More
    KreuLetërsiBibliotekë'Ky muzg i heshtur', cikël poetik nga Lulëzim Haziri

    ‘Ky muzg i heshtur’, cikël poetik nga Lulëzim Haziri

    AMANETI I NËNËS

    Mos mi digjni petkat
    Shtini nën dhe!

    E la nëna me gojë
    Dhe iku përtej.

    Deshi që edhe në atë botë
    Ta vazhdojë këtë jetë…


    POEZIA

    Është nxitja dhe vrapi
    Për të mbledhur
    Hije zogjsh në fluturim


    SHQIPËRIA

    me rërë të fundosur në krye të kthjellët
    mora rrugën për ATJE
    ndanë udhëve eshtrat lëshonin dritë
    sipër kufijve frynin fjalë në erë
    me radiovalë ish mbuluar qielli
    ATJE vjen kah unë si me porosi
    të më trazojë rërën në kokë
    fjalë të më fryjë në vesh
    zhgënjimi si do t’u dalë ndeshë
    vërtet një shikim është dashuri
    po dashuria nuk është një shikim
    Qafëthanë, 1991


    HAMBURG ’92. (VIKEND)

    të shtunave pasditeve edhe ditëve të tjera
    i veshur ashtu që të mos dallojë
    në kafenetë e pasazheve plot stola
    lexoj Rilindjen të vjetër dy ditë
    pi kafe ekspres që s’lë gjurmë në filxhan fatin e rrugëve s’mund ta lexoj
    në stolat përreth meje
    lexon bota gazetat e tyre të mëdha
    titujt nga largësia m’i verbojnë sytë përballë më sodit një evropiane blu e veshur sipas modës si më teket setër të gjatë burrash me sedër feministeje me sy e thërras të ulet përballë vetmia ime e pengon u pëlqen eleganca gazetën e hollë si e shfletoj shkruaj më thotë për modë për rokënrol edhe atje nga vij unë këndohet Fëmijët e Kosovës i helmojnë në shkollë ajo s’ka haber
    fatin e rëndë ia tregoj atëherë
    përmbledhur në ato pak fletë
    ajo si me pëshpërimë gjethesh ma kthen
    në shikimin tënd mospërfillës
    në cigaren që në gishta të varet
    në gllënjkat e shkurta të kafesë
    shihet vjetërsia vendi yt
    më bëhet se ke lindur këtu
    qoftë ashtu ashtu qoftë.

    SPIKERJA E BUKUR

    Çfshihet brenda kësaj fytyre të bukur prapa fletëve që me qesëndi i mban në dorë kur ia japin para ditarit ti lexojë
    gjakun e ndien
    fletëve si i rrjedh
    tek ia zhyt llërat e gardërobës kiç
    blerë kush ia ka se di (do ta kthej televizorin bardh e zi) para pasqyrës së gardërobës fsheh me panel grimi rrudhat në sy në cep buze ndjenjës së fajit çdo ti bësh me çgrim do ta mbulosh
    apo me zë
    në orë policore në shtetrrethim
    spikerja e bukur posedon leje
    e çojnë e bien me limuzinë.


    VINTE DHIAREVE ALI PODRIMJA

    Në Gjeografinë e Atdheut
    Që të binte ngushtë
    Lehtë I bëje një vend
    Artë, Kalabri, Rekë e Shkup.

    Kompasi yt
    Mbërthente me një hop
    E me një mërmërimë
    Gjithë yjësinë
    E jo më shtegun në një pyll.

    Sa herë mbylleshin kufijtë
    Vijë dhiareve o Ali Podrimja
    Me çantë krahu Camel
    Brenda
    Pizhama, brushë dhëmbësh dhe librin e ri
    Me përkushtim të shkruar paraprakisht
    Ish nderi që dije ta bëje si ti.

    Me të kthyer bëheshe dhaskall
    Mbushje çantën me librat e atyre që të shanë.


    LETËR REDAKTORIT

    (M. Limanit)

    Si duket redaktor
    Ti vërtete tallesh me vargjet e mia
    Ruaju shkronjave të rebeluara
    Mos të hanë tavolinën e punës
    Në mos mundëshin vargjet me t’ba gja
    Unë jam edhe më I trentë
    Sado që në pamje dukem I butë
    Agmi njeri
    Por jam finok
    Kam shokë të trentë të nëntokës
    Ta presin udhën
    Ta hupin bukën
    Mes kafenesë të bëjnë për gazep
    Andaj unë do të të pres
    Por vetëm edhe një numër të gazetës
    Pastaj do të të këshilloja
    Nga puna të dalësh
    Kah dera e pasme e Rilindjes
    Këtë mund ta marrësh edhe si kërcënim
    Në daç edhe si poezi
    Ky është stili im.


    TERRI

    Ky muzg i heshtur
    Nuk i ngjan atij te djeshmit
    Qe erdhi me heret mbi qepallat e saj.
    Kjo nate hermafrodite
    Nuk i ngjan asaj te djeshmes
    Qe fleti me heret mbi ate balle.
    Terri nuk njeh deshmitar!


    DËSHMITARI

    shumëçka kam parë
    më mirë verbomëni sytë
    gjithçka kam dëgjuar
    vaj të djegur hidhmëni në vesh
    në e tregofsha atë që kam parë
    atë që kam dëgjuar në e shkrofsha
    Vardari nuk më lan

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË