga veprimi, së brendëshmi izolimin e transformon në liri. Mendoj se ky transformim i brendshëm ka qënë mekanizmi nëpërmjet të cilit autori ka përcjellë në poezitë dhe tekstet letrare përshtypje të qëndrueshme të përvojave njerëzore, me shumë qartësi, aq sa imazhet e depërtojnë armaturën mendonjëse të lexuesit. Është një karakter, një frazë ose ngjarje që jo vetëm të çpon por të hap një vrimë  në mendje dhe të mbetet atje – mbase për një jetë të tërë – sepse godet një akord, por jo vetëm, sepse të ka bërë që të të ndryshoj një vizion.

Një mënyrë ekstreme e aftësisë për të lënë një mesazh mendonjës estetik nga “zemra e burgjeve komuniste”, për të shprehur veten, identitetin e vërtetë artistik. Në librin “Dorëshkrimet e fsheta të burgut” komponenti letrar i teksteve jep të dhëna që ndihmojnë në  ndriçimin e përpjekjeve të Visar Zhiti për t’u dhënë konsistencë njerëzore instikteve më misterioze dhe kontradiktore që çfaqen në nënvetëdijen e një të izoluari nga gjithëçka, jep të dhëna në  deshifrimin e vet autorit dhe të kuptimit të historisë prej tij. Ȅshtë shumë domethënse çka ish i dënuarit politik, Ilir Malindi në përshtypjet në libër nëpërmjet alegorisë ka shprehur shumë bukur nevojën e përshkrimit të jetës në burg: “Rënia e Visarit në burg ishte një bekim i madh. Gabimisht, monstrat e Sigurimit bënë gjënë e duhur. Ç’është e vërteta, Visari e kishte hak burgun. Më shumë se ne. …Vuajtjes sonë të shurdhër dhe memece ai i dha, me elokuencë dhe lakonizëm, dinjitetin e tragjedisë”.

Dorëshkrimet e fshehta të burgut është një vepër letrare, është një përvojë e jetuar e një poeti në rrethanat ekstreme të izolimit në burg që hap një dritare drejt kuptimit të së vërtetës për natyrën njerëzore. Kjo e vërtetë nuk është statike pasi përjetohet sipas ndjesive të çdo lexuesi. Diçka të ndryshon duke i shtuar jetës së lexuesit një jetë të re si një përvojë dinamike.

Krahas një dokumenti si kujtesë kulturore, poezitë dhe tekstet letrare në libër artikulojnë një histori arratisjeje. Burgosja u bë si pedanë për një jetë të dytë të ndryshme, të fshehur, ku trupi “u varros” dhe fryma fiton, duke u endur më e lirë nga sa mund të imagjinohet. Kjo nuk do të thotë se trupi u shpërfill, por që ai, nga ana tjetër, iu nënshtra shpirtit të krijuesit: ‘Trupi im nuk mund të jetë askund tjetër. Me shpirt mund të jem kudo. Këtë pohim egzistencial ka përcjellë poeti Zhiti me librin ‘Dorëshkrimet e fshehura të burgut”.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Prof. Dr. Klara Kodra: Bota origjinale e një poeteshe bashkëkohore

Majlinda Rama është një lirike e ëmbël, fine dhe e thellë. Ajo ka lëvruar me sukses disa fusha, po ajo që e...

Granit Zela: Libri i fundit që më bëri të qaj? “Lamtumirë Gabo dhe Mercedes”, shkruar nga biri i Markezit

Libri që po lexoj ndërkohë: Po lexoj librin e Rexhep Shahut “Bisedë e përfytyruar me Havzi Nelën”. Ky libër...

Bahri Beci dhe koncepti i tij mbi procesin e planifikimit gjuhësor të shqipes

Nga Prof. asc. Albana Deda (Ndoja)Departamenti i Gjuhësisë, Universiteti i Tiranës Njoftimi i për mbajtjen e një konference...

Shefkije Islamaj: Ligjërimi postmodern i Rexhep Qosjes

Shkrimtari Rexhep Qosja, me të drejtë, nga studiuesit e veprës së tij letrare-artistike konsiderohet përfaqësuesi më i rëndësishëm e më i veçantë...

KATEGORITË