Titulli i një vepre letrare është dhe kontakti i parë i lexuesit me të. Zgjedhja e titullit është përvojë autoriale që buron nga ide të ndryshme. Disa autorë e përfshijnë pak a shumë mesazhin e veprës që në titull, disa të tjerë mundohen t’a lënë atë të hapur për aludime se ç’mund të ndodhë brenda saj. Titulli shërben edhe si një lloj çelësi që do të hapë dyert për një ose disa linja interprtimi. Me të drejtë, studiuesi Hamiti pohon se: “Titulli i veprës, qoftë i dhënë si perifrazë, si metaforë apo si një emër, gjithmonë përmban esencën e veprës letrare”.[1]Në poezinë moderne, veçanërisht në atë hermetike, titulli përbën një hapësirë të koduar semantike, teksa ndërthuren dhe artikulohen tensione të shumëfishta kuptimore. Në një nga reflektimet e tij mbi poezinë, Zorba shprehet: “Poezia të jep disa shenja dhe ti merr prej tyre cilën të duash. Ky qëndrim ndaj poezisë hermetike mbështetet edhe nga e bija, Luçia, e cila thekson se: «Poezia hermetike ofron mundësinë që t’i japësh një definicion në përputhje me gjendjen shpirtërore të lexuesit, duke e bërë përcaktimin e saj të varur nga përjetimi individual dhe subjektiv.”[2] Kjo qasje nënkupton se poezia hermetike nuk i nënshtrohet një interpretimi të vetëm dhe përfundimtar, por mbetet një formë e hapur letrare, që pasqyron emocionalisht e ndjeshmërisht botën e brendshme të çdo lexuesi. Kjo karakteristikë e bën poezinë hermetike, një mjet reflektimi personal që tejkalon kuptimin e zakonshëm të tekstit. Ky formulim është pohim i qartë i poetikës hermetike, ku teksti është një strukturë e hapur,[3] e cila nuk ofron një lexim të vetëm, por nxit një marrëdhënie dinamike me lexuesin. Umberto Eco në librin e tij “Vepra e hapur” argumenton se vepra e artit, është polisemantike. Shumësia e kuptimeve në tekste vjen nga vet karakteri polisemantik i fjalës dhe gjuhës si të tillë. Eko nënvizon, se vepra letrare “është një mesazh qenësisht ambiguid, një pluralitet kuptimesh që bashkëjetojnë në një shenjë të vetme.”[4] Gjithashtu ai shprehet se: kemi të bëjmë me një vepër në lëvizje, që nuk jeton për veten, por për ne. Po kush jemi ne? Ne jemi një grumbull individualitetesh që bashkohen krejt rastësisht në një pikë: tek gjuha. Gjuha, jo në kuptimin nacional, pra jo thjesht gjuha shqipe, por gjuha si kod i shprehjes universale, si grumbull shenjash e të shënuarish.[5] Në këtë kuptim, ne mund të gjejmë në ligjërimin poetik të Zorbës thjesht përvojën tonë mbi fjalën, dhe në këtë pikë teksti i tij bëhet tekst i hapur. Pra, koncepti i “tekstit të hapur” nënkupton vendosjen e kuptimeve te reja, plotësuese, që vijnë gjatë procesit të receptimit të tij nga lexuesi i kohës,duke mundësuar kështu largimin nga kodifikimet dhe kuptimet skolastike e të ngurta.
Në dorëshkrimet e Zef Zorbës është e mundur të gjurmohet procesi gradual i transformimit të titullit të kësaj lënde poetike. Ky proces paraqitet në tri faza të dallueshme, të cilat dëshmojnë jo vetëm përpunimin estetik të autorit, por edhe afrimin e tij të vazhdueshëm drejt normës letrare. Titulli evoluon nga:
Buzë t’ngrime në gaz → Buzë të ngrime n’gaz → Buzë të ngrira në gaz.
Ky evolucion pasqyron lëvizjen nga një gegërishte më e forte, e shënuar nga elizionet fonetike (t’ngrime, n’gaz) dhe mbaresat dialektore – drejt një forme më të standardizuar që respekton morfologjinë e shqipes së njësuar. Ndryshimi i trajtave mbiemërore (“ngrime” → “ngrira”) dhe zëvendësimi i formave të shkurtuara me parafjalët e plota (“n’gaz” → “në gaz”) shënon kalimin përfundimtar në fazën ku titulli merr formën e tij finale brenda normës së shqipes standard.
Pak referenca lokale dhe sociale janë të disponueshme për të dekoduar poezinë e Zorbës. Vetë rryma hermetike krijon mundësinë e një game të gjerë interpretimesh, ku, në mënyrë të veçantë, motivi i “buzëve të ngrira në gaz” hap një fushë të pasur kuptimore. Një nga interpretimet më të afërta dhe më bindëse është se e gjithë jeta e Zorbës përmblidhet në një gaz të ngrirë në buzët e poetit. Ky titull përmban një nga figurat më të mprehta të ironisë tragjike. Këtu kemi të bëjmë me një antonimi të brendshme, ku buzëqeshja simboli i një lumturie të rreme në kontekstin socialist bashkëjeton me pezmin, ndjenjën e trishtimit dhe dhimbjes. Në kushtet e diktaturës, fytyra e njeriut është e detyruar të mos shprehë vuajtje: buzëqeshja imponohet, ndërsa pezmimi ndalohet. Megjithatë, fytyra njerëzore ruan të dyja gjendjet, duke funksionuar si një maskë që nuk i është dorëzuar përfundimisht ngërdheshjes. Studiuesi Sabri Hamiti ka vërejtur me të drejtë se ky titull përfaqëson “një nivel të esencialitetit të enigmës poetike”,[6] duke e cilësuar atë si një formulë figurative me efekte të thella kontrastive. Gazi i buzëve të ngrira është gaz i prerë dhe i stampuar si një vulë pa jetë. Kjo është figura e madhe e jetës së Zorbës, asaj që e humbi nën tirani dhe asaj që e jetoi në poezi. Çdo shpresë e tij shoqërohet nga ironia, ndërsa jeta përherë është në zgrip, si e varur në një gozhdë apo e ngecur buzë greminës. E përbërë nga këto karakteristika, poezia Zorbën e mbajti buzë humnerës përherë, si vetëdije dhe si mësim për jetën empirike. Zorba na vjen me një thurimë poetike shumë të hollë, e cila rrezaton bukuri nëpër botë. Në poezinë e tij shohim se si derdhet tradita e truallit të vet, dhe me plot pasion thërret traditën hermetike, formulime që dalin nga heshtja, nga thellësia e meditimit, për t’i dhënë vulën e origjinalitetit të tij. Bashkim Kuçuku citon se: Zef Zorba qëndron pa frikë krah për krah me poetët hermetikë më të mëdhenj të kohës së tij. Ai nuk ndjen asnjë inferioritet ndaj tyre. Na duhet ta përkthejmë Zorbën dhe t’ia tregojmë botës se edhe në Shqipërinë e asaj kohe, të mbizotëruar nga e keqja, kemi pasur rrënjë të poezisë hermetike. Hermetizmi nuk është një fenomen i huaj për poezinë shqipe. Duhet thënë se kemi të bëjmë me një përputhje të mahnitshme me mënyrën e tij të të menduarit dhe të jetuarit në botë. Ka një lidhje organike mes veprës së tij dhe rrethanave të ekzistencës, me të gjitha ndryshimet përkatëse të konteksteve. Ai ka absorbuar traditën hermetike me gjithë gramatikën e saj, duke përdorur mjete që theksojnë esencialitetin, me reticenca që më tepër i shtojnë kuptimit, krijojnë interpretime të shumta, sesa e kufizojnë atë dhe me elipsa që hapin hapësira të pafundme për t’u mbushur nga përvoja e lexuesit, me boshllëqe që në të vërtetë nuk janë fare bosh. Vjershat e Zef Zorbës janë art autonom i fjalës, një formë e veçantë krijuese që ushqehet si nga substanca fizike e fjalës tingulli, ritmi, dhe materia fonike ashtu edhe nga përmbajtja shpirtërore, ku bashkohen kuptimi, emocioni dhe dimensioni metafizik, Zorba asht modernisti i parë genuin dhe njiherit hermetiku i parë i poezisë së re shqiptare, me sa asht fjala për atë të shkrueme në Shqipni.[7] Krijimtaria e Zorbës pasqyron fatin ekzistencial dhe moral të një intelektuali që refuzoi kategorikisht të shndërrohej në shërbëtor të pushtetit, duke ruajtur me përkushtim integritetin estetik dhe etik të artit, përballë çdo përpjekjeje për ta instrumentalizuar ideologjikisht. Zorba nuk tregtoi kurrë dinjitetin personal, talentin krijues apo parimet e tij të patjetërsueshme etike. Ai qëndroi i palëkundur, nuk u gjunjëzua përballë përndjekjeve, burgimeve, internimeve dhe kujtesës së një kalvari të gjatë e të pashembullt në intensitetin e tij historik dhe njerëzor. U skalit si një shtyllë e pathyeshme e shpirtit të lirë, në një kohë kur vetë liria dënohej. Sot, figura e tij projektohet si emblema e njeriut dhe e shkrimtarit që i mbeti besnik vetvetes dhe së vërtetës, edhe në rrethana kur e vërteta kërkohej të heshte me çdo kusht…
“O jetë!
Edhe në zgrip,
Shtegëtarët e tu,
gjithnjë të dashurojnë.”[8]
Poeti afirmon një qëndrim filozofik, stoik dhe një përkushtim estetik ndaj jetës si vlerë e pakushtëzuar, përtej trysnisë së absurdit apo rrethanave historike represive. Figura e “shtegëtarëve në zgrip” bëhet metaforë e poetëve, e njerëzve që vazhdojnë të ecin në kufijtë e mundësisë dhe humnerës, por që, pavarësisht gjithçkaje, mbeten të përkushtuar ndaj jetës – si akt dashurie dhe rezistence.
[1] Sabri Hamiti, Poetika shqipe, Shtëpia Botuese 55, Tiranë, 2010, f. 204.
[2] Arkivi Familjar.
[3] Stefan Çapaliku, “Zorba – mes hermetizmit dhe tekstit të hapur.” Gazeta Drita, fq. 4, 9 prill 1995.
[4] Umberto Eco: Opera aperta, Milano, 1962, f. 78
[5] Po aty.
[6] Sabri Hamiti, “Disidenca letrare shqipe”, në Disidenca letrare shqipe, Konferencë Shkencore Ndërkombëtare, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, 2025.
[7] Hans Joachim Lanksch “Arti autonom i fjalës”, “Phoenix”, f. 49-51.
[8] Zef Zorba, Buzë të ngrira në gaz, Princi, Tiranë, 2020.


