More
    KreuHistoriLux Secreta poetja dhe përkthyesja shkodrane e viteve ’30

    Lux Secreta poetja dhe përkthyesja shkodrane e viteve ’30

    Nga Andreas Dushi

    Për Lux Secreta ka pak të dhëna. Për herë të parë, emrin e saj e lexova në një tekst shkollor, botuar nën kujdesin e Ernest Koliqit në kohën kur ky i fundit ishte ministër i arsimit në Shqipëri. Në treguesin e emrave në fund të librit, shkruhet:

    LUX SECRETA: Asht pseudynimi i zonjushës Luçija Seregji nga Shkodra. Vjershat e veta i ka shkrue nëpër disa të përkohëshme.

    Deri atëherë, e kisha dëgjuar vetëm si ide ekzistencën e saj, veç nëpërmjet pseudonimit, por pa u përballur drejtpërdrejt me të. Prandaj, vendosa të kërkoja materiale që mbanin autorësinë e saj.

    Në një shënim të Nasho Jorgaqit (2018), lexojmë “…Zërit poetik të vajzës gjirokastrite (bëhet fjalë për Selfixhe Ciun)  do t’i bashkohej ndërkaq zëri i vajzës shkodrane Luçie Sereqi (1910-1993), që nënshkruan vjershat e saj me pseudonimin Lux Secreta…

    Sikurse lexohet, Koliqi shkruan Luçija Seregji, ndërsa Jorgaqi, Luçie Sereqi. E vërteta është se kemi të bëjmë me të njëjtin person – çka na e tregon edhe pseudonimi i përdorur prej saj – emri i të cilit nuk shkruhet saktë në asnjërin rast. Kjo del po të konsiderojmë një dëshmi tjetër, atë që ndoshta është më autentikja, shënimin e fotografisë së saj në Muzeun Kombëtar të Fotografisë Marubi. Në fotografinë e shkrepur nga Geg Marubi më 1940, emri i saj është shkruar Luçie Serreqi.

    Gjatë komunizmit, emri i Serreqit nuk përmendet thuajse asnjëherë, ndërsa pas tij, mund të jetë përmendur shumë rrallë, më tepër si ide – njohje me faktin se ajo ekziston – por jo konkretisht. Prandaj, kërkimi duhej orientuar para ardhjes së komunizmit, gjithnjë bazuar në të dhënat e marra nga dy shënimet e sipërcituara.

    Kështu, zbulova çka po paraqesim në vijim: Disa poezi të botuara në të përkohshmet “Illyria” dhe “Cirka” përgjatë viteve 1935 – 1938. Sigurisht, kjo nuk përjashton mundësinë që krijimtaria e saj të ketë filluar më herët dhe/apo të ketë mbaruar më vonë, prandaj, ky shkrim shpresoj të shërbejë si nxitje për studiuesit, që ta konsiderojnë seriozisht edhe emrin e Serreqit.

    Përkarshi përkthimit që ajo i bën nga frëngjishtja poezisë “Nanës s’ême”  të Pashko Vasës (marrë nga vepra e panjohur e tij “Rose e spine”, botuar në vitin 1873, për të cilën do të mund të lexoni në javët e ardhshme), botuar në “Cirka”, 1938, nr. 43, 10 prill, f.101, lexojmë: …Mâ andej po botojmë poezín e parë të librit “Rose e spine” në përkëthimin e bukur e besnik qi bâni për lexuesat e “Cirkës” stermesa e Pashko Vasës, bashkëpuntorja e jonë Zonjushë Lux Secreta. 

    Pra, këtu marrim vesh edhe faktin se ajo ishte stërmbesë e poetit Pashko Vasa.

    Në poezinë e saj, motivet janë ndër më të përhapurit ato vite: pastorale dhe kombëtare, trajtuar këndshëm në lirikë.

    Flamurit 1

    Kaluen, ndonse kadalë, vuejtje e mjerime
    Qi qindra vjetsh Shqipnín paten ngujue,
    E tash dhe Shqipja krahët i ká t’shtrime
    Mbí pelhurë n’t’kuq ngjyrtue.

    S’u trêmbet mâ kërcnimeve qi motit,
    Deshten m’e bâ të pá-kénun mbi ket botë
    Njat tokën e fatosit t’madh, Kastriotit,
    Qi sod gzon liri t’plotë.

    Tash qi Flamuri valvitet nën kupë t’qiellit,
    Difton se i mbushen njizetetre vjet
    Ç’se gzon përherë, nën rreze t’arta t’diellit
    I lír n’tokën e vet.

    Shtiellu n’ajrí, dija plakut bujár
    Qi t’shkûndi për tokë pluhnin e robnís,
    Qi t’naltoi n’Vlonë e t’bâni mâ krenár
    Nepër çdo kând t’Shqipnís.

    Shtiellu n’ajrí e nën fletë t’shpêndit t’zí
    Rueje ket tokë me gjak fatosash lámun,
    T’cillt s’u kursyen e për me t’pá n’lirí
    Deken me ndér kan bâmun.

    Rrnosh prá për jetë Flamur i ynë n’liri,
    Rrnosh tue e gzue përherë kombin shqiptarë
    Qi jetë I uron sunduesit t’ksaj Mbretní
    Mbretit t’vet ZOGUT i PARË.


    Brî’ i lisit të rrxuem 2

    N’skâj të fushës n’blerim stolisë e në lule veshë,
    Ku ajri i pastër percjellë jone t’lehta
    Te’ i lis i rrxuem shtegtari pá pritë ndeshë…

    Âsht lisi qi mbí tokë për sá qindvjeta
    Nuk ju përkul stuhís as rrfés kërcnuese,
    Por tash mbí tokë i mbaroi ditt e veta.

    Kje sá herë për shtegtarin lândë ngushlluese,
    Sá herë nën hije t’tij merzín largonte
    Nën lvizje t’degve t’tija shungulluese.

    Brî tij dikúr sá gjânat i ândrronte
    Nen t’Shqypes çerdhe, qi n’kujdes ndërtuemun
    E kish per zogjt e vet, ç’n’të kaluemet mote.

    Ândrra e dikurshme tash kishte kaluemun
    Bashkë me trup t’lisit qi nën kup’n e qiellit
    Tash s’bâte hije t’xétit me i larguemun.

    Me mâll kujton at kohë kur nder dit prillit
    Bariu me fýll i ndillte t’qeta udhtime,
    N’sá grigj’t pushojshin larg rrezeve t’diellit.

    Sá herë gjuetari ulë brî tij plot gzime,
    Me shokun e vet besnik prej gjahut kthyemun,
    Vrete sâ shpênd qi vrau, me shum mundime.

    Por mbasi lisi detyren e ká kryemun,
    Mbî tokë pushon, tue dashtë ktê t’falnderojë,
    Tue pritë dhe ato qi brî tij i janë shtŷemun.

    Për me përshndetë, pse mâ s’mund t’i pranojë
    Nën t’pastrën hije, ku pau e ndieu sá gjâna
    Për të cilat mâ nuk flet, s’difton… s’ká gojë,

    Mbasi u shuen për tê dhe dielli e hâna.


    Së ndîhet mâ fyelli 3

    Lodhun delet prej diellit
    Mrizojnë nen t’hapten hije
    T’degve qi nen kupë t’qiellit
    Lshon ahi, n’sá per brîje
    Vû kryet permbí tesha
    Pushon dhe blegtoresha.

    Dhe dy sýt t’kjarët si drita
    Fillon m’i a rrêjtun gjumi,
    Pse sá kish nisun dita,
    Sá ishte freskue n’ujë lumi,
    Tue pshtjellë kryet n’rubë me lara
    Kish vûe berret përpara.

    Hova hova e lét era
    Lote me flokët e shprishun
    Qi n’báll lshote perhera,
    Dhe permbî pêmë, si t’grishun,
    Tubë zogjët ishin vêndue
    Si t’dojshin me këndue.

    S’ish ditë qi n’at kohë zhegu
    Mos t’a trazote fylli
    Qi bite n’at anë bregu,
    Dér n’kohë qi i mbramjes hylli
    Niste atje nalt me ndritë
    Si shêj se s’kish mâ ditë.

    I gëjatë prá s’ish pushimi,
    Pse, bash nder jone t’para
    E çote ambel tingllimi
    Qi tue pershkue sá ara
    I kthielltë nder veshë i vîte
    Thue se krejt ngëjet sajë bite.

    Por n’ket ditë për çudí
    Kush-di çka do t’andrrote
    Blegtoresha, e s’kish ndî
    Fyellin qi prorë e gzote.
    S’ndîhej gjâ n’at anë lumi…
    S’kish çka me e çue prej gjumi.

    Ç’prej asajë ditë perhera
    Dote me dijtë, pse s’ndîhej,
    Pse nuk i a bite era
    T’fyellit jonet?… e mnîhej,
    Pse s’e gzote n’kohë t’qetë
    Veç kanga e zogjve e letë.

    Kish muejtë dikúr t’hetote
    Larg n’nji fushore t’blerë
    Nji barí, qi pushote
    Dhe aj, n’sá e kandshmja erë
    Kangët i a trette pá dá,
    Por tash, s’u shifte mâ.

    Tue dalë me dele shifej
    Nji plakë prej vjetësh perkulë,
    Por fyelli mâ nuk ndîhej.
    Blegtoresha, tu u ulë
    Bregut, shpesh desh me pvetë
    Çka fyellin e kish gjetë…


    Çerdhja e prishun ^4

    Q’kahmot nen strehë nii çerdhe,
    Me shum kujdes ndertue
    Pritte nji ,,mirë se erdhe“
    Dallndyshës me i a drejtue,
    Porsá t’kthehet prêndvera
    Permbî fushat e blera.
    Sá t’kthiellë ruejti kujtimin
    E ditve qi kaluene
    Kúr t’vogjlit zogj gezimin
    Mrênda sajë e provuene,
    N’sá nana fluturim
    I siellte pak ushqim.
    Atje prej vêndesh t’xéta
    Dallnysha shpesh ândrrote,
    N’sá i shkûndte t’létat fleta
    Ndoshta dhe u permallote,
    Dishrote qi perhera
    T’rrite mbî tokë prêndvera.
    S’kish gzim nder vênde tjera
    Veç t’ftoftit e ngushtote
    M’e lânë, sá t’hikte vera,
    Çerdhen qi fort e dote,
    Kohë t’gjata me kalue
    N’vênde qi s’kish dishrue.
    Po pse, dallnyshë e ngrata!,
    Pse s’gzon nder vênde tjera?
    Dhe atje me krânde t’thata,
    Si i gjete ktû perhera,
    Çerdhen do t’késh ndertue.
    Çka prá atje t’bân me psue?
    Dishron vêndin e dashtun,
    T’pelqen veç çerdhja e vjeter,
    Rreth s’cilles, tue mos drashtun,
    U knaqshe, s’dojshe tjeter
    Banim mâ t’mirë e t’qetë
    Se atê qi e lae të shkretë.
    Shpejt prá se erdh prêndvera,
    Gatou per fluturim;
    Hidhu kah t’shtŷeje éra,
    Largoje ç’do mjerim;
    Pershndeti vêndet tjera
    E kthe nder fusha t’blera.
    Sâ ké me u gzue kúr, s’largu,
    Çerdhen ké me hetue,
    Me u shkputun ké prej vargu,
    Shoqet ké me i kalue;
    Porsé çka pate ândrrue
    Sot shum ká me t’trishtue.
    Ké me kerkue, por kot,
    Nuk ké me gjetun mâ
    Çka pate ndreqë kahmot;
    Si ké tash me i a bâ?
    Kush t’a rrenoi banimin,
    Kush po t’a siell mjerimin?
    T’u kput pra shpresa e jote,
    Tash siellu rreth plot vajë,
    Dikuer zêmra t’u gzote,
    Por tash s’ké mâ uzdajë.
    Nuk kan me t’pá mâ fmija
    Qi tash janë mshehë nder shpija.
    Ndoshta tash janë pêndue
    Pse kot t’a prishen çerdhen.
    Shoqet qi ké kalue
    Qe, shpejt mbas tejet, erdhen,
    Gjeten t’vetat banime,
    Veç ti… Provon idhnime…


    Geraldina âsht e jona 5

    Letas fletët tue i shkundun Prilli
    T’ditve t’bukra qi pat êndë,
    Permbî lule t’hieshme dielli
    Dishka thotë… doshka permêndë…
    “Gzonju t’lume! se po u prînë
    Sot Mbretnesha Geraldinë”

    Lulja e bardhë! si njajo bora
    Qi mlon malet e Shqypnís,
    Kû sot zânat dora dora
    Valle kndojnë qi n’veshë t’njerzís
    Hova hova i bjen jehona:
    “Geraldina âsht e jona”.

    “Geraldinë mirë se na erdhe,
    -Zogjt e shqypes t’thonë n’haré-
    Tash pjestare e s’onës çerdhe
    Je o Mbretnesha e jonë e ré”
    “Mirë se T’prûni e bardhë prêndvera”
    -N’gzim brohrisnin fushët e blera.-

    Larg shkon jehu, vallja tretë
    Permbî male e pertej detit,
    Vala valen ka’ e pershndetë
    Larg diftojnë per nuse të Mbretít,
    Nalt mbî ré t’shkojnë vallet t’ona:
    “Geraldina âsht e jona”

    Geraldinë! t’ argjantat gurra
    N’gzim T’pershndesin tu’ u shperdà,
    N’sá poshtë ulen neper curra
    Valle e fej qi n’mal pà prâ
    Sot po ushtojnë e blegtoresha
    N’gzim t’pershndetë o e bardhë Mbretnesha.

    Permbî lule kúr bylbyli
    Me shum mâllë kangen pertrînë,
    Shpesh do fjalë vetem zymyli
    Zogut t’vogël po i a ndînë
    Kur mênë zhurma n’kopshtë te e vona:
    “Geraldina âsht e jona”

    Erdh dallnysha si perhera,
    Erdh ner né, por dishka tjeter
    Çka s’kish ndî n’tjerat prêndvera
    Tash po e ndînë, e n’çerdhe t’vjeter
    Mâ me gzim n’fluturim drejtohet,
    Kanga e sajë nalt ambel çohet.

    Sà me gzim vashat shqyptare
    Kúr n’lulishtë lule kerkojnë,
    Lule t’bukra t’tokës amtare
    Qi po çilin, po lulzojnë,
    Thonë: perherë tash me kndue dona:
    “Geraldina âsht e jona”


    Përkthime

    Egoizëm e dashteni – Giacomo Zanella 6

    Kur dimni acar pyllin e zdeshë gjethsh të bléra
    Larin krenár e mnij për veshë t’paprekun
    Kah gzon, pse s’mujt ndo’i herë as bora as éra
    Stolín m’ja hjekun.

    Lulzim për kodër t’shkretë e krejt të zdeshun,
    Por as mâ të voglit shpênd me fryte t’veta
    Nuk mujt me i dhânë ushqim kur n’tê tue ndeshun
    Pushoj me fleta.

    Vetëm për tý, o hardhí, gjêj falnderime
    Qi n’sá bjen bora e ara e bîmë krejt mblon,
    Kah shef për rreth natyrën e mbarë të pîme
    Për tjerë ankon.

    Kur éra frŷn e lott t’i shkûndë për dhét
    Ti me krye ulët qindron. N’sá plaku gzueshëm
    Brî votrës kû i shndritë flaka ftyr’n e zbét
    Shikjon mêndueshëm.

    Nji gotë t’mbushun me’ i lâng të kuq si gjaku
    Tue u dridhë e avitë e tu buzët e çon,
    Ndërsá kullosa e korra t’arta plaku
    Me gzim ândrron.


    Nanës s’ême – Pashko Vasa 7

    Ktu, n’sá ka pak e ka pak qielli errsohet
    Per mbas malesh kah shkon dielli tue rá,
    E hana prej ánës s’lindjes naltesohet,
    Ktû n’sá n’heshtim e vetmitár, pá prâ
    N’luftim t’eger dashtninash, nper udhë t’qetë
    Endem porsi njerí qi s’shpreson mâ,
    Nji e permallshme harmoní létë, letë,
    Shqiset amel m’i lmon e m’duket mue
    Se po ndîj zânin e nânës s’ême t’shkretë
    Qi njinji vjerrsha e lot m’bân me dikue.

    Po, n’frushullime t’ambëla
    Të flladit t’natës un ndîj
    O nânë, njat gjâmë t’mallnjyeshme
    Qi ti ma lshon n’ajrì;
    Ajo nji jeh mizuer
    Lshon t’birit tand n’krahnuer
    Qi idhnimin tand t’pamatun
    Me mênd e paraqet.

    Sá herë n’rrezen e dridhëshme
    Te diellit tuj prêndue
    O Nanë! sŷnin e thekshëm
    E nguli aj tuj vajtue!
    Sá herë ksajë rreze yt bír
    T’flaktin per ty dishír
    Mbesue i a ká prej t’msheftave
    Shêjtnore t’zêmres s’vet!

    Ah kjáj, po kjàj o qyqëja
    Nanë, e shfre dhimen n’vajë,
    Dashtnìn e’i nânës m’u shuemun
    As kohë as vênd s’mûnd t’bâjë!
    Kjàn edhe yt bír pre’ idhnimit
    N’vetmín e vrashtë t’mergimit
    Dikùr prap m’u bashkuemun
    Por tuj shpresue gjithnji.

    E din se q’se n’dritë t’qiellit
    I çili sýt e mjerë
    N’ zêmer nji shpresë e àmelë
    T’buzqeshi po q’at-herë…
    N’gazmênd e n’lumtuní
    T’and bír m’e shterngue n’gjí…
    N’shpírt me mâ t’parat andërra
    Njikshtû shpresojshe ti.

    Qe ç’shpresë! Por tash flîjuemun
    Per nji dashtnì madhshtore
    Qi t’gjitha i kalon megjet
    E çfardo flakës toksore,
    Lojë e nji t’ziut tirâ
    Pré e nji t’ashprit mullâ,
    Jyt bir, nânë e mjerueme,
    Prej tejet larg lngon sot.

    E mâ do t’lngojë, n’kjoftë shekulli
    Prej gjumit t’zì se s’lkundet,
    N’kjoftë se njerzimi i lirëshem
    Me kênë ktu n’tokë nuk mundet,
    N’kjoftë se i Shqypnís ngashrimi
    S’do t’gjêjë kurrfarë ngushllimi
    E n’kjoftë se i lumnís gjeni
    Do t’jét i thirrun kot.

    T’agojë, t’agojë e kthiellëta
    Ditë dhimen qi t’pasojë,
    Qi dishiret e zêmëres
    T’i mbushë e t’i vlerësojë;
    Tuj e bekue tand bír
    N’kohë te rrezikut t’vshtír
    I shton forcë per me kthyemun
    Prej lamës me plot ngadhnjim.

    Shpreso, o e mjerë. Prej t’mektave
    Fshâmë t’ua nji herë prâjë;
    Nji forcë âsht qi t’gjith njerzit
    Baras per dekë mûnd t’bâjë!
    Atëherë na t’gjith bashkue,
    Dishiret n’né plotsue,
    N’gzim t’njaj dashtnìs do t’knaqemi
    Qi kurr nuk ká mbarim.


    1 Flamurit. – Illyria, 1935, nr. 32, 28 nëntor, f. 4.
    2 Bri i lisi të rrxuem… – Illyria, 1936, nr.38, 11 janar, f.2.
    3 Së ndihet ma fyelli… – Cirka, 1937, nr.17, 28 shkurt, f.45.
    4 Çerdhja e prishun. – Cirka, 1937, nr.20-21, 9 maj, f.83.
    5 Geraldina asht e jona. – Cirka, 1938, nr.44, 27 prill, f.114.
    6Egoizëm e dashtëni. Përkth.: L. Secreta / – Illyria, 1935, nr. 30, 9 dhjetor, f. 6.
    7 Nanës s’eme. – Pashko Vasa /Përkth. : L. Secreta – Cirka, 1938, nr.43, 10 prill, f.101.

    * Foto kryesore nga Geg Marubi, 1940

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË