Sugjerimi i miqve të mi shkrimtarë, S. Çapaliku e Durim Taçi, më shtyu të lexoja romanin e sapobotuar “Droja” (Onufri 2026), të shkrimtarit Andreas Dushi. Kur më dhanë librin, më thanë: “Është prozator i mirë, si një qitës që godet në një shenjestër, që të tjerët mund ta arrijnë, por nuk e shohin”. Lexova në fillim 50 faqet e para. Një aromë intoksikuese e një realiteti të trishtë, ku ëndërrat e një adoleshenti, me gjithë të vërtetat e jetës së tij, flirtojnë me metafizikën e asgjësë, ku themelet solide të këndvështrimit të botës, thellësia dhe cektësia e saj, formohen gjatë viteve të fëmijërisë. E lexova romanin, deri në fund, me shumë kujdes. Pashë se ky këndvështrim më vonë përpunohet dhe përsoset, megjithëse në thelb nuk ndryshon. Të gjitha dashuritë, brenda dhe jashtë familjes dhe shoqërisë, janë konsumuar, duke lënë vetëm hirin për fëmijën, heroin lirik të romanit.
Fëmijëri e privuar prej shumë drojesh: drojë nga shpulla e babës, drojë nga kënga, drojë nga turma, droje nga katekizmi, nga pallati parafabrikat 64 metër katrorë, nga lajmërimet e vdekjeve; drojë për të fituar besimin e nanës, drojë nga vetmia, drojë nga e vërteta, nga mosnjohja e vetes, drojë nga seksualiteti, drojë nga vdekja, drojë nga realizmi socialist, drojë nga njësimi me veten, drojë nga hipotezat. Një peizazh psikologjik drojash, plot argumenta e detaje, që ta mbushin mendjen. Dushi merret me detajet e vogla të jetës, me çdo dështim e ves, që duken si një pikë uji, parë përmes një mikroskopi, por që gëlojnë me protozoarë, si organizma të gjallë njëqelizorë mikroskopikë që bëjnë pjesë në mbretërinë e protistëve të qytetit. Ata nxitojnë me padurim dhe përpiqen me njëri-tjetrin. Në intervalin e shkurtër të jetës njerëzore, ky aktivitet i tmerrshëm prodhon një efekt tragji-komik. “Një herë, kur i vdiq i ati një kolegu të babës, katolik edhe ai, pas varrimit, baba erdhi nqë shtëpi dhe tek hanim drekë, tha: Çfarë idioti Qeti…Po bekonte prifti argivolin dhe gabimisht e lagu pak edhe atë. Ia krisi vrapit, e çfarë vrapit bile, për te çezma me e la kamën ku e kishte stërpikë uji i bekum”.
Është e çuditshme që një shkrimtar 26 vjeçar të ketë njohuri dhe ndjeshmëri të tillë për çështje kaq ekzistenciale. Duke përshkruar detaje nga rrugëtimi gjenerativ i adoleshncës së heroit të tij, autori ka radhitur sfera të panumërta, të shndritshme, si një seri variacionesh dhe, përreth çndonjërës prej tyre, një duzinë sferash më të vogla, që ndriçojnë e rrotullohen, të nxehta në qendër dhe të mbuluara me një kore të ftohtë, mbi të cilën një shtresë e subkoshiencës ka prodhuar qënie që jetojnë dhe që janë të ndërgjegjshme – kjo thjesht është e vëteta, bota. Kemi në duar një roman për shndërrimin e madh antropologjik të shoqërise moderne shqiptare ku, si në një intermexo liriko – filozofike, përshkruhet ontogjeneza e një fëmije, që nga fëmijëria e parë, deri në adoleshencë e në vitet studentore, nevojat e tij instiktive, lidhjet mes Erosit dhe Tanatosit, ku liria dhe nevoja përkojnë me njëra – tjetrën.
“Droja” është një romanin ontologjik, postmodern, ku autori është i vetëdijshëm se ndodhet brenda librit, duke parë ngjarjet dhe e duke e mbajtur historinë brenda botës së saj iluzione. Në këtë roman kemi një instabilitet të realitetit, ku kufijtë midis asaj që është e vërtetë dhe asaj që është e imagjinuar fshihen krejtësisht. Bota e thërmuar e riçon subjektin te vetvetja, sepse vetëm në marrëdhënie me të, perspektivat rifitojnë koherencën, për hir të së cilës fjala “qytet” nuk është e zbrazët për nga kuptimi. Subjekti në këtë roman është qënia, as objektive as subjektive. Një qënie që përfshin objektin dhe subjektin. Romani shfaqet në formën e një klipi kulturor, ku tradita nuk ka pushtet, por as kultura nuk ka. Është çasti, përmasa e kohës, në të cilën e tanishmja bëhet për një ekzistues, aktualisht e tanishme. Qënia dhe koha i referohen njëra-tjetrës, rrjedhin nga njëra tjetra, në të njëjtën kohë ato i japin gjallëri, në mënyrë reciproke, njëra-tjetrës. Ato arrijnë të bëjnë pjesë në rrjedhën e vërtetë kohore veçse bashkë, me kuptimin e tyre ekzistencial. Realiteti është mënyra se si duken gjërat. Realiteti është aparencë. “Fillova katekizmin, ndërrova shkollën, rashë në dashuri. Të tëra brenda dymbëdhjetë muajsh, derisa nëna u bashkua prapë me babën. Një burrë që rreh gruan nuk duhet falë…” (fq 84). “Në shtëpinë tonë vetëm pas shfaqjeve të estradës profesioniste të Shkodrës, ishte dikutuar për kohën e partisë…” (fq 91)
Asnjë autoritet transhedent nuk mund t’i nënshtrojë shijet e subjektit postmodern për të marrë nën tutelë sjelljen e tij. Heroi i romanit “Droja” përpiqet të jetë vetvetja, argëtohet më së miri me mendimet dhe fantazinë e tij. Ai do që të mbetet i lidhur ndaj kënaqësive sensuale, ndaj jetës familjare, ndaj shoqërisë vulnerable dhe argëtimeve vulgare. Por përjetimet më të larta, më të shumëllojshmet, më të qëndrueshmet, sado që ai gënjen veten me të kundërtën, janë ato të dhimbjes njerëzore, të shpirtit: “Motra kishte lënë amanet t’i digjej trupi, bashkë me një bllok me poezi që s’e ndante nga vetja. Hirin kishte kërkuar t’ia jepnin Andreas Dushit në një urnë ngjyrë blu, të cilën e kishte blerë sapo kishte ardhur në Londër për t’u shtruar në spital dhe ia kishte lënë hallës t’ia ruante. Nën të kishte ngjitur një letër, ku kishte shkruar: Andreas, të lutem hidhe hirin në Kir nga Ura e Mesit.”
Ka plot pikëpyetje në kokë, ka kontradikta të thella, me të cilat habitet edhe vetë: “Kam fajësuar përherë veten për bashkimin e nanës me babën ” (fq 95). ”Të nesërmen zgjohem më i qetë, me një arsye krejt të re për situatën time. Nuk isha aseksual. Budallallëk. As biseksual e as gay. Idiotësi. Isha sapiseksual. Vetëm të mençurit më tërheqin drejt dëshirës për intimitet” (fq. 127). Në faqen 123, autori shkruan: “Padër Bonaventura më tha: Krishti dëshiron që ti të jesh i lirë të bësh atë çfarë do, atë për çfarë të ka krijuar, Mirë?” Kaq me pasion. Kaq mrekullueshëm dhe thjeshtë. Me një gjuhë kaq elegante! Është kleriku që i ofron paqe një fëmije, duke parë dëshirat e tij të larmishme, duke ndier që kishte nevojë për njëlloj ngushëllimi. Dihet që feja ka prerogativën që i lejohet për të ngulur doktrinat e saj në mendjet e moshës së brishtë të fëmijërisë, ku ato pastaj bëhen ide të lindura.
Kushti i të qenurit përkufizohet si marrje mbi vete e identitetit. Mund të thuhet se është roli në një lojë. Identiteti është forma auditive e qënies. Për të realizuar pohimin e qënies, Andreas Dushi përmirëson, me anë të procesimit, identitetin. Ai vetë nuk mund të marrë mbi vete identitet të mjaftueshëm për ta ndjerë se ai ka një identitet. Dikush ka nevojë për një identitet që të luajë lojën, dikush për të tërhequr vëmendje, Por A. Dushi i shikon gjërat në ekuilibër. Identiteti për të është metodë e bërjes së diçkaje të njohur. Njerëzit që kërkojnë një dalje nga mungesa e identitetit mund të fiksohen në valenca të rreme. Në autotranscedencën e ekzistencës njerëzore, personazhi përpiqet për të përmbushur veten, madje për të tejkaluar interesat e veta vetjake dhe për t’u lidhur me diçka më të madhe se vetja. Personazhi i A. Dushit merr identitetin e asaj që i tërheq atij vëmëndjen, sepse ai i ka dhuruar asaj vëmendjen e vet. Ai e ngjyros këtë me valencat estetike, pa kërkuar të bëjë efekt, madje u bën rezisencë të gjitha efekteve.
Po t’i referoheshim Frojdit, historia e njeriut është historia e shtypjes së tij. Kultura i vendos kushtëzime jo vetëm ekzistencës së tij në shoqëri por edhe ekzistencës së tij biologjike, e kjo s’ndodh vetëm në sektorët e ekzistencës njerëzore, por edhe në strukturën e instikteve. Romani “Droja” sundohet nga një sërë konceptesh psikoanalitike si: sublimimi, identifikimi, projektimi, shtypja, intronjektimi. Gjithsesi realiteti që u jep formë instikteve, nevojave dhe kënaqjes së tyre, është një botë historiko-sociale. Instikti bashkëjeton në mënyrë të natyrshme me formën e jetës. Ai vepron në mënyrë spontane dhe organike. Po të ishte i pajisur me ndërgjegje, ai do të na zbulonte sekretet e jetës. Në këtë vepër ai është “simpati”. Ky term duhet marrë në kuptimin e tij etimologjik: të ndjesh apo të vuash për t’u njehsuar me një qënie, për ta njohur atë së brendshmi. Instikti e njeh të gjallën duke u njehtësuar me të. Asnjë instikt nuk i tregon shkrimtarit se çfarë duhet të bëjë nën parimin e realitetit, me impulse dhe kompulsione, aspak i lumtur, tepër inteligjent, i artikuluar, por i kursyer me fjalë.
Brenda romanit ndërthuren disa dinamika. Dinamika e parë është shtytja drejt ekzistencës së vetvetes, ose dinamika e boshllëkut ekzistencial. Këtu e kemi individualitetin të shprehur plotësisht. “Unë, pa i hequr syzet e diellit, se nuk dua të duket që nuk kam qarë, sillem ashtu si duhet, por pa qenë vetja ose, më mirë, pa qenë brenda vetes, sikur prej diku larg po kontrolloj me një telekomandë gjithë veprimet e asaj qenieje që rastësisht jam unë.” (fq.142) “Si njeri jashtë vetes sillem shumë mirë, në përmbushje të të gjitha detyrave që më përkasin” (fq.158) Dinamika tjetër është shtytja drejt ekzistencës si aktivitet seksual, që manifestohet me gjendje mërzie dhe dëshira seksuale bëhet e pakontrollueshme. “I trishtuar, vetëm në shtëpi, marr këllëfin e një jastëku dhe e mbush me letra. Disa letra të tjera i bëj bashkë dhe u jap një formë sfere me pëllëmbë. Me letërngjitëse, e kap te këllëfi. I vizatoj një palë sy, gojën me cipat e mbuluar poshtë dhe një hundë të madhe. Ndësa te këllëfi bëj dy këmbë dhe dy duar hollake…”
Heroi lirik i romanit “Droja” është një personazh me energji të shumta libidike. I obsesuar vazhdimisht me seksin, që në moshën 13 vjeçare, ai zhvillon arsyen, mëson të vlerësoje realitetin, të shquajë të mirën nga e keqja, të vërtetën nga falsoja, të nevojshmen nga e dëmshmja. Këto dinamika ndërthuren më së miri si seri e rrathëve bashkëqendrorë, për të zbuluar dinamikën e vërtetë që është dinamika e kohës dhe idenitetit, afësia e individit për ta pranuar qënien, duke luajtur me dinamikën e vetvetes, duke pasur tërë dinamikat e tjera kundër vetes. Shkrimtari nuk proceson, vetëm përshkruan nën një frustrim ekzistencial, në një homeostazë, gjendje pa tension. Fantazia ka një rol të veçantë në dinamikën psikike të romanit. Imazhi mbetet i varrosur tek e pandërgjegjshmja, dhe imagjinata bëhet fantazi e pastër, lojë fëminore, ëndërr me sy hapur.
Në romanin “Droja”, riorganizimi i kujtesës shoqërohet edhe me riorganizimin e përmbajtjes njohëse të fantazisë, me një konflikt intrapsikik mes Unit dhe Superunit. Fakti që kujtesa ka në psikanalizë një pozicion qendror si mënyrë vendimtare e njohjes, është më tepër se një zgjidhje terapeutike, që rrjedh nga vlera e së vërtetës që ajo mbart. “Isha përgatitur deri në detaje të flisja për fëmininë” (fq. 119) “Sa më tepër përpiqem, aq më e qartë bëhet se, brenda meje, kujtesa e ka ndarë pa asnjë proporcion, hapësirën që ka vendosur t’i kushtojë fëminisë dhe hapësirën për tërë pjesën tjetër.” (fq. 119) Kujtesa i përket asaj kohëzgjatjes së kulluar të Unit të thellë. Ndërsa mendimi onirik lëviz duke u u zbrapsur drejt materialit të papërpunuar të kujtesës.
Në këtë pikëpamje, autori bën një konceptim instrumental të trupit, marrëdhëniet ndërmjet shpirtit dhe trupit që Uni ka përjetuar gjatë kohëzgjatjes së tij fëminore. Gjithë detajet, të thirrura dhe të mbledhura nga thellësia e Unit, si tërësi e kujtesës aktuale dhe virtuale, përbëjnë kujtimin e kulluar që ndodhet në thellësitë e kujtesës dhe që përbën Unin e thellë identitar të këtij romani. Uni i thellë, liria e tij dhe vetëveprimi i lirë rrjedhin, si me thënë, nga një lloj rritjeje vegjetative shpirtërore. Tek Materia dhe Kujtesa veprimi shihet si të jetë rishpikur nga subjekti që nuk pushon, sipas rrethanave, të aktualizojë duke u nisur nga masa e kujtesës, kujtimet e nevojshme.
Në sytë e autorit, kjo vepër është një histori e legjitimuar, që zbërthen hollësisht disa realitete të veçanta. Këtu është pikërisht nyja e delegjitimimit dhe kuptimi i kristianizmit. Përpara së gjithash të jesh i sinqertë me vetveten dhe të pranohet natyra absolute e individuales. Romani është shkruar me një sinqeritet tërësor, pasi ekzistojnë shumë paradokse të subjektivitetit. Nëpërmjet të shprehurit të tërthortë të vetvetes, autori është i aftë të provojë një simpati estetike, që i lejon të kapë unitetin e brendshëm të modelit. Nuk janë dy personazhe, por dy role narrative, që luhen nga i njëjti personazh.
Romani “Droja” shquan për rreptësinë e konvencioneve dhe për valencat estetike, që ngjallin një përjetim shqisor dhe emocional. Stili i romanit është në përgjithësi i thyer, shumë abstrakt, por herë-herë mjaft konkret, lirik por edhe dramatik, me një maturi të vetëpërmbajtur, që është karakteristike për këtë shkrimtar. Ai e vetëpërmban hovin e tij, pa treguar as më të voglën dobësi, ose tërhiqet drejt të shprehurit të tërthortë ose ironik. Ironia e lejon të mos gënjejë kur flet për diçka që është e pamundur për t’u thënë. Ai është i aftë t’i thotë gjërat më të thella me një imtësi të tejskajshme, me fjali të ngjeshura dhe të prera. Duket sikur autori kërcen aty-këtu në roman, por gjithçka paraqitet në progresin, ku çdo tekst ka veçantinë e tij të patjetërsueshme, i përfshirë në lojën e tërësisë, brenda kaleidoskopit të kujtesës. Semiotika i unifikon të gjitha tekstet me një metodologji të përpunuar estetike.
Jeta është një gjë e mjerueshme. Dhe shkrimtari Andreas Dushi, ka vendosur ta kalojë gjithë jetën duke menduar për këtë. Shumë i lidhur pas terapisë sociale, me një kaos brenda vetes, në romanet e tij si: “Droja”, “Marrja e gjakut” (Onufri 2018), “Pargu i barktisjes” (Albas, 2019), “Në besë të tatuazhit” tënd “(Onufri 2022), ai dashuron enigmën, kthesat e jashtëzakonshme, ambivalencën, disbalancën, paradoksin e ekzistencës njerëzore, me një interlud dëlirësie, në një ankth gati jungian. Duket se nuk preferon meditimin, devocionet kristiane, moralin obsesional dhe dashurinë e dalldisur në strehët e tyre. Andreas Dushi është për estetikën e brutalitetit, të mbushur e ankth, dëshirë, zemërim dhe frikë, e cila tërheq pas një dhimbje të vazhdueshme. Ai buzëqesh dhe, me qetësi kthen kokën pas, nga fantazmagorikja e kësaj bote, e cila qëndron para tij, me aq indiferencë, sa dhe lojtari i shahut në fund të lojës. Duke parapëlqyer të zgjedhë mungesën e plotë të ekzistencës.


