FLETË TË VERDHA
Prapë u ul mëngjesi në kryet e tremës,
me erën që mbushte arkat e vjeshtës;
flokët e mi si fije të padukshme,
qepnin në ajër kopsat e kujtesës.
Mendja mbushej me frutaartat,
të pjekura në stinën e kolerës
dhe një gjethe e arratisur Swarovski
më ra mbi supe si një kumt prej pemës.
E qepa në këmishën e mëngjesit atë kopsë,
në një tetor të mbështjellë me pëlhurë
rozë;
kujtoja veten fshehur në një qosh
kur i trembesha diellit në një burg luksoz.
Atëherë në mësimin e letërsisë së huaj,
mbaja poezi të palosura në një fletë,
i flisja Bajronit si një udhëtare e huaj:
“Rrugëve të tua kam shkruar më shpejt”.
Sot era i shfleton përsëri ato fletë
dhe mëngjesi më lexon me sytë e trishtuar,
një pikë loti ju del fjalëve mbi shkronja
në mallëngjim të ëmbël për vjeshtat e
harruara.
Për fjalët që brenda shpirtit të trembur,
i dogja në flakët e inkuizicionit,
i lashë të flenë nën hijen e të vdekurve,
e vetëdijshme se po varrosja destinacionin.
Prapë u ul mëngjesi në kryet e tremës.
Era m’i shfletoi flokët si faqe të vjetra.
Gjethe, kopsë, Bajron, tetor gjithçka mbeti
shkruar në fletoret ku prehej e verdha.
Dhe unë prap i hapa ato një nga një,
si të hapja dyer që askund s’të çojnë
der` në faqen e fundit ku zbardhte
kuptimi :
“Nje gjethe, dhe e vyshkur mengjesin e
zgjon”
GJASHTË BRINJËT E NJË
TREKËNDËSHI
Tre pika
u betuan për njëra-tjetrën.
E para quhej Unë,
e dyta Ti,
e treta të DY.
Midis tyre
u shtri një vijë udhë.
Pa krye.
Pastaj një tjetër.
Pastaj një tjetër.
Trekëndëshi u mbyll
si një gojë
që kishte harruar puthjen.
Nata
po sjell edhe tri brinjë të tjera.
Njëra qetësia,
njëra largimi,
njëra kthimi.
Kur do të ndodhë?
Sonte
trekëndëshi kishte gjashtë brinjë.
Matematika
uli sytë
para teoremës time.
Dashuria
kishte shpikur
një gjeometri tjetër:
dy njerëz,
një mungesë
dhe gjashtë mënyra
për të mos u prekur.
Në qendër
mbeti pika “të dy”.
Aty
u var gjithçka.
Edhe ne
aty.
TI E PRET
Dhe ndërsa pret,
ditët bëhen gjethe,
javët degë,
muajt një pemë.
Ti prapë e pret.
E kërkon në ajër
atë një rrahje krahësh
që do ta ndryshojë
ngjyrën e ditës.
Dallëndyshet kalojnë,
ditët gërsherë kalojnë pas tyre.
Ti te dritarja
ende
me sytë nga qielli.
ZOTI
Sheh dhoma,
sheh dritarja.
Por dhe unë
shoh një palë duar mbi kokë
që i kujtoj si të tuat.
Vonë kuptoj
se janë të zotit tim.
Po ti
pse s’ndal ai të jesh?
PARASHIKIM
Në ditët tona të ardhshme,
në betejë me kujtimet dhe endjet,
ne ushtarët e tyre
mbetëm kufoma të përmalluara
nën tokën e mendjes.
APOKALIPS
Qielli varrezë kozmike
mbushur me gurë varresh mëkatarësh.
Ferrtarët vjellin flakët
duke vrarë dëshmitarët.
Një fërshëllimë shigjete
dhe një i vdekur më tepër,
meteorët ngjyrë gjaku
shohin mediokritetin
tek shpallen kryevepër.
Nga terri i qiejve
djajtë hanë njëri tjetrin
me dhëmbë ujkorë
ndërkohë gjyqtarët ngërdheshen
paturpësisht.
Nesër
nuk ka si të mos ketë Apokalips.
GRATË QË JAM BËRË
Mos më numëro rrudhat,
numëro gratë që jam bërë për ty.
Atë që digjet si verë,
atë që të pret si dimër,
atë që të dashuron si vjeshtë.
Njëra më fjeti në sy,
tjetra m’u zgjua në buzë,
një tjetër u mbyt
në të mungëtit e një pasqyre.
I mbaj të gjitha
nën të njëjtën lëkurë.
Po i numëroj sot
duke u bërë për ty
gruaja që ende s’kam qenë.
POROSIA E HËNËS
Vetmia ma plasariti gotën
mbi buzë.
Sozia ime
pi e etur përballë meje.
Deti i mëshirshëm
mjekon plagët tona.
Hëna e trembur pëshpërit:
“Mos u përmbyt vetëm”.
Në fyt fle i dehur
kurmi i kësaj nate pagane.
KOZMOSI YNË
Nga gjendje
në qenie
më kthen ti.
Më rrotullon,
rrotullohem edhe unë.
Si toka rreth diellit
apo ti
si dielli rreth tokës sime?
Marramendemi të dy
në një qiell
pa qendër.
Në orbitat e njëri-tjetrit
duart tona.
Dy degë të verbra
kapen pas ajrit
dhe frymës që ndërruam dje.
Mbajmë njëri-tjetrin
me mish e dhëmbë
që të mos biem
nga qielli ynë.
Dashuria
nuk na kërkon tokën që shkelëm
por humbjen e njërit
në orbitën e tjetrit.
MOS U ZGJO
Mbi buzë
i kishte mbetur
një puthje e vjetër.
E preka
dhe koha u ça
si xham i fjetur.
Në fund të natës,
më tha :
“mos më zgjo”.
Të dy kishim vdekur
në të njëjtën kohë.
VODKA
Një car fle
nën akullin e Kremlinit,
ndërsa nata
i numëron gotat.
Vodka zbret në gjak
si një lëng pa ngjyrë
ne damaret e mpire.
Në fund të gotës
mbetet vetëm bora…
E bardhë,
E ftohtë,
E pashkrirë…


