Një grua e bukur kaloi…
Një grua e bukur kaloi në rrugë
E ti kokën andej ktheve.
Një degë e lulëzuar u thye brenda meje,
si nga peshë e borës
në këtë ditë plot diell.
Vrikas i turbulluar më pe në sy
me pafajsinë e një fëmije,
ç›të bëja unë me lulet që binin
Nga dega e thyer brenda meje?!
Në ditën e lindjes
Çdo fundmars
diçka vdes brenda meje,
shuhet heshtas, pa zë…
Nësa stina vjen me gjuhen e lulimit,
e me puthje petalesh më mbështjell.
Lejlekë të bardhë fluturojnë,
shndërrohen në re
e zhduken diku tej…
Pranë lumit të ditëve të mija,
mendueshëm numëroj,
Shtatëdhjetë rrathë
të një druri të sapoprerë.
Nëna
Më flisje për lumin, mullirin,
për xhaminë, manastirin lart,
(ku shenjti gjithë natën
ecte me këpucë të drunjta),
për borën me pllanga të mëdha,
që askund më s’i kishe parë,
për malet e kaltër
e qiellin e murrmë
që si ari dimrave të ashpër
Shtrihej mbi to…
Ja lumi, manastiri lart, në të djathtë.
Malet thinjur, ariu në gjumë letargjik .
Mulliri buzë lumit, xhamia më nuk janë …
Ajri rreth dridhet
e unë rrëzohem, në kujtimet e tua bie…
Një fjollë mjegulle zbret nga lart
e lehtas rrëshqet mbi lumë
plot magji!
-Nënëëë, mos je ti?!
Në fund të rrugës
Edhe pak rrugë më ka mbetur…
Eci nën hijen hollake të një qiparisi,
që si heshtë ngulet në gjoks të qiellit
(Hija ime bëhet njësh me të, humbet).
Në sa ndjej bulimin e krizantemave,
që harlisen në fund të rrugës, tej…
Një grua…
Është një grua
që më hyn në ëndrra s’di se si…
Nuk arrij t’i shoh fytyrën
veç siluetën që dridhshëm
si gjethe në erë përkëdhelet
e zhduket diku në errësirë…
Si breshër i pranverës
gjithë kopshtin në lulëzim
brenda meje në çast shkatërron,
rrëzon lulet e bardha të kumbullës,
mbi gëmushat kapriçoze
mbi barin që ndër qerpikë,
si margaritarë i mbesin lot…
Në ag e tronditur
të shoh në sy…
Ajo grua që më hyn në ëndrra
që më shkatërron kopshtin,
më rrëzon lulet e kumbullës
Mos vjen tek ti?!
Nga ç’pyje do të vish…?
Nga ç’pyje do të vish, ti, dru i bukur
që do më shoqërosh në ditën e mrame?
Nën lëkurë, në deje do kesh
këngën e gjithëstinshme të zogjve
fërshfërimën, vajin e gjetheve…
E pastaj, bashkë do ndjejmë
hapa njerëzish
që largohen nëpër mjergull…
E zura për dore shpresën
E zura për dore shpresën
e me zë lutës i fola:
“Dil nga kutia, mos rri në fund
Pandora e hapi, dolën
gjithë të këqijat brenda ç’ishin,
u përhapën nëpër botë…”
Zëshuar më tha
“Le të besojnë
se gjithë të këqijat dolën
E gjithë zbavitje të hapin kutinë
Duke shpresuar se është bosh…”
U zhveshën pemët
U zhveshën pemët,
turpërohen, dridhen,
s’dine ku të fshihen
prej erës gjithë frushullimë…
Ngjethur me bulëzim sythesh
që presin shpërthimin,
me duart drejt qiellit luten:
“O Zot na vish, na vish!”
Si heshta?!
Pashë një grua të bukur në rrugë,
me fustan të kuq.
Si tulipan valëzonte në ajrin e nxehtë.
E qëlloi në fytyrë burri që kish në krah,
si fshikullimë në dimrin e sertë.
Lotët që faqesh rrëshqisnin
i binin në gjoks si gjerdan…
Heshta, ula sytë,
në shpirt më theri thellë.
Ndërsa thekshëm në trotuar
angulliu një qen…
Si heshta, si heshta
si heshta ashtu atë ditë?!
Në bulevardin “Bajram Curri”
në një ditë plot diell?!
Një merimangë end…
Një merimangë end pëlhurë në fytyrën time,
ngadalë, me kujdes, gjithë argjend.
Nën zë dhimbshëm
qan pranvera ime
që s’mund të kthehet më…
Peizazh
Arinj polarë rëndë-rëndë
pushtuan qiejt,
e lart akullnajë, veç akullnajë
Rrënqethur nga dhimbja,
hapësirat,
Mbi fushën e ngrirë,
dënesnin gjithë vaj…
Fundmars, 2023
Në sa lodroja mes ujrash
Marsi më priste…
Me luleborë i mbushi qiejt
E me gjuhën e lulimit
Lehtas pëshpëriti
“Eja të presim bashkë dallëndyshet…”