More
    KreuLetërsiBibliotekë“Kortezhi i festës” tregim nga Xheladin Mjeku

    “Kortezhi i festës” tregim nga Xheladin Mjeku

    1.

    Diell me dhëmb e përkdhelte ditën.

    As festë ishte, as qetësi kishte dita. Turma pehatej si lundër e harruar në mol, e shtrënguar nga një spango që nuk e lëshonte të përplasej mes valësh. Kjo gjasonte me ngjarje të para shumë viteve, veçse atëbotë erërat farfurinin më furishëm dhe shpienin turmat larg, përtej bjeshkëve e maleve, që nuk lëkundeshin në përballje të këtyre rrebesheve të rrahura nga erëra të çartura, në soj bishe të trembur.

    Heshtja mbretëronte gjithandej e fytyra njerëzish si të patakt tundeshin bulevardit, që krijonin përshtypjen se ashtu brenda heshtjes së tyre po njëjtësohej edhe qëndrimi i ftohtë prej bronzi i statujave që kishin zënë fronet dhe po vështronin të qetë, të durueshëm dhe, pse jo, edhe dëshmitarë të një kohe që gjithnjë e më shumë po harrohej. Ato qëndronin si busolla faltoresh në ditë të shënuara për interesa të ngushta të hileqarëve të shpërfytyruar.

    Vështirë mund të kuptohej enigma mes turmës së njerëzve që lëkundnin ditën sa për ta harxhuar dhe statujave të bronzëta, që kishin zënë vendet më të vizituara të qytetit, duke e përvetësuar atë pronësi me madhështinë e tyre të rreme, që zgjonte dilema të panumërta.

    Sidoqoftë, atë ditë festë ishte, e dilemat sërish tulateshin rrugëve e bulevardeve, pa e gjetur shtegun e daljes nga mëdyshjet e turmës, që parakalonin si një kortezh i pafund në ngritjen apo fundosjen e dikujt që nuk kishte identitet mbi forcën e argumentit, përveç ndonjë aplaudimi të vakët nga solemnitetet paraprake. Ishte situatë që shihej me skepticizëm për shumë kohë, dhe vazhdonte të mbetej poaq skeptike edhe në ditëfestën që po ndodhte këto çaste.

    2.

    Dita vazhdonte të mbante e vakët dhe me pak diell.

    As dielli po perëndonte në çast, as dita po ikte shpejt. Turma e festës kishte ngadalësuar hapin, e lodhur nga ecejaket e panumërta në rrethin vicioz, të krijuar gjatë tërë kohës derisa rrethrrotullohej shesheve gjysmë të stolisura. Lodra që thyente heshtjen kishte zënë ta ndryshonte tingullin, sikur i ishte shurdhuar dita edhe asaj, tashmë. Kjo përzierje tingujsh mes rrapllimave të turmës dhe tingujve të daulles, krijonin melodi të bezdisshme, pa ritëm dhe tërësisht të çakorduar me taktin e ecjes.

    – Festa në të sosur! – ishte dëgjuar dikush të shprehte mendimin e tij.

    – Ku ishte festa?! – pasoi tjetri në befasi. Dikujt i kishte vajtur mendja ta shikonte qiellin. Pastaj, sdhe shumë të tjerë nga turma kishin shikuar drejt qiellit. Nuk dihet a e shikonin lartësinë e diellit, që të mësonin se ku ndodhej piku i ditës, apo shikonin disa fluturake flamujsh që dridheshin si purteka në ujë, nga era që frynte në intervale.

    Festën po e kërkonin të gjithë, sa me sy, sa të heshtur, po askund ta takonin. Heshtja po triumfonte gjithnjë e më gjatë. Askund një fjalë, asnjë tingull që ngacmon ndjenjat e të qenurit festë nuk dëgjohej.

    Ndonjë përshëndetje anemike kalonte nga njëri tek tjetri, më shumë për tu përmendur se edhe ne jemi në festë, sesa për të uruar me zemër ditën që po ikte. Heshtja si funeral po rëndonte mbi supe të çdonjërit gjatë tërë kohës, duke i peshuar poaq sa edhe mundimet e kësaj dite. Tashmë, kjo gjendje bënte të kuptohet se turma ishte bashkëdyzuar me heshtjen. Të dyja tok në pafundësi po prisnin të ndodhte festa!

    Përmendej dita e heshtur, apo përmendeshin të heshturit në kortezh, asnjëherë nuk u kuptua me saktësi.

    3.

    Dielli i skuqur e kafshonte buzëmbrëmjen.

    As urimet kishin ndodhur në këtë ditë të veçuar, as fjalët po dilnin goje nga turma. Kjo heshtje me çile gur gojën, nuk u shkonte për shtati për asnjë çast. Askund nuk shihej njeri të shpaloste kujtimet për ngjarje e vepra, që ta madhështonin këtë ditë. Sa keq. Askush nga sejmenët e rinjë nuk kishin marrë mundimin ta takonin turmën, që po vendnumronte në këtë heshtje enigmatike.

     Dita shikonte turmën, e turma brenda heshtjes së vet po përshkonte çdo anë të planetit përmes celuloidit, për të pasqyruar realitetet e një farse që nuk do shpjegim. Personalitete me pardesy të gjata, me kollare e të pispillosur për ngjarje të shënuara, që çdoherë e kishin mësuar turmën t’ua hapnin zemrat me fjalë të bukura, me lavdata e premtime të pafund, nuk u shfaqen në skenë gjatë tërë ditës, as në buzëmbrëmjen me pak diell të skuqur në zenit, që nuk kuptohej fare, në ishte skuqje nga dita që po tërhiqej ngadalë, për t’ia lënë vendin errësirës, apo skuqej horizonti nga turpi përballë ditëfestës që po ikte?

    Vërtetë, ishte ditë pritjeje kjo, a gëzimi po thyhej në shtizë?!

    4.

    Dielli iku nga ditëfesta që mungonte tërësisht.

    As ishte festë që duhej mbajtur mend, as u festua sipas ideatorëve që predikonin ardhjen e ditës së shumëpritur.

    Nata po zbriste mbi qytet ngadalë, përtueshëm dhe me drojë, sikur kishte humbur arsyen e ditës që po ikte. Edhe turma kishte filluar të tërhiqej zvarrë. Gjithçka po ikte nga kjo ditë-shekull e pritjeve të mundimshme, që i mungonte edhe një ngritje dollie në ditë feste.

     Dita po ngrysej tashmë, e kortezi i heshtjes lëkundej valë-valë, si lundra e harruar në mol. Pa ia ‘da lëkundej bashkë me festën që po ikte, si nëpër ëndërr të keqe!

    Pahetueshëm kortezhi po tretej në humbellën e natës, s’bashku me enigmën që nuk u kuptua kurrë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË