Kreu Letërsi Botime të reja Katër botime të reja të Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët

Katër botime të reja të Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët

Prof. Diana Kastrati, Drejtore Ekzekutive e QSPA

Saktësisht pas një viti nga fillimi i funksionimit të Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, realizohet edhe njëri nga objektivat madhorë e kryesorë të saj: shohin dritën e botimit 4 librat e parë: “Vepra historiko – filologjike dhe publicistike të De Radës”, mbledhur, transkriptuar dhe përkthyer nga italishtja nga Profesor Jup Kastrati, 905 faqe, e cila hap edhe Kolanën “Thesaurus”, një projektqë zë fill në këtë vit të parë të themelimit të Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, i cili mëton të realizojë ruajtjen e trashëgimisë të universit arbëresh të shkruar ndër shekuj. Përzgjedhja e emrit “Thesaurus”, në këtë rast, i referohet kuptimit masiv të përdorimit të këtij termi në zanafillat e tij, midis viteve 1260 dhe 1266, nga Brunetto Latini në Li livres dou trésor në Itali, por po aq edhe në Francë, në Spanjë, me anë të të cilit emërtoheshin veprat me karakter enciklopedik, të organizuara sipas kriteresh jo domosdoshmërisht homogjene, por me pretendimin e shterrimit, të gjerësisë e të plotësisë së tyre.

Ky libër është një përmbledhje e shkrimeve me karakter filologjik dhe historik të De Radës, të shkruara në italisht në organe të ndryshme të kohës, të sjella në shqip nga Kastrati, e pajisur me një bibliografi të pasur të De Radës dhe mbi De Radën, e mbledhur nga Prof. Kastrati në një hark kohor prej 6o vitesh, si dhe me dokumente autentike të Kastratit që vërtetojnë zanafillat e punës së tij mbi këtë figurë emblemë të kulturës arbëreshe. Kjo vepër, gjithashtu bën pjesë në nënkolanën “In memoriam” të autorëve që nuk janë më në jetë, punën e të cilëve do e risjellë për publikun QSPA gjatë viteve. Libri i dytë është Monografia “Santori, poet dhe dramaturg”, me autore studiuesen Klara Kodra. Ky libër ka 268 faqe. Santori, për një kohë të gjatë, ka qenë i njohur kryesisht si dramaturg dhe vetëm për një dramë, “Emirën”. Monografia e Prof. Kodrës është pasuruar me material të ri dhe analiza mbi poezitë lirike të Santorit. Gjithashtu, tok me dramën “Emira” për të cilën jepet një vlerësim i ri, analizohen tragjedia e tij “Neomenia” melodramat dhe komeditë e tij, me synimin për ta rivlerësuar këtë autor dhe për të gjetur saktësisht vendin e tij në historinë e letërsisë shqiptare. Libri i tretë është: “Një rrugëtim në ngulimet arbëreshe“, me 452 faqe, një punim divulgativ-deskriptiv, i realizuar nga Anton Bellusci & Ornela Radoviska. Ky libër është një përmbledhje nga pikëpamja antropologjike, fizike e komunave arbëreshe të Italisë së Jugut. Antonio Bellusci, 90-vjeçar tashmë, është një nga misionarët e çështjes arbëreshe me kontributin e tij shumëplanësh. Në botimet e para të QSPA përfshihet edhe monografia e njërës prej studiuesve të qendrës, Dr. Silvana Nini, etnografe, e cila sjell studimin “Një rrugëtim etnografik mbi veshjet e Arbëreshëve të Italisë së Jugut”, me 187 faqe, shoqëruar me vizatime të veshjeve. Përveç studimit shkencor dhe historikut të ndjekur nga veshjet arbëreshe, vepra sjell risinë e një albumi me ilustrime mbi tipologjinë e veshjes arbëreshe, të realizuar nga vetë autorja si dhe përfshin edhe një fjalorth terminologjik mbi këtë lëmi.

Kolana “Thesaurus”, zë fill me botimin e veprës dorëshkrim “Vepra historike filologjike të De Radës” të Prof. Jup Kastratit, 905 faqe. Duke qenë se Jeronim De Rada është kthyer tashmë në një emblemë të letrave shqipe të krijuara përtej detit, nga grupi përgatitor dhe nga Këshilli Koordinues i Qendrës, u pa e udhës që kjo Kolanë të hapet me këtë  dorëshkrim i cili ishte i gatshëm dhe i pabotuar ndonjëherë, i cili iu vu në dispozicion QSPA-së nga ana e trashëgimtarëve të Prof. Kastratit. Vepra “Vepra historike-filologjike të De Radës”, ku përfshihet edhe letërkëmbimi i tij me këtë tematikë, përmbledhur, renditur dhe përkthyer nga italishtja dhe transkriptuar (kapitull VII) nga arbërishtja nga i ndjeri Prof. Jup Kastrati, është një punë që daton shumë herët. Interesi i tij ndaj letërsisë shqipe/arbëreshe e në veçanti ndaj De Radës, rezulton të ketë qenë një projekt jetësor i tij, i sendërtuar dhe kurorëzuar gjatë gjithë jetës së tij studimore me një numër të konsiderueshëm veprash, monografish e studimesh të thelluara për arbëreshët e kulturën e tyre. Po nga arkivi familjar i Jup Kastratit, na u servirën dokumente që dëshmojnë fillimet e mbledhjes së informacioneve nga Prof. Kastrati. Më i hershmi dokument, një dosje në format A3 (dokumenti aneks 1 në fund të veprës), shkruar me dorë “Për gjuhën. Dorëshkrimi i parë, Shkodër, janar 1940. 16 vjeç, nxënës i klasës së katërt gjimnaz, shkolla e mesme, sistemi i ulët” ku, midis shënimesh të tjera janë edhe informacionet e para mbi De Radën; dokumenti i dytë (dokumenti aneks 2 në fund të veprës), daton në korrik të 1949 (asokohe 25 vjeç) me titullin “Shënime për letërsinë shqipe dhe për letërsinë arbëreshe”, një fletore prej 41 faqesh, e shkruar me shkrim të dendur dore. Kjo vepër është rezultante e këtij rrugëtimi të Kastratit. Akademia e Shkencave e Shqipërisë ngarkon Prof. Kastrattin që të merret me përpilimin e kësaj vepre, siç vërtetohet edhe nga shkresat nr.755, datë 01.08.1975 dhe nr.755/1 të datës 23.09.1975, ku ndër të tjera thuhet (citojmë): “Jup Kastrati i ngarkuar nga Akademia e Shkencave me hartimin e dy vëllimeve të shkrimeve filologjike historike të De Radës për serinë që po përgatit ajo Akademi në Korpusin ‘Trashëgimi kulturor i popullit shqiptar’.” Në kohën që Prof. Kastrati përgatiste vëllimin që po paraqesim sot, shkrimet e De Radës gjendeshin të shpërndara andej-këtej nëpër biblioteka e arkiva kryesisht jashtë vendit, të cilat ishin gati të paarritshme për lexuesin e interesuar. Ideja e Prof. Kastratit për të përgatitur këtë vëllim tematik me shkrime të karakterit historik filologjik e publicistik të De Radës kishte synimin për t’i bërë ato të shfrytëzueshme nga rrethe të gjera të interesuarish, pedagogë të shkollave të larta, studiues e studentë. Si gjithë arbëreshët, De Rada ka qenë një autor dygjuhësh që synonte të njihej përveç nga gjindja e vet arbëreshe, nga publiku italian dhe evropian. Përveç kësaj pjesa më madhe  janë  në italisht, ndërsa një pjesë tjetër arbërisht, çka e vështirësonte njohjen e tyre. Na duhet të ndërmendim edhe një fakt të njohur tashmë, që gjuha e De Radës ishte një lloj  mélange e italishtes dhe e arbërishtes, e cila krijonte një vështirësi unikale në të kuptuarin e në të përkthyerin e saj, gjë e cila nënvizohet nga të tre profesorët Kolë Ashta, Luigj Franja dhe Fadil Podgorica në rolin e recensentëve të veprës në fjalë (dokumenti aneks 3 në fund të veprës). Lënda e vëllimit është edhe fryt i interesimit këmbëngulës e sistematik të përgatitësit, që ka gjurmuar deradiana kudo ku ka mundur, në Shqipëri dhe në Itali, për gati 30 vjet (1949–1977). Për kriteret dhe dimensionet e botimit të kësaj vepre, për gjurmimin e bibliografisë së De Radës dhe mbi të, për çështjen e riprodhimit me dorë të të gjithë dokumenteve, librave e artikujve në origjinal e më pas të përkthyera nga ai, për çështje si transkriptimi, transliterimi apo përkthimi i veprave të arbëreshëve, për projektet e tij për paraqitjen në Opera Omnia të De Radës etj, na jepen të dhëna shteruese të disa projekteve të paraqitura nga vetë autori Kastrati në letrën prej 18 faqesh të daktilografuara ((dokumenti aneks 3 në fund të veprës) që i dërgon Kryetarit të Akademisë së Shkencave të asaj kohe, Prof. Aleks Budës, e cila daton më 20 qershor 1979  me titullin “Përgatitja për botim e veprave historike, filologjike dhe publicistike të Jeronim De Radës”.

Pikërisht në 1977, Prof. Kastrati dorëzon për botim pranë Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë variantin e parë të këtij punimi voluminoz. Dorëshkrimi mbetet për plot dhjetë vjet në zyrat e këtij institucioni, pa e parë dritën e botimit. Më 28.06.1986, pra 9 vjet pas dorëzimit të variantit të parë të veprës pranë Akademisë së Shkencave, Prof. Buda i shkruan një letër Prof. Kastratit (dokumenti aneks 4 në fund të veprës), i cili lë të kuptojë rikonsiderimin e mundësisë së botimit të kësaj vepre. Këtu ndërpritet dokumentimi i ecurisë së mosbotimit të këtij punimi. Pas kësaj periudhe të gjatë, Prof. Kastrati e rimerr në shtëpi dorëshkrimin. Familjarët e Prof. Kastratit ia kaluan të drejtat e botimit të kësaj vepre vetëm për këtë botim të parë, Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët. Dorëshkrimi u dorëzua pranë zyrave të QSPA-së, siç ishte lënë nga autori. Në këtë kuadër, lipset të sqarojmë kriterin dhe procedurën që u ndoq për gatitjen për botim nga ana e grupit përgatitor të këtij Institucioni.

Së pari: titulli i veprës “Jeronim De Rada, Vepra historike filologjike” është ai që rezulton në dorëshkrimin të cilin QSPA mori në dorë. Më pas, në dokumente të tjerë të pasqyruara në fund të këtij botimi, rezulton edhe si: “Vepra historike filologjike e publicistike të De Radës”. Grupi përgatitor mori për bazë titullin që gjendej në dorëshkrim. Për këtë arsye, faqja e parë e dorëshkrimit ku rezulton edhe titulli i parë i sipërmendur, është vendosur e skanuar në hyrje të kësaj vepre.

Së dyti: kriteri i vendosur paraprakisht dhe i miratuar nga Këshilli Koordinues i Institucionit, organ autonom, ishte që të respektohej ad litteram dorëshkrimi, pa prekur apo ndërhyrë në asnjë pikë të tij. Duke marrë në konsideratë vullnetin e mirë të Institucionit për ta paraqitur veprën në mënyrën më cilësore të mundshme dhe, njëkohësisht, duke respektuar parimet bazë të gatitjes për botim të një vepre të kësaj fare, në koordinim me studiues, kolegë të QSPA-së e bashkëpunëtorë të jashtëm, u kaluan në rishikim këto pika:

rishikimi i gjithë tekstit të përkthyer nga italishtja në shqip; ka patur plotësim të përkthimit në: disa shprehje latine të cilat ishin lënë pa përkthyer nga autori; të disa faqeve të papërkthyera të cilat nuk gjendeshin as në këtë dorëshkrim të Kastratit, por as në arkivin e tij personal që ruhet nga familjarët;

rishikimi i bibliografisë së gjithëmarrshme. Në këtë rast, sërishmi familjarët vunë në dispozicion dokumentin origjinal të bibliografisë së De Radës të hartuar nga Kastrati deri në vitin 1962, e cila nuk u gjet në dorëshkrim. Për këtë arsye, si dhe për të pasqyruar besnikërisht punën e bërë nga autori Prof. Kastrati, kjo bibliografi e vendosur në fund të veprës, paraqitet në mënyrë anastatike, nga njëra anë e skanuar dhe në faqen përbri e shkruar në word në kompjuter;  

në rishikimin bërë tekstit nga redaktorët gjuhësorë, është ruajtur gjuha e përdorur nga Prof. Kastrati;

kapitulli në arbërisht (kapitulli VII), është lënë telle quelle siç është i transkriptuar në dorëshkrimin origjinal;

treguesit e emrave gjeografikë dhe emrave të personave të të gjithë tekstit, është përgatitur nga QSPA-ja. Në këto tregues, nuk janë përfshirë si më poshtë:

Perëndi greke dhe romake: Kronosi, Urani, Jovi, Jupiteri, Hera, Junona, Mira, Teti (Thetis), Jea (Zea, Gea), Athena (Athina), Afrodite (Afërdita), Venusit, Demetra, Sibila, Apolloni, Ifesti (Hefesti), Saturni, Poseidoni (Posidhon), Baku, Hermesi, Nemesa, Tartari, Lycina, Venera, Jani, Diana (Dia, Dhia), Merkuri, Vesta, Nekmentia, Vullkani, Titanët, Io, Perseu, Juno, Lucina, Cereri (Çereres), Tritolemi, Aristéo, Atlasi, Angerona, Dhia, Lari, Angerona, Elici, Marsi, Ana Perena (Anna Perenna), Erebi, Minerva, Ares, Mnemozina.

Personazhe mitikë të mitologjisë greko-romake: Odisea (Odhise, Uliksi), Abari, Herkuli, Akili (Aqilé), Peleu, Patrokli, Andromaka, Jasoni, Paridi, Romi, Ariana, Eneu, Rezi – mbret i Trakës, Dardani, Antenori, Remi, Romuli, Numa Pompilis, Aria, Abari. Agamemnoni, Amfiloku, Alkmeoni, Eumolpi, Atmes, Prokusti, Adonisi, Lino, Jalemo, Thespi, Pellazgu, Sem, Kam, Jafet, Edipi, Antigoni, Sita, Kasandra.

Personazhe biblikë: Shën Baldasari, Shën Gjoni, Adami, Abrahami, Maria, Satanai, Moisiu, Davidi, Solomoni, Jozuhi, Gedeoni, Noe.

Personazhe të ndryshëm historikë nga Revolucioni Grek, të përmendur vetëm me mbiemër: Zavella (Xhavella), Macry, Odisea, Miauli (Miaouli), Tombasi (Tombazi), Karaiskaki (Karaiscaki, Karaiskaji), Kondurioti (Condurioti), Bulgari, Bubulina (Bobolina), Botzari, Maurokordato, Mavromati, Nikokël, Niçeta, Misuli, Makri, Odiseu, Gura, Koprili, Macry.

Personazhe të paidentifikuar, bashkëkohës të De Radës: Palemoni (me gjasa studiues); Ministrat e qeverisë burbone të Napolit: Ministri Januci, Ministri Skura, Ministri Mançini, Ministri Koppino, Ministri Bozzelli-Poerio, Ministri Boceli, Ministri Karreto, Konti i Aquila-s, Buskaljoni, Koeli, Kancio, Gesler, zonja Agata, Sulejman pasha, Tanuçi, gra të paidentifikuara nga ngulimet arbëreshë si Zibia, Rita apo Tortoshëlja, Ahmedi – luftëtar që vritet në betejën mes forcave shkodrane dhe atyre të Pasvan Ogllusë; Konti dhe zonja Le Fèvre, Çirili dhe Pagani, Forieli, Deahu, E. Paskualigo, Irneba, Seguer, Lutcenbaher, Zavarrone, Bovio, Fumeli, Hasan Aga, prifti Pjetër, bej Vlora, Zulopi, Hajredin begu dhe Riza begu, Prifti Miçeli dhe prift Luigji, Baroni Dramis, Meletoi, prift Salomon inga Vikarico, Vitaliano, Vëllezërit Kiodi të Moisiut, Euxhenio gjyqtar në Kozenca, Kuçi gjyqtar në Kozenca, Vulgari (Bulgari), Kalorës De Simone, Vesel Pasha, Haes-el Pashës, vëllezërit Korradi, Alberti i Markjanonjëvet, Kristina e Mandalojt, Mauro, Mancini, De Lauzières, baroni Bellelli, markezi Vulkano, poetesha Guacci, gjenerali Lubrano, Zagarese, Ferriolo, Valentini, dukë i Mignano-s, Mingiani, profesor Gjilji, gjeneral de Liguori, gjeneral Filaxhierin, markeze Linjola, konti Riçiardi, gjenerali Buzaka, maresalli Leka, kryegjykatësi Bizantis, toger Çiardi, dado Adriana, Regjina, Angjelika, Setembrini, kozentinët Salfi, Stumbon dhe Milonen, kavalieri D. Nikolla, markezi Spiriti, D. Salvatore, baroni Pasalakua, duka Marota, baron Beleli, konti dhe zonjushat Lë Fevrë, kont Avati, Princi di Strongoli Pinjateli, baron Marsiko, peshkop Da Leçe, profesor Dorotea, profesor Mazi, banditi Mikarièlji, Bokkaçiampi dhe vëllezërit Bandiera, Xhioberti, D. Plaçido, Pepe, Beteli, Kryedjakoni Kanjaci, Xupeta, La Çiçilia, kapiteni Sale, Buskaljoni, kolonel Koeli, Kancio, Komonduros, Konsulli grek Kamaço, Jankopilo, Kieperti, Komendator R. Kavacca, D. Antonio, diplomati grek Kamaço.

Toponimia nga mitologjia greko-romake: Lumi Flegetonti (Phlegethon, lumi Koçiti (Cocytus), fushat Elizej, Phthias;

Toponimia biblike: Iskarioti, Babeli; si dhe termi i paidentifikueshëm: Rresh.

Me falënderimin për grupin përgatitor të veprave për botim, veçan tyre, kemi detyrimin të shprehim falënderimin tonë për gatishmërinë dhe shpejtësinë me të cilën iu përgjigjën thirrjes për ndihmë nga ana e Qendrës, për të saktësuar përkthimin e disa termave dhe frazave në shqip nga italishtja e De Radës, edhe profesorit arbëresh nga Spezzano Albanese, z. Francesco S. Marchianò e të tjerëve kolegë e miq arbëreshë që parapëlqyen të mos citoheshin. Pastë rrugëtim të mbarë Kolana Thesaurus, po aq sa botimet e tjera në vijim!

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Arjan Miluka: Si erdhe në jetën time? Dhe si u largove?

Bashkëshortes sime, Shpresa Bërdëllima, në ditëlindjen e saj Në një ditë të zakonshme  ndodhi e jashtzakonshmja jonë. Të...

“Misteret e Beratit”, etyde nga Xhevair Lleshi

«Jeta është historia që thonë për ty, jo ajo që tregon ti…»John green 1 Basti ynë...

“Etyd”, tregim nga Fatmir Mborja

Kishte një copë herë që rrinim në verandën e mbuluar të hotelit, e cila gjatë verës përdorej si birrari dhe gumëzhinte nga...

“Një mënyrë e mirë për të vdekur”, tregim nga Istref Haxhillari

- Mezi të njoha, - thirri me zë buçitës, si goditje tamburi. Sytë e prushtë, shtati masiv, siguria në...

KATEGORITË