More
    KreuLetërsiBotime të rejaMehmet Kraja mbi romanin "Udhëzime për kapërcimin e detit"

    Mehmet Kraja mbi romanin “Udhëzime për kapërcimin e detit”

    Dorëshkrimi këtij romani, gjatë kohës që i bëra një redakturë të lehtë tash së fundi, më mbajti në mendje një imazh, i cili, mësa duket, do të jetojë po aq sa kujtesa ime për ngjarjet dhe zhvillimet që e kanë nxitur shkrimin e tij: ora policore në Prishtinë, për shkak të demonstratave të pranverës së vitit 1981, apartamenti im në katin e pestë në lagjen e Prishtinës “Kodra e Diellit”, dritarja e kthyer nga rruga dhe përball një udhëkryq, në të cilin vigjilonte një patrullë policie, për të zbatuar ndalimqarkullimin. Pamja zgjati disa muaj dhe u përsërit një vit më vonë, në përvjetorin e parë të demonstratave, kur sërish u shpall ora policore dhe shtetrrethimi.

    Për shumicën njerëzve që jetonin atë kohë, mund të mos ishte krejt e qartë se kujt i bënin roje dhe me kë rrinin gati të luftonin ato patrulla policie, ngase dukej sikur ato bënin luftë me një armik të padukshëm, me idetë, me pikëpamjet, me bindjet, me idealin njerëzor, me frymën e lirisë. Gjatë atyre orëve të gjata policore dhe të ndalimqarkullimit askund nuk kishte armiq realë, ndërkohë që netët ishin tipike mesjetare, të errëta, misterioze dhe kërcënuese. Atmosfera ishte e zymtë dhe Prishtina jetonte ditë ankthi dhe terrori. Mbi të gjitha, Kosova mbante mbi vete barrën e rëndë të vasalitetit, nga njëra anë, dhe të lirisë së ëndërruar dhe të paarritshme, më anë tjetër. Ky dualizëm në qenien e saj e bënte Kosovën të përjetonte traumën më të rëndë të të gjitha kohëve: të bënte luftë me veten, me robërinë e vet shpirtërore, me vasalitetin e mendjes dhe të shpirtit, por njëkohësisht edhe me pushtimin real, i cili kërcënonte egërsisht me zhbërjen e substancës dhe të identitetit kombëtar.

    Duke e ndjerë këtë atmosferë të rëndë, me t’u kthyer në apartamentin tim në lagjen “Kodra e Diellit”, pas një pune gati vetëshkatërruese si redaktor i rubrikës së kulturës në gazetën “Rilindja”, ndonëse jo plot tridhjetë vjeç, mbaj mend se gati ma zinte frymën dilema se si mund të nxirrej në një rrëfim letrar një gjendje e këtillë, pa vënë në veprim mekanizmat e censurës? Në të vërtetë, shkrimtarët e Kosovës tashmë e kishin fituar një lloj përvoje që, në rastin e disidencës nacionale, ta kthenin mekanizmin e censurës në një lloj vetëcensure, kryesisht përmes metaforave në poezi, ose përmes rrëfimeve alegorike në dramë dhe në prozën romanore. Historia në këtë rast nuk do të shërbente për të sjellë në vëmendje kohë të lavdishme, siç ndodhte zakonisht, por kohë të errëta dhe kërcënimin e zhbërjes së qenies kombëtare.

    Që këndej, pra, mund ta kenë origjinën disa komponentë themelorë të këtij rrëfimi, të cilët, po të zbërthehen alegoritë, marrin këtë kuptim: Kosova jetonte një kohë të pushtimit dhe të pamundësisë së frikshme; jetonte një inkuizicion modern. Me autonominë e saj të nëpërkëmbur, ajo ngjante me një principatë mesjetare, e cila ishte e detyruar të njihte pushtetin suprem të mbretit, si dhe trillet ideologjike dhe represionin kishtar. Në kushtet e një luftë të pashpallur dhe në gjendje të shtetrrethimit, ajo përballej me një ushtri dhe aparat represiv, i cili nuk kishte përballë asnjë armik real, pos përbërësve identitarë të një populli, siç ishin gjuha, historia, shkrimi, eposi, gojëdhënat etj. Për të konstruktuar një rrëfim mbi këtë bazë, së pari u desh të ndërtohej konfiguracion imagjinar: një kështjellë diku jo larg detit, me sheshin dhe pallatin e princit në mes, pastaj një ushtri e huaj që e mban të rrethuar atë kështjellë, një kishë me kambanore, konaku me qelat e priftërinjve, përfshirë edhe një numër vetjesh që i bartnin zhvillimet në një hapësirë të tillë: një murg që ruan dhe lexon dorëshkrimet e vjetra, një ipeshkv që vritet, një princ vasal që i zhvillon luftërat me ndërgjegjen e vet, si dhe titullarë të tjerë të kishës; një kont spiun, një kryekomandant ushtrie pushtuese etj.. Aty është edhe atë Brokardi, emrin e të cilit mban vepra me dëshminë e parë të shkrimit shqip: “Udhëzime për kapërcimin e detit”. Dhe në fund, në fjalinë mbyllëse një imazh që paralajmëron atë që do të ndodhë gati njëzet vjet më vonë: “Nëpër një natë me hënë guri i varrit m’u bë kalë dhe unë u ngrita dhe shkova në atë luftë të lënë përgjysmë”.

    Për të ndërtuar këtë konfiguracion imagjinar të zhvendosur aq larg në kohë dhe për krijuar atmosferën e ngjarjeve autentike, m’u desh një njohje e themeltë e periudhës së mesjetës dhe e bëmave të saj, gjithnjë duke pasur në mendje korrelacionet alegorike të asaj kohe të errët me zhvillimet bashkëkohore. Çuditërisht, pas shumë vitesh pata vërejtur se zhvillimet në rrëfimin tim, përfshirë disa ngjarje dhe personazhe të veçanta, kishte ngjashmëri të madhe me dy romane të shkruar shumë vite më vonë: “Emri i trëndafilit” i Umerto Ekos dhe “Unë jam e kuqja” e Orhan Pamukut. U ndjeva mirë, sepse kisha shkruar diçka që shpjegohet me poligjenezën në art dhe në letërsi: shkrimtarë të ndryshëm, duke përshkruar rrethana identike krijojnë vepra dhe krijime artistike që kanë ngjashmëri me njëra-tjetrën, edhe pa asnjë komunikim të mesvetshëm.

    Duke marrë parasysh rrethanat politike dhe atmosferën e rënduar pas vitit 1981, pastaj përmbajtjen e romanit dhe vigjilencën e shtuar të institucioneve të censurës së fshehtë, dorëshkrimit iu krijua një vonesë për botim, me shpjegimin se titulli fillestar “Dëshmia e vitit 1332” nuk ishte “i përshtatshëm”. Ndërkohë, tri vjet pas botimin në Prishtinë, më 1987, romani u ribotua në Tiranë, pa asnjë ndryshim, duke u bërë një nga veprat e rralla të letërsisë së Kosovës që i jepej lexuesit të Shqipërisë pa censurë.

    Po në ato vite, me personazhin e Princit vasal dhe me zhvillimet tragjike rreth tij, shkrova dramën “Princi i hijeve” e cila fitoi në konkursin e Teatrit Popullor të Kosovës dhe më pas u vendos në skenën e këtij teatri dhe të Teatrit Popullor të Gjilanit. Shfaqja e Gjilanit mori pjesë në shumë festivale të ish-Jugosllavisë dhe fitoi disa çmime, por edhe vërejte “ideore”, sepse glorifikonte të kaluarën shqiptare dhe krijonte një aluzion të papërshtatshëm me zhvillimet dhe rrethanat bashkëkohore.

    Pas 35 vjetësh unë vendosa ta risjell këtë roman në vëmendje të ndonjë lexuesi të mundshëm, ndoshta jo për të rikthyer në kujtesë një kohë që nuk na duhet më, por më shumë për të dëshmuar një përvojë shkrimi pak më ndryshe dhe për të mbajtur disi më të plotë tablonë e gjithë mozaikut të letërsisë sonë në një periudhë më të gjatë kohore, e cila tashmë qëndron në kufijtë e historisë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË