More
    KreuLetërsiBibliotekë"Lufta e mendimeve", nga Edi Gogu

    “Lufta e mendimeve”, nga Edi Gogu

    Çmimet Kombëtare të Letërsisë 2022: Libri për fëmijë më i mirë i vitit, “Tezja dhe shkopinjtë magjike”, Shtëpia botuese Albas

    Ishte ditë e diel. Arbrit nuk po i dilte dot gjumi. Zilja kishte rënë dy herë, por ai po përtonte që të ngrihej nga shtrati.

    Një zë i ëmbël i pëshpëriti në vesh:

    – Mos u ço nga shtrati. Ora është vetëm dhjetë. Pse duhet të punosh edhe ditën e pushimit?

    – Lëre djalin, lajkatare! – foli një zë tjetër po aq i ëmbël, por i prerë. – Ai duhet të çohet, se dita e re është plot me gjëra të bukura e të reja.

    – Hesht ti! – iu hakërrye Mbretëresha e Mashtrimeve dhe fytyra e saj e bukur u nxi dhe sytë iu bënë të liq.

    – Jo! Nuk mund të hesht përpara mashtrimeve të tua, – iu përgjigj Mbretëresha e Virtyteve.

    – Ose hesht tani në çast, ose do të vij të ta mbyll unë gojën! – e kërcënoi sërish Mbretëresha e Mashtrimeve.

    – Ti po ia helmon mendjen fëmijës, por unë nuk do të të lejoj.

    – Ti? Hahahah! Ti të më ndalosh mua?!

    – Po, unë! Jam gati të përballem me ty, – i foli qetë Mbretëresha e Virtyteve.

    Atëherë Mbretëresha e Mashtrimeve u hidhërua edhe më shumë. Sytë iu nxinë nga inati, flokët e gjatë iu shndërruan në gjemba dhe thonjtë e duarve iu kthyen në thika me tehe të mprehta.

    – Nëse do luftë, luftë do të kesh, ngordhalaqe! – tha ajo dhe qeshi me të madhe. Një zë i frikshëm mbushi ajrin.

    – Hahahahah! – E qeshura e saj ishte shumë e frikshme dhe menjëherë nuk dihet se nga dolën ca krijesa të frikshme.

    Ato u rreshtuan përpara Mbretëreshës së Mashtrimeve dhe vazhdonin të bënin një zhurmë të llahtarshme.

    – Ushtarët e mi! – u dëgjua zëri i saj.

    – Komandant Dembelizmi, Gjeneral Zilia dhe Komandant Urrejtja të vijnë menjëherë pranë meje!

    – Ndërkohë, Kryegjeneral Krenaria me të birin, Kolonel Mendjemadhësinë, të bëjnë gati forcat për sulm!

    – Bjeruni virtyteve! Bjeruni e goditini pa mëshirë! – thirri ajo me zë të lartë. – Në sulm! – dhe dora e saj e mbledhur grusht u drejtua mbi ushtrinë e virtyteve.

    Në krahun tjetër, ushtria e Virtyteve ishte bërë gati për luftë në heshtje. Skuadrat e Qëndrueshmërisë, Ndershmërisë dhe Sypatremburit qëndronin gati me harqet e shigjetave në duar. Skuadrat e Bindjes dhe Punës së Palodhur qenë rreshtuar pas skuadrës së Të Vërtetës. Ato po marshonin ngadalë me hapa të vegjël, duke mbajtur në duar shtizat e Dritës, të cilat i patën mprehur me shumë kujdes.

    Arbri nuk po u besonte dot syve nga ato që po shihte. Në fushëbetejë qenë rreshtuar përballë njëra-tjetrës dy ushtri, në krye të së cilave qëndronin dy Mbretëresha. Mbretëresha e Virtyteve qëndronte e qetë në komandë të ushtrisë së saj të rregullt. Në krahun tjetër, Mbretëresha e Mashtrimeve dhe ushtria e saj e zhurmshme kërcënonin me zë të lartë.

    – Do t’ju thyejmë si arrat! Jeni të mbaruar!

    Dhe përleshja filloi. Shtiza e shigjeta fluturuan në ajër. Daullet binin pa pushim. Topuzët e Vrasjes binin mbi ushtarët sypatrembur, të cilët luftonin me të gjitha fuqitë e tyre.

    – Për mendjet e ndriçuara të fëmijëve! Përparaaa!!! – tha

    Mbretëresha e Virtyteve dhe bëri shenjë me dorë. Menjëherë pas kësaj shenje, në ajër u lëshuan me mijëra dritëza. Dritëzat verbuan sytë e mësuar me errësirë e ligësi të ushtarëve të ushtrisë së Mashtrimeve.

    Britma! Dhimbje e britma dëgjoheshin ngado. Lufta ishte e gjatë dhe e ashpër.

    Arbri që i ndiqte me sy në heshtje, e kishte zgjedhur tashmë se cila ushtri dëshironte të fitonte.

    – Urrraa! Urraaa! – u dëgjua një thirrje e fortë.

    Flamuri i Mbretërisë së Virtyteve u valëvit krenar. Ushtria e mashtrimeve ishte shtrirë përtokë e mundur. Ushtria e Virtyteve gëzonte për fitoren e arritur. Robërit e kapur nga ushtria e Mashtrimeve i mbyllën në qelitë e “Harresës” dhe i lanë atje përgjithmonë. Mbretëresha e Virtyteve i tha Arbrit:

    – E mundëm ushtrinë armike. Askush nuk do t’ju shqetësojë më. Askush nuk mund t’i prekë mendimet tuaja. Askush!

    Ajo buzëqeshi ëmbël dhe Arbrit i doli gjumi.

    “Po ku vajti Mbretëresha?” – mendoi me vete. – “Po ushtria e saj, ku u zhduk?”

    Arbri nuk di ta shpjegojë gjithçka që ka ndodhur, por u ngrit nga shtrati me nxitim dhe u nis drejt kuzhinës.

    “Mami ka nevojë për ndihmë”, – tha ai me zë të ulët.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË