E lexoj në një pasditje të gjatë, të një dite as dimër, as pranverë, kur dielli sadopak mundohet tu shpëtonte kurthit të reve të zeza, të cilat çast pas çasti lëshonin turra shiu të dendur, që të lëshonte pak rreze joshëse që ndillnin aromën e dheut gjysmë të lagësht. Kur të kujtohen papritur trishtimet e vjetra…
E kisha aty përballë në bibliotekë, skaj librit të fundit të Markezit, të dy më prisnin ti shfletoja menjëherë, por nuk e di përse isha stepur për të gjetur pikërisht një të tillë pasdite, një kohë kur ai këndi yt në dhomën tënde të ndënjes të duket aq ndjellës, ndërsa jashtë të neverit pejsazhi i papërcaktuar stinor dhe era e cila shkund polenin si pluhur trotuarëve…
Ballina e librit, me pamjen gri të antenave satelitore, të shumta në numër dhe gjithnjë duke u shtuar, përkundrejt zvogëlimit të numrit të bashkëqytetarëve të mi në qytetin tim të bukur, një mendim i tillë ngërthyer së bashku nga një moment shikimi në ballkonin tim të banesës, që sheh deri në prespektivë shetitoren kryesore të qytetit, më shtyu të marr menjëherë në duar librin e Liridon Mulajt “ Provinca” e të shtyj për një kohë të dytë librin e dëshiruar prej sa kohësh të Markezit.
E lexoj me një frymë librin e Mulajt, duke kujtuar në çdo faqe sikur e kam lexuar disa herë, sikur po e rilexoja për të disatën herë këtë libër. Besoj se çdo lexues ndërsa kalon faqe prej faqje gjen patjetër diku veten e tij, ose së paku fragmente të rëndësishme nga periudha të ndryshme kohore, bëhet shpesh njësh me kuadrin kohor dhe shpirtëror të ngjarjeve të një jete e cila na kalon gati lakuriq para syve, ngjarje të një province, por që shfaqet si pjesë integrale edhe e mjediseve më të mëdha dhe të populluara të metropolit.
Provinca si nocion, si kufizim në hapësirë dhe kohë, si një mjedis i ngjeshur dhe i frikshëm i klisheve dhe dogmave jetësore, si vend vetvrasjeje dashurish dhe ndjenjash ,që u mirret fryma nga myku dhe kalbësira e mureve të saj të trasha dhe të trishta, por shpesh edhe si një lëndinë iluzionesh të bukura dhe të virgjëra, të cilat më pas në zhvillimin e tyre bien të rrënuara si qelqe të thyera trishtueshëm në ciklin e saj të çuditshëm…
Ky është ndoshta pohimi kryesor, i cili përmes episodesh të zakonshme njerëzore në dukje, por aq komplekse dhe një kaleidoskop i mrekullueshëm personazhesh, ndjesish dhe ngjyrash të një epoke, e cila rezonon mezidukshëm, por gjithësesi ndihet, në tërësinë e vorbullës së ngjarjeve, ku autori është sa personazhi kryesor, poaq sa një kalimtar i ftohtë që vëzhgon nga larg kronikën e një epoke të pakallur, e cila nuk duhet harruar…
Mite dhe mure pa dyer…
Ka një stil të çuditshëm të shkruari autori, i cili jo rastësisht tani ka thyer pavëmendjen ndonjëherë trishtuese të opinionit të lexuesve të marrëmëndur prej librave limonadë.
Ngjarja dhe fryma e mesazhit që ngjit natyrshëm në përshkrimet e verteta, mbështetur nga kujtimet e ngulitura në kujtesën e tij tronditëse, përcjellja e mrekullueshme e trishtimeve të vjetra të përtej provincës deri në ditët dhe përjetimet tona të sotme, ndjenja se po jetohet dhe shkruhet njëkohësisht ngjarja dhe protestohet me frymën e shpirtit të pastër dhe fisnik të personazhit.
Këto dhe gjuha fine e romanit, pasuruar vazhdimisht me tone të bukura të figuracionit të veçantë e bëjnë librin një traktat dashurie, një kornizë e dëshiruar portretesh të shtrenjta të fëminisë dhe jo vetëm, një kronologji pa skaje e ngjarjeve më përcaktuese të jetës së gjithësecilit prej nesh.
Një dritare që hapet kur duhet për të parë natyrshëm evolimin tonë fizik dhe shpirtëror në raport me evolimin gradual të sistemit social dhe të qëndrimit ndaj fazave të ndryshme të zhvillimit të shoqërisë së sotme, e cila njëfarsoj dikton sjelljet dhe personalitetin tonë.
Theqafjet e autorit në përpjekjen e ti për të ndjekur dhe për tu dhënë emër ëndrrave, ku Provinca si më e madhja ëndërr, shndrruar në një siluetë delikate malli dhe nostalgjie, fije shprese e ndryshimit për të ardhmen mbetet kryefjala, rrjedh në shtratin e shtruar ëmbël me figurën lidhëse të ngjarjeve nanën, por edhe me portretet e dashura familjare dhe figurat fluide të dashnisë së hershme dhe të mëvonshme.
Ka sinqeritet rrëfimi prej një mjeshtri të fjalës, strukture solide në renditjen epokale të ngjarjeve, fantazi marrëmëndëse në qartësinë e marrëdhënieve shpirtërore, krejt libri ngjan si një letër mallëngjimi shkruar thjesht për vetveten, e cila më pas në kohë ka fituar dhe është ngarkuar me plot mesazhe jetësore dhe të shpërthyera prej enës së shpirtit përballen me lexuesin e me furinë e ndjenjave të rralla për nga malli dhe lëngu jetësor që stërpikin në faqet e romanit dhe tingëllojnë në vetëdijen e lexuesit me akorde aq të bukura.
Kthimet tona…
Kalamendemi shpesh në kujtimet tona, sidomos kur kemi humbje shpirtërore, kur kemi mungesa, kur kemi mall të çmendur për të dashurit tanë të shtrenjtë. Kaplohet aty këtu fëminia, dramat tona me prindër, të afërm dhe mentorët e dukurive të reja në kohë. Pavarësisht se ku jetojmë, në çfardo hapësire apo areali. Gjejmë provincën tonë të përkohshme të terrenit fizik apo shpirtëror, përpiqemi të zbulojmë ndikimin e saj në rritjen dhe afirmimin tonë, sikurse përcaktimin e fortë apo të dobët në fatin jetësor.
Gjithësesi janë kthimet tona të natyrshme në rrëjët tona, filli që lidh të kaluarën me të sotmen, përpjekjet për ta kuptuar më mirë vetveten dhe qasjen ndaj trendit të botës në rrugnajën e saj të rrëmujshme. Një çast vlerësimi, por edhe një komunikim më i shlirë me të tjerët pranë, për të ndërtuar vazhdimin tonë, me dashuritë dhe fëmijët…
Liridon Mulaj më kujton se rrëfimi dhe komunikimi me veten dhe të tjerët përmes kujtimeve dhe provincave tona , sinqerisht dhe pa frikën e pargjykimeve na bën të ndihemi ndryshe, na bën të ndihemi më mirë. Siç u ndjeva dhe unë kur e mbarova me një frymë romanin interesant “Provinca”…