KreuLetërsiShënime mbi libraMinella Aleksi: Shqipëria e Kadaresë: laborator pikënisjeje për pyetje universale

Minella Aleksi: Shqipëria e Kadaresë: laborator pikënisjeje për pyetje universale

Në Shqipërinë komuniste, pak ngjarje arrinin të trazonin opinionin publik. Zakonisht ishin pleniumet e Partisë ose botimi i një romani të ri të Kadaresë. Ndërsa të parat përcaktonin drejtimin zyrtar të regjimit, të dytat nxisnin te lexuesit përpjekje të pafundme për të kuptuar se çfarë fshihej pas alegorive, simboleve dhe ambiguiteteve të shkrimtarit.

Regjimi dhe Ismail Kadare udhëtonin në kahe të kundërta: njëri kërkonte nënshtrim, tjetri liri. Rrugët e tyre kryqëzoheshin vazhdimisht në një duel të heshtur, ku asnjëri nuk arrinte ta mposhtte plotësisht tjetrin. Pas botimit në Perëndim, për shumë shqiptarë lindte pyetja: si mund të ishte një shkrimtar i madh dhe njëkohësisht të botonte në një sistem kaq represiv? Disa i konsideronin vepra konformiste ose trushplarje, në shërbim të regjimit, kurse një pakicë i shihnin si forma të sofistikuara kundërshtimi ndaj regjimit. Dy këndvështrime të ndryshme. Reputacioni jashtë vëndit buronte nga vlera të veçanta letrare e estetike dhe nga trajtimi i temave si totalitarizmi, historia dhe identiteti. Reputacioni dhe dilema brënda vëndit buronte nga gjykimi i rolit të shkrimtarit në sistemin e diktaturës së proletariatit. Lexuesve në Perëndim u tregonte se pushteti absolut mund të analizohej, të demistifikohej dhe të shëndrohej në objekt letërsie. Për një diktaturë si ajo e E. Hoxhës kjo ishte e pakëndshme. Nuk ishte një sulm i drejtpërdrejtë politik, por aftësi e letërsisë që, përmes metaforave dhe alegorive të ngrinte pyetje mbi natyrën e pushtetit, frikës dhe lirisë,. Diversion ideologjik quhej atëherë, ose disidencë intelektuale sot.

Ushtria, policia dhe burgjet mund të siguronin bindjen e jashtme të shoqërisë, por nuk mund të kontrollonin plotësisht mendimin. Në vetëdijen e njerëzve fillonte gradualisht gërryerja, çmitizimi i pushtetit dhe shëmbej miti se, ai ishte i pagabueshëm, historikisht i drejtë dhe i pakontestueshëm. Në Perëndim studjuesit mbetën të habitur. Kadare fliste për lirinë, pushtetin dhe fatin njerëzor me një forcë artistike origjinale, të cilën kritikët francezë e konsideruan plotësisht europiane dhe universale. Jo vetëm që s’kishte asnjë lidhje me modelin e realizmit socialist, por shquhej për origjinalitet stilistik.

Psh., në shumë romane të kulturës perëndimore dhe ruse, historia shërben si sfond për ngjarjen. Te Hemingway, në romanet “Lamtumirë armë, Dielli do të lindë përsëri, Për kë bien këmbanat” historia është zakonisht sfondi i madh mbi të cilin vihet në provë individi. Autori është më pak i interesuar për lëvizjet e historisë dhe më shumë për mënyrën se si njeriu reagon ndaj tyre. Nikolaj Gogoli është mjeshtri i shkrirjes së realitetit historik rus me elemente sureale dhe absurde. Ai përdori sfondet e zakonshme (zyrat e Shën Pjetrit, fshatrat e Ukrainës) si një kanavacë për të goditur burokracinë, korrupsionin dhe hipokrizinë shoqërore përmes humorit të zi dhe magjisë. Te “Lufta dhe Paqja”, pushtimi i Rusisë nga Napoleoni është një ngjarje historike madhore, por romani fokusohet kryesisht te familjet Rostov, Bolkonski dhe Bezukhov. Te “Getsbi i Madh” i F. Scott Fitzgerald, personazhi kërkon të realizojë një ëndërr, qendra është individi dhe iluzioni i tij. Te García Márquez, historia shfaqet si kujtesë kolektive dhe si proçes ciklik, ku e shkuara vazhdon të veprojë mbi të tashmen, ndërsa brezat përsërisin fate, gabime dhe përvoja që duket se sfidojnë rrjedhën lineare të kohës. Te James Joyce, historia zakonisht nuk është në qendër, por as thjesht sfond pasiv. Ajo është e pranishme në mënyrë të tërthortë, përmes gjuhës, kujtesës, identitetit dhe jetës së përditshme. “Historia është një makth nga i cili po përpiqem të zgjohem”, është një shprehje e famshme te “Ulysses”. Jo si refuzim i historisë në vetvete, por si shprehje e ndjenjës se, individi është i ngarkuar nga pesha e së kaluarës, konfliktet politike, fetare, kombëtare dhe kulturore që trashëgon, pa i zgjedhur vetë ato. Ndryshe ishte te romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Te Kadareja historia ishte diçka e gjallë, shpesh bëhej vetë personazh. Gjenerali dhe prifti jo vetëm udhëtojnë nëpër Shqipëri. Ata udhëtojnë brenda hijes së një historie që refuzon të vdesë. Në këtë kuptim, historia nuk është dekor i rrëfimit, por një forcë aktive që drejton ngjarjet dhe përcakton fatin e personazheve. Historia nuk rrëfehet si e kaluar, por si një fuqi që vazhdon të jetë e pranishme dhe të ndikojë të tashmen. Te “Kështjella” e Kadaresë, lexuesi perëndimor nuk po lexonte vetëm për Shqipërinë e shekullit XV, ai po lexonte për raportin e përjetshëm midis qëndrës dhe periferisë, të fortit dhe të dobëtit. Konflikti mes shqiptarëve dhe perandorisë osmane nuk është thjesht një episod ushtarak. Ai kthehet në një reflektim mbi rezistencën, identitetin dhe mënyrën se si komunitetet e vogla mbijetojnë përballë fuqive të mëdha. Te “Kronikë në gur”, L2B nuk paraqitet vetëm si mjedis ku rritet një fëmijë; historia depërton në çdo aspekt të jetës së qytetit dhe bëhet pjesë e vetë mënyrës se si formohet kujtesa kolektive. Te “Dimri i vetmisë së madhe” kemi shkrirjen e historisë me letërsinë. Historia nuk paraqitet thjesht si kronikë politike, por si një forcë që ndikon drejtpërdrejt në jetën, psikologjinë dhe fatin e personazheve. Realizmi (faktet historike, atmosfera politike, jeta e përditshme e personazheve të lidhur me kohën) kombinohet me përmasën metaforike (dimri nuk është vetëm stinë, por simbolizon vështirësitë, izolimin, tensionin dhe sfidat që kalon vendi). Në romanin “Pallati i Ëndrrave”, edhe pse ngjarja vendoset në një mjedis të ngjashëm me perandorinë osmane, historia përdoret si një mekanizëm për të shqyrtuar natyrën e pushtetit absolut dhe kontrollin mbi shoqërinë. E veçanta te Kadareja, qëndra është njeriu përballë kohës, historisë dhe pushtetit.

Origjinaliteti stilistik i Kadaresë ishte një përzierje e tragjikes, groteskes, mitikes, absurdeve burokratike dhe humorit të zi, që u kujtonte studjuesve autorë si, Franz Kafka, George Orwell apo Milan Kundera, Si bashkëkohës që dolën nga blloku komunist dhe u bënë figura botërore, Kundera dhe Kadareja përbëjnë një çift krahasimi shumë të natyrshëm. Është më i natyrshëm sesa, p.sh., krahasimi i Kadaresë me Gabriel García Márquez ose i Kunderës me Franz Kafka, edhe pse secili prej tyre ka afri të caktuara me këta autorë. Studjuesit bashkohen në argumentin se nëse flitet vetëm për risi formale të romanit, Kundera ishte më novator në strukturën e romanit modern.

Por nëse flasim për zë unik stilistik, shumë kritikë do t’i jepnin përparësi Kadaresë. Arsyeja është se gjuha imagjinative, universi simbolik dhe mënyra si ai e shndërroi përvojën shqiptare në letërsi universale, janë jashtëzakonisht të veçanta. Për studjuesit ka shumë shkrimtarë që të kujtojnë Kunderën në metodën e të menduarit; është shumë më e vështirë të gjesh dikë që të kujton Kadarenë. Kundera, më origjinal në mënyrën e ndërtimit të romanit si instrument filozofik. Kadare: më origjinal në krijimin e një universi letrar dhe një zëri të papërsëritshëm. Te Kundera, personazhet janë para së gjithash individë. Ata nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një komb, një epokë apo një mit. Janë qenie të veçanta, me dëshira, obsesione, dilema erotike, morale dhe ekzistenciale. Kundera është i interesuar për atë që e bën një njeri unik, dhe kontradiktat e tij të brendshme. Shumë prej personazheve të Kadaresë nuk janë vetëm individë të një kohe të caktuar, por mbartës të shtresave historike dhe kulturore. Kadareja e vendos individin në një thellësi kohore, sikur pas një njeriu të vetëm të fshihet historia e një populli. Personazhet e Kadaresë shpesh janë “arkeologji” të gjalla, ku në një njeri të vetëm mund të bashkëjetojnë miti i lashtë, bota antike, mesjetare, perandoria osmane, zakoni, frika historike dhe njeriu modern. Për këtë arsye, personazhet nuk përfaqësojnë vetëm një kohë apo një shoqëri të caktuar, por vetë vazhdimësinë e përvojës njerëzore ndër shekuj. Kjo është arsyeja pse te Kadareja gjen më shpesh dimensionin epik dhe arketipal, ndërsa te Milan Kundera dimensionin filozofik dhe ekzistencial. Personazhet e tij janë më pak “bij të të gjitha epokave” dhe më shumë “bij të modernitetit”. Kundera pyet çfarë ndodh me ndërgjegjen individuale. E kthen përvojën e Evropës Lindore në një roman të individit. Kadareja pyet çfarë ndodh me njeriun kur kalon përmes historisë, dhe atë përvojë të Europës Lindore e kthen në roman të historisë dhe mitit. .

Në këtë pikë Kadare ndryshon shumë nga Kundera, Kjo është edhe arsyeja pse disa studiues e konsiderojnë Kunderën një mjeshtër të madh të romanit evropian, ndërsa Kadarenë një fenomen më të veçantë e më pak të klasifikueshëm brenda letërsisë botërore.

Në “Pallati i Ëndrrave”, shteti nuk përpiqet të kontrollojë vetëm veprimet e qytetarëve, por edhe botën e tyre të brendshme, madje vetë ëndrrat. Kështu, ideja e pushtetit kalonte nga një realitet politik konkret, në një nivel simbolik dhe ekzistencial. Për lexuesin perëndimor, interesantja ishte se Kadare ngrinte pyetje universale: A mund të kontrollohet mendimi? A mund të ekzistojë liria e brendshme? Deri ku shkon vullneti i institucioneve për të ditur gjithçka?

Këto pyetje nuk bëhen e nuk i përkasin vetëm diktaturave; ato mbeten të rëndësishme sa herë që shoqëritë përballen me forma të reja kontrolli dhe mbikëqyrjeje. Sot amerikanët ballafaqohen me fenomenin Trump! Edhe demokracitë më të konsoliduara, si ajo amerikane, mbeten të brishta; ato janë vazhdimisht të ekspozuara ndaj rrezikut të abuzimit me pushtetin dhe prirjeve autokratike brenda vetë shtetit. Në letërsinë politike klasike, pushteti shpesh paraqitet përmes strukturave të dukshme të kontrollit: policisë, ushtrisë, administratës apo partisë. Origjinaliteti i Kadaresë qëndron në thelbin se, e çon analizën e pushtetit te brëndësia e njeriut. Pushteti te veprat e Kadaresë nuk paraqitet si një mekanizëm i ftohët dhe abstrakt. Ai mban “erë historie”. Që nënkupton se pushteti vjen i mbështjellë me kujtesë, me tradita, histori, zakone dhe përvoja konkrete të një shoqërie. Te Kadare pushteti ka një origjinë dhe një trashëgimi. Kjo do të thotë se personazhet e Kadaresë nuk përballen vetëm me një urdhër të kohës së sotme, mbartin edhe një forcë historike të ndërtuar në shekuj.

Një pushtet perëndimor modern mund të imagjinohet si administratë, ligj, burokraci, por, “ah”, tek populli i shkrimtarit ishte pak ndryshe, se pushteti hiqet se ka “fytyrë kulturore”, ngaqë krijonte besime dhe kuptime që e bëjnë sundimin të duket i natyrshëm, i drejtë ose i domosdoshëm. Pse kjo ishte interesante për lexuesin perëndimor? Sepse Kadare tregonte diçka shumë më komplekse. Se shtypja nuk lind vetëm nga një diktator ose një institucion. Ajo nuk është vetëm një strukturë politike. Është edhe një forcë historike dhe psikologjike, që hyn në jetën e njerëzve dhe që ushqehet nga tradita. Tradita si diçka që e lidh një komunitet, mund të bëhet kufizim kur individi nuk ka më hapsirë të zgjedhë. Te Prilli i Thyer, “Kanuni” nuk është thjesht një ligj i shkruar. Ai është një autoritet moral që jeton në mëndjen e njerëzve. Dmth., tradita, si formë e padukshme pushteti bëhet më e fortë se sa liria e njeriut. Personazhi “Gjorgu” mund të mos dëshiroj hakmarrjen, por ndjen se familja e pret prej tij, nderi e kërkon, komuniteti do t’a gjykojë. Refuzimi, si dele të zezë, do t’a nxjerrë jashtë shoqërisë. Pyetja thelbësore është: a mund të quhet i lirë një individ që nuk detyrohet nga forca e shtetit, por nga frika e gjykimit shoqëror? Në këtë rast, pushteti nuk ushtrohet përmes policisë apo ligjit, por përmes normave dhe zakoneve që pranohen pa u vënë në diskutim. Pothuajse të gjithë personazhet kryesore në veprën e Kadaresë kalojnë në këtë lloj “bankoprove” ose “test nën presionin e kontrollit zakonor”.

Problemi shfaqet kur pyetja “A është e drejtë?” zëvendësohet nga bindja se “kështu është bërë gjithmonë”. Atëherë tradita nuk vepron më vetëm si trashëgimi kulturore, por edhe si një mekanizëm i padukshëm kontrolli. Pra ideja kryesore është: Shtypja më e fuqishme nuk është gjithmonë ajo që të detyron me dhunë; ndonjëherë është ajo që, të bën t’i ndjesh mirë kufijtë e vendosur brënda burgut të vetes. Personazhet e Kadaresë jetojnë jo vetëm me atë që po ndodh, por edhe me kujtesën e asaj që ka ndodhur. Ndjehet në heshtjen e njerëzve, në frikërat e tyre, në mënyrën se si i kontrollojnë fjalët, në zakonet e forta detyruese, në dyzimin e brënda-jashtë shtëpisë, nw dyfytyrëshin e sjelljes. Është zanafilla e idesë se si një sistem i fuqishëm politik, mund të trashëgojë dhe të zhvillojë dëshirën njerëzore për kontroll.

Kjo është frikë që njerëzit nuk e mësojnë nga një ngjarje e vetme, por e “trashëgojnë” nga historia. Do të thotë se prindërit kanë përjetuar frikë, natyrshëm ua transmetojnë fëmijëve; shoqëria ka përjetuar dhunë, për pasojë njerëzit mësohen të heshtin. Edhe kur nuk ka më ndëshkim real, njerëzit vazhdojnë të kenë frikë të flasin, sepse “kështu ka qenë gjithmonë”. Shtypja në këto raste ndjehet si presion psikologjik, jo direkte. Një rregull i trashëguar nga e kaluara përcakton fatin e individit. Te Kadareja, pushteti shpesh është i pranishëm edhe kur nuk duket.

Kjo është arsyeja pse personazhet e Kadaresë janë interesantë: ata nuk janë vetëm viktima të pushtetit. Ata janë njerëz që jetojnë në një botë ku pushteti është bërë pjesë e historisë, zakoneve, frikërave dhe mënyrës së tyre të të menduarit. Për lexuesin perëndimor kjo krijonte një pyetje interesante: Sa prej zgjedhjeve tona janë vërtet të lira dhe sa përcaktohen nga traditat që trashëgojmë?

Studjues të ndryshëm kanë treguar vëmëndje krahasimore mes letërsisë së Dostojevskit dhe Kadaresë. Dostojevski i kërkon dhe zbulon “djajtë” (forcat e brëndshme dhe idetë që pushtojnë njeriun) në thellësitë psikologjike të njeriut dhe dramat e shpirtit njerëzor. Te Kadare, ato gjënden shpesh si fantazmat e historisë, fytyrat e fshehta të pushtetit modern dhe frikërat kolektive që depërtojnë në jetën e njeriut. Të dy qëndrojnë te letërsia që nuk tregojnë vetëm ngjarje, por hetojnë çfarë i bën njeriut frika, pushteti dhe ndërgjegjja. Te Dostojevski ndërgjegja është fushë beteje e shpirtit, ku njeriu përballet me fajin, lirinë, mëkatin, fenë, arsyen dhe besimin, pasojat dhe përplasjet e tyre të brendshme. Te Kadare, ndërgjegjja lidhet më shumë me pozicionin e individit përballë historisë dhe pushtetit: si ruhet dinjiteti, kujtesa dhe e vërteta kur njeriu vihet “nën testin e presionit”.

Studjuesit bashkohen se, Kadareja i afrohet Dostojevskit jo në formë, por në thelbin e shqetësimit: të dy kërkojnë të zbulojnë forcat e fshehta që sundojnë njeriun; njëri në labirintet e shpirtit, tjetri në labirintet e historisë dhe pushtetit. Dostoevski është më shumë psikolog dhe filozof. Te “Pallati i Ëndrrave”, pushteti nuk mbështetet vetëm te dhuna; ai kërkon të kontrollojë hapësirën më intime të individit. Stili i tij është më poetik dhe metaforik. Më shumë rrëfimtar i historisë dhe mitit përmes alegorisë politike.

Te “1984” e Orwell, njeriu rrezikon të shtypet dhe të manipulohet nga sistemi. Shteti ose ideologjitë mund të kontrollojnë mendimin e njerëzve. është i qartë, i drejtpërdrëjtë, i kursyer në përdorimin e figurave letrare dhe elementeve estetike. Më shumë kritik politik dhe shoqëror.

Para se Kadare të fitonte jehonë të gjerë ndërkombëtare, shumë lexues perëndimorë e njihnin Ballkanin kryesisht përmes autorëve si Ivo Andrić dhe Nikos Kazantzakis. Perëndimi çfaqte interes strategjik për Ballkanin, nisur kryesisht nga faktorë politikë dhe gjeopolitikë.

Për Andriçin, Ballkani ishte para së gjithash, histori e gjatë bashkëjetesë dhe tragjedi njerëzore. “Ura mbi Drin” bëhet simbol bashkimi, lidhjeje, Lindje Perëndim, i një bote ku myslimanë, ortodoksë, katolikë dhe hebrenj jetojnë së bashku për shekuj, derisa nacionalizmat dhe luftërat e shkatërrojnë atë ekuilibër.

Për Kazanzaqin, Ballkani nuk është aq shumë objekt historik sa hapësirë e përplasjes shpirtërore dhe ekzistenciale. Studiuesit e vendosin Kazanzaqin, sëbashku me Andriçin, në traditën e një Ballkani skeptik ndaj rrjedhës së historisë moderne. Kadare solli një këndvështrim që deri atëherë ishte shumë më pak i njohur, përvojën shqiptare të historisë ballkanike, marrëdhënien me Perandorinë Osmane, mitet shqiptare dhe jetën nën diktaturë. Në këtë kuptim, ai zgjeroi hartën letrare të Ballkanit në imagjinatën perëndimore. Ballkani për Kadarenë është shpesh dramë e historisë dhe identitetit. Hapësirë ku përplasen perandori dhe projekte qytetërimesh. Ura me tre harqe nuk simbolizon bashkimin, si te Andriçi, përkundrazi, ajo paralajmëron pushtimin dhe ndryshimin e fatit historik të vendit. Andriçi kërkon të kuptojë si jetojnë popujt së bashku, Kazanzaqi si lufton njeriu me vetveten, ndërsa Kadareja si historia dhe perandoritë formësojnë fatin e kombeve. Këndvështrimi dhe ndikimi i Kadaresë ishte më shumë kulturor dhe intelektual se sa politik. Kadareja ndryshoi mënyrën se si shumë njerëz në Perëndim e kuptuan Ballkanin. Sipas Kadaresë, Europa e ka parë shpesh Ballkanin si kufirin e saj të trazuar, një hapësirë ku historia shfaqet në forma më të ashpra dhe më dramatike. Por ai përpiqet ta përmbysë këtë këndvështrim: Ballkani nuk është një devijim nga historia evropiane, por një pasqyrë e saj. Ajo që duket e jashtëzakonshme në Ballkan është shpesh thjesht historia evropiane e përqendruar në një hapësirë më të vogël dhe më të ekspozuar. Kjo është një nga idetë më origjinale të Kadaresë: Ballkani nuk është “jashtë Evropës”; ai është një vend ku kontradiktat e Evropës bëhen më të dukshme.

Para Kadaresë, për shumë evropianë Shqipëria ishte pothuajse një “hapësirë e panjohur” në hartën kulturore të Evropës. Kur përmendej Ballkani, shpesh dominonin stereotipe mbi prapambetjen, konfliktet dhe ekzotizmin. Përmes veprave si Gjenerali i ushtrisë së vdekur dhe Kronikë në gur, Shqipëria nuk u paraqit si një kuriozitet etnografik, por si një vend nga i cili mund të trajtoheshin tema universale: lufta, kujtesa, pushteti, identiteti dhe vdekja. Pas famës së këtyre romaneve, Shqipëria u bë subjekt letrar universal. Ballkani u paraqit si pjesë e historisë evropiane. Totalitarizmi shqiptar u shpjegua nga brenda. Ndoshta ndikimi më i rëndësishëm i Kadaresë nuk ishte transformimi i mendimit evropian mbi Ballkanin, por të hapte hapësirë për një lexim më kompleks të historisë, kulturës dhe kontradiktave të tij. Lexuesit në Perëndim e vlerësonin Kadarenë sepse përvojën shqiptare ai e shndërronte në letërsi me rezonancë universale, ku e veçanta kombëtare bëhej vlerë universale.

Në vend që të shkruante thjesht kronika politike, Kadareja tregoi mekanizmat kulturorë dhe psikologjikë të pushtetit. Për shumë lexues perëndimorë, romane si “Pallati i Ëndrrave” dhe “Piramida” ofruan një mënyrë të re për të menduar mbi kontrollin, frikën dhe lirinë.

Shumë lexues perëndimorë e lexonin Kadarenë sepse Shqipëria në veprat e tij, bëhej metaforë për probleme më të gjera njerëzore. Përshkruhej si laborator i historisë, që krijonte pyetje universale. Sepse një fshat shqiptar mund të përfaqësonte një komunitet të izoluar kudo në botë. Një perandori osmane mund të simbolizonte çdo sistem të madh pushteti. Një gjakmarrje mund të ngrihej në nivelin e pyetjes universale mbi ciklin e dhunës dhe hakmarrjes. (Prilli i thyer, Darka e gabuar, Hija, Aksidenti).

Prandaj, origjinaliteti i Kadaresë nuk qëndronte te shpikja e temave të reja, por te aftësia për të përdorur përvojën historike dhe kulturore shqiptare si një mënyrë të re për të parë çështje që i përkasin gjithë njerëzimit. Kjo është arsyeja pse veprat e tij mund të lexohen njëkohësisht si romane shqiptare, ballkanike, evropiane dhe universale. Kishte aftësinë që një dëshmi historike lokale, e shndëronte në material letrar me kuptim të gjerë njerëzor.

Fuqia e pa-limit e imagjinatës së tij, qëndron te fakti se ai përdor elemente shumë konkrete, një traditë si Kanuni, një konflikt historik, një qytet të izoluar, një kujtesë kolektive, një regjim shtypës, një dramë familjare, dhe i ngre ato në nivelin e pyetjeve themelore: si sillet njeriu përballë pushtetit? sa i lirë është individi përballë historisë? si trashëgohen frika dhe dhuna nga një brez te tjetri? si ndikon një shoqëri mbi fatin e individit?

Pikërisht kjo e bën të mundur që, për shembull, një lexues francez, gjerman, italian apo amerikan të mos e lexojë një roman si “Prilli i Thyer” vetëm si histori të një zakoni shqiptar, por si një tragjedi mbi ciklin e hakmarrjes (industrinë e gjakut) dhe fuqinë e rregullave shoqërore. Ajo shndërrohet në një hapësirë letrare ku trajtohen drama dhe pyetje që i përkasin njerëzimit në përgjithësi. Ai nuk e heq Shqipërinë nga veprat e tij për t’u bërë “universal”; përkundrazi, arrin universalitetin pikërisht duke hyrë thellë në një përvojë konkrete shqiptare. Nga lexuesit perëndimorë letërsia e Kadaresë u “shijua” si e veçantë. Jo si një gjellë pa shije të veçantë, që mund të haet nga të gjithë, dhe që s’mbahet mënd. Një pjatë me përbërës shumë të veçantë mund të ketë origjinë të caktuar, por pikërisht ajo veçanti mund t’a bëjë të çmuar për të tjerët. Pra, pyetja nuk shtrohet: “kush shkrimtar është më i madh”, por: çfarë dimensioni të fshehur të pushtetit arrin të zbulojë secili tyre. Te Kadareja universalja del nga konkretja: “Një njeri shqiptar, në një qytet shqiptar, me një histori të caktuar, me kujtesë pushtimesh, me zakone dhe frikëra të trashëguara, përballet me një sistem që kërkon të kontrollojë jetën e tij. Këtu universalja del nga subjekti konkret. Ndryshe ndodh te vepra “Duke pritur Godonë”, e Samuel Beckett, ku personazhet janë pothuajse të zhveshur nga identiteti historik. Nuk dimë shumë për vendin ku ndodhen, nuk kemi një shoqëri konkrete, personazhet janë më shumë figura ekzistenciale, sesa përfaqësues të një kulture të caktuar.

Kjo është forca e Beckett-it: ai e çon njeriun në një situatë shumë të pastër, pothuajse universale, pritja, pasiguria, kuptimi i jetës, ankthi. Një lexues nga çdo vend mund ta ndiejë këtë. Por krahasuar me Kadarenë, ndryshimi është: Beckett heq shumë shenja lokale për të arritur te njeriu në gjendje pothuajse universale. Kadare futet thellë në një realitet tipik lokal për të arritur te njeriu universal. Një tjetër shëmbull është Kafka. Te “Proçesi, sistemi që shtyp individin është qëllimisht i paqartë, nuk ka një shtet të emërtuar, ligji është një mekanizëm pothuajse metafizik, individi përballet me një pushtet anonim. Kjo e bën veprën universale, sepse mund të lexohet si çdo shoqëri ku njeriu ndihet i pafuqishëm. Edhe Orhan Pamuk i vendos ngjarjet e veprave të tij në vendin e vet, kryesisht në Stamboll dhe në Turqi, Pamuku përqendrohet shumë te jeta urbane, identiteti turk, marrëdhënia midis Lindjes dhe Perëndimit, te transformimet kulturore të Turqisë moderne. Vëndi dhe qyteti bëhen pothuajse personazhe më vete. Te Pamuku mbizotëron introspeksioni psikologjik. Universalja kërkohet përmes ankthit personal dhe ekzistencial, Ndryshe ndodh te Kadareja, ku universalja është “e përshkuar me “erë historie”, perandori, diktaturë, traditë, kujtesë kombëtare, zakone konkrete. Mbizotëron alegoria dhe dimensioni historiko-politik. Te Nikolai Gogol, universalja vjen kryesisht përmes përshkrimit të dobësive dhe sjelljeve njerëzore që gjenden kudo dhe në çdo kohë: lakmia, kotësia, korrupsioni, ambicia, vetmia, absurditeti i burokracisë.

Te Kadareja universalja merr frymë përmes shtresave të historisë, hijes së perandorive, përvojës së diktaturës, peshës së traditës dhe kujtesës kolektive kombëtare. Universi i tij letrar ndërtohet mbi një rrjet të dendur alegorish, ku e shkuara dhe e tashmja dialogojnë vazhdimisht, duke i dhënë veprës një dimension të thellë historik, politik dhe njerëzor.

Dhe pikërisht kjo e bën interesant për shumë lexues perëndimorë: ai sillte një univers shumë të veçantë shqiptar, por brenda këtij universi gjendeshin pyetje që i përkisnin gjithë njerëzimit. Kur lexon shkrimtarë të mëdhenj, nuk po mëson vetëm histori apo personazhe. Po përballesh me përgjigje të ndryshme ndaj pyetjeve themelore: A është njeriu në thelb i mirë apo i prirur drejt së keqes? Sa liri i duhet individit? A është shteti mbrojtës i qytetarëve apo kërcënim për lirinë e tyre? A duhet t’i bindet njeriu autoritetit apo ndërgjegjes së vet?

Ndryshe nga shkencat që e studiojnë njeriun nga jashtë, letërsia hyn në përvojën e tij të brendshme dhe e shfaq atë në gjithë ndërlikueshmërinë e saj. Prandaj veprat e mëdha letrare nuk tregojnë vetëm histori; ato bëhen laboratorë të natyrës njerëzore dhe pasqyra ku njeriu vëzhgon veten.

Ky është thelbi. Mendoj se të krahasosh shkrimtarët e mëdhenj për të shpallur njërin, më të mirin, do të thotë të shpërfillësh vetë natyrën e artit. Ata ecin në shtigje të ndryshme krijuese, por synojnë të njëjtin horizont: zbulimin e së vërtetës njerëzore dhe shprehjen e vlerave universale që i tejkalojnë kohët dhe kufijtë.

Por është e vërtetë që, Kadare kishte edhe shumë detraktorë dhe polemika të forta rreth figurës së tij.

Për disa, ai ishte një kundërshtar i heshtur i regjimit, që e shprehte mospajtimin përmes alegorisë dhe simbolikës artistike; për të tjerë, suksesi i tij u pa si dëshmi e një afërsie të caktuar me strukturat e sistemit. Kjo dilemë ka ushqyer për dekada debate të vazhdueshme mbi figurën dhe trashëgiminë e tij. Kur një autor bëhet simbol kombëtar, kritikat ndaj tij nuk kanë të bëjnë më vetëm me letërsinë. Ai kthehet në një figurë mbi të cilën njerëzit projektojnë konfliktet e tyre politike, historike dhe ideologjike. Sa më i madh prestigji, aq më të mëdha bëhen edhe kundërshtimet. Xhelozia nuk është veçori vetëm shqiptare. Kadareja nuk krijoi një letërsi ngushëlluese, të destinuar për të ledhatuar vetëdijen kolektive apo për të ushqyer mite të rehatshme. Një pjesë e shqiptarëve nuk e mirëpritën gjithmonë këtë qasje, sepse Kadareja i vendosi përballë një pasqyre të pazakontë. Ai nuk u ofroi portrete të stolisura me lavdi të rreme, por i përshkroi ashtu siç i shihte: me baltën që mbartnin mbi supe dhe me ndriçimin që rrezatonin gjithashtu. Në veprën e tij, shqiptari nuk është as figurë e idealizuar dhe as karikaturë e errët, por një qenie komplekse, e përbërë nga kontradikta, dobësi, qëndresë dhe dinjitet. Pikërisht kjo pasqyrë e sinqertë, shpeshherë e pamëshirshme, ngjalli admirim te disa dhe pakënaqësi te të tjerë. Dhe e vërteta, kur është e zhveshur nga iluzionet, nuk pritet gjithmonë me pëlqim. Debati rreth Kadaresë nuk qëndron te vlerësimi i tij si shkrimtar, pasi rëndësia e tij letrare është njohur gjerësisht në arenën ndërkombëtare. Çështja më e ndërlikuar lidhet me rolin e tij gjatë periudhës komuniste dhe me mënyrën se si vepra e tij, përmes simbolikës dhe reflektimit historik, nxori në pah të vërteta të thella mbi shoqërinë shqiptare, pushtetin, frikën dhe identitetin kolektiv.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË