KreuLetërsiBibliotekëMevlan Shanaj: Një letërsi pa letrarizma të sforcuar dhe as ujëra të...

Mevlan Shanaj: Një letërsi pa letrarizma të sforcuar dhe as ujëra të ndenjura

Disa mendine mbi Fate Velaj dhe universin e tij artistik

Fate Velaj erdhi nga brigjet e Danubit në Vjenë, në qytetin buzë liqenit në Pogradec për të promovuar librin e tij të ri, “Ditëlindja”.

Kureshtar dhe njëkohësisht admirues i krijimtarisë së tij në pikturë, fotografi dhe letërsi, shkova ta dëgjoja.

Që kur, dhjetë vjet më parë, lexova librin e tij të parë, “Kreuztanne”, Fate Velaj më ka befasuar. Romani ishte shkruar me një natyrshmëri dhe pasuri letrare të tillë, saqë, gjatë leximit, përfshihesh në rrëfim sikur dikush po të tregonte një histori njerëzore dhe ti ishe bashkëudhëtar në një film dokumentar.

Një nga tiparet më dalluese të krijimtarisë së Fate Velajt është pikërisht kjo: në letërsinë e tij nuk gjen letrarizma të sforcuar, as ujëra të ndenjura të trashëguara nga krijimtaria e të tjerëve. Gjen risi, jetë dhe një mënyrë të veçantë të rrëfimit, që të tërheq me natyrshmërinë e vet. Kudo që vendosen ngjarjet, shkrimet e Fates kanë një emërues të përbashkët: vërtetësinë e rrëfimit, të ngritur mbi një gjuhë figurative që, herë pas here, të krijon ndjesinë se nuk po lexon, por po sheh një film.

Ndërkohë, kam qenë gjithmonë paksa xheloz për talentin e tij të rrallë si fotograf. Madje, shpesh kam menduar: përse nuk e njoha më herët, kur realizoja filmat e mi?

Fate i është përkushtuar portretit, gjendjes njerëzore, asaj bote të padukshme që fshihet pas fytyrës dhe syve të njeriut. Me një shkrepje të vetme, ai di ta nxjerrë atë botë të brendshme në dritë dhe ta vendosë në dialog me shikuesin. Dhe pikërisht këtu, ai është mjeshtër. Krijon një galeri karakteresh si askush tjetër.

Ndonëse nuk jam ekspert i pikturës, dua të them vetëm një gjë: pikturat e Fates më pëlqejnë shumë. Dhe kjo nuk është pak, sidomos po të kemi parasysh se piktura ishte pikënisja e udhës së tij artistike.

Por ajo që më befason më shumë është ritmi i krijimit. Në më pak se dhjetë vjet: shtatë libra të botuar, dhjetëra vepra në pikturë dhe mijëra fotografi të ekspozuara në vende të ndryshme të botës. Një energji e jashtëzakonshme, një individualitet mbresëlënës dhe një etje për të krijuar që duket se nuk njeh kufij.

Dhe ja ku na mblodhi përsëri të flasë për librin e tij të fundit, “Ditëlindja”.

Nëse deri te “Mossanga”, romani i pestë, rrëfimi i Fates mund të lexohet si një biografi që ecën përmes jetës së tij, “Mossanga” më duket si një hap tjetër: një “biografi kolektive”, ku përmes kujtimeve, personazheve dhe fateve njerëzore i bëhet një radiografi Shqipërisë së viteve ’60–’90.

Dhe tani, me “Ditëlindjen”, duket sikur Fate na fton në një tjetër udhëtim. Një udhëtim që nis nga kujtesa, kalon nëpër miqësi, vende e kohë dhe, si çdo rrëfim i mirë, të çon drejt vetes.

Me aq sa më zunë sytë në faqet e para, përgatitem të duroj dhimbjen.

Ditëlindja

“Një mëngjes i pazakontë shërben si paralajmërim i një ngjarjeje po aq të pazakontë, përjetuar nga tre persona, brenda tri ditësh, në tri qytete të tri shteteve të ndryshme.

Një ftesë e orëve të fundit për të festuar gjashtëdhjetëvjetorin e një miku të përbashkët, qindra kilometra larg. Një gjendje tensioni e shoqëron lexuesin faqe pas faqeje, duke ia mbajtur frymën pezull deri në çastet kur emocioni i tkurr zemrën. Një rrëfim delikat si një road movie, ku të gjitha shqisat garojnë mes tyre për të qenë të parat që do ta perceptojnë fundin. Një prozë poetike, e ngjeshur me ndjeshmëri, në trajtën e një studimi të hollë shoqëror.”

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË