More
    KreuÇmimeMaks Velo vlerësohet me çmimin “Mjeshtër në Arkitekturë”

    Maks Velo vlerësohet me çmimin “Mjeshtër në Arkitekturë”

    Shoqata e Arkitektëve ka vlerësuar Maks Velon me çmimin “Mjeshtër në arkitekturë”, si pjesë e një serie çmimesh që jepen në kuadrin e FAMA – “Festivali i Arkitekturës Moderne Shqiptare/ Festival of Albanian Modern Architecture”. Ky çmim u kushtohet arkitektëve shqiptarë që kontribuuan në gjenezën e arkitekturës moderne në Shqipëri, ndërsa kanë organizuar një ceremoni të posaçme më 24 janar. Maks Velo ka lindur në Paris, më 31 gusht të vitit 1935. Pas lindjes së tij, familja Velo u kthye përsëri në Shqipëri, në qytetin e Korçës, ku Maksi ka kaluar edhe fëmijërinë. Pasi mbaron gjimnazin, ai vazhdon studimet pranë Institutit Politeknik, në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit. Më pas specializohet për arkitekturë dhe në vitin 1960 merr pjesë në projektin e parë në Tiranë. Ka punuar më tej pranë byrosë së projektimit të Tiranës. Projekte të ndryshme të rëndësishme të projektuara prej tij ose në bashkëpunim, SHASH ka vlerësuar: Parku i Madh i Liqenit, Tiranë; shkolla “Emin Duraku”, Tiranë; objekti i banimit pranë Hotel Tiranës; godina e ish-ATSH-së, Tiranë; ish-hotel “Arbana”, Tiranë; kinemaja e Laprakës, Tiranë; kinema “Pionieri”, Tiranë; Uzina Mekanike, Peshkopi, etj.. Viti ’73 përkon edhe me fillimin e një periudhe shumë të vështirë të jetës e tij, pasi gjatë kësaj kohe ai arrestohet dhe dënohet me dhjetë vjet burg për tendenca moderne në arkitekturë dhe art, e për rrjedhojë i digjen 250 vepra. Përndjekja dhe dënimi i tij vazhdoi për 18 vjet, nga viti 1973 deri në vitin 1991. Përveç profesionit të arkitektit, ai krijon dhe kompozon edhe në disa gjini të artit, si: pikturë, skulpturë, prozë, poezi, publicistikë, sikundër është në mënyrë konstante mjaft i angazhuar publikisht në çështje të aktualitetit të urbanistikës, arkitekturës dhe angazhimeve të ndryshme intelektuale në të gjithë territorin shqiptar. Maks Velo është autor i një sërë botimesh si: “Kokëqethja”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Paralele për arkitekturën”, “Kohë antishenjë”, “Jeta ime në figura”, “Betonizimi i Demokracisë”, “Vizatime mbi arkitekturën popullore shqiptare”, etj.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË