More
    KreuLetërsiBibliotekë"Klithmë pulëbardhash", poezi nga Rexhep Polisi

    “Klithmë pulëbardhash”, poezi nga Rexhep Polisi

    *

    Zogjtë e mallit
    E braktisën
    Folenë,
    Flatrat e ajrit
    Mbetën
    Nëpër pemë…


    NGAHERË…

    I fshiva të gjitha
    Poezitë
    Që shkruajta
    Për ty,
    I fshiva…
    Nuk lashë asnjë.
    I fshiva,
    Por çdo varg
    Më mbeti në sy
    Dhe ngaherë
    Te çdo send,
    Të shoh vetëm ty…


    *

    Mbrëmjeve
    Ajo sodit yjet
    Dhe përhumbet
    Në ëndërrim,
    Aty dergjet
    Shpirti im…


    NJË KARTOLINË PËR TY

    Erdh’ Viti i Ri nëpër vitrina,
    Tirana është stolisur gjithandej,
    Në dyqane s’ka më kartolina,
    Por unë për ty një do ta gjej.

    Dhe do ta nis me pëllumbat e erës,
    (Patjetër te ti ajo do të vijë),
    Siç vijnë te unë rrahjet e zemrës,
    Do të vijë te ti kjo kartolinë…

    Ti do zgjohesh nga ëndërr e fjetur
    Dhe do dalësh në udhë me nxitim,
    Do shkosh vetmuar te parku i gjelbër
    Të kërkosh atje portretin tim…

    Por unë s’do të jem te stoli i vjetër,
    As silueta ime nuk do të jetë aty,
    Do të gjesh atje veç mallin e tretur
    Dhe pemët që lotojnë për ne të dy.


    *

    Ta pijmë me fund këtë gotë,
    Ta pijmë trishtimin që bren.
    E bukur jeta, pa lotë,
    Mes kohës që ik, më s’vjen…


    PUHIZË E DLIRË

    Je përhumbur
    Mbi shkresa…
    Thua se
    Kohë nuk ke
    As të marrësh frymë.
    Je përqëndruar
    Mbi libra
    Dhe nuk arrin të shohësh
    As mëngjesin kur lind…
    Nuk ke kohë, thua,
    As për një përqafim,
    Ndonëse i ndjen
    Rrahjet e zemrës,
    Fëshfërimën e erës
    Dhe puhizën e dlirë
    Në zgjim…


    *

    Ti je në udhëtim tani…
    Dhe ndjej se hapat e tu
    Trokasin njëlloj me
    Rrahjet e zemrës sime.


    PARADOKS…

    I dhunuari
    Rrufit kafenë e mëngjesit
    Në lokalin buzë Lanës
    Përhumbur në dëshpërim!
    Barbarët që e dhunuan
    Kanë hequr maskat
    Dhe festojnë
    Përballë tij me “Xhin”…


    KLITHMË PULËBARDHASH

    Ende e ndjej tik-takun
    E rrahjeve të zemrës,
    Hapat që nuk mbërritën
    Asnjëherë tek unë!

    Ndjej perëndimin e diellit
    Si shuhet dita në Jug
    Dhe këmbët vetvetiu
    Më nisen për rrugë…

    Një dallgë deti gjëmon
    Dhimbshëm tek unë.
    Klithmat e pulbardhve
    Më lënë pa gjumë…


    *

    U fsheh
    Pas reve
    Dielli,
    Qielli u nxi…
    As në qiell,
    As në tokë
    Nuk ka
    Dritësi.


    RE E KUQËRREMTË

    Një re e kuqërremtë
    Përndrit ballin tënd;
    Rrotullohet në ajër
    E largohet dhimbshëm
    Drejt qiellit tim…
    Një re e kuqërremtë
    Prej kohësh
    Luan lojën mistike
    Dhe qesh me fatin tonë
    Të ndarë më dysh…


    *

    Të pa dielli dhe u zbeh
    Nga shkëlqimi që verbon.
    Nga ç’qiell meteori re
    Muzgun tim po ndriçon?!


    NË PARK

    Stolat rënkojnë nga pesha e viteve,
    Verdhojnë gjethet e rëna të vjeshtës,
    Gjurmët që lamë aty, tash kërkojnë
    Ditët e blerta të harresës…

    Një bli më tej hesht i vrazhdë,
    As zogjtë nuk shkojnë më atje,
    Era psherëtin qiellit të acartë
    Me dhembje ngarkuar nëpër re.

    Ti tash harruar je nëpër vite,
    Nuk shkel më në park si atëherë,
    Në mendje tjerr të tjera kujtime,
    E shkuara s’ka më asnjë vlerë…

    Vetmuar në parkun e heshtur,
    Qëndroj në stol me nostalgji,
    Veç gjethet e rëna në pellgjet
    E vjeshtës, më bëjnë shoqëri…


    *

    Malli për ty
    Shkriu dëborën,
    Pritja po më rrudh.
    Një tufë manushaqe
    Syçkat nxorrën,
    E unë nxitova t’i puth…


    DITA IME…

    Kjo është dita ime…
    Më lini ta jetoj
    Ashtu siç e ndjej,
    Ashtu siç më pëlqen…
    Më lini në lirinë time,
    Në lirinë që me mua
    Dëfren.
    Kjo është dita ime…
    Një ditë e zjarrtë
    Në dimrin e acartë,
    Më lini ta jetoj
    Siç dua vetë,
    Pa sundues
    Dhe pa heronj…


    S’MUND TË HESHT

    Edhe mund të mos flisja,
    Të heshtja si pemët
    Nën brymë
    Pas rënies së gjetheve.
    Edhe mund,
    Por nuk mund të hesht
    Kur të gjitha rrugët
    M’i kanë zënë…
    Furtuna në gotë
    S’mund t’i shpërthejë
    Mendimet,
    Ndjenjat,
    Ëndrrat;
    As vuajtjet…
    Era e marrë fryn
    Brenda meje
    Ditë e natë
    Nga të çarat
    E një mali të lartë…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË