More
    KreuLetërsiBotime të rejaMESDHEU LINDOR, një roman nga Ivi Meleagrou (botime Ombra GVG)

    MESDHEU LINDOR, një roman nga Ivi Meleagrou (botime Ombra GVG)

    Mesdheu Lindor (1969) i Ivi Meleagrou mund të konsiderohet si kulminacioni i parë i rëndësishëm, një kërcim i madh si në prozë, ashtu dhe tek romani i shkruar në Qipro gjatë shekullit të 20-të. Eksperimental, fragmentar dhe shpesh i vështirë, me mësime nga tradita evropiane e modernizmit dhe e Romanit të Ri francez (e ashtuquajtura “Shkolla e shikimit”), me një gjuhë narrative shumëformëshe, zakonisht ironike dhe metaforike, thotë pak e fsheh shumë. Duke vlerësuar narrativën shumëdimensionale, shkrimtarja përpiqet t’i tregojë ngjarjet në mënyrë shumëplanëshe dhe ndërthur kuadrin erotik të trillimit me elementë nga kuadri historik qipriot të viteve 60.

    Edhe pse struktura tematike dhe rrëfimtare e romanit fragmentohen dhe përhapen me mënyra moderne të retorikës, shumë elementë ndërthuren dukshëm me çaste të historisë qipriote të kohëve të fundit: Lufta çlirimtare përkujtohet kryesisht në rreshtat e shkruara nga i riu Kornaros në çastet e fundit të jetës, para se të varej nga kolonizatorët britanikë. Ngjarje të tjera, si konfliktet e para të përgjakshme midis qipriotëve grekë dhe atyre turq në verën e vitit 1958 akumulohen në mënyrë të përsëritur, me aludime dhe heshtje, kthehen me këmbëngulje dhe në mënyrë torturuese në monologun dhe rrëfimet e panjohura të shpirtit të heroinës qendrore, që shpesh lënë gjurmë me elementë të theksuar tipografikë, madje dhe në të gjitha llojet e rrëfimeve të mëpasshme, si rrëfimi i Anthusës. Gjithashtu, veçanërisht në bisedat politike midis dy avokatëve të romanit, Ionas dhe  Jorgo, preken kushtet problematike të Zyrihut dhe Londrës, nën të cilat parashikohej themelimi gjasme i pavarur i Republikës së Qipros, por në thelb i varur dhe i cunguar, ndjenja e zhgënjimit që mbizotëronte në shtetin jofunksional të Qipros, planet e qeverisë Makariu për ndryshimin e Kushtetutës me të ashtuquajturat trembëdhjetë pika, duke arritur kulmin me shpërthimin e konflikteve ndër rajonale në prag të Krishtlindjes së vitit 1963. Paralelisht ndërfuten dhe rrëfime, eksperienca, kujtime, aludime që i referohen periudhave kohore më të vjetra p.sh. në forma të historisë antike qipriote (Kiniras, Evagoras, Onisilos), në martirizimin e Vragadinos gjatë pushtimit së Famagustës nga Turqit në 1571, në varjen e “dhespotit”, dmth. të kryepeshkopit Kiprianos, gjatë ngjarjeve të përgjakshme të 9-të Korrikut 1821, etj. Të gjitha këto skicohen dhe ndërthuren me mënyra të shumëllojshme retorike në strukturën narrative të romanit, ndërthurur bukur dhe me trillimin.

    Shkrimtarja zgjedh të hedhë dritë mbi ngjarjet kryesisht nga këndvështrimi i Margaritës dhe së dyti me syrin e xhaxha Ionasit. Fokusohet  më pak tek Nikita, tek Frini dhe tek Kornaros. Në pjesën më të madhe të librit rrëfimi është i fokusuar në personazhin e Margaritës, e cila lëviz me makinë në qytetin e vjetër të Nikosias, kryesisht në anën veriore të tij, të rrethuar  me mure veneciane. Fikson me sytë e saj monumente dhe ndërtesa të njohura (mure veneciane, hendekun, Kishën françeskane, Portën e Kirenias, statujën e Ataturkut, Sheshin Ataturk, kishën mesjetare të Shën Sofisë, Xhaminë Bajraktari, Portën Pafos etj.), dhe njëkohësisht përpiqet të zhytet thellë në mendime dhe të kthehet pas në kohë, për të nxjerrë në pah ngjarje dhe ndodhi që kanë shenjuar jetën politike të vendit, por edhe të sajën: Në pjesën e parë të romanit jepen copëza nga masakrat e grupimit të grekëve të Qipros, nga fanatikët turq të Qipros, të cilat u bënë me nxitjen dhe kontributin  e kolonialistëve britanikë në Qershor të  vitit 1958 midis fshatrave Kioneli dhe Kodemenos Bëhet fjalë për një shembull elokuent të politikës koloniale të “përça e sundo”. Ndërsa Margarita përshkon fushën nga Nikosia për në Kirenia, rikrijon në mënyrë imagjinare përpjekjen e ankthshme të qytetarëve të pafajshëm grek për t’i shpëtuar masakrës duke vrapuar herë midis barishtesh të dendura dhe herë midis peisazhit lakuriq, që nuk u ofron atyre mbulim dhe mbrojtje. Në skena të tilla kthimi të brendshëm, Margarita kthehet tek vetja dhe pajtohet me egon e saj të dyzuar, Elenën. Duke përvetësuar teknika të ngjashme të shkrimtarëve modernistë dhe të Romanit të Ri francez (p.sh. të Klod Simon dhe të Samuel Beket), Meleagru vendosi të fiksojë me ngjyrë të kuqe pjesë të botës së saj të brendshme dhe ballafaqimin me egon tjetër, që funksionojnë si valvula sigurie për të kontrolluar fobitë, obsesionet, traumat e fëmijërisë dhe dëshirat e pathëna.

    Në fokusin dhe në perceptimin e Margaritës ndërthuren në mënyrë të përsëritur “të tjerët”, “ata” domethënë turqit e Qipros por dhe turqit në përgjithësi, që kurrë nuk u vunë emra. Heroina riprodhon në mënyrë të përsëritur figurën e “tjetrit”, të bashkëpatriotit turk që dikur ishte i mirë dhe filloi të kthehej në armik, sepse një figurë e tillë është formësuar në periudha kontradiktore dhe dëshmon izolimin midis dy komuniteteve të mëdha të Qipros. Anthusa nuk mund t’i quajë veçse fanatikë turqit e Qipros, të cilët i therën të atin, një bari paqësor. Por edhe Margarita nuk mundet veçse t’i shohë me dyshim dhe frikë turqit, teksa vërtitet në të tashmen narrative (1963) në sokaqet e Nikosias së vjetër. Sjell në mendje greqishten e çalë të barinjve turq, e cila i dukej e panjohur dhe komike, të paktën në një fazë fillestare. Fillimisht hezitoi t’u afrohej, por më pas tregon se është në gjendje të përmbysë stereotipet e ngurtësuara në lidhje me kombin: “Atëherë ata buzëqeshin dhe ndryshojnë, nuk janë as më të zeza, as më ndryshe fytyrat e tyre, gjuha fillon t’i pëlqejë… i pret, i qeras, blegërijnë përreth delet, bëhet një botë tjetër”. Heroina rikthehet në të shkuarën për të kërkuar figura pozitive nga bashkëjetesa paqësore e grekëve me turqit: Ngërthen me shikim një ngjarje festive pranë Portës së Kirenias (me zurna, daulle dhe thika, dhe kujton një vizitë me të fejuarin e saj, Jorgon në “Teqenë e Dervishëve” dhe shijuan të gjitha ushqimet e tyre (“kadaif, llokume, mish”. Kthehet pas në kohë, në moshën e fëmijërisë, për të kujtuar vizitat që bënin në hamam bashkë me të ëmën dhe sjell në mendje formën, fjalët dhe gjestet e Havasë, turkes që i lante dhe që punonte për “zbulimin” e trupit femëror dhe zgjimin e erosit tek një fëmijë i vogël.

    Me të njëjtën mënyrë e mundon dhe mendimi se grekët dhe turqit kanë atdhe të përbashkët. Një ndjenjë tërheqjeje dhe largimi, pra për të kornizuar mosmarrëveshjet e përshkallëzuara midis dy bashkësive të mëdha të ishullit, që këto vitet e fundit nxitet nga politika zyrtare turke (por edhe nga kolonializmi britanik) dhe që parashikohet në mënyrë profetike. Diku, heroina lexon në heshtje një publikim me pozicionet turke dhe ndërhyrjen kërcënuese të Turqisë në Qipro: “E konsiderojmë ndërhyrjen në ishull si kismet. Nëse nuk bëhet nesër, do të bëhet pasnesër. Ky nuk është vetëm urim, por edhe besim”. “Ishulli i gjelbër është yni. Nuk do ta shkelin të huajt. Kur të lëshohet parrulla, ushtarët trima të Allahut…”

    Por tashmë në Mesdheun Lindor është e dukshme përpjekja e shkrimtares të korrigjojë dhe të përmbysë stereotipat kombëtarë, imazhin e turqve të izoluar, duke u përpjekur nëpërmjet heroinës të përshtasë në mënyra të ndryshme karakterin, pamjen, zakonet, fjalimet e besimtarëve të feve të tjera, të rracave të tjera të ishullit. Natia Haralabidu me të drejtë ka komentuar se “Meleagru nuk i referohet me vetëdije skemave stereotipe. Kështu i ka parë heroina e saj, kështu ishin gjërat për të dhe me sinqeritet shprehu në këtë mënyrë ndjesinë e izolimit, të shkaktuar nga “ndryshimi”.

    Meleagru u përpoq dhe pati sukses në dhënien e atmosferës psikologjike, klimën e pasigurisë politike, përgënjeshtrimit dhe asfiksisë në vitet e para të Republikës së Qipros, kur kishte filluar të dukej se kushtet e themelimit nuk ishin aspak funksionale. Paralelisht me këtë çështje, e cila reflektohet edhe në marrëdhëniet e trazuara mes grekëve dhe turqve të Qipros, bashkëekzistojnë dhe çështje të tjera jetike, përgënjeshtrimi erotik dhe izolimi bashkëshortor, stresi ekzistencial, pesha e së kaluarës historike etj. Lufta e Qipros e ngulitur me referenca kalimtare, të shpërndara në të gjithë romanin, tregohet veçanërisht përmes shënimeve të ditarit të Kornarit. Por këto nuk përkthehen në çaste heroike të Luftës, por shfaqin shqetësimet, luhatjet psikologjike dhe fytyrën njerëzore të një të riu që do të vdesë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË