Janë vitet ’70, një grua dyzetvjeçare shkruan në një atmosferë rurale romanin e saj më të suksesshëm, duke kujtuar mundimet e fëmijërisë, jetën e vështirë kur sapo krijohej një realitet i ri në historinë e vendosjes së emigrantëve… Kjo është Moragë Gan, heroina e romanit, cilësuar kryevepra e shkrimtares kanadeze Margaret Laurence. Por kritika e ka krahasuar si një vepër gjysmë autobiografike, me shumë nota të përbashkëta me vetë shkrimtaren.
Bëhet fjalë për romanin Falltarët, sjellë në shqip nga botimet OMBRA GVG, me përkthimin e Eliona Balilajt. E lindur në Neepawa, Mantoba, Margaret Laurence është konsideruar si një nga zërat më të fuqishëm në letërsisë kanadeze. Kur Laurence shpërthen, kujtojmë se letërsia kanadeze, si në anglisht dhe frëngjisht, mori zhvillim të jashtëzakonshëm pas Luftës së Dytë Botërore. Që atëherë, me trashëgiminë e saj të dyfishtë kulturore, ajo reflektoi fazat e tregimit e identitetit kombëtar. Fiction kanadeze, si edhe forma të tjera krijuese, lulëzoi sidomos nga fundi i viteve ’60 dhe ’70. Por kjo letërsi u konsolidua dhe mori famë me kontributin e fortë të shkrimtareve gra si Margaret Laurence, Alice Munro dhe Margaret Atwood. Në mesin e romanciereve kanadeze, Laurence zë një pozicion unik. Për të kanë shkruar se ajo, ndoshta, i kupton gratë më mirë sesa burrat dhe ka disa frymëzime që arrin t’i marrë vetëm nëpërmjet grave. Ndërsa shqyrton në gjithë krijimtarinë e saj shqetësimet mbi identitetin dhe përpjekjet për të zbuluar në mënyrë imagjinare dhe për t’u marrë me problemet e grave. Pra, romanet e saj zakonisht janë të orientuara për nga identiteti i gruas/ kombit, si dhe statusin e tyre në shoqëri për t’u zhvilluar dhe ngritur profilin e saj në kërkime të veçanta për të mbërritur në identitetin kanadez.
Mbi këtë motiv shkruhet seria e katër librave bazuar në qytetin e saj, shtëpinë, të riquajtur Manawa, për të cilat ajo tani është e njohur: The Stone Angel (1964), A Jest of God (1966), i rititulluar Now I Lay Me Down , për publikun anglez, The Fire Dwellers (1969), dhe The Diviners (1974).
Kritika është ndalur të theksojë se çdo roman i Laurence mund të përshkruhet, në një mënyrë apo tjetër, si “autobiografi imagjinare” duke dhënë portrete të paharrueshme të grave që mundohen t’ia dalin me demonët e tyre personalë, që përpiqen përmes vetekzaminimit për të gjetur modele kuptimplota në jetën e tyre. Protagonistët e saj, në fillim të romaneve, mund të jenë viktima, por në fund ato refuzojnë të bëhen të tilla – gjendja e tyre e shkretëtirës i shndërron ato, duke krijuar kështu një udhëtim aktual, metaforë për udhëtimin drejt historisë së kombit kanadez dhe pranimin e trashëgimisë së tij.
Në një intervistë të vitit 1979, Laurence përshkruan se si rrënjët e saj ndikuan në gjithë krijimtarinë.
“Unë mendoj se prapavija e së shkuarës sime ka përcaktuar fatin e të shkruarit tek unë nisur nga vendi ku kam lindur. Tani e shoh shumë të vështirë për ta përcaktuar këtë. Mendoj se kjo vjen nga një mënyrë krejtësisht e pavetëdijshme ose e nën-ndërgjegjshmja ime. Kështu mund të shpjegohen shprehjet, idiomat në të cilën unë shkruaj, si dhe mënyrën se si flasin njerëzit duke marrë shumë nga vendlindja”.
Romani Falltarët i shkrimtares së mirënjohur Margaret Laurence konsiderohet si një ndër romanet klasike të letërsisë kanadeze. Ai është romani i fundit i Laurence dhe është botuar në vitin 1974.
Romani fitoi çmimin Governor General Award në vitin 1974.
Falltarët ka pasur një realizim kinematografik në vitin 1993 dhe u transmetua në televizionin CBC. Heroina e romanit Falltarët quhet Moragë Gan dhe është një romanciere e suksesshme dyzeteshtatëvjeçare dhe një nënë e vetme cila jeton në një fermë në Ontarion rurale, ku po përpiqet të shkruajë një roman të ri. Zbulimi i disa fotografive të çastit kur ka qenë fëmijë i sjellin në jetë një sërë kujtimesh të cilat alternohen me ngjarjet në të tashmen e saj.
Moraga e ngelur jetime në moshë fare të njomë rritet në qytetin e vogël të Manauakas nga babai i saj adoptiv Kristi Logan, i cili ishte pastruesi i plehrave të qytetit, dhe gruaja e tij e shëndoshë dhe e sëmurë, Prina. Sigurisht, ata nuk ishin familja e saj ideale, por ama nuk ia kursyen dashurinë dhe respektin në formën dhe mënyrën që ata dinin. Përgjatë romanit shpalosen përpjekjen e Moragës për të kuptuar dhe pranuar identitetin e saj dhe luftën e saj për të ruajtur pavarësinë e vet si dhe për të gjetur vendin e saj në botë.
Romani, në gjerësinë e vizionit të tij dhe thellësinë e angazhimeve socio-kulturore, konsiderohet gjerësisht si kryevepra e Laurence dhe një nga romanet më të mëdha kanadeze të shkruara ndonjëherë. Madje shpeshherë është krahasuar si një vepër gjysmë autobiografike me shumë nota të përbashkëta me vetë shkrimtaren.
Falltarët paraqet një portret madhështor, postmodern, vetërefleksiv të jetës kanadeze në disa breza, raca dhe klasa. Romani kthehet prapa në kohë dhe i rikthehet përsëri realitetit bashkëkohor të viteve ’70, pas në historinë e vendosjes së emigrantëve dhe zhvendosjen e njëpasnjëshme të popujve të parë dhe të metisëve ose ndryshe atyre me gjak të përzier, dhe në një të ardhme të imagjinuar me dimensione ekologjikisht të tmerrshme, por shpirtërisht shpresëdhënëse.
Falltarët synon të nxjerrë një rrugë shpresëdhënëse në një të ardhme më të lumtur nga padrejtësitë dhe pabarazitë e dëshpëruara të së kaluarës së përbashkët koloniale. Gjithashtu është një himn i lirisë së individit duke i qëndruar besnik e krenari identitetit dhe rrënjëve të thella, pavarësisht kohës, vendit apo rrethanave.
Ky është një tregim i fuqishëm i një gruaje të pavarur që refuzon të braktisë kërkimin e saj për dashuri. Për Moragë Gan rritja në një qytet të vogël kanadez është një proces i ashpër – vendosja e distancës mes vetes dhe një botë që nuk donte pjesë të saj. Por me kalimin e kohës, vetmia që dikur ishte mikja e saj më e mirë, bëhet një e drejtë e çmuar – e lënë vetëm në nevojën e saj të madhe për dashuri. Përsëri Moraga është e detyruar të provojë forcën e saj kundër botës – dhe më në fund arrin jetën që ajo kishte vendosur se do të ishte e saj.
Te Moragë Gan, Laurence ka krijuar një figurë, eksperienca e së cilës rezulton si e të gjithë njerëzve të privuar në kërkim të së drejtës së parëbirnisë dhe të një njeriu që mbijeton si një simbol frymëzues i guximit dhe i qëndrueshmërisë.
Falltarët rrëfen një histori prekëse, por realiste, ku personazhet e saj të paharrueshëm nuk bëjnë gjithmonë atë që pret lexuesi, por sillen ashtu si në jetën e vërtetë, atë që njohim të gjithë.
Në vitet 1970 romani krijoi një polemikë në Ontario për përkrahjen e amësisë së vetme në figurën e Moragës, e cila e lë martesën e saj të qëndrueshme me një profesor anglez të Torontos për t’u bërë shkrimtare dhe vendos të rrisë e vetme një fëmijë jashtë martese në rrethana të pasigurta ekonomike. Disa kritikë zbulojnë një ankth të fshehtë më të fuqishëm në polemikën mbi portretin pozitiv të një lidhjeje mes Moragës, e cila kishte prejardhje skoceze, dhe këngëtarit metis, me racë të përzier Xhuls Toner. Sigurisht, shkrimtarja ishte më tepër realiste nga sa prisnin kritikët, por gjithashtu shfaq një të vërtetë të pathënë, por që pas pak dekadash do të bëhej realiteti që njohim dhe shohim çdo ditë.
Marrëdhënia interraciale mes Moragës dhe Xhulsit, herë pas here e dalldisur, shpesh e largët, por gjithnjë e thellë, bëhet simbolike, në vizionin krijues të Margaret Laurence-it për situatën ndërkulturore të shpërnguljes kanadeze, ku të gjithë jemi jetimë dhe të adoptuar, si Moraga dhe të gjithë janë bërë “Metisë”, si Xhulsi dhe vajza e tyre Pikeja: nëse jo me gjak, atëherë me trashëgiminë e përbashkët të shpërnguljes ndërkulturore, duke na ofruar mundësi unike bashkëkohore të dashurisë dhe paqes në të gjithë kufijtë tradicionalë dhe ndërkombëtarë.
Falltarët është vlerësuar nga shumë kritikë si arritje e jashtëzakonshme e karrierës së shkrimtares Margaret Laurence. Temat që përshkruajnë librin janë universale. Si dhe pse i marrim vendimet që marrim dhe cilat mund të jenë rezultatet ose pasojat? “Romani i Margaret Laurence është poetik dhe i strukturuar, dhe heroina e tij sigurisht që është një nga gratë më njerëzore, më të pahyjnizuara, jopolemike dhe më të besueshme që është shfaqur në fiction kohëve të fundit”, – shkruan The New Yorker. Ndërsa Library Journal, ndër të tjera, veçon: “Fuqia e vërtetë e Laurence qëndron në aftësinë për të ringjallur me përpikëri atë emocion kaq të njohur, tmerrin e jetimes, guximin e krisur të adoleshentes, zemërimin dhe urrejtjen për veten, dobësinë e të moshuarve, brishtësinë e të mposhturve. Falltarët është një tjetër vepër, pjesë e veprave klasike të rrënjosura thellë në traditën e romanit.”
Margaret Laurence është një ndër figurat kryesore të letërsisë kanadeze. Laurence ishte një ndër themeluesit e Writer’s Trust të Kanadasë, një organizatë jofitimprurëse letrare që kishte si synim të inkurajonte komunitetin e shkrimtarëve të Kanadasë.
Margaret Laurence ka lindur në Neepawa, Manitoba, në vitin 1926. Pas diplomimit në United College të Winnipeg-ut në vitin 1947, ajo punoi si gazetare për gazetën e qytetit Winnipeg Citizen.
Nga viti 1950 deri në vitin 1957 Laurence ka jetuar në Afrikë, dy vitet e para në Somali dhe pesë vite të tjera në Ganë, ku punonte bashkëshorti i saj i cili ishte inxhinier civil. Gjatë qëndrimit të saj atje ajo përkthente poezi dhe proza somaliane, dhe kështu filloi karrierën e saj si shkrimtare me tregime të shkurtra, ngjarjet e të cilave zhvilloheshin në Afrikë.
Kur Laurence u kthye në Kanada në vitin 1957, ajo u vendos në Vankuver, ku u përkushtua shkrimit: në romanin e saj të parë, This Side Jardan, dhe në koleksionin e saj të parë me proza të shkurtra, The Tomorrow-Tamer. Dy vitet e saj në Somali u bënë subjekt i shënimeve biografike, Prophet’s Camel Bell. Pas ndarjes nga bashkëshorti në 1962, Laurence u shpërngul në Angli, e cila u bë shtëpia e saj për një dekadë.
Laurence u vendos në Lakefield, Ontario, në vitin 1974. Margaret Laurence është nderuar me shumë çmime dhe shumë tituj nderi, ndër to është vlerësuar dy herë me çmimin prestigjioz kanadez Governor General’s Award. Në zemrat e kanadezëve të një moshe të caktuar, Margaret Laurence ka një vend të veçantë si romancierja e parë e madhe e vendit të tyre që ata kanë lexuar ndonjëherë. Pas disa muajve të përballimit me kancerin e mushkërive, Laurence ndërroi jetë më 5 janar 1987, në moshën 60-vjeçare, kur para se të vdiste, ajo u pyet për trashëgiminë e saj.
“Njerëzit ndonjëherë më thonë: sa kohë mendoni se vepra juaj do të jetojë? Nuk kam ide më të vogël dhe kjo është më e pakta e shqetësimeve të mia”, – i tha ajo një gazetari më 1986. – “Sigurisht, shpresoj që disa libra të vazhdojnë të shiten derisa unë të largohem nga kjo luginë e lotëve”.
Ndërsa librat e saj vazhdojnë të shiten në shumë gjuhë.