Kreu Letërsi Bibliotekë "Letër Milan Kunderës", nga Agim Baçi

“Letër Milan Kunderës”, nga Agim Baçi

Kam vite që e mendoj këtë letër drejt jush, por sot po guxoj t’jua nis. Janë të shumta përgjigjet që do të doja të kisha nga ju. Ja, p.sh., Ludovigu më duket sikur ka jetuar në fqinjësi me mua, i detyruar të jetë viktimë e shakasë së tij. Por, a mund të jetë humori pjesë e protestës, e disidencës? Unë kam përjetuar në rininë time raste kur mjaftonte një fjalë goje – ashtu si shakaja e Ludovigut – që të përfundoje pas dyerve të qelive. Më vonë, kur sistemi u rrëzua, e kuptova se shakaja kish qenë më e ndëshkuara e sistemit, sepse përmes një humori rrëzohej gjithçka që ishte veçse një dordolec i mendimit, veprimit dhe komunikimeve, në një sistem ku, ashtu siç keni përshkruar ju, askush nuk ishte më vetvetja, por të gjithë ishin ushtarë të Partisë.

Jam mbështjellë me pëlhurën e nostalgjisë që ju e thurni aq bukur, duke na e varur mbi Itakë, duke na zgjuar Odisenë brenda gjithsecilit. E ndiej gjithësinë tek librat tuaj teksa përshkruani në intervistat tuaja se “njeriu dhe bota janë si të lidhura si kërmilli me guaskën e vet”. E më pas, më vjen vetiu pyetja: Po cili është për ju identiteti i njeriut? Kur duhet të trembemi se po rrëshqasim e se rrezikojmë të humbim konturet e fytyrës sonë? A janë pyetjet e Shantalit një guidë për të na çuar drejt pasqyrës së pyetjeve tona? Apo ne duhet të shikojmë se si rëndohet “lehtësia” me të cilën ju ndërtoni përpara nesh papërballueshmërinë e plotë të qenies sonë?

Ju shpreheni se notoni në histori, si një kirurg, që kërkon të shkojë në palcën e asaj që e mban njeriun të lidhur me çdo të shkuar. A mendoni se janë të ndjeshme këto fije me të shkuarën dhe që shpesh lidhen brenda shtyllës së dëshirës sonë për të ecur përpara, pa ditur se fija është diku thellë, në atë të shkuarën që nga çasti në çast pritet të hapë një derë e të na ftojë? A mos është kjo edhe magjia e pavdekësisë, që bën njëkohësisht të mundshmen dhe të pamundshmen të bashkudhëtojnë?

Me librat tuaj kam përjetuar, kam udhëtuar, kam kujtuar. Por ajo që më mban ende është kurmi i pafund i pyetjeve që qëndron përballë meje, si një det që sapo nis të futem, më befason me dallgët e pafundme. Më duket sikur kërkon që busullën e lëvizjeve ta kem unë e jo ta marr nga ju. A do të mundem dhe a është ky rrugëtimi më i mirë në gjithë atë det ndjesish, që ju keni sjellë përmes fjalëve?

I juaji, Agimi

Ilustrim nga Bujar Kapexhiu

I dashur Agim,

Le të mos flasim për rrëfimet e mia! Nuk besoj se e kam thënë ende fjalën e fundit, edhe pse ato që ke lexuar mund të jenë të mjaftueshme për të folur për gjithçka që ti më pyet. Ndoshta fjala ime është e veçantë, sepse e kam shkruar unë, por në thelb unë mbetem vetëm një zë më shumë në lexime.

Unë prej kohësh kam ndalur në atë shumësi kuptimesh, duke kuptuar disa të tashme brenda një të shkuare. E di, mund të ndodhte e kundërta, por ja që leximet e ndryshme janë si hamendësimet dhe hamendësimet ekzistojnë brenda një të tashmeje. Por, edhe për shkak se e tashmja është gati e pakapshme – shpesh si vetë jeta – njerëzit merren më shumë me versionet e së shkuarës.

I dashur mik!

Në këtë botë të mbushur plot të papritura dhe befasi, që herë janë të këndshme e herë të vënë në dilema të vështira për t’u pranuar apo shpjeguar, njeriu ka nevojë të gjejë kohën e vet. Unë do të të kërkoja të gjesh brenda teje kohën tënde, të bësh atë që të kërkohet. Nuk është kohë me datë, por njëkohësisht nuk mund të shpërfillësh atë që ndodh rreth teje. Është një kohë që të vjen nga e shkuara dhe e ardhmja, duke bërë të tashmen tënde – një të tashme që shpesh njerëzit e humbin, sepse nuk dinë ta lexojnë në kohën e duhur. Të lutem lexoje, por lexoje duke parë brenda teje, sepse vetëm ajo është kohë reale.

Mundohu të meditosh sadopak, miku im, mbi atë që të bën ty të ndiesh emocion dhe pasion në jetën tënde. Ti mendon se kur tringëllojmë “shpirt”, “trallisje”, “dobësi”, “parajsë”, “ferr”, “inat”, apo edhe shumë si këto, kemi thënë thjesht disa fjalë? Jo Agim, nuk ka asgjë të rëndësishme që të ekzistojë pa pasion. Nuk mund të kemi asnjëherë syze interesante për asgjë nëse nuk arrijmë dot të ndiejmë atë pëlhurë të pasionit, të ndiejmë lëkurën të ndryshojë dhe të kërkojmë forcë për të kontrolluar ngjyrën e fytyrës që mund të na ndryshojë. E megjithatë, do të mjaftojë për dikë edhe një lëvizje dore. Mundet që të bëhemi shkak edhe thjesht duke kaluar. Sepse njerëzit kanë nevojë t’u japin fytyrë ndjesive të tyre. Dhe nuk është kurrë çudi që mund të jesh ti. Por ti, si do ta lexosh atë që të shfaqet? A je gati të ndalësh për një çast atë që ke menduar e të lexosh situatën e re përpara syve të tu? Ja, kjo është befasia, sepse ti nuk je kurrë i sigurt se për ty do të flasin apo do të të përshkruajnë vetëm ata që ti njeh, vetëm ata të cilëve u ke përshkruar vetveten, që u ke falur minuta dhe emocione. Dhe gjesti – ah gjesti – mbetet ndoshta më enigmatiku që kërkon prej nesh fjalë të pafundme, sepse ai është thellësia e thellësive.

A ke menduar, Agim, se si mund t’i jesh dukur dikujt tjetër? Do të doje të dije se si kanë menduar për ty? Do të doje ta dinin se si ke menduar ti për të tjerë? Mendon se je i zoti t’i shohësh të gjitha? Të dhembin moskuptimet apo mosmbërritja e një shenje që ke dashur t’i japësh dikujt? Ja Agim, për këto njeriu është gjithnjë një udhëtim i pafundmë. Është një gjest, që herë shkon i pafiksuar e herë trondit, edhe pse është thjesht sa një lëvizje gjetheje pas një puhize.

Duhet të mendojmë për pasionin, për lirinë dhe revoltën tonë, Agim. Kur e kanë çastin? Ah, sa me fat janë ata që qëllojnë në çastin e duhur të shfaqin atë që do të ishte më e duhura! Por ja që, edhe në e bëfshim ne, nuk jemi të sigurt se mund të jetë çasti për të tjerët. E sado të qetë të jemi për çka bëmë, ne e dimë se ai/ajo do të jenë shqetësimi ynë.

Yti, Milani

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Letra e parë e Kurt Vonnegut-it për familjen pas daljes nga burgu

29 maj, 1945 Të dashurit e mi, Më treguan se ndoshta s’ju kanë informuar kurrë se...

Mira Meksi: Gurëthemelet historike të një romani

Përherë kam dëshiruar të shkruaj një roman për Teutën e Ilirisë. Fillesat kanë qenë prej një pasioni të hershëm të fëmijërisë për...

“Kisha e Shën Sofisë”, tregim nga Ismail Kadare

I Vezirët po zgjoheshin njëri pas tjetrit. Meqenëse asnjë­herë nuk ishin gdhirë aq pranë (shatorrja e ministrit të Luftës...

Njëzet e një mjeshtra për procesin krijues

1. Cilat janë kërkesat e zejtarisë së romanit? Bernard Clavel “Të jesh romancier, nuk do...

KATEGORITË