More
    KreuLetërsiBotime të rejaMajlinda Toçi: Shërbimi i referencës në epokën digjitale: “SIRI” i çdo biblioteke

    Majlinda Toçi: Shërbimi i referencës në epokën digjitale: “SIRI” i çdo biblioteke

    Sot, jemi duke përjetuar me gjithë forcën e tij Revolucionin Digjital. Pas Revolucionit Industrial, transformimet teknologjike digjitale konsiderohen gjerësisht si një moment kritik historik, që po i jep formë krejtësisht të re strukturave ekonomike, shoqërore dhe kulturore. Sikundër kanë vlerësuar shumë autorë të njohur, tanimë çdo gjë është bërë e ndryshueshme, e paqëndrueshme, që i nënshtrohet një metamorfoze të pandalshme. Asgjë nuk është më e fiksuar dhe thuajse gjithçka është amorfe dhe fleksibël, nga prodhimi industrial te teknologjitë që vjetrohen brenda pak muajsh e deri te kanonet e artit. Fundja, si thotë edhe Yuval Noah Harari: “Qëndrueshmëria është mjedis për mendjet e topitura”. Edhe në këtë çast, komunikimi dhe qarkullimi i informacionit, sasia e të cilit rritet me shpejtësi marramendëse, operojnë në mënyra të panjohura më parë nga njerëzimi. Prej këtej, në mënyrë që t’i përgjigjen ndryshimeve të mësipërme, edhe mënyra se si të dhënat klasifikohen janë vendosur në standarde të reja. Kjo vlen edhe për shkencën e bibliotekave – Bibliotekonominë.

    Ky botim synon që pikëmbërritje të parë të ketë punonjësit e bibliotekave dhe studentët e Shkollës Kombëtare të Bibliotekonomisë, për t’i pajisur ata me njohuri bazë për disa nga aspektet më të rëndësishme të punës me referencat, si edhe me konceptet dhe teorinë që lidhen me shërbimet e referencës së epokës së sotme digjitale.

    Si një hyrje në shërbimet e informacionit, ose të referencës, kapitulli i parë trajton çështje që përfshijnë shërbimet bibliotekare, si: organizimin e materialeve bibliotekare, shërbimin e tyre, shërbimet e këshillimit të përdoruesve, qasjen në burimet elektronike në rrjet etj. Vëmendje të veçantë kanë marrë çështjet që lidhen me Internetin dhe World Wide Web (WWW) – terma që shpesh përdoren në vend të njëri-tjetrit, por në fakt nuk janë aspak sinonime të njëri-tjetrit – dhe sidomos shërbimeve që kanë në qendër të tyre përdoruesin e bibliotekës: ato të drejtpërdrejta dhe ato të ndërmjetësuara nga teknologjia.

    Në kapitullin e dytë është trajtuar një ndër shërbimet themelore të një biblioteke, ai i shërbimit të referencës, ku rëndësi e veçantë i është kushtuar bibliotekarit të referencës, si punonjësi më dinamik, që mbulon pozicionin më strategjik në një bibliotekë. Edhe pse bibliotekat sot nuk e gëzojnë më rolin e dikurshëm si monopol të informacionit (përveç transformimeve teknologjike, rëndësi kanë pasur edhe ndryshimet politike), roli i bibliotekarit të referencës në epokën digjitale nuk është zbehur, përkundrazi ai është ridimensionuar, duke kontribuuar pozitivisht në marrëdhënien midis qasjes në informacion, teknologjisë dhe përdoruesit të një biblioteke. Zhvillimi i shpejtë i teknologjive, si dhe rritja e vëllimit të përmbajtjes digjitale në ditët tona janë reflektuar edhe në shërbimet e informacionit dhe të referencës. Sot flitet për burime dhe shërbime të referencës në epokën kur shumë përdorues kanë qasje në Web. Por të mos harrojmë që me zhvillimin e Web-it, shërbimet e referencës digjitale po plotësojnë disa nga rolet e pikave tradicionale të referencës në biblioteka.

    Për të vijuar me kapitullin e tretë, ku vëmendje iu është dhënë burimeve të referencës që përdoren më së shumti në shërbimet bibliotekare, si: katalogu, bibliografia dhe baza të tjera të dhënash bibliografike; po ashtu edhe burimeve me fakte, si: vjetarët, almanakët, doracakët, udhëzuesit etj.; burimeve gjeografike, si: atlaset; burimeve biografike të tipit who is who, fjalorëve etj., deri tek enciklopeditë si bartëse të fuqishme informacioni. Pavarësisht formatit ku janë mbartur – letër, CD-ROM apo Internet – përmbajtja dhe përdorimi i teksteve të burimeve të referencës vijojnë të mbeten njëlloj të rëndësishme për bibliotekat dhe përdoruesit. Por duhet pohuar pa hezitim se qasja elektronike në burimet e referencës ka sjellë lehtësira të mëdha për bibliotekarët që i shërbejnë ato, gjithashtu një efektivitet të shtuar në punët studimore të kërkuesve në të gjitha fushat e dijes.

    Duke mbërritur kështu në kapitullin e fundit, i cili ka në qendër marketingun e shërbimeve të informacionit, si mjeti më strategjik për të promovuar bibliotekën dhe punën që kryen me përkushtim një staf i tërë. Epoka e sotme digjitale nuk mund të kuptohet pa shfaqjen e konkurrencës. Pikërisht nga kjo shfaqje, rrjedh fakti që bibliotekat nuk janë më burimi kryesor i informacionit. Një numër i konsiderueshëm furnizuesish të rinj dhe një seri vendesh të reja, ku përdoruesit mund të kenë qasje në informacion, janë: kafenetë kibernetike, mega libraritë, ofruesit online të informacionit, kompanitë dhe organizatat jofitimprurëse që ofrojnë shërbime të informacionit digjital. Të gjithë këta furnizues janë prezentë në “treg” dhe shërbimet e tyre zhvillohen çdo ditë e më shumë, duke tërhequr gjithmonë e më shumë “konsumatorë”. Nëse duam vërtet që bibliotekat t’i mbijetojnë kësaj konkurrence, atëherë marketingu është mjeti i duhur për bibliotekarët. Konsiderimi i marketingut dhe i planifikimit të shërbimeve të informacionit si procese të integruara për arritjen e qëllimeve dhe të objektivave të bibliotekave është domosdoshmëri. Në këtë kontekst, rol kyç luan edhe etika profesionale bibliotekare, si elementi më i rëndësishëm në korrjen e suksesit.

    Qëllimi kryesor në përpilimin e këtij teksti ka qenë qartësimi dhe shpjegimi i teorisë dhe i proceseve, që kanë të bëjnë me realizimin e rolit të bibliotekave për sigurimin e informacionit, përshtatjen në mënyrë të vazhdueshme ndaj kushteve të shoqërisë së dijes dhe të informacionit në epokën digjitale, shërbimin ndaj përdoruesit dhe përmbushjen e misionit të tyre si institucione të informacionit dhe të kujtesës.

    Biblioteka është një teknologji dhe si e tillë ajo nuk është e ngrirë në kohë. Ashtu si edhe në natyrë, kushtet historike, politike, institucionale, teknologjike nuk janë të fiksuara, por në ndryshim të vazhdueshëm. Me ndryshimin e këtyre rrethanave transformohet dhe ridimensionohet pozicioni dhe funksioni i bibliotekës. Nëse bibliotekat nuk i përgjigjen këtyre ndryshimeve, ato rrezikojnë të mbesin relikte. Nëse ato i përgjigjen dhe i përvetësojnë këto transformime, atëherë bibliotekat do të vijojnë të ruajnë rolin e tyre shumë të rëndësishëm në zhvillimin e dijes si një promotore në përparimin e saj. Rrjedhimisht, edhe bibliotekari i referencës do të luajë një rol qendror në misionin që kanë ata vetë dhe institucioni që përfaqësojnë, duke pajtuar humanizmin me profesionalizmin. 

    Nëse do të jemi gjithmonë të gatshëm që të përqafojmë ndryshimet e vazhdueshme të teknologjisë dhe të shkencës, atëherë mund të pohojmë pa frikë: “Po, shërbimi i referencës është SIRI i një biblioteke!”.

    Po çfarë është “Siri”?

    “Siri” është asistenti virtual i kompanisë “Apple”. Ishte Dag Kittlaus (ish-CEO dhe bashkëthemeluesi i “Siri”-t) ai që “e pagëzoi” këtë asistent me emrin SIRI në vitin 2010, pas një bashkëpunimi shumë të frytshëm që kish pasur në Norvegji me një zonjë që quhej Siri. Ndaj “Siri” e ka origjinën nga norvegjishtja dhe do të thotë “Grua e bukur që të çon drejt fitores”.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË