Milan Kundera, shtetësia çeke e të cilit iu rikthye vitin e shkuar pas më shumë se 40 vjetëve në ekzil, ka fituar një ndër çmimet letrare më prestigjoze të Republikës Çeke: çmimin “Franz Kafka”.
Çmimi që shoqërohet me një çek prej 10000$ dhe që organizohet nga Shoqëria “Franz Kafka” dhe qyteti i Pragës jepet në bazë të zgjedhjes së bërë nga një juri ndërkombëtare.
Vladimír Železný, kryetar i shoqatës “Franz Kafka” tha se Kundera fitoi për “kontributin e jashtëzakonshëm në kulturën çeke” dhe për një “përgjigje të përhershme” dhënë kulturës evropiane dhe asaj botërore.
Sipas Železný, kur autori 91 vjeçar Kundera u telefonua, ai u shpreh se e pranonte “me gëzim” çmimin, për shkak të adhurimit të tij për Kafkën.
I anatemuar që në vitet ’50 për antikomunizmin e tij nga Çekosllovakia e dikurshme, Kundera e la vendlindjen duke u zhvendosur në Francë ku akoma jeton bashkë me të shoqen.
Ai nuk u rikthye në republikën Çeke pasi fitoi Çmimin Kombëtar Çek të letërsisë në 2008 apo kur u shpall qytetar nderi i Brno-së, vendlindjes së tij në 2009. Vitin e shkuar, ambasadori i Çekisë në Francë i dha shkrimtarit në Paris certifikatën e shtetësisë çeke, duke e quajtur rikthimin e tij si qytetar çek “një veprim simbolik tejet i rëndësishëm, një rikthim simboli i shkrimtarit më të madh çek në republikën Çeke.”
Kundera i ka dhuruar bibliotekën dhe arkivin e tij Bibliotekës Moravian në Brno, veprim të cilin Ministri i Kulturës i Çekisë Lubomír Zaorálek e quajti “një ngjarje të madhe”.
©The Guardian
Përktheu në shqip për “ExLibris”: A. D.