More
    KreuOpinionLuan Rama: Ilirian Zhupa, ky magelan i shpirtit njerëzor

    Luan Rama: Ilirian Zhupa, ky magelan i shpirtit njerëzor

    Si në të gjithë krijimtarinë e vet poetike, edhe me poemën “Qielli im” të botuar sëfundmi, Ilirian Zhupa na sjell tre dëshmi fondamentale, e po aq ekzistenciale për poezinë shqipe.

    E para është vazhdimësia kualitative e një standardi poetik të prekur më parë prej De Radës, Migjenit, Dritëroit, Kadaresë dhe Fatos Arapit, dhe e sjellë më tëhu nga Xhavahir Spahiu, Ndoc Gjetja e Bardhyl Londo.

    Ilirian Zhupa jo vetëm i del për zot asaj si një misionar i vëmendshëm e po aq largpamës, por edhe e ripërmason atë me shumë sqimë, me elegancë e përkujdesje prej mjeshtri, duke e vendosur çdo fjalë në mozaikun e krijimtarisë së vet, me dashuri e me respekt të veçantë, duke qëmtuar e na ofruar me shumë klas e po aq, me thjeshtësi, natyrshëm e me spontaneitet për t’u patur zili, një gjuhë poetike e figuracion modern, që do t’i bënte nder çdo letërsie.

    E dyta është perspektiva.

    Ilirian Zhupa na jep mundësinë që përmes krijimtarisë së tij, të shohim horizontin ku mund të mbërrijë poezia shqipe me një punëtor të palodhur të fjalës si ai, i denjë e i vetëdijshëm për barrën që ka marrë përsipër, sepse ka ditur të hyjë në ashtin e saj e të na mundësojë ta ndjejmë qiellin e tij edhe tonin, e duke ecur bashkë me të, t’ja prekim shpirtin e të shpirtëzohemi në të.

    Dhe e treta, është përmasa universale.

    Poezia e Ilirian Zhupës, duke qënë jo vetëm mishërimi më i mirë i kohezionit poetik kombëtar në gradën më të lartë të cilësisë së vet, bëhet njëherësh edhe pika lidhëse e saj me universin poetik. Aty, ajo, pra poezia shqipe, rri natyrshën gjithë dinjitet e hijeshi, në sintoni të plotë me frekuencën e një universi ku jo çdo poezi mund të jetë pjesë, edhe sepse Ilirian Zhupa, me talentin e vet aq përveçues dhe imponues, ka ditur të bëhet bardi i një poezie, e cila jo vetëm na ka munguar prej kohësh, por edhe na bën të ndjehemi krenarë e të besojmë në ardhmërinë e saj. Me një poet si ai, ajo është në dorë të sigurtë!

    Poezia e I. Zhupës lindi si poezi metafizike, brendashpirtërore, dhe mbetet e tillë deri më sot. Ai është poeti që udhëton brenda vetes, për të zbuluar botën e madhe si një Magelan i shpirtit njerëzor.

    Poeti e ka përsosur qenien poetike brenda vetes. Parimi i tij krijues është ai i skulptorit: hiq të tepërtën.

    Por, në poezinë e Ilirian Zhupës shfaqet me shumë ngjyra edhe një frymë metropolitane, në stilin e poezisë moderne frënge të gjysmës së dytë të shekullit XX, gjithaq dhe në stilin e poetëve të mëdhenj të gjuhës greke: Ritsos, Kavafis, Elitis, Seferis. Ndaj mund të them pa mëdyshje, Ilirian Zhupa nuk është më një zë poetik. Ai është kontribues me një rol të veçantë, të spikatur dhe ndikues në historinë e poezisë shqiptare. Madje ai është sot kontribues i radhës së parë, me misionin për ta përsosur e pasuruar atë më tej.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË