Na ishte një herë një Administrator i moshuar i një pallati thuajse vërsnik me të. Ofiqin e mbante prej shumë vitesh, pothuaj që nga koha e ndalimit të pijeve alkoolike, dhe ishte mërzitur me atë punë. Mirëpo, pavarësisht se Mbledhjet e Përgjithshme të pronarëve përsëriteshin, asnjëri s’ishte dëftyer i denjë për të qenë pasardhës i tij. Është e vërtetë se viteve të para kishin bërë dy-tre përpjekje ta zëvendësonin: herën e parë, me maçokun e tij. Por, fatkeqësisht, pas pak kohe maçoku hëngri një mi, i cili kishte ngrënë helm minjsh, që qëndron, siç dihet, në krye të zinxhirit ushqimor, ashtu si dhe peshkaqeni. Administratori u mërzit, por jo dhe aq shumë. Edhe maçoku e kishte treguar qartë se ishte i paaftë për të mbledhur detyrimet e banorëve.
Herën e dytë pati pranuar t’i zinte vendin një nga pronaret e apartamenteve, e re dhe hiperaktive. Por as me të nuk vajti mbarë, se pas pothuaj 2 ½ muajsh pësoi aksident automobilistik tek ecte me patina. Herën e tretë dhe të fundit banorët vendosën të pajtonin administrator nga jashtë pallatit. I vunë zjarrin vetes. Administratori i jashtëm mori të hollat e depozituara dhe ia mbathi, ndoshta emigrant ekonomik në Zelandën e Re. Ky ters i përsëritur bëri që të qarkullonin thashetheme se ofiqin e administratorit e kishte pushtuar një mallkim, ndaj dhe të gjithë e shmangnin pa e fshehur fare.

Kështu, Administratori i bënte i vetëm Mbledhjet e Përgjithshme, ku merrnin pjesë vetëm bashkëshortja e tij shtratgjerë, Dina, dhe buçja, Foksi – të cilat as nuk merreshin vesh me njëra-tjetrën, as kishin të drejtë vote. U çudit si ia dilte ta zgjidhnin gjithmonë administrator, pasi ai vetë, për arsye deondologjike, nuk e votonte kurrë veten… Pra, detyrimisht qëndroi në pozicionin që kishte, i patundur si shkëmb, dhe vithisej dalë nga dalë, fiziologjikisht, bashkë me pallatin.
Pas vëzhgimeve disavjeçare, kishte dalë në përfundimin se ata të dy (ai dhe pallati), në një farë mënyre kishin krijuar një lidhje të pazgjidhshme. Në funksionet e tyre ishte zhvilluar një lloj koordinimi. P.sh., kur prishej ashensori, edhe Administratori pësonte refluks acidik, dhe e kundërta. Ose, kur u ndërprisnin gazin, se nuk e kishin paguar, Administratori mundohej nga krizat e astmës apo marrja e frymës, kur bllokohej kanali i ujërave të zeza Administratori shkonte për analizat e prostatit – urologu e kishte klinikën ngjitur me hidraulikun – e kështu me radhë.
Meqenëse puna me pallatin – që kishte dhe shumë apartamente – ishte full time job, me vështirësi u dilte zot detyrave profesionale (ishte antikuar), dhe me më shumë vështirësi detyrave bashkëshortore – për këtë arsye e largëta, por gjithmonë e afërta në distancë, bashkëshortja e tij, tashmë jetonte me urologun. (Natyrisht, për këtë punë nuk e kish fajin vetëm pallati.) Administratori tashmë ishte bërë mizogjin dhe mizofelin (nuk kishte marrë mace tjetër, as grua tjetër), dhe gëzimi i vetëm në jetën e tij ishte kur vdiste ndonjë banor që nuk linte trashëgimtarë.
Atëherë, me pushtetin që i jepte ofiqi dhe çelësi, hynte i pari në shtëpinë e braktisur, menjëherë pas policisë, bënte një vlerësim paraprak të sendeve që kishte lënë i ndjeri dhe transportonte në antikuariatin e tij gjithë ç’përbënte interes profesional. (Deri tani kishte marrë dhe përdorur një kolovajze verande fer forgé me tre marshe shpejtësie, një frezë dentisti të shek. XVIII, një parzmore për fëmijë, 13 pulla me vlerë koleksionimi, dy bufe me shumë vlerë koleksionimi, një nuselale të balsamosur, në gjendje të mirë, tre tablo të Plakut me llullë (si dhe një të katërt – një paraqitje e rrallë e vetë plakut në portret me cigare elektrike), një komplet salloni ngrënieje në stil të periudhës së regjencës, me këmbë pantere, një poltronë trikëmbëshe prej lëkure e markës Chip and Deil, si dhe një teneqe vaj.) Gjithashtu, një gëzim të vogël e gjente kur në kohën e lirë studionte çdo farë libri e letre që i tërhiqte vëmendjen. Mendonte se edhe këto diku, dikur kishte për t’i përdorur – pavarësisht në s’i sillnin ndonjë fitim.
Historia e Administratorit përfundoi, siç ishte e natyrshme, bashkë me historinë e pallatit. Gjatë tërmetit të madh të vitit 2028 Administratori ra nga shtrati dhe, me atë rast, u kujtua, befas, se kishte harruar në depon e bodrumit Librin e Praktikave të vitit 1999, dhe iu duk e udhës të hiqej zvarrë deri atje për ta marrë: kujtesa e kishte braktisur tashmë dhe duhej të përcaktonte centimetrat e bashkëpronësisë së pronarit të penthouse-it, i cili kohët e fundit kishte bërë restaurim të paligjshëm të verandës, si dhe të njoftonte MMRRPP-në (Ministrinë e Mjedisit Rregullimit dhe Punëve Publike) dhe Prokurorinë e Shkallës së Parë për rrezikshmërinë e murit lindor të pallatit.
Përktheu: Sokol Çunga
*
Pavlina Pambudhi (Athinë, 1948) është prozatore, poete, përkthyese, skenografe, redaktore dhe piktore. Tregimi i mësipërm është shkëputur nga vëllimi i fundit me tregime Histori të çuditshme dhe shumë më të çuditshme që pritet të dalë nga shtypi në fundprill të këtij viti nga shtëpia botuese Kaleidoskop, Athinë. Botohet para daljes nga shtypi me lejen e autores.