More
    KreuHistoriMbi “misterin” e autorësisë së poemës “Kënga e Sprasme e Ballës”

    Mbi “misterin” e autorësisë së poemës “Kënga e Sprasme e Ballës”

    Nga prof. Matteo Mandalà

    Para disa vitesh u dha lajmi (shih Shêjzat, series nova, nr. 3-4, 2016, f. 172-196)i gjetjes së një dorëshkrimi të pabotuar autograf të Gavril Darës të Riut me titull autorial <Poesie inedite. Frammenti – 1854>. Dorëshkrimi ruhej nga një trashëgimtare e drejtpërdrejtë e Gavril Darës, profesoresha Marina Spinedi, e cila ia dhuroi atë Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të Universitetit të Palermos, që nga ana e vet ia dorëzoi arkivit të pasur të Laboratorit të Albanologjisë të Departamentit të Kulturave dhe Shoqërive [Culture e Società]. Profesoreshës Spinedi i detyrohemi edhe për morinë e të dhënave të frytshme që na lejuan të rindërtonim në mënyrë më të plotë profilin biografik të katragjyshit të saj të famshëm, si edhe të njohim më më fund portretin dhe fytyrën e tij, falë dy fotografive të ruajtura në familje, njërën prej të cilave kemi nderin ta botojmë për të parën herë për lexuesit e ExLibris.

    Dorëshkrimi në fjalë, që përmban një version të parë të poemës Kënga e sprasme e Ballës, ka një rëndësi vendimtare për zgjidhjen përfundimtare të problemeve të vjetra filologjike mbi gjenezën dhe autorësinë e kësaj kryevepre të letërsisë romantike shqipe, si edhe për rindërtimin e plotë të historisë së shkrimit të saj. Mbi këtë çështje u ndalëm në paragrafin e fundit të hyrjes së botimit kritik të vitit 2007 (Gabriele Dara junior, Kënga e sprasëme e Ballës, Edizione critica a cura di Matteo Mandalà, Palazzo Adriano), ku komentuam strukturën gjenetike (shih stemma codicum) të traditës drejtshkrimore dhe të shtypur të kësaj vepre. Me atë rast e lamë qëllimisht mënjanë shqyrtimin e fazës që i paraprin shkrimit të dorëshkrimit α, d.m.th. të dorëshkrimit zanafillor që nuk kemi gjetur (ω) dhe që nga pikëpamja tekniko-filologjike mund ta quajmë faza “parahistorike”. Këtë fazë Gavril Dara te parathënia e tij e kishte përshkruar në një mënyrë të tillë që shumë studiuesve, përfshirë shkruesin e këtyre radhëve, u ishte dukur jo krejt e vërtetë, ose e ndikuar nga miti Osianik. Përjashtim bënte studiuesja ruse Agnia Desnickaja, e cila në vitin 1989, duke hedhur poshtë hipotezën se pretendimet e Darës ishin “fund e krye një trillim”, i përdori ato me largpamësi për të hedhur një “vështrim në laboratorin letrar të familjes së Darenjvet”.

    Gavril Dara i Riu, dsh. , fl. 59r

    Kështu u arrit në identifikimin e tri fazave të veçanta të hartimit të poemës që përkojnë me kontributin e tre autorëve të ndryshëm:

    a) përpjekja e parë për shkrimin e bërthamës së poemës u krye nga Gavril Dara Plaku, gjyshi i poetit, i cili, sipas të nipit, ishte i pari që mblodhi Këngët e Pleqërisë. Mes letrave të Gavril Darës Plakut, i biri Andrea, d.m.th. i ati i Gavrilit të Ri, «pas Vajeve të Nik Petës dhe Pal Golemit gjeti një këngë tjetër që në dorëshkrim mbante titullin Kënga e sprasme e Ballës. Ishin vargje që i prekën zemrën sepse përmbanin një rrëfim të plotë e të përkryer në të gjitha pjesët, më mirë se Këngët e Kostandinit dhe Garentinës». Dokumentet e zbuluara në fondin Albansk Samling pranë Bibliotekës Mbretërore të Kopenhagës konfirmojnë plotësisht veprimtarinë e mbledhjes së këngëve popullore nga Gavril Dara Plaku, i cili qe ndër të parët që i kushtoi vëmendje folklorit arbëresh në epokën pararomantike.

    b) Sipas Gavrilit të Ri, i ati Andrea, pas zbulimit të materialeve të Gavril Darës Plakut, ia hyri shkrimit të një vepre, i shtyrë nga fakti se «konstatoi që këto vargje ishin fragmente pak a shumë të arrira; duke lexuar ai kuptoi se mungonin shumë pjesë: në fakt dorëshkrimi përmbante vetëm gjashtëdhjetë vargje në pjesën e parë, po aq në pjesën e dytë e diçka më shumë në të tretën». Pasi lexoi shënimin e të atit që e identifikonte Ballën me figurën që «edhe sot mund të shihet e pikturuar në portretin që ruhet në Kishën e Shën Marisë së Hireve, me ngjyra të ndesura, me hundën përpjetë, me përkrenare të kuqe dhe me një majë të praruar mbi të, siç është zakoni i luftëtarëve tanë», Andrea «zuri të endej lart e poshtë, a thua se kish dalë për gjah, duke pyetur pleqtë dhe plakat nëse i dinin këngët e Ballës; ca këtu e ca atje mblodhi gojë më gojë pjesën më të madhe që mungonte në shkrimet e të atit dhe i shtoi ato. Kështu mori formë Kënga e sprasme e Ballës dhe do të thosha se u zhvillua në të gjitha pjesët e saj, dhe paçka se ende mungon ndonjë copëz aty-këtu, dëmi është i lehtë, sepse me mendjen tonë mund t’i mbushim mangësitë». Në të vërtetë teksti i hartuar nga Andrea përbëhet nga gjithsej 280 vargje (Albansk Samling, Theca.II.17, fash. VIII (A-3) në të cilat emri i heroit të poemës është Dufë.

    c) Përpjekja e fundit për të përfunduar poemën u krye nga Gavrili i Ri: «Unë që mbërrita i treti dhe i fundit kur tashmë gjindja e moçme nuk ishin më gjallë, pak gjeta dhe pak shtova, por sa vetëm Këngën e Zogut që mësova kur isha i vogël. Pastaj kur lexova Këngën e Ballës m’u duk e lindur nga mendja që krijoi këngët e tjera dhe se përshtatet vetvetiu në vendin ku unë e futa. Unë mendoj se as im gjysh, as im atë nuk e njihnin këtë këngë, sepse po ta kishin njohur, nuk do ta kishin lënë pa shkruar, sikurse shkruan dhe m’i lanë amanet këngët e tjera».

    Stemma codicum (botimi kritik i vitit 2007)

    Tri faktet që na jep Dara janë mbajtur, siç e thamë më lart, si mistifikime letrare, dhe autor i vërtetë i poemës deri më sot është konsideruar vetëm Gavrili i Ri. Mirëpo hulumtimet tona pranë fondit Albansk Samling kanë nxjerrë në dritë dokumente në dorëshkrim, që jo vetëm konfirmuan në pjesën më të madhe deklaratat e Darës, por na detyruan të rishihnim rrënjësisht hipotezat e derisotme. Natyrisht nuk është vendi këtu të trajtojmë fill e për pe këtë çështje që e shtjelluam te Parathënia e botimit kritik të vitit 2007 dhe që te botimi i ri në proces e sipër do të gjejnë vendin e duhur. Tash për tash po themi se është jashtë çdo dyshimi fakti që Dara përdori disa “të dhëna” të vërteta për të bindur lexuesin se zanafilla e veprës së tij ishte në fakt krijim mbarë popullor, përcjellë gojë më gojë brez pas brezi derisa i gjyshi dhe i ati vendosën ta mblidhnin. Dhe dorëshkrimi i sapozbuluar vërteton katërçipërisht çka asokohe shtruam si hipotezë të mundshme filologjike.

    Versioni i poemës që përmban dorëshkrimi i gjetur jo vetëm që konfirmon plotësisht hipotezën që parashtruam në vitin 2007, por dëshmon jashtë çdo dyshimi kalimin e versionit të pjesshëm të pabotuar që i atribuohet Andrea Darës në versionin që duke filluar prej dorëshkrimi ω do të karakterizojë emrin e personazhit kryesor që shfaqet në titull. Ishte vërtet Gavrili i Ri, ai që ndryshoi emrin e heroit, duke fshirë emrin Dufë që kishte vënë Andrea dhe duke e zëvendësuar atë me Balla. Kjo duket qartë nga faqet dorëshkrim që po riprodhojmë këtu (shih fl. 59r), ku ndryshimi i emrit bëhet në të gjitha rastet kur ai shfaqet qoftë në versionin shqip (fl. 59r, 59v, 60r, 56v), qoftë në versionin e pjesshëm italisht në vargje njëmbëdhjetërrokëshe (fl. 20r, 21r). Veç kësaj, fakti se në fl. 56v rreshti 11, emri <Bal>lexohet qartë, dëshmon se ndreqjet e emrit tjetër Dufë u kryen më pas, kur thuajse kishte përfunduar së shkruari poema në dorë të parë. Një shënim meriton transkriptimi i saktë i emrit të protagonistit. Në të gjitha botimet e kryera pas botimit të vitit 1906 ka mbizotëruar forma <Bala> me një lexim të gabuar të germës <l> nga ana e botuesve. Këtë gabim e vuri re së pari Aleksandër Xhuvani në vitin 1927 kur e transkriptoi titullin e poemës “Kënga e Sprasme e Ballës”, duke i dhënë grafemës <l> vlerën fonetike [ll].

    Bazuar në të dhënat e përshkruara më lart si edhe të fakteve që rindërtuam në vitin 2007 dhe në dritën e të dhënave të dorëshkrimit të sapogjetur, mund të davaritim përfundimisht dyshimet e derisotme dhe të mbërrijmë në përfundimin e mëposhtëm:

    Nëse nga njëra anë Gavril Darës i duhet njohur doemos autorësia e poemës në formën që na është përcjellë nga tradita dorëshkrimore dhe ajo e botuar, nga ana tjetër duhet t’i njohim të atit të Gavrilit, pra Andreas, meritën e konceptimit fillestar të veprës. Nuk ka dyshim se Gavrili i Ri, paçka se përmendi ngjarje të vërteta dhe persona realë, e rindërtoi në mënyrë krejt arbitrare gjenezën e kësaj poeme. Megjithatë ky mistifikim nuk u shpik prej tij. Më shumë se nga miti i Osianit ai u ndikua nga teoria estetike e “së vërtedukshmes” që përpunoi Alessandro Manzoni, autori më i dashur i Gavril Darës së Ri qysh nga vitet e rinisë së hershme. Siç dihet, Manzoni mbi bazën e mëtimit se kishte gjetur rastësisht disa dokumente të vjetra, shkroi të parin roman historik me peshë të letërsisë italiane. Manzoni tha se kishte gjetur në një dorëshkrim të vjetër historinë e dy të rinjve të dashuruar dhe se s’kish bërë gjë tjetër veçse i kishte ndrequr paksa gjuhën. Me fjalë të tjera, historia ishte shkruar prej të tjerëve dhe i përkiste një periudhe të shkuar historike. Ky mistifikim synonte të fshihte autorin, por jo zanafillën historike të rrëfimit. Tek e fundit, nëse e shohim nga pikëpamja kritike, epopeja që na përshkruan Gavrili i ri bazohet në të dhëna historike të dokumentuara që autori i sjell duke cituar historianë të shumtë, e në këto të dhëna mbështetej për të afirmuar njësimin e reales me idealen. Është fjala për një konceptim të ri që rrjedh natyrisht prej frymës romantike, por edhe që dallohet prej asaj fryme, në mos tjetër, nga orvatja për të paraqitur «idealen të lidhur harmonikisht me realen». Ky parim estetik dhe ideologjik përshkon tejendanë poemën e Gavril Darës. Po të pranonim sfidën e vështirë të Benedetto Croce-s për të sintetizuar në një formulë kompleksitetin historik të një vepre letrare, të një periudhe ose të një a më shumë autorëve, mund të thoshim se De Rada ka qenë modernizuesi i një letërsie të sapolindur prej vetë penës së tij, ndërsa Gavril Dara i Riu ka qenë ithtari i tij më besnik që ia doli të njësonte autorin me veprën, aq sa arriti të përvijonte ante litteram një nga kanonet e postmodernizmit të ardhshëm. Mirëkuptimi dhe miqësia e sinqertë mes këtyre dy kolosëve të letërsisë romantike shqipe është dëshmia më e mirë e këtij vizioni të përbashkët që ata kishin për letërsinë. Por për këtë duhet të flasim një herë tjetër.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË