KreuLetërsiBibliotekëMehmet Kraja: Ditari (tregim)

Mehmet Kraja: Ditari (tregim)

Për shumë vjet asnjeri nuk e mori vesh se unë mbaja ditar: shkruaja fshehurazi, kur të tjerët flinin dhe fletoreve të mbushura me shkrim të imët iu gjeja një vend, ku zakonisht nuk i kërkonte njeri. Por, në dy vitet e fundit të gjimnazit shënimet në ditar gjithnjë e më shpesh filluan t’iu ngjanin skicave të tregimeve. Shumica syresh nuk u bënë kurrë letërsi, vetëm se imazhet e krijuara sikur u fshehën në një cep të kujtimeve dhe nuk m’u hoqën kurrë nga mendja.

Kështu, në njërin nga ditarët e mi, kisha shkruar se një verë, me t’u kthyer në shtëpinë tonë, që natën e parë m’u shfaq nga kujtesa e viteve të shkuara zhurmërimi i matanshëm i liqenit, një si këndim i heshtur i ujit që strukej nëpër guva dhe mbështillej rreth shkëmbinjve, pastaj era që sillte nga larg zëra që valëviteshin si mëndafsh në dritën e hënës. Më pas kisha shkruar se një nga ato ditë vere kisha takuar Naziren, teksa ajo mbante bucelën në krah dhe rreth belit kishte lidhur një bohçe të bardhë. Naziren e desha qëkur i pata mbushur shtatë vjeç dhe giasma e saj e ëndërruar nuk kishte të ngjashme në botën mbarë. Në ditarin tim ajo kishte sy të mëdhenj e të zinj dhe një buzëqeshje disi të bjerrë, që të bën të ndjesh galdim të shpirtit e dhembje të korpit njëherësh. Ajo mbante edhe dy bishtaleca të gjatë, që i nxirrte sipër kraharorit, që t’i binin lirshëm deri te beli dhe një pëllëmbë më poshtë. Kishte po ato vetullat me atë harkimin e këndshëm, si atëherë, kur luanim kukafshehtas. Por në ditarin që kisha shkruar unë, Nazirja kishte mërmëritur diçka me gjysmë zëri dhe kishte shpejtuar hapat, si të mos donte të ishte e pranishme në hutimin tim. Më pas, disa hapa më andej, me të kaluar bokërrinën që merrte pjerrtas, ajo kishte kthyer kokën vetëm pak dhe nëpër ajër kishte lënë një buzëqeshje të ndrojtur.

Më anë tjetër, nëna ishte thinjur, dhe rrudha të mprehta e të dendura ia përshkonin faqet e zbehta deri në tëmtha. Ishte sikur mbi qetësinë e saj të gjithmonshme të kishte fryrë një furtunë bore dhe acari, teksa motra më thoshte se gjatë atyre viteve nëna e kishte hequr zakonin e vjetër, që të ulej në dhomën e saj para pasqyrës dhe t’i numëronte thinjat. Edhe këndimin e dikurshëm nën zë e kishte kthyer në mërmëritje. Vetë motra kishte hedhur shtat dhe vishej si vajzat e rritura të anës tonë. Në ditar kisha shkruar se një ditë i kisha mbajtur sytë gjatë në vështrimin e saj, dhe në bredhjen ëndërritëse të atij shikimi të butë si push kadifeje: kisha gjetur atje hijen e ngurtësuar të një brenge të heshtur. Asaj nuk i thash gjë, por me vete mendova se mund të ishte një dashuri e braktisur diku në kujtimet e largëta.

Në të vërtetë, të gjitha ngjarjet që i kisha përshkruar në ditar vinin si një jehonë e një ndodhie tjetër, e një zëri të largët, ose hije e nëpërdukshme e një objekti që nuk ishte aty: liqeni dremiste në një ëndërr të parë e të riparë mijëra herë; dhe hëna që zinte vend mbi Marashnik ose mbi Ujdhesën e Plakut ishte po ajo hëna e dikurshme, e mbështjellë me atë drtitësimin e vjetër që kishte filluar të oksidohej. Edhe hënëzat e vogla që feksnin mbi valë, nxirrnin po ato reflekse të moçme me shkëlqim të perënduar; dhe heshtja që vinte nga malet ishte heshtja e ngurtësuar e një heshtjeje tjetër të lodhur e të mërzitur; dhe era që frynte nga liqeni dihaste dhe nuk merrte dot frymë dhe e mbështillte ajrin rreth hijeve si basme e çngjyrosur. Edhe trishtimi i nënës vinte i përdorur, edhe brenga memece e motrës ishte e bardhë, si kambrik i qëndisur në gjergjef dhe i larë me finjë më shumë se njëqind herë.

Pikërisht si të dilte nga ato fletoret e vjetra, një ditë papandehur takova mësuesin tim të parë, mësues Hysin. Ai tani mbante një palë syze të trasha dhe dukej sikur botën e shikonte nga fundi i një pusi të thellë, me ujë të turbullt dhe leshterikë anash. Mbaj mend se nga njëri prej udhëtimeve tij në Tivar, kishte sjellë me vete një kuti shahu me figura të gdhendura. Tani dukej i plakur para kohe, vinte pak i kërrusur te krahët dhe balli i qe zgjeruar nga rënia e flokëve. Nja dy vjet para se të dilte në pension, pas orëve të mësimit mbyllej në shkollë dhe luante shah vetëm, i shtynte figurat mbi katrorët e shahut dhe fliste me dikë që e imagjinonte përball. Të shoqen, Zenepen, një herë e dëboi nga shtëpia, pastaj mori mandolinën dhe zu të këndonte nën fikun shnjinz, pranë shtëpisë së saj, luleborë moj luleborë. Këngën e vazhdoi edhe natën nëpër dritë të hënës, qentë zunë të ulërinin dhe e mbajtën katundin pa gjumë një javë të tërë, ndaj njerëzit e luten Zenepen që të kthehej te mësues Hysi, sepse ndryshe do ta kalonin verën pa vënë gjumë në sy. Zenepja u kthye dhe mësues Hysi e la mandolinën në sergjenin e vjetër.

Por, ndodhi si ndodhi dhe Zenepja u mërzit për dy muaj pa dashnorë dhe kësaj radhe iku vetë te prindërit e saj, ndërsa mësues Hysi përsëri mori mandolinën dhe nisi të këndonte çdo natë. Zëri i tij nëpër hënën verore vinte i bardhemë, si i lyer me kallaj. Kur e pyetën mësues Hysin përse e bënte këtë, ai tha se kishte lexuar në një libër të vjetër se kështu bënin të gjithë burrat e dashuruar. Kur shqetësimi i katundit kaloi masën, u bë i gjallë spiuni i dikurshëm, ish-kuriri Foja, ai ngarendi deri në Tivar te eprori i tij, te shoku Bajo dhe atij i tha se mësues Hysi kishte lajthitur. Aq më bën, tha ai. Por ai gjithë natën i këndon me mandolinë njëfarë luleborë. Luleborë nuk ka këndej, shoku Bajo, ka vetëm në anën e Shqipërisë! Aq më bën, tha shoku Bajo. Në ato këngë përmend edhe Enver Hoxhën. Aq më bën, tha shoku Bajo. Ka ndryshuar klima politike! Atëbotë u mor vesh se shoku Bajo pinte raki kumbullash me bardak dhe se edhe ai këndonte me zë të trashë e të zvargur një këngë të malazezve për luftën e Shkodrës. Spiuni Foja zuri kokën me duar dhe iku në shtëpi, duke folur me vete, ndërsa mësues Hysi vazhdonte të këndonte për luleborën dhe qentë e katundit vazhduan të ulërinin bashkë me të.

Ashtu siç kisha shkruar në ditar, u ktheva sërish që një pjesë të verës ta kaloja nën hijen e fikut, duke qëmtuar më gjatë se gjithmonë përfytyrimet e mia, atje diku gjeja Naziren, ajo gjithmonë arratisej nga një cep drite në tjetrin, diku ndalej në mjegullinën e një largësie dhe më thoshte diçka me ca fjalë të zbrazëta. Nga ajo ngarendje unë kthehesha shpejt, sepse papritmas këputej filli i dritës ku rrinte varur përfytyrimi. Nazirja vetëm një herë kthente kokën nga unë dhe më buzëqeshte me cepat e syve, pastaj vdirrej si mjegull vese në rrëzëllimin e diellit. Përfytyrimi i Nazires më bënte që të lexoja tri-katër faqe të librit që mbaja në dorë dhe të mos kuptoja asgjë. Në një nga ato ditë motra erdh dhe më tha se nëna ishte bërë keq që dy ditë e këndej, se kishte gjetur diku një çevre të vjetër të babait dhe kishte zënë të vajtonte mbi të, pastaj kishte nxjerrë nga arka pajën e nusërisë dhe e kishte veshur, kishte vënë krahaqafë edhe qostekët e argjendit dhe xhamadanin qëndisur dhe kishte thënë se donte të shkonte në dasmën e një kushëriri të saj, i cili kishte vdekur këtu e tridhjetë vjet të shkuara.

Nga shënimet që kisha mbajtur atëbotë, njëri nga burrat e katundit, njëfarë Riza Jenuzi më rezultoi se nuk mund të bëhej personazh i këtij rrëfimi, por kjo nuk u bë pengesë që unë të shënoj në ditar se në një nga ato ditë vere e gjeta këtë burrë të ulur në stom rruge, duke folur me vete, në pikë të diellit. Ishte besueshme se ai kishte qëndruar për shumë orë në të njëjtin vend. Koha kishte bërë atë lëvizjen e saj të pamatshme nëpër gjithësi, dielli kishte shkarë ngadalë në perëndim dhe hijet i kishte zënë të iknin nga stomi i rrugës e të zgjateshin në pakufi. Këtij Riza Jenuzit iu çel fytyra kur më pa, por nuk e ndërpreu të folurit me vete edhe për disa çaste. Kam me ua shkërdhye nanën të gjithëve, kanë me pa, Enver Hoxhës kam m’i kallëzue! Tha se do të shkonte vetë deri në Tiranë, do t’i trokiste në derë shokut Enver dhe do t’i thoshte, unë jam spiun, kam ba këtë e këtë, dhe pastaj do të kërkonte ta pushkatonin! Jo ta varnin në litar, siç kishin bërë me një burrë të vjetër prej Bojku ose prej Mille, atë e kishin kapur te bregu i Bunës, ndërsa numëronte pulat e një ferme, e kishin çuar të lidhur në Shkodër, atje ia kishin bërë gjyqin dhe ekzekutimin e kishin bërë me varje, në shesh të qytetit. Burri i vjetër ishte lutur dhe kishte qarë me lebetitje. Së fundi, ndërsa e varnin, e kishte bërë në pantallona nevojën e vogël dhe të madhe. Prandaj Riza Jenuzi donte të pushkatohej, jo të varej në litar. Tani i dridhej mjekra e parruar dhe sytë e vegjël e të lëvizshëm ngjanin me ca zaje me një shkëlqim të errët.

Në një nga ato ditë, ky Riza Jenuzi nxori nga nën këmisha e vjetër dy gazeta “Zëri i Popullit” dhe i mbajti në dorë. Shoku Bajo nuk ia kishte marrë, ishte tallur me të dhe i kishte thënë, çoja gruas tënde, mund t’i duhen për edukim marksist-leninist! Rizai m’i dha gazetat që t’i lexoja dhe t’i shpjegoja çfarë shkruhej aty. Shpalosa gazetën dhe lexova me zë. Nën flamurin revolucionar të partisë drejt fitoreve të reja, me punë dhe përpjekje të pandërprera, me frymë e guxim revolucionar ta bëjmë këtë vit një vit tjetër fitoresh të mëdha në luftën për ndërtimin e Atdheut tonë socialist. Gazeta ishte e vjetër, së paku disa vjet. Riza Jenuzi ma hoqi gazetën nga dora dhe ma dha tjetrën. Mund të ishte bërë ndonjë gabim. Dorëzuesi i gazetës në Oblikë ishte njeri i besueshëm. Tani edhe vapa kishte filluar të fashitej. Riza Jenuzi e fshiu ballin me dorë. Lexo këtu, mik! Gazeta tjetër mbante një datë më të afërt. Prona kolektive – faktor themelor për rritjen e mirëqenies së popullit. Në atë orë, nga pylli i gështenjave filluan të dyndeshin hijet e mbrëmjes, të mbështjella me jeshil të errët e të dendur, si në një ëndërr kooperativistësh. Riza Jenuzi u bë kruspull, kapi kokën me duar dhe qëndroi si i mpirë. Të tillë e sjell në përfytyrim edhe tani, të mbetur në një hutim të gjatë, që nuk kishte fillim as fund. Paskan lujt me mue. Paskam qenë spiun i mutit!

Në ditar kisha shkruar gjithashtu se në atë vit të largët, në fund të gushtit, në katundin tonë kishte ardhur Teatri Krahinor i Kosovës, me shfaqjen “Nuk martohem me pare”. Nëpër xhadenë e ngushtë e të shtruar me zhavorr u pa të vinte një autobus i bardhë dhe pas tij një kamion i përhimët. Prapa tyre u ngrit një re e dendur pluhuri. Autobusi u ndal te Vorri i Kurtit, në mes të djerrinës, ndërsa kamioni e futi turirin në grumbullin e fierit që qarkonte zhblinën përreth. Nga autobusi zbritën ca burra dhe gra të veshur lehtë dhe me ngjyra të hareshme. Ata zunë vend nën hijen e gështenjave dhe aty qëndruan deri në mesditë. Kamioni kishte shërbyer për të bartur ca direkë e hunj, dërrasa dhe gjësende të tjera. Nën hijen e gështenjës më të madhe ca burra shtatlartë bënë një si ngrehinë që mund të quhej skenë, skena u rrethua me perde të trasha dhe ato qëndruan të mbyllura për afro dy orë. Nga mesdita njerëzit u mblodhën radhë-radhë dhe një kohë qëndruan në heshtje përpara perdeve të mbyllura. Mbaj mend dy plaka që ishin ulur me një anë dhe bënin çorape të patrazuara. Burrat pleq mbështollën duhanin dhe ndezën cigaret dorë më dorë. Unë kisha zënë vend në hapësirën midis autobusit të bardhë dhe skenës së mbështjellë me perde të trasha. Që aty pash aktorët që dilnin nga autobusi dhe vrikthi futeshin në skenë, atje thoshin me zë të lartë çfarë kishin për të thënë dhe sërishmi ktheheshin te autobusi me dyer të hapura. Ndërsa kaluan pranë meje dhe pritën t’u vinte radha të hynin në skenë, një aktor me tirq i tha një aktoreje me pështjellak se vesha popullore ia nxirrte belin e hollë dhe vithet rrumbullak. Pastaj hynë në skenë dhe dëgjova zërin e burrit me tirq që tha me zë të lartë diçka për erzin që nuk duhej t’ia nëpërkëmbte askush. Më pas u dëgjua zëri i gruas që u ankua për zakonet prapanike dhe kërkoi që të këputeshin vargonjtë e robërisë.

Ecejaket nga autobusi në skenë dhe nga skena në autobus zgjatën më shumë se një orë. Së fundi, në skenë u dëgjuan fjalët e fundit të shfaqjes dhe nga një cep i ngritur i perdes së trashë doli gruaja me pështjellak. Pas saj doli burri me tirq, me fytyrë të skuqur dhe me djersët që i shkonin çurkë. Ata shkuan në drejtim të autobusit, gruaja ngjiti shkallët e para, burri ia përfshiu vithet me pëllëmbët e duarve dhe e shtyu që të ngjitej më lehtë. Gruaja u gudulis dhe qeshi me zë.

Njerëzit qëndruan nën hije edhe për një kohë. Burrat rrinin të heshtur dhe të çehrengrysur. Tymi i duhanit që sillej nëpër ajër vinte i sertë. Gratë kishin ulur degërmitë mbi sy dhe nuk bëzanin. Pas pak autobusi mbylli dyert, bëri një rrotullim të shkurtër dhe doli në xhadenë e shtruar me zhavorr. Aktorët nga autobusi përshëndetnin me dorë. Në një xham pash gruan me pështjellak, e cila kishte hequr mbulesën e kokës dhe shikonte diku tej, krejt e përhumbur. Për një arsye që unë nuk e kuptoja, ajo nuk donte të dukej e lumtur.

Nën hijen e po asaj gështenje, pash Naziren, ajo ishte veshur si vajzat e shkollës. Dy bishtalecat i kishte nxjerrë përpara dhe fytyrës i kishte dhënë një hare të guximshme. Ajo i bëri dy-tre hapa drejt meje dhe pastaj u ndal. Unë dola në anën tjetër të hijes dhe u mbështeta pas një trungu gështenje. Ajo erdh dhe më qëndroi përballë. Po mshefesh prej meje, a, më tha. Jo, jo, nuk, belbëzova unë. A do me ardhë me mue me ikë n’Shqypni? E pse me ikë n’Shqypni? Baba do me m’fejue.

Atë ditë Nazirja i kishte sytë e shkruar, faqet iu skuqën lehtë dhe në ballë iu shfaq një brengë që ia shtrëngonte vetullat. Unë qëndrova si i mpirë dhe nuk thash asgjë. Nazirja u kthye me vrik nga kishte ardhur. Vetëm një herë e zura shikimin e saj, që vinte si i thyer në fluturim, si zog qelqi me plasaritje mes për mes.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË