Diku, në një nga caqet e pafundme të hapësisë së pamatë – në Hungarinë e Dheut tonë, afër Balatonit, në Sümeg (Shumeg)… në kapërcyellin kur stafeta ndërrohej që shtysën e saponisun ta ecte ndritimi – pra, në atë çast të kohësisë, në albesin e përpurtë të natë-ditës së premte 02.02.1838, zëbuloi gëzueshëm e qara e parë e një fëmije. Djalë. Familjarët Szèkely, që mezi e prisnin, nuk u dymendsuan për emrin, por, njëherësh përzgjodhën JOZEF… si të vorbulluar në ekstazën shpirtrore edhe për “Atin”… kushediku, edhe për Birin… këtu. Dhe, u lutën pa hile për mbarësinë e Jozefit. Lumturuar dhe bindun se lutjen e patën adresuar në siguri… ikën, më saktë: cikluan… në përtejgjallesë pa shumë “ufe!”… Gjithsesi, mbase vërtetë nën mëshirën e përzgjedhun nga “Ati”, Jozefi ynë nisi udhësinë e frymëmarrjes, që, thuajse pa zigzake, e vijoi goxha mbarë përaqsa ecuni që i qe caktuar si kohë ciklike e gjallesës… Vijoi pra ashtu siç i deshi xhani… përaqsa gjalloi mbi tabanin e dy shkurtit të vitit 1838, deri plot 63 vjet, tetë muaj e nja ca ditë…Vetëdija njerëzore dhe cikli i gjallesës e braktisën njëherësh Jozef Szekely-n, aty ku punoi, në Vienën austriake. E braktisën disi shpejt, atij mëngjezi shirrëke të së premtes, më 18.10.1901. Gjithsesi, Jozefi u rrit në mirësinë e njerëzve pa hile dhe ajrinë mes gjelbërimit, përbrinjë liqenit të Balatonit, pa u dembeluar… Dhe, as qyl-zuar… Mbaroi përsëmbari parauniversitetet në Szombathely (Sombateli). Filloi rishmëzi shkollimin dhe vijoi mirë. U diplomua me magjistër në farmakologji, në universitetin e Vjenës. Pati një ëndërr të fjetun për pikturën, por as e zgjoi, as nuk e cyti për studime… Dy vjet mbas diplomimit, më 1862 mori doktoraturë në kimi. Ende nuk dimë nëse trajtesa e doktoraturës synoi veçantë ate sferë të kimisë që i nevojitet arritjes fotografike… Nëse po ose jo, e vërteta është se mundi i studimit ia njënjëson disi pasionin dhe kohën për të dyja…. Ngase e pat ndarë mendjen: pat nisun pasionant edhe zotërimin e fotografisë… Qe koha kur fotografia e pat kapërcyer pragun e vetmbylljes dhe qe futur hallexheshë e panginjun në oborrin e kimisë, ku, denjësisht e bindun, rrekej të vilte ç’i vlente për vrapin fotografik… Nuk do të themi se Jozef Szèkely studioi kimi me bindjen se deshi të thellohej në veçanësitë e ecunive shkencore në fotografi… ende nuk e dimë këtë. Sikundër dimë se studimet për kimi nuk e cytën deri aqsa të liçensohej me ndonjë shpikje shkencore të vlershme… Nuk e injorojmë arritjen shkencore Dr… qe goxha emërtim macahere, qe vlerë dhe nderim. Ama, Doktoratura veçse u arkivua. Gjithsesi, e vërteta është se fill mbas doktorimit në kimi, Dr. Szèkely u mirëpërcaktua, u fut shtruar në shinë… hapi atelie fotografie diku pranë operas në Vjenë, në Heinrichshaf…
PHOTOGRAPHIE
Von DR SZEKELY WIEN
1. ELISABETH STRASSE 2
Dhe, nën këtë logo u rrit goxha mbi... namëzoi shpejt, qe zbatues korrekt, qe mjeshtër i kërkuar, nisi të vlerësohej si artist, mori çmime, madje edhe në botë, deri mes vlerave pariziane… Jozef Szèkely u bë fotograf i namshëm. U bë shpejt, qysh në vitet e para njëzet të vijimësisë së jetës. Në kult të famës, plot 25 vjeç e gjysëm erdhi edhe në Shqipëri. Erdhi në Shkodër dhe përgjatë Drinit. U përzgjodh të vinte. E përzgjodhi Akademia e Shkencave të Austrisë. Dhe kjo nuk qe vetëm rastësi fati. Qe edhe vlerësim profesional. Duhej për një punë të rëndësishme fotografike, kryesisht në vijëzimin udhëtues të Drinit shqiptar… Për të cilin Johann Georg von Hahn (Johan Georg fon Han) projektoi studime të vlershme…
* * *
Gjithçka ndodhi në verë. Verë, 1863. Të martën me 23 qeshor, Han-i nënshkroi një letër adresuar Akademisë Austriake të Shkencave. Përgjatë rrjedhës së Drinit në udhëtimin shkencor, Han-i kërkonte edhe fotograf. (…pat nisun fotografia të shoqëronte shkrime vërtetësie, veçanërisht shkencore… qenë ilustrimet nismë që do ta thonin besueshëm saktësinë në vijimësi…). Dhe, Akademia caktoi edhe fondet. Do ndihma “periferike” si barka të mbartëshme dhe ekuipazhin e nevojshëm ia pat premtuar me bujari edhe dashamirësi i projektit, Kryeduka Maksimilian, pa u emëruar ende Mbret i Meksikës, premtim që e zbatoi Ministri i Marinës, baron fon Burger dhe që, veç barkave dhe ekuipazhit shtoi e dha me plot dëshirë edhe të gjitha instrumentat për matjet e nevojshme…
Gjermani albanolog Johan Georg fon Han (1811-1869), ndonse i panginjun në çka synonte, e njihte shqipen dhe Shqipërinë, pat shkruar për shqiptarët dhe botën plot tre volume të vlershme: “Studime Shqiptare” (Albanesische Studien – 1853 dhe 1854). Gjithsesi, kësaj here, Han-i erdhi më i mirëpaisun. Erdhi edhe qartësisht i përcaktuar. Erdhi së pari në Durrës. Zbriti në Durrës të mërkurën mbrëma, më 12.08.1863. Qe nisun nga Siros-i grek, ku qe përgjatë konsulli i Austrisë atje. Dhe, Han-i u vonua ca në Durrës. Kolegu i Han-it, Ballarin-i (që pat lindun në Shkodër në vitet e trazuara ’30, kur babai i tij G.P.Ballarin, që qe aq shumë aktiv…), i shtruar ato ditë nën ethe, iu lut të takonte mudiri-n (guvernatorin – turk) dhe të ndikonte për lirimin e tetë klerikëve, që dyshohej se kishin fshehun e ushqyer do cuba… Han-i u lumturua kur e zgjidhi këtë ngatrresë të trishtueshme, aq më shumë ngase, klerikët katolikë – të mbërthyer prej dy muajsh nga ethet – gati po vdisnin… Por, Han-i, si të kapte llapëveshin me gishtrijtë e krahut përtej, u vonua për në Shkodër, ngase, udhëtoi brigjeve të Erzenit për në Tiranë, përmes maleve shkeli në Mat, nga Mati në Lezhë, e me radhë… nëpër lumej, male e fshatra… vëzhgues i qëllimtë për zbërthime dhe trajtesa traditash, dokesh apo ç‘synonte… Nga Durrësi u largua në mbasditën e së premtes, me 14.08.1863. Në këtë udhëtim plot ngarkesa u shoqërua edhe nga Jozeph Tedeschini (Josef Tedeskini) – djali i agjentit të Lloyd-it në Durrës dhe Gaspër-i besnik, që, edhe para nja dhjetë vjetësh, pat bërë çmos t’i largonte ethet dymujore që Han-in e bënë telef…
U lodh ase u vonua Johan fon Han-i, gjithsesi, në udhëtimin për në Shkodër qe pa hungarezin Jozef Szèkely. Në Shkodër do të takoheshin. Albanologu qe nisun nga Siros-i grek dhe Durrësi… fotografi nga Vjena dhe Tivari verior… Me plot ngarkesë dhe bashkë me shoqëruesit jashtprofesional, fotografi shkeli dhe fjeti në Tivarin malazez në natën e datës 19.08.1863, plot një të mërkurë më mbas kur Han-i pat zbritur në Durrës. Jozef Szèkely nuk u largua nga Tivari pa siguruar një fotografi. Nuk dimë nëse për qytetin bregdetar, me plot ardhje-ikje të huajsh, pati ase jo fotografi të mëparshme, ashtu sikundër dimë se, për Jozef Szèkely-n, fotografia e Tivarit renditet e para në arkivin e tij të përkatësisë ballkanike… Gjithsesi, Szèkely me shokë apo ç’kishte përanash vetes… udhëtoi më shumë se një gjysëm dite dhe sosi në Shkodër të enjten me 20.08.1863. Dhe, Jozef Szèkely, priti e priti në Shkodër, derisa u shqetësua. U merakos për Johan fon Han-in. Në të vërtetë u merakosën të gjithë: edhe miku i vjetër i albanologut – Dr. Auerbah, shoqëruesi përgjegjës, togeri i marinës fon Shpaun, apo edhe kolegu i Hani-it, konsulli Dubravçiç. Qe e pranueshme të vonohej paksa, por, ndryshe nga ç‘qe thënë, Han-i u vonua një javë. Udhëtoi lodhshëm e ngeshëm, ngase, u ndesh me ç‘nuk priste… u largua e nisi ta lente mbas shpine Lezhën, vetëm në orën dy të ditës së pazarit javor, të mërkurën, me 26.08.1863. Dhe, udhëtuan përngutun plot tetë orë, patën pushuar nja një gjysëm ore sa për një kafe, dhe, në orën dhjetë e gjysëm, trokitën në derën e Konsullatës së Shkodrës. Në sallonin e mikpritjes sosi njëherësh edhe gëzimi… Loja e bixhozit uist (wist) u shprish… nisi sajdia, vena dhe rakia… nisën edhe rrëfenjat për çpatën sajuar, punuar e ç’vaki ndodhën, dhe, vetëm fare vonë u shtrinë, për ca energji sado, ngase … kemi punë dhe rrugëtim sapo të gdhi… U tha se do të niseshin tutje rrjedhës së Drinit sapo të niste edhe ndritimi i pritshëm i së ejtes, më 27.08.1863. Por, përngutjen për tu nisun sapo të fekste agimi i ditës së ejte, e cyti hovi gaztor në vorbull muhabeti e pijesh. Ngase, mbas atij pak gjumi me më shumë gërhima sesa ëndrra… u tha se ende nuk qenë gati… Sepërse, le të themi së pari: nuk mund të largoheshin me ngutje ngase, Dr. Szèkely, do të fotografonte “Skënderbeun…”
* * *
…udhëtimit për në Shkodër, Han-i, bujti dhe fjeti edhe në Delbnisht, në perendim të vargmalit të Krujës, nga ku s’duhej hiç dylbi për Detin, Fushë-Laçin dhe Breg-Matin… aty, në goxhafreski, majë kodrës pranë Kishës, në banesën e Monsinjor Refaele Dambrozio-s. Kryepeshkopi i Krydiqezës me 18 famulli katolike – nga Durrësi deri në Lurën verilindore, nja 20 orë të macahershme që nga Delbnishti – qe “kryebariu” i nja 4000 katolikëve, që jetonin hapërdarë në 789 familje. Që të mos hapërdahemi lodhshëm, siç rrëshqet doherë e shkruara… ja ç’na duhet, vë re: Han-it i mbetën sytë te një pikturë e vjetër në dhomën e pritjes së Refaele-s. Dukej profili plot energji i një të moshuari me beretë të kuqe… U tha se qe portret i Skënderbeut. Dhe, meqë qe i papamë për Han-in, iu lut Kryepeshkopit ta merrte deri në Shkodër, ta fotografonte Dr. Szèkely dhe ta përballte Han-i pastaj me kushsa piktura të Skënderbeut në Itali. Por fotografimi dështoi. … nuk doli aspak i mirë. Ngase, piktura, qe me rudha dhe kishte shumë valëzime… Kështu, … zoti Dr. Szèkely, vizatoi një kopje të saktë të kokës, për të bërë mbi këtë bazë retushimin e fotografisë.
Han-i gabon kur thotë se piktura s’doli mirë ngase kishte shumë valëzime… Njeriu i mjeshtrisë fotografike do të dyshonte. I gjendet dërmani rudhimit për çka flet albanologu, jo vetëm me shkrepje e dystim… por, edhe ngase, fotografi, nuk pati aparaturën përkatëse. Dhe, këtë, jo se nuk e tha para fotografimit… I paisun për fotografime panoramike, nuk pati objektivë fokusivë nën normalë për riprodhimin e pikturës me përmasa kuadrative nën metroshe… Se, objektivë nën normalë, ende nuk qenë shpikur… Gjithsesi, mangësinë teknike ksorasti, po e quaj favor të fatit, ngase, më dijenon për së pari, aftësinë e Szèkely si piktor. Që, sikur e kemi thënë, nuk e cyti tutje aqsa… deri në përpjekje shkollimi për evoluim. Gjithsesi, qe dhunti që u rrit dukshëm në vlerë dhe ecuni përgjatë jetësimit të punëve fotografike.
* * *
Entuziazmi i dashjes për nisjen e përngutun, u shua në pak kohë mbasi u tha… paksa mbas gjumit të së ejtes, qysh në orët e para të dt. 27.08.1863… nisën përgatitjet që s’u bënë përshpejtuar… përpjekja e lodhshme për të qenë gati shtyu edhe ditë, jo më pak se tri… Qe kohë që u deshën parakryer mjaft detyra, kryesisht për sigurinë e udhëtimit… E, për ç’siguri kërkonte siguria… Georg fon Han-i, qe më i kthjellti. “…kur po haja mëngjezin në Lezhë… për çudinë time më të madhe, mësova që, udhëtimin studimor nëpër lumin Drin, do të mund ta filloja që nga Shkodra (Skodra)… mbasi, në dimrin e viteve 1858 dhe 1859, kishte ndodhur shpërthimi i lumit në drejtimin veriperendimor të fushës së Shkodrës, duke mbërritur deri në skajin e saj jugor… Për dy dimra me radhë uji i Drinit u vërtit me egërsi anepëranë fushës që gjeti, duke shkaktuar dëmtime të mëdha. Në dimrin e tretë (1860) Drini hapi shtratin e ri… që bashkohet paksa përtej urës së Kirit (Kjirit) me lumin Kir në lagjen Tabakë, zonën më jugore të Shkodrës. …nëpër shtratin e vjetër që la, mezi derdhet në det një e treta e nivelit të përgjithshëm të ujit…
Han-i pat qenë kësoane dhjetë vjet të shkuara dhe, për një riudhëtim në Drinin e ndryshuar, kërkohej siguri… Kur Han-i mungonte, togeri i marinës fon Shpaun pat siguruar vetëm një varkë. Por, vetëm një, nuk mjaftonte. Han-i, autoritar këtu edhe për nga detyra, iu desh t’i lutej prefektit Haziz Pasha edhe për dy varka… Pashai qe i gatshëm, madje, ndërhyi edhe për shoqërues me nga tre lundërtarë, djemnamshëm. Por, shkoi puna deri përtej Bunës, në Shirokë. Kryetari i koorporatës nuk i dha varkat më poshtë se 20 franga në ditë dhe kjo, mbas fjalësh që u stivuan deri mirëkuptuese, u la siç u tha, sepse, u fol për vështirësi e rreziqe, përfshi edhe frikën e mundshme për kushediçka… në një rrugë të pashkelun.
Për sigurinë, gjithsesi, Pashai, prefekt, caktoi edhe dy kavazë (shoqërues). Katerajer, gjermani i shkathtë dhe korrekt i konsullatës, garantoi edhe ushqimet deri në Prizren. U pa e nevojshme që togeri fon Shpaun të bënte, për siguri, një mbikqyrje paraprake të rrugëtimit herë-herë shpërthyes të Drinit të ri. Kryesisht për të ditun në se diku edhe mund të ngecet në cektinë… Togeri fon Shpaun tha jo dhe u sigurua kështu në “shetitjen” e së djelës me plot diell të dt. 30.08.1863.
Sapo pat dëgjuar për ç’po “sajohej”, peshkopi i Zadrimës, monsinjor Severini, nguli me të madhe se duhej në ekip edhe një shoqërues klerik… Përzgjodhi Don Ëngjëll Bardhin dhe, në fund, Han-i u shpreh entuziast, ngase u bind për ç’qe dashun kleriku…
Kështu, e përgjithshmja, më në fund, qe kurdisun, moti vijonte të jetë xham… dhe, s’mbetej veçse të kurajoheshin për ate udhëtim plot veçanti dhe punë. Gdhiu mëngjez po aq i mirë të hënën me 31.08.1863, kur 15 burra (7 udhëtarë, 2 kavazë dhe 6 rremtarë), secili në vrullin e detyrës, i hipën varkave dhe plot entuziazëm e humor të mirë nisën të çanin Drinin e ri për të kapur, si fillim, Kalanë malore të Danjas (Daino). Ku, Han-i, si shkencëtar, u zhyt në vetminë e mendimit të thellë… (Daino – ital. – Dagno = në gjininë fem. të shq. = Daina – në rasën gjinore duhej thënë: Dainese… – mirpo thuhet Wan Dense dhe, më tutje edhe më keq: Wau Deise… dmth Vau i Daina-s…), burrat pranë rreknin trutë të rroknin gjuhë e kuptim… për shkëmbimin e batutave gaztore. Nja dy orë e gjysëm duheshin për të çarë kundërrrymën deri në Vau-n e Daina-s… Por, mendësitë e hapërdara tejtutje në humorin gaztor… u çartën… njëra nga varkat nisi të fuste ujë. Duhej kthyer dhe, u kthye, shoqëruar me një kavaz (bodigard) që edhe do t’i lutej Pashait për zevendësim… Kavazin tjetër e nisën në fshatin Gavoç për ndonjë mundësi se si mund të kalohej nata: deri edhe bujrum në konak… siç thuhej kësoana… Por, koha eci më shpejt nga kavazi, u bë vonë dhe më, s’çoheshin larg bagazhet… vendosën të flinin sidosi në dy varkat e mbetuna, që i lidhën dhe mbërthyen përanash diku në zallishte.
Dhe…
… duart e votës u ngritën për gjellë të ngrohtë… por askush s’ia thonte për “zojë shtëpie…” dhe, po me short, guzhinjer u caktua Jozef Szèkely. Szèkely mblodhi xhaurra, shkarpa a ç’gjeti në përanë të pyellit, kurdisi a ngrefosi tre gurë zalli… ndezi zjarrin në mes gurëve… vendoi mbi ’to kazanin me ujë të kthjellët lumi… dhe, prezent në ç’thuhej rrotull zjarrit e kazanit, përziente herë-herë edhe orizin që hodhi në kazan. Qe puna më e keqe që pat kurdisun e bitisun Szèkely fotograf… ç’sajoi mezi shtyhej… u varguan nofka e shaka… por, në fund, një rremtar me goxha përvojë pune dhe plot mangësi gjuhe… me më shumë fjalë italisht, ca sllavisht e plot xheste shqip… arriti edhe për gjermanikët (!) të qartësoi dhe fajësoi orizin… që qe tejngopun me lagështi a njomështi, duke qëndruar përgjatë fundvaporreve diku në ndonjë funddeti.
* * *
Vorbulla më e madhe e rrymës nuk qe në rrugëzimin e ri të Drinit, por nisi në afërsi të Komanit. Në rrëmbim të ujit, togeri fon Shpaun, e ndali udhëtimin. Ngase, nisën vështirësitë e vërteta. Cekej kaskada e ujit, cekej për nja njëqind metra në vijim, vorbulla e rrymës nuk premtonte rehati, do të qe çmenduri mospërfillja… Edhe malësisë tutje Komanit, u tha se nuk mund të ecej me gjithë ato bagazhe. Kështu grupi u nda, ata që qenë përgjegjës për bagazhet u kthyen: Katerajner – me teprina ushqimesh, një marinar, një kavaz dhe Dr. Szèkely – me gjithçka teknike, pra: aparatet dhe kimikatet e rënda fotografike… Ata që u kthyen arritën në Shkodër ende pa u ngrysun. Dhe, të nesërmen, udhëtuan me rrugë toksore për në Prizren. Ku, gjithsesi, sosën hone më parë se fon Han-i, togeri fon Shpaun, Don Ëngjëlli apo ç‘qenë në grupimin e tyre përgjatë kundrarrymës së lumit Drin. Peripecitë që hasën ua shtynë disi kohën e takimit të hamendësuar. Dhe, Han-i, qe përherë i shqetësuar për mbarësinë e Dr. Szèkely. S’do ta dimë… mbetet brenda Han-it për ç’qe respekti: për Josef Szèkely (!) si njeri… për titullimin Dr… (!) ngase, nga gëzimi… për një si paqtim të brendshëm, që fotografitë do të sillnin… sepse, po thyenin një tabu… sapo patën nisun edhe ilistrimin e shkrimeve (serioze…), apo kushedi, për ndonjë porosi meraku të veçantë… (!?). Gjithsesi, nuk do ta dimë. E vërteta është se, Han-i, edhe pa e thënë, vetiu e shtynte në dukje kujdesjen për Szèkely… Sapo sosën në “Hani i Sakatit”, albanologu pyeti njëherësh për Doktorin. Dhe, u lumturua, kur mësoi se para tri ditësh kishte fjetun edhe ai këtu. Lugina e Goska-s do të qe tashmë pa siklete për në Prizren dhe kështu mbasi hëngrën mëngjezin, e lanë “Hanin e Sakatit” dhe u nisën edhe ata për në qytetin më të madh të Shqipërisë… Kur fon Han-i me ç’e shoqëronin arritën në Prizren, s’u muer vesh përke qe nderimi më i madh… Drejt Han-it (me grupin) vrapuan hovngutshëm dhe gazçiltër, nja 150 kalorës, më autoritarët dhe nga më të shquarit e qytetit. Me në dukje buzëqeshjen pa hile, kapardisun si për festë, patën hipur mbi kuaj shale-zbukuruar, me në krye gjokun e Dr. Petelenc. Edhe për Dr. fon Petelenc, Han-i, u gëzua. Qe mik respekti për Han-in edhe burri fort i namshëm në Prizren, agjenti konsullor i perandorisë Austro-Hungareze. Gjithsesi, përçka pa asoçastesh mes kalorsve, Georg fon Han-i tha i lumturuar: “… ne patëm kënaqësinë të përshëndesnim edhe zotin Dr. Szèkely, që gëzonte shëndet të plotë.”
Qe messhtatori kur u puqën. U rrëfyen për ç’u pat ndodhun, u kënaqën dhe ngopën me ç’u ofroi shtëpia dhe bujaria e fon Petelenc, punuan me mbarësi nja dy a tri ditë dhe, në mbasditen e së ejtes dt. 17.09.1863, u larguan për në Lumë e më tutje: në luginën e Drinit të Zi, vijuan mbi faqen shkëmbore përbrinjë rrjedhës së shtratit të thellë që, pa hiç gjëkundi urës dhe këmbë ure, quhej “Ura e Djallit…” Fjetën dhe gdhinë në një kullë të braktisun në Bicaj, të shtunën, me dt. 19.09.1863, dhe mbërritën në Lusen e Bushtricë, sosën në Radomirë dhe, në fund të atij zgjatimi, u shtruan më ngeshëm në Dibër, ku, Dr. Szèkely, siguroi edhe tri fotografi. Patën hipur mbi nja 12 kuaj të rizgjedhun, qenë veçantë kuajt për ngarkesat apo dy xhandarët që, për siguri, i shoqëruan misionarët hap më hap. Gjithsesi, nuk qenë larguar nga Prizreni pa siguruar, së paku, nja pesë fotografi të vlershme…
* * *
Kështu. Në aqsa ditë stivon një muaj, Jozef Szèkely, bëri vetëm 20 (18 të mira…) fotografi. Lexonjësi i sotëm do të habitej me ballancën 20 (18) foto në 30 ditë. Do t’i dukej çudi edhe një fotografi që nuk e njeh historinë e evolucionit fotografik. Për kohën kur bëhet fjalë, madje edhe krejt mbetjen e shek. XIX, fotografimi nuk qe punë e lehtë… As nuk bëhej nga kushdo. Asohere punohej me metodën kolodio e lagësht. Edhe Jozef Szèkely punonte me metodën kolodio e lagësht… Që, do të thotë: themeli kimikat i formimit të figurës negative, kripërat e argjendit, hapërdahen dhe thithen në suportin e xhamtë, vetëm nëpërmjet eterit alkoolik ku është shkrirë pudër e pambuktë. Shkrirja kimikate e lagësht hapërndahet në mënyrë artizanale, natyrisht jo pa mjeshtri të mësuar. Në njërën faqe të lëmimit të xhamtë hapërndahet emulsioni, vetkuptohet kjo, kujdesshëm kështu. Dhe, ngjitet pashqitshëm aty. Në pritje të bombardimit të dritës që alarmon kripërat e bromurit të argjendit. Nuk do të qe e tepërt të shtojmë edhe diçka mbi themelin e kësaj mrekullie që shekujt e fshehën përgjatë nën xhuben e sekretit… Kripërat alkaline (bromur, jodur ose klorur potasi) në masën 20%, përzihen në nitrat argjendi dhe formojnë një solucion përkatës me kristale që fshihen në padukje brenda tretësinës së shtrirë në mbajtësin (suportin) e xhamtë ose celuloid. Pjesët e shndritshme të objektit pozant që përplasen në pllakën emulsive brenda territ të fotoaparatit, rrisin lëvizjen e elektroneve dhe grupojnë në kristal “gropëzat e thella…” Krijohen kështu qendra negative që tërheqin jonet pozitive të argjendit (Ag-). Bërthama e vogël që formohet, e ngjeshun mes dhjetra atomesh, krijon bazën e farëzave të fotografisë. Brenda emulsionit krijohet qendra e ndjeshmërisë, pikëlimi embrion farëzues… për sajesën e figurës fotografike. Bombardimi i dritës pra alarmon, lëviz e përshpejton… formon – edhepse ende të fshehun – shembëllimin e figurës negative… Tretësira të tjera të posaçme, po aq komplekse, e çvarrosin negativitetin… e bëjnë të dukshme figurën (pamja pozitive) e trimërojnë trimëreshë jetëgjatë përballë ndriçimit. Pat lindun fotografia kështu, që, sa t’i sojohej emri (mbas: daguerrotipia… talbotipia… kaliotipia… a ç’hamendësohej…?!) u desh edhe kohë. Gjithsesi, Jozef Szèkely, e nisi punësimin këtu kur emërtimi qe vulosun: fotografia… (foto = dritë, grafi = me shkruar), siç vijonte si për inerci me emërtime që ende i pillte greqishtja…
Sikur qe e nevojshme të thuhen këto, veçanërisht për të theksuar vështirësitë e fillesave fotografike. Edhe sepse, përgjatë kohëfotografimit, gjithçka përgatitej aty për aty, me punë artizanale dhe, jo nga kushdo, veçse nga mjeshtria e vetë fotografit. Veçanërisht deri në proçesin kolodio e lagësht. Kolodio… i Arshesë-proçes që parësonte edhe në vitet 1870. Ku, përgatitej e përshpejtohej shkrehja e fotoaparatit për ekspozimin e figurës në kushte terrësimi dhe ende pa u tharë tretësira. Vërtetë përshpejtimi i kohës së ekspozimit apo formimit të figurës negative me metodën kolodio u arrit disi kënaqshëm, aqsa nuk e lodhte dhe as s’e bezdiste si, dikur, portretin pozant… Por, përgatitjet dhe angazhetë e gjithësishme të fotografit, kërkonin ende shumë kohë. Mbeti i befasuar dhe i habitun Georg fon Han-i kur vu re me nge se ç’bënte Dr. Szèkely. Ndodhi kur, diku pa sosun ende në Kalanë e Dodës, pamja romantike e një masivi shkëmbor, i nxiti të dy që ta fotografonin. Në padurimin e shtuar deri në bezdi, Han-i tha: “…kaluan dy orë e gjysëm… Pra, fotografia s’u bëka kalimthi, ashtu, duke ecur… Kjo dëshmon se: ose u dashka fotografuar, ose udhëtuar…”
Gjithsesi, në çdo rast, nuk e prishën terezinë: as Georg fon Han-i, as Jozef Szèkely. Veçanërisht kur të dy qenë të bindun për ç‘ka do të fotografonin. Edhe kësorastesh, Han-i, ia lexonte emocionin Doktorit. Diku tej Vaut të Dejës dhe pranë Komanit, kur sapo hynë përmes të çarës shkëmbore, Dr. Szèkely, e pa gëzueshëm Han-in dhe, duke përkulun kokën e me njërin sy të shkelun, i tha: “…këtu filloka davaja…” Han-i, që e pat vu re edhe në Shkodër ngenë që lypte fotografimi, e la të qetë Dr. Szèkely. Dhe, vijoi më tutje. Ku, iu shpalos një idil i vërtetë, një mahnitje, një si rryp i ngushtë pranë rrjedhës, rryp toke disi harkor, në formë drapëri, me truma të dendura pemësh, me shtëpi dhe kishë të fshehura nën pemë. Dr. Szèkely, së paku kësohere, nuk e kishte vështruar dhe ndjesuar kështu bukurinë panoramike. Sikur, qe pa humor. I qe mbaruar uji i distiluar… që shplante të tepërtat emulsive… mes proçeseve fotografike, i detyruar do të përdorte ujë lumi – hera e parë kështu – dhe, ia vlente të shqetsohej për cilësinë produktive… Kur, fotografi mbas punës dhe shkencëtari mbas mëvetësisë së përsiatjeve… qenë ulun të hanin diçka dhe disi të shplodheshin… në ajrinë dhe virgjërinë mahnitëse, këtu, në qoshen më të humbur të botës… të dy, edhe Szèkely edhe Han-i, qenë të mendimit se, gjithsesi, punët e mira bëhen me mend dhe me nge…
– Megjithate, qenkemi ngutun diku… tha Han-i – Hiç nuk po më pëlqen, që në ecuninë tande, mungon diçka…
* * *
Georg fon Han-i, e prishi terezinë me zymti kur mësoi se, tash e mbrapa, fotografi qe i detyruar të eksperimentonte me kimikatet e solucioneve. Gjysma e merakut të fon Han-it, gjatë kësaj ekspedite, qe edhe për Szèkely. Për punën e Szèkely-s, për vlerat fotografike… Qe hera e parë për kësisoj meraku. Mbase ngaqë, do të ilustroheshin librat e tij, do të zbukuroheshin, do të qenë ndryshe, më konkrete, më shpjeguese. Georg fon Han-i, pat nisun ta ndjente dhe priste mirësinë… Por, terezia iu prish… Nuk e donte mosmbarsinë e punëve të Szèkely. Aspak nuk dinte se ç’rrol mund të luante mungesa e ujit të distiluar në proçeset kimikate të fotografimit. Nuk dinte nëse ka ndonjë veçanti, dmth përzierje në vlerën kimike enkas për këtu. Veçse, pa e pyetun ende Josefin, Han-i mendoi sesi dhe ku mund të gjindej ç’mungonte. Në cilin qytet? Nëse mund ta gjenin në qytetet ku po shkonin, apo në Shkodrën që lanë. Shkodrën Han-i e njihte mirë. E pat shkelun deri edhe nja dhjetë vjet të shkuara. Dhe, e dinte se gjithçka e veçantë harxhohej e nënbluhej si në një lëmë rrethore kilometroshe, epiqendra e së cilës qe puqia veriore e Parrucës me jugun e Fush-Çelës… Dmth rrethqendra ku pat mbirë Shkodra e re. Ende pa Valiun brenda apo Guvernën e pa zbritun nga Kalaja. Han-i, ama, nuk dinte dhe nuk mësoi kurrë nëse kishte në Shkodër, në Shqipëri, madje edhe për nga lindja ku do të shkelnin, adashë profesional të Jozef Szèkely-s. Ia tha Jozefit ç‘mendoi. Jozefi vetëm vështronte osoçasteve dhe heshtte. Han-i tha të fundit:
– … mbase ka armeni (?)… Armeni Muzali, ka hapun një farmaci sapo u rehatua në Shkodër, para nja tre a katër vjetësh. Por, nëse bindemi se gjejmë ç’na duhet ke zotni Mozali, do kthyer në Shkodër…(!?)
– Gjithsesi, do të provojmë ujin e Drinit, më parë. Aq i kthjellët sa duket, them se do ta kapërcejmë hallin pa telashe… – tha Josef Szèkely.
* * *
Dua të jem në mes dy lexonjësish: ai që i do dhe, tjetri, që nuk i do shpjegimet e natyrës teknike. E vërteta është se, përpara pamjes, llafi memecet e bëhet tjerabiçim… Dhe, siç mbetet çentrues apo bumngulës njëherësh përceptimi viziv… kur kyçi mbërthyes e kapërcen zotërimin e Zonjës preçize që përshtrydh hamendësinë me mokrën e trysnisë… ashtu njëherësh, edhe këtu, po J’u servir një ilustrim të vitit 1869 (fig. 5). Mbetet ilustrimi më i gjetun për të treguar minimumin e peshës së paisjeve që duheshin domosdoshmërisht për fotografim. Dhe, minimumi i peshës, pat zbritun deri në 24 kg. Vetëm për një fotografim. Më 1869 – tham. Nja gjashtë vjet mbas udhëtimit të namshëm të Dr. Szèkely në hapësirën shqiptare. Aq më shumë peshërëndë qenë paisjet, kësorasti, të vetë Szèkely. Siç mund edhe të hamendësohet udhëtimi tremujor i dikurshëm, gjithsesi, pa mundësi kthimi dhe furnizimi asgjëkundi… Udhëtim me veçanti… me tendë, shishe qelqi e fotoaparat druri… me 100 xhama peshërëndë dhe formatmëdhej… me kudiunë.
* * *
Udhëtimi i namshëm i grupit të studiusit J. G. fon Han përgjatë rrjedhës së lumit Drin e më tutje, zgjati nga gushti në nëntor të vitit 1863. Por detyra e mirëpërcaktuar mbaroi në Ohër e Manastir, aty nga mesi i tetorit. Misioni i paracaktuar sikur u mbyll këtu, brenda hapsinës shqiptare. Në tokën shqiptare, honepërtej kufizimit të sotëm, Jozef Székely, fotografoi edhe në Veles, Përlep, ase Demir Kap, tutje ngushticës së Vardarit. Gjithsesi, prap vijuan. Vijuan edhe përtejtutje Maqedonisë lindore dhe Greqisë së thellë, deri në Trojën turke. Sikur qe më i ngeshëm ky udhëtim i shtuar… për gati një muaj, numëron 18 fotografi (dy në Kavalla, tri në Tenedo, dy në Syra… dhe ç’mbetet, të ndara me mbishkrime ndërmjet Trojës dhe Ebenës). Ç’farë fotografuan gjatë udhëtimit-shtesë, i shënuan me numëra romake, po themi, si për t’i ndarë nga detyra parësore. Gjithsesi, për punë a për qejf… në ditët e shtuara, numëri i përgjithshëm i fotografive u bë 68. 50 prej fotografive qenë grupuar për shërbesën ilustrative të shkrimeve të Han-it, enepse, asnjëra nuk u botua. Nuk u botua as lista që Akademia Austriake e Shkencave (AAS) e përpiloi kur injoroi botimin e fotografive. Por lista s’u botua edhe për një çik faj të vetë Han-it, ngase, në inat e sipër, u zotua se do të gjente marifetin e ta botonte albumin me 30 pamje fotografike, qoftë edhe veçantë nga shkrimet. Nxiti disi ambicien e akademikëve kështu, u sajua njëfarsoj premtimi dhe u la. Pra, lista njoftuese brenda librit s’u botua. Të mërkurën, me 25 prill 1866 Akademia Austriake dhe Han-i nënshkruan për dorëzimin e imazheve të Szèkely … por, u mbyllën, s’u dhanë, s’u gjetën fonde, s’u botuan… Pra, as veçantë nga libri i Han-it, s’u botuan. Shkresa dhe fjalët me premtime u zvarrisën deriaqsa Johan Georg fon Han-i iku… iku nga frymëmarrja dhe u mbyll përgjithmonë nën këmbët e të gjallëve… Iku më 1869, por, s’u harrua… Fotografitë e Szèkely u mbyllën sirtareve të Akademisë dhe kodeve të Bibliotekës Austriake pranë duarve e para syve… dhe u harruan… Jo pak por, plot 140 vjet. Derisa erdhën edhe tek unë… Në fundvitin 2003.
…por, le të kthehemi në Shkodër! Ku, nuk e harruam, por e lamë në rrjedhë jetësie Nusen shkodrane… Le të kthehemi asoçasteve pra, kur, fatmadhnisht, u fotografua dhe vulos për në përjetësi imazhi i Evës shqiptare…
Nëse intuita të rrek e lodh, ta mbërthen hamendësinë dhe, nuk ta lëshon të vërtetën… kur të ta përçfaqë ç’fshihte, hidhesh gufant i lumturuar, fitimtar dhe Zot. Ndjen gurgullimë nga brenda, një si melodi pëlqese, një si ngopje shpirti, ta gris tymnajën… dhe, në pamjen plot kthjelltësi, shpejton ta kapësh ç’kërkoje… Ja pra sesi: intuita cytëse më pat pëshpëritur paprerë: …ka ndodhur një mrekulli! Qenka ndalun çasti i ecunisë shkodrane… Me artin më të ri qenka ndalun: fotografinë… Për herë të parë qenka ndalun – në Shkodrën time… Ndër të parat herë qenka renditun – krahasuar edhe me botën tejtutje… e paska ndalun Jozef Székely… hungarezo-austriaku, vjenez, i caktuar me detyrën për ta ndalun… E paska ndalun për së pari jetësinë shkodrane… pa hile… pa mbrapakode… kështu e paska ndalun. Pa faj e pa gabime. E paska shënuar çastin e ndalun… E paska shënuar e vulosun adresimin dhe kohën… Shkodër, fundgushti 1863… Adresime pa të cilat fotografia e humbet memorjen… çorodit dhe lodh përtejkohën… Jozef Szèkely i paska plotsuar detyrat. Paska mëshuar forcë sigurie mbi tavan të vulës: PHOTOGRAPHIE – VON DR SZÉKELY ËIEN- 1. ELISABETHSTRASSE 2. Dhe, kjo thotë e vulos parësinë profesionale. E paska angazhuar AAS (Akademia Austriake e Shkencave), dhe kjo shty tutje rastësinë… kjo rrezon e duk parësinë dhe, gjithsesi, duk interesin për Shqipërinë time… Vendi dhe datimi adreson dhe saktëson kohën e ngjarjeve. Mbi truallin e Shqipes, kësohere, rendit e vulos fillesat fotografike…
Dhe, fillesa fotografike mbi truallin shqiptar ndodhi më 1863. Fundgushti, 1863. E djelë, mbasdreke, 23.08.1863…
Ndodhi herët, më saktë, njëkohshëm me botën fotografike të specializuar, që pat nisun të derdhej anembanë globit… ndodhi: kur, sosi në Kinë… asohere kur, amerikani Milton Miller, hapi studion (atelienë) e parë fotografike në Hon – Kong (1860). Kur, fotografia eksperimentale nisi të ngutej edhe për në skutat e ngjarjeve… si, fjala bie, punë ditësh, nja një muaj para Szèkely në Shkodër – korrik 1863 – dhe ca më pas, amerikani Tmothy H. O’Sullivan, fotografonte të pajetët e fushës së të vdekurve në Gettysburg, pennsylvania… thënë më adresuar për shqiptarët: të vrarët e Luftës së Madhe Civile, amerikane. Luftë që e cyste e drejta e Heqies së Skllavërisë. Për mbrojtjen dhe ligjin e së cilës, presidenti i namshëm Abraham Lincoln e pësoi me atentat (1865). Ca muaj më para atentatit dhe, pak muaj mbas kohëqëndrimit të Jozef Szèkely në Shkodër, Matu Brani, e fotografoi presidentin Lincoln (1864) – ndër rallësitë e para, të ulej kohëpërgjatë burri i madh i shtetit, përballë fotografit të bezdisshëm…! – portret që e shikon sot mbarë bota, sapo merr në dorë monedhën 5 dollarëshe. Macahere pra, në kapërcyell të viteve 1850 dhe në fillesë të 60tës, kur, Rozhe Fenton – atje… eksperimentoi me të vdekunit e palëvizshëm të Luftës së Krimesë. Për së pari kështu në vakitë fotografike (1855). Avokati anglez, që çmendej mbas sajesave fotografike, ngarkoi 36 paisje të nevojshme, që peshonin mijëra kg., i hypi vaporrit në Balaklava dhe, turravrap në Krimenë e Detit të Zi… Nga ku, të vdekunit e shtrirë, e ngrinë përjetshëm çastin e ndarjes nga gjallesa… pamje pa fjalë që i tmerruan njerëzit. Dhe, do thënë mëshuar edhe për tjetër gjë: të shtrirët e pafrymë… se, veprimi luftarak në lëvizje apo lëvizjen e madhe… teknikisht, ende nuk e bënte fotografia… Jozef Szèkely fotografoi zyrtarisht në Shkodër edhe kur, Julia Margaret Cameron, gruaja e parë – me parësi të namshme edhe mes burrash kështu – kulmonte e ngjitej në shkallët e namit artistik me pamjet: “Mary Hillier, Elizabeth and Kate Kuhn” apo, “Paul and Virginia” (1864), apo…(?!) Jozef Szèkely fotografoi artistikisht në Shkodër, asohere kur, mjeshtri i madh Nadar (Gaspard Felix Tournanchon), guxoi të fotografonte së pari që nga balloni (1858), fotografoi “Gruaja me kostum” (1865), portretizoi, kohëshpërndarë në ato vite, serialin e madamave pariziane: Lafange, Delna, Jeanne Harding.. ku do të veçojmë Georges Sand (Zhorxh Sand) – portretizuar më 1860- gruan e manshme burrëruar me pseudonim… mbase, për të duk lirinë e zaptuar a për të fshehun nëpër romane dashunitë vetiake, me Shopen, Alfred de Muse, a kudiunë… Dhe, dua të jeni të bindun se, mjeshtri Nadar atje në Paris, nuk i portretizoi parizianet – dhe as të veçantën Georges Sand – hiç më mirë e më bukur se sa Dr. Jozef Szèkely këte shkodranen time, këtu…
* * *
… shkodrania ime!
* * *
… e dua fort këtë grua. Ngase, në kushsavite, e zhvesha… me goxha mund, edhe në vetmi… dhe, u binda që qenka Eva shqiptare… Adami paska qenë i rren-të… (Më saktë: Hamza… i fotografisë shqiptare, i sajuar në Adam...!?) Unë e dija që Adami ishte i rren-të… E mbolla dyshimin në kohëvrullin kur “plugoja derrçe” për FESH-in e papamë… macahere, në ditë-netët e sikletshme të vitit 1983. Dhe, e rrita bindjen. Ashtu, mundimshëm, duke grupuar, krasitun e përzënë, për të zgjedhur dhe veshun mendësi… me ç’më duhej. Më adresuar: me ç‘i duhej e, ç’meritonte Evi.. Ashtu, avash-avash, përanash kyçies së bezdisë… rrekesha papro të grisja tisin e territ të padijes… Dhe, kur e çpështolla ç’fshihte padija, ndritimi erdhi…asohere, pupthi e hovas, shpirtgufac, thash: …ne shqiptarët nuk kemi Adam!… Kemi Eva… Qenka Evi fillesa… jo Adami fillimi…
* * *
…dhe Adami tha:
– …enepse diku me hile… ani(!) prapseprap, papro, e dua Evin… Se, ngopi vijimësinë e jetës… Se… Ene ngase, në vorbull sikletesh, Evin, e polla namshëm nga brinjët e shpirtit…
* * *
Thënë troç, u rreka nja 20 vjet ta rrëmoj e latoj ç’më grricte… Diçka prisja, tjetër nga ç’thuhej, enepse nuk dija ç’pres… (?). Veçse, paskam ngjeshun shpirtin, tamam për këtë grua. Për Nuse-n shkodrane… me kostum katolik. Jo për kostumin. As për xhinglat e bizhuterive… As për ate qëndrim të një vetëbesimi dinjitoz… – siç tha Mark Cohen kur i fshiu mjegullnajën shekullore. Për madhinë e përvuajtjes – them unë – në lodhjen kohëgjatë, durim xhanplasun… nja, 140 vjet. Nuseurtë… e heshtun, përzhytun nën perdepluhurin që fsheh e zbeh vlera… Duke pritun goxha, përherë mendjeshinjestër përtej humbëtisë… Dhe, paska pritun tejdurueshëm, derisa kolegu Mark Cohen (Kohen) më mesazhoi përgëzueshëm në fundvitin 2003.
Për ringjalljen tënde Evi… për veçantinë e mrekullisë më foli, plot entuziazëm u shpreh. Sapo të pat nxjerrë nga gërmadhat, të ç’pluhurosi dhe hiç nuk mburrej për veprën e vlerë. Foli veçse një herë dhe, Cohen, heshti, si të qe doktorri që e kreu operimin… Mua, ama, m’i xixi xixat, m’u trand shpirti Evi… të pashë, kur mezi prisje të më shohësh… Dhe, qe puqie njëherësh, qenë shpirtrat që nisën kurajshëm breshëri rrezimesh… Ti përçoje krenari… qe, rraskapitun, dëshirëplasun, goxha kohëgjatë, deri përtej kushsa jetëve… Por, e pathyeshme, qëndrestare, mbi çdo përmasë hutimi… Ngase, nuk e pranoje rënien. Ti kërkoje shpëtim dinjitoz… Kishe harxhuar aq shumë rrezim të magjishëm, rrezim xhani… Derdhun e përpirë nga humbëtira… derdhun më kot për në prehër të pritjes… Edhepse s’e pranon rënien… gjithsesi, s’bërtet me krenari… dukesh vërtetë e nënshtruar, e mundun, fatterse, nën pluhun e rrënoja… Fatngjashëm dhe sipangjashëm me nusen e Goikos në Legjendën e përfolun botërisht të Kalasë shkodrane Rozafat… Që e murosi mjeshtri i mureve Radi, si fli a kurban, se, ua prishte natën Zana perri… Ngase, duhej një fli për mbarësinë… ç‘rrekeshin aq mundimshëm të ndërtonin ditën të tre vëllezërit dhe usta Radi, rrënohej flurthi natën. Dhe, nusia e Goikos e përjetoi dhimbshëm murimin… Kur pa fundin (edhe pse s’e mori vesh tradhëtinë…), luftoi për ç’mund të shpëtonte, kërkoi t’i linin syrin dhe gjoksin zbuluar për të parë dhe ushqyer Gjonin vocrrak, tharmin shpirtplasës të nanës si nanat… Ti, ndryshe Evi, ndonëse disi fatngjashëm, prap, dy veçanti: dy nuse namshekujsh në panteon të Shkodrës me plot nuse… Goikoja, jehonëmadhe, që ende nga përtej shekujt deri në mileniume… vijon të rrjedhi bardhësi dhe jetë nga gjoksi bukuri… Ti, në humbëtirë… gjithsesi, disi ndryshe. U mbylle fatcaktuar pa e ditun se po mbyllesh, siç nuk e di kurbani therorinë… Ndryshe nga nusia e Rozafës, Ti, u fatcaktove në urti… pa edhe namin se humbe diku në harresë. Derisa të mbështolli, përcolli a volli koha (a Cohen…), m’u në prehër të kohës time. Derisa… mbive, sikur, bulëzove shëndetshëm, pa më kthim… Dhe, ja: u puqëm. Më në fund mirësia qe me ne. Qe lumni hanamirë takimi. Qe shkëndijë xixë puqia… shtysë e vlim i brendshëm… një si parandjejë pëlqese, që, eci e u rrit deri në plotësi… Qesh lodhun duke hamendësuar… ku mund të jesh, në ç’humbëtirë të pat flakun e fshehun fati?!… Gjithsesi, ja, përgjatë më së fundi, ashtu, duke u parë sy më sy… I tham shpirtrave: ngopuni…(!). Dhe, rrekem ende të ta mbledh fuqinë, dua të ta rikurdis kurajon. Të ngrihesh përherë Zonjë mbi çdo humbje… Akordet fijendjera të shpirtit po rrekem ti tufëzoj… Po i latoj dhe stolis me asisoj kordonë ylberi… që m’i qendisi shpirti. Dhe, ç’meriton, po ta jap. Po të vendoj në kryeqoshe… Të emërova: Eva e fotografisë shqiptare. Shkronjagdhendun, tashmë, në përjetësi… Eva fillesë e shkencës dhe artit tim. Evi pri vërteti…(!) Amësi dhe ecuni e amësive të mia… në frymë dhe ëndrra.
… shkodrania ime!…
… me vështrim sypatrembur… inteligjente… portret depërtues… i një gruaje të aftë… me vullnet të fortë… me qëndrim vetëbesimi dinjitoz… – tha ç’tha Mark Cohen. Sapo qe diplomuar me master në farmakologji, ai, kolegu ynë, Dr. Jozef Szèkely… – i thash. – Qe rinor, me vrullin e vullnetit… si kurrë. I gatoi mjeshtrisht edhe ç’i lypte kolodio e lagësht… aty, në dystin e suportit të xhamtë… Gatoi mjeshtërisht edhe sesi mund të zgjohej e ringjallej shpirti nën dozimin e barnave… nën pushtetin e rreptë të një mjeshtri: Dr. farmakolog… Dr. Jozef Szèkely i mjeshtroi të dyja. Zbërtheu mirësi shpirti në efekte lumturie… asohere, kur modeli ndërgjegjësohet dhe rri qetë e plot dashje përpara fotoaparatit… përgatiti dhe voli pa të meta produktin e solucionit kimikat që, prej nja njëzet vjetësh, rrekej të figuronte dhe ndalte pamjen si e si më mirë… Dhe, Dr. të nderuar, unë i shtova yje në të dyja diplomimet… Ngase, u binda: qe plotësisht i lëshuar në pushtetin e magjisë së mjeshtrive… në ç’do çast të pesë orëve të asaj mbasdreke të së djelës me dell artisti… Aty, në oborrin e Konsullatës që riparohej, mbase, edhe k’sohere, pa lartuar murin me komshiun… aqsa, cerek muri pra, kapercyell qe nëpërkembej pa hiçhile… ajri paqtore, pa zemëratë, mjedis qe s’donte kunja e kufij me banesën ngjitur… Dr. Jozef Szèkely rastisi ku duhej, dhe asohere pra, në pasdrekën e së djelës, disi të hirtë… me purpurin e vellos së nderun nën qiell e mbi qytet, me ate tis ndritimi të shpërhapun… pa theksime hijesh, kohë xixëcytëse për fotografi. Veçanërisht, boll përputhëse me arritjet teknike të deriatëhershme. I lodhun nga kotësia e pritjes, përzhytun disi pa dashun në shtykohe muhabeteve me llokma ideshë dhe bixhoz uist koti, pa hiç vlerë e shpërblim kesh… tamam nga përse-ja e vonesës së Georg fon Han-it – Jozef Szèkely, e vu re ndritimin e ëndërruar tamam asohere kur po shtryqej në oborr, mbas një dreke gostimiku… me peshk krap në tjegull të nxehtë, me marka vene honesenga… dhe, raki meraku nga rrush tajge, kokrra vezake – faqebuçko – verdh’ e kuq… që, edhe asoçasteve, vilavareshin në caracin e oborrit të komshisë… Szekely zbriti dhe hapi çanta, kurdisi tripodë… aty, në fund të shkallëve, ftoi ç’iu gjend pranë: anvisa, komshia apo përkujdestaria e Konsullatës, iu lut ta ndihmonte dhe, më vonë, në se mund të qe e gatshme të rrinte paksa përballë, pa lëvizun… si një shenjim sprove për kushediçfarë… Pra: një shenjë shenjimi, një kufi cak… një disi flu në formësimet trunore… një farsoj ndihmëtareje, me qëndrim krejt normal që, s’sajonte xhest turpi me qeder… gjithsesi. Shkodrania e mirë, që qe mësuar të përballte tanë sfidat e mirësjelljes me çdo të huaj… s’mori vesh tamam se në ç’rol do të shërbente. Gjithsesi, nuk mohoi, nuk tha jo, nuk mund të thonte dot jo… Nuk tha dot jo edhe ngase, meqë kuptoi – ashtu, xhest e gjuhëçapaçule… – se kjo lloj shërbese duhej më vonë… do të qe e mundun të bisedonte dhe qartësohej edhe me Zonjën plot hire dhe mirësi… në vilën e së cilës qe zonjë e zot guzhine dhe punëve të tanë mjedisit. Kështu nisi vallia… ashtu si kot. Një shenjë modelimi, apo, pozante. Që u sajua shkathtë e bukur dhe, triumfalisht, e vulosi përjetësia… U madhua goxha edhe në bindjen time, themel pjedestali u çimentua, tamam fillesë fatlume, asoçasti, aty, nën qiellin shkodran me diell syll… Shkodrania dukagjinase dhe nusia shkodrane, “ngriu…”, “ngriu…” përsëri nusja, përaqsa iu desh t’i “ngrinte…” mjeshtri, që u kurdis pasionant për plot pesë orë… 5 orë iu deshën Dr. Jozef Szèkely për “orkestrimin e dasmës” së madhe… Qe vallja nismë në Shkodrën e shqiptarëve… Një daulle lajmëtare, pa bezdi, ashtu përsmari… tjerasoj, me dasëm e nuse ndryshe. Një fillesë çudivaki, vakisun në Shkodrën e vakive… Një biçim çakçasti, që çimentoi themel përjetësie… Se… Doli nga sepeti kostumi i nusërisë. Doli, si kurrë tjeraherë. Dolën nga terri i heshtun xhingla e qendisma… që madhonin bukuri, nënshtruese ëmbëlsisht nën vështrimin e kujtdo. Qendisma e bizhuteri që ofronin e thonin hershmëri, tregonin mëveten e origjinës, identitet e shkodranizëm katolik… Veshun e stolisun për në ditën e madhe, nusja e dasmës, kandriti në dritë të kandritshme – siç fliste Fishta… – u madhua në Eva Kambëzanë… e fotografisë shqiptare. çorri perçe terri, doli e mbërriti në shkëlqesën e dritës shqiptare, Eva… Nusja e dasmës së madhe… Darsma… pa kamën n’koshiq… pa koçi me katër kuaj… pa kalarime fisnikësh me atllarë e binjira… pa i cinare burrash ke çinari i Zef Zorbës… pa xhingërima, gjerdanë me inxhi e flori… pa xhingla-mingla paje, zhurmante… Darsma ndryshe!… Me nuse në vetmi. Hallexheshë, dëstuar injoruese mbi halle, mendimtare ëndrrangopun… gjithsesi, përzhytun në myti… Ulun pa gajle në qylymin e rastësishëm. Për, gjoja, ca si pushim, mbështetun përanash në çantën e bagazheve të fotografit… bërrylin e djathtë mbi çantë, me kokën e rënduar në shpinën e gishtrijve të përthyer. Nuse, me plot vetëbesim… e gatshme për në udhëtimin e madh… Udhëtimin famoz, gjithsesi. Deri edhe tek unë… Dhe, tej meje, përtej në jetësi… Faleminderit Dr. Jozef Szèkely! Kape një çast dhe mirëpërcaktove saktësinë e një adresimi të kohësisë… Dhe, kurrë s’tu tha… dhe kurrë s’e more vesh, se ylli i fatit të përzgjodhi bujarisht për një fillesë mrekulli…(!) Faleminderit nuse Evi!… Ti, sigurisht, nuk e di, por, po ta them: në veçantinë e asoçasteve dritëyjesh, grimcuar dhe hapërndarë tis njënjëshëm nën perdepurpurin që ndante tokën nga qielli… u përzgjodhe parësia e vendit ku linde dhe linda… U pagëzove Eva e fotografisë shqiptare… dhe, diku humbe e, seç paske pritun kurajshëm për t’u ringjallun në Evi e ngopësisë që më jetësoi… Ndodhi aty, në Shkodër, në darsmën… fatlume të së djelës, në mbasdreke, me 23.08.1863.
* * *
Në të vërtetë dasma zakonore, darsma tipike shkodrane pra, po kulmonte nja ca bahçe më tutje. Me siguri në ndonjë oborr të një rrugine tjetër. Asaj mbasdite të së djelës me 23.08.1863, ajo darsëm zakonore e atij qyteti, nuk qe e vetme, por qe diku më e afërt me mjedisin e Konsullatës. Ku, në verandën e drujtë, qenë grupuar goxha, thuajse ç’qenë banorë e miq të atyre ditëve. Qe asoçasti i përqafjes së ditës me natën dhe, siç u pat ndodhun në miliarda herë siemezëve të kohësisë, terri nisi ta përzente ndritimin gjithnjë e më nga perendimi… në përkëdhelinë e freskisë që tutjeçonte e tërhusillte valëzimi i Liqenit, nisi të puhizte ndjesiëmbël edhe muhabeti që, këto ditë, përherë kurdisej njësoj: pyetës, kureshtar dhe rrëfimtar… diku edhe lodhës përmes sikletesh gjuhësore.
Nusja shkodrane… solli raki dhe venë në shishe, solli edhe gota për aqsa ishin. I solli dhe hapërndau në tavolinën-sofër të verandës… Nuse Evi solli edhe tepsinë me… përaqsa dukej me një si pelte të bardhë përthyer në krem, nja tre gisht e trashë… solli thika e pirunj, pjatushka e peceta për secilin, dhe tha: “…asht djath stani… stan mali. Pa krypë, me tanë vlerat ushqyese… me shije maraku… Nji tash e pruni kojshiu, e pruni për miq, e aj papra, thotë: “hani, o burra, karamelen e malcisë!…”
Nusja e fotografisë, që ende mbante veshun rrobat e pozimit, pyeti edhe nëse ndokush donte edhe kafe… Por, asoçasti, Dr. Szèkely, krejt në të tijën, mënjanoi kokën e pjerroj veshin, ngriti dhe ngriu gishtin… si për të thënë se kërkonte qetësi… donte veç të përthithte e të mos humbte asgjë nga melodia që njënjësohej me të thënën dhe që valëzonte çapaçule deri në verandën ku po rrinin. Dhe heshtja nisi përgjatë edhepse konsulli italian Eugenio Durio, sikur, heshtje donte. Pat ardhun në Shkodër nja dy vite të shkuara konsulli i parë italian Durio… dhe, plot zell, pat mësuar shqip por, për më mirë, bisedave i duhej doherë edhe qetësia… Sikur heshtje donte edhe Dubravciq. Jo vetëm ngase, diçka të shënonin në blloqet që s’i ndanin. Edhe ngase, sidomos këtu, duhej nënbluar ç’thuhej për ç’rrekeshin të kuptonin… Pat vullnet Eugenio të kthjellonte, asonate, edhe Dubravciq… dhe, të dy, medemek, plotsonin dhe çkurreshtonin Dr. Szèkely… Por, si kot… Se, kësaj nate – edhe ata e dinin – sikur rrekeshin të plotsonin vetveten… ngase, bilbili në pragveshin e Jozef Szèkely, qe punonjësi i namshëm i konsullatës franceze Mikel Suma, shkodrani frankofon dhe gjermaniku pa siklete… Dhe, kur kënga diku dhe heshtja këtu mbaruan, Dubravciq, shpjegoi ç’pat shkruar në faqet e bllokut:
Do t’i baj rixha kojshisë,
Me m’a pre paksa njat man(d)…
U thafshin duert e terzisë,
Qi t’ka qep njat xhamadan…
– Saktë e ke shkruar – tha shkodrani tjetër Bonati, që, ato ditë, mbas nëntë vjetësh në parësinë e konsullatës angleze, po mjedisonte në çap, hap, huqe e cene, Zhilbert-in anglez, që qe caktuar t’i merrte karriken…
Dr. Szèkely rira në mendime. Pat përshtrydhun vështrimin në grykë të picërimit, e përplaste diku kuturu në flunë e jeshilisë së pemës dhe, disi vonë, pyeti:
– Pra, me pre manin… dmth, hiq pengesën… që fsheh bukurinë… me pa: freskinë e femrës dhe elegancën e veshjes… Kështu!?…
– Pak a shumë. Se… xhamadanin, këtë veshje të qendisun e stolisun me gjerdanë ari, argjendi apo mëndafshi ngjyrandryshëm, e veshin edhe vajza edhe djem… – tha Dubravciq, dhe nënqeshi, si për të duk e parësuar një prapamendim…
Por kaq, ngeci këtu, llafi u struk galuc në qoshe të heshtjes. Askush nuk shtoi ç’mund të thuhej. Nuk foli më shkodrani Bonati… as Mikel Suma… Nuk foli as Dubravciq… as mjeku Auerbah… as nëpunësi i konsullatës Katerajner… as edhe kavazi, i s’di se kujt… Nuk foli as edhe Ali Kazazi, djali i dytë i Hamzagës së namshëm, apo miku i përkëdhelun i Ismail Pashës, që, kur rierdhi Vali më 26.11.1864, ia shtoi autoritetin në administratën e guvernës, mbase, si për të shtyrë a shplarë një si pishman që mund t’i ketë ngelun për Baca Hamzën, që nga koha e arrestimit…(Gjatë shtjellimit le ta shohim edhe me këtë këndvështrim…) Gjithsesi, ç’ishin ulun asaj pragmbrëmje në verandën e drunjtë, e pinë nga një gllënkë, shijuan edhe peltedjathin e papamë dhe nuk folën. Pat pushtuar mendimi që bluhej a pupte gjithsesi në kuturunë e pazëshme. Pazëshëm, veçse me gjuhë xhestore foli rishmëzi Dr. Szèkely – ashtu, seç tha (?!)… – me gishtin ngritun dhe ngrirë, me veshin përthithës përanash faqes pjerrinë, xhest rinjënjëshëm… mbase, si për të thënë se s’pat rrëshqitun asnjë grimë mendësi nga ç’kishte nënbluar gjermëatëhere. Ali Kazazi, u përkul paksa nga Szèkely dhe, si t’ia përthithte ç’bluante në brendësi, recitoi apo këndoi zëulun:
A e din se ç’a m’ke ba…(?)
M’ke lan gjall e sëm ke vra…
Shkoqiti vetëm dy vargje të këngës Aliu dhe e hoqi vështrimin nga Dr. Szèkely. Pa, sy më sy, Dubravciq. Dhe, priti e tha prap çka tha kënga: – … ni, ni:
Moj e mira kalu florinit…
T’asht gris kmisha ke cepi gjinit…
Hyni në siklete Dubravciq… sapo pushoi Ali Kazazi. Deshi t’ia shkoqiste pa firo Dr. Szèkely-s. Por, sikur ngeci… Ndërhyni plot finesë shkodrani i mençun Bonati, dhe, mbasi sqaroi edhe anglezin e sapoardhun Zhilbert… tha për të gjithë:
– …muzikën këtu – ate që në dasma quhet aheng… – e bëjnë të bardhët… Madje, zotnitë me goxha emën të qytetit, familjet oxhak… Jo romët, me çingie… që në shqip quhen jevga… e këtu i quajnë magjyp… Janë zotrijtë e nderuar shërbëtorë… dmth muzikantë të dasmave… Ndryshe nga ç‘ndodh në dasmat gjetiu… E papame, me sa di.
– E veçantë… pa dyshim – tha Dr. Szèkely. – S’ka rëndësi në se është e papame… Qenka e veçantë, kjo ka vlerë… Se, zotrijtë kësorasti, nuk u shërbejnë edhe aqsa vetëm të tjerëve, pra: dasmorëve… por, luajnë vetveten… mezi presin të luajnë vetveten. Dhe, ky është arti… Krijon mjedis parajse. Troket mburrec në pragun e ndjesisë së vetshpirtit dhe shpirtrave gjetiu…
– Ky popull, njerëzit këtu, mbeten shpirtror. Kanë qenë përherë shpirtror… Dhe kjo ndjesi thuhet edhe në këngë… – tha Karl Pooten-i nga Këlni gjerman, që pat braktisun për ca ditë Kryepeshvinë e Tivarit, enkas për të pritun mikun e tij Georg fon Han. Dhe, gjermani Pooten vazhdoi: – Jan Kukuzeli-n… po veçoj. Nga mesi i dheut shqiptar… Nga Dyrrahu. Ka mbetun ende artist i madh i kulturës muzikore bizantine. Ka plot 750 vjet që përdoret notacioni muzikor i Jan Kukuzelit. Kapërceu në tanë dheun shpikja që sajoi këngëtari dhe muzikologu i madh… Vërtetë u bë i famshëm me nga ç‘sajoi dhe ç’jetësoi atje, në shkollën e Pallatit Perandorak në Kostandinopojë, por, Jan Kukuzeli, qe dyrrahas, qe nga bregdeti i mestrevave shqiptare. Thonë që në muzikën e Jan Kukuzelit, vërehen me shumicë jone muzikore nga kërthiza e trevave dhe bregdetit shqiptar. Por kjo, për mua, ka edhe s’ka hiç rëndësi, në barazpeshë me notat muzikore, vlerë që sajoi për mirësinë botërore… Bravo Jan Kukuzeli!…
Mbarimi i fjalës solli qetësi. Heshtja copëzoi dhe ngriu do kohë… mbase të vlershme, për secilin që nënbluante ç‘tha Karl Pooteni. Deri kur…
– Ni, ni! – foli prap dhe pa adresim Ali Kazazi. Foli disi përngutun Aliu mbase ngaqë, e pat të lodhshme të kuptonte ç‘tha Karl Pooteni. Tha tri herë po të njëjtën rrokje Aliu i Hamzagës, dhe, më parë recitimit, shtoi edhe tri fjalë: – Ni…! ç‘thotë mjeshtri shpirtmadh:
Kur t’pret çuni m’hije t’blinit,
M’trand termeku m’çaçkët trunit…
A e din se ç‘a m’ke ba…?
M’ke lan gjall e sëm ke vra…
…dhe, Dr. Szèkely rishmëzi ringriu. Fjalë dhe melodi, shkrirë e shtyrë paqshëm, që synonin të xixnin gufime zemre a gurra loti… sikur frymoheshin disi… luk(oheshin) paksa në majëantenën e sheshgishtit të ngrirë… dhe vërshonin vrullshëm përtej pragportës së dëgjimit, deri në gaztore të gostisë së shpirtit… Dhe, Dr. Szèkely, ashtu qëndrimngrirë, sikur lëvizi veçse nga brenda… Hovi cytës i ndau dhe përzuri tutje nga rrënjë e qerpikëve nja dy bulza loti dhe, nën trysni emocioni, pëshpëriti dhimshëm në gjuhën e nënës:
Tudod, mit tettèl velem
Nem èlek, sem hàlokmeg…
A e din se ç‘a m’ke ba…?
M’ke lan gjall e sëm ke vra…
– Botë sikletesh kjo jeta e artistëve… – tha qetë togeri fon Shpaun.
– Jo pa shkas. Ngjasia e vakisë gjetiu me të ngjashmen tënde, e shton ballancën e ndjesisë… – foli rrokjeshkoqun doktorr Auerbah. Por Dr. Szèkely, mbase, e shmangu grackën, si krejt pa vramendje apo qëllimshëm me plot finesë… e përzuri tutje ç’i shinjestrohej…
– Ky qytet qenka i veçantë. E paska artin në gen. Dhe, që t’ia vjelësh, u dashka shtruar e shkrirë me jetësinë këtu…
– Ç’nënkuptoni me: t’ia vjelësh artin… Dr. Szèkely? – pyeti togeri i marinës fon Shpaun.
– Dmth, t’a vesh në dukje. Të ndjesh e bësh artin tand mbasi përshtrydh atë që vëren…
Konsulli Dubravqiq shënon edhe se, Dr. Szèkely-n, e cyti edhe monsinjor Karl Pooteni!
– Kam filluar të pyes veten nëse mund të quhet art edhe puna që bëni Ju, Dr. Szèkely…(?!). Nëse, ne nesre, fotografia do të arrij të grupohet ke artet e bukura…?
– Po, them. Sikur, jam i bindun. Por, kjo i përket të nesërmes… Hamendëso! A nuk është madhore ta fiksosh në fotografi çastin këtu…? Të dhemb shpirti që po ik… Një sekond më mbas çasti bëhet “ish…” Dhe gremiset pa duk… Prandaj duhet ta ndalë fotografia… Por, ende nuk mundesh… Tani: kushtëzimi… rëndesa… mundi… çmimi… komerci… konkurenca… apo thjesht, ngeja apo rehatia shpirtrore që lyp finesa për art… Ku…?! Si ç’do fillesë, që lodhet në halle kthjelltësie dhe sigurie për në rrugë perfeksioni… S’mund të pretendosh pa qenë i zoti… Përveç piktorëve apo skulptorëve që mund të jenë në këtë qytet…(?!) do të ketë edhe fotografë… Enepse jo gjithkush mund të jetë artist…
* * *
Messhekulli XIX, ftoi në dukje gjeninë… të përzente ngathtësi. Mençunia e nëpërgjumun u zgjua, nisi shkathtësia. Sikur u kurdis ai cak i kohësisë që lypte a ftonte zotësinë e mjeshtrisë për në majat e përkushtimit praktik. Stadi i ecjes e donte vrullin krejt pa hile… Qenë fillesa për tjetër epokë… Qe shpirti i dashjes për ecje, qe vrulli që djersiu… që dha lodhje për goxha punë. Që veçoi vlera. Që stivoi rëndësi. Që radhoi emra. Ku, unë, takova në renditje edhe Szèkely… Dr. Jozef Szekely. Që, po më leverdis tej çka mund të mendoni, ta quaj të madh. Se, më gëzoi, më bëri nder, se pikënisi startin… Anipse e kurdisi fati…! Gjithsesi! Nguli gurin nismë. Këtu. Në vendin tim. Gurin peshërëndë të artit që desha… Artit që më ushqeu, sidosesi… Edhe me ëndrra.
E shkrova pra, Jozef Szèkely, në radhoin e mjeshtrave… E vendova në Panteon… Se, pat venduar vehten: kaluar, tej kapërcyellit të shkencës… shpaluar edhe mbi ç’polli art… Radhuar me parësinë që kurdisën fantazinë folëse edhe me gjuhën e artit të ri… Artit fotografik. Edhe Mark Cohen, sikur, kështu thotë, e vendon ke më të mirët… Edhe Mark Cohen u mahnit kur rastisi t’i hiqte vellon e pluhunit nuse-s shkodrane… Aq më shumë u habit kur mësoi se Dr. Szèkely, nuk e kishte paracaktuar në listën e pritshme për ilustrimet e botimeve të Han-it. Por, s’u binda, mbase, sikur kolegu Cohen, disi u ngut në gjykim. Cohen, nuk them se s’e dinte, por, sikur, nuk e përfilli preçizionin e rregullsisë gjermanike… Jozef Szèkely, kishte ardhun të zbatonte planet e Dr. fon Han-it. Me ç’kishin biseduar, pamjet do të qenë thuajse vetëm panoramike… Nusja shkodrane… kështu, do të dukej si zana e prrallave në shkretëti.. apo, zana perri, që do të zbehte mbretëri… Aq më tepër kësohere, sikur, nusja… do të qe disi pa funksion në tematikën e mirëpërcaktuar të Dr. fon Han-it. Dhe, dihet, “ngurtësia” në shkencën e rrugëzuar, nuk toleron… shtyn ç’s’i hyn, pa pikë mëshire s’i hap portë as bukurisë… Gjithsesi, nuk e dimë tamam përse-në… Dimë bëmën. Ka shumë të ngjarë që, Jozef Szèkely, ta ketë veçuar nusen për në ndonjë grupim vlerash artistike… Dhe kjo, gjithsesi, do të na çonte në tjetër ndodhi… Kushedi në ç‘portë fati të shkodranes së shqiptarëve… Gjithsesi, nusja shkodrane u la mënjanë. Nga vetë Dr. Szèkely u la. Nuk do të botohej për ilustrimin e shkrimeve të Han-it. Dr. fon Han-i nuk bëzani… Duhet të ketë pasun një mëndje me Szèkely. Gjithsesi, gjashtë pamjet panoramike shkodrane, që “përzunë” nusen… u renditën të parat. Dy fotografi u bënë të nesërmen, përanash Kalasë: Ura e Kirit dhe Kalaja e parë nga Bahçalliku… Dhe, të martën, Bahçalliku, parë nga majëKalaja… Mbas kësaj Szèkely, vazhdoi më me vrull, shtoi edhe tri punë të vlershme. U ngul shtruar majëKalasë dhe, me pak pikëspostime pranë e pranë, përherë të parë u përjetësuan edhe asoçastet e liqenit… Xhamisë së Plumbit… dhe Shkodrës së re… (Qenë pamjet fotografike të para të Liqenit plak me krap meraku… Xhamisë së Plumbit, që, asovere (1863), plot 90 vjet mbasi e kishte themeluar Mehmet Plaku (1773), po riparohej nga përkujdestari Mahmut Berberi. Dhe, Shkodra, pamja e parë fotografike e qytetit të ri që, po përgatitej të strehonte edhe parinë… Paria që, e ndau mendjen, do të shpërngulej nga sheshKalaja… Dhe, u zhvendos më, 1864-65. Edhe Valiu, Ismail Pasha, (i riardhun vali përsëdyti), me tanë ç’varej prej tij, që, fillimisht, u vendosën në shtëpinë e Selman Kazazit – kronika kishëtare i zhvendos në shtëpinë e Dervish beg Koplikut… – Por, për këtë, s’ia vlen ta lodhësh mendimin, ngase, të dyja qëndrojnë… se, të dyja shtëpijat komshie duheshin për zyrtarët osmanllinj. Madje, qëndruan dhe punuan ngjeshun, derisa, u përfol, projektua dhe hodhi shtat garnizoni ushtarak, mu aty, në sheshin pranë. Gjithsesi, në Parrucë, në të puthun të Parrucës me Fush-Çelën… Gjithsesi, në qendër. Avash-avash edhe Guverna, administrata dhe financat, u vendosën pra në qendër, në godinën garnizon, që kohët e shndërruan në shkollë, madje deri në gjimnazin e sotëm…)
Qyteti i Shkodrës, parë nga Kalaja, u fotografua i fundit në ate grupim. Që do të thotë: edhe nja dy orë punë të vemendëshme të Dr. Szèkely, para se të ikte ndritimi… Qe e martë, po afrohej ngrysja, gjithsesi, një e martë aspak terse për Dr. Szèkely… Të nesërmen: e mërkurë, qe ditë pazari. E pat spostuar në të mërkurë barrën e pazarit Valiu turk… plot pesë vjet më parë (1858), ia hoqi së djelës, se, e donin të lirë katolikët, për shërbesat fetare… Qenë cytun hovas katolikët, por ndodhi më kollaj nga ç’u mendua. Sapo qe themeluar Katedralja (07.04.1858)… nja një muaj e gjysëm më parë (20.02.1858), pat ardhun vali Abdi P. Çekrezi… Qenë sajuar mundësi të kërkoheshin favore… Valiu njoftoi Stambollin, pazari i së djelës u spostua për në ditën e mërkurë… Gjithsesi, kthehemi ke bëma e Szèkely. Që deshi, atë ditë pazari, nëse mund të kapte ndonjë pamje me njerëz… Dhe, doli, vërejti, por, u tërhoq… E cyti disi veshja që veçonte, por.. Me çka donte, gjallëria e lëvizjes qe “e pabesë…” Me siguri do të sajonte flu… Gjithsesi, pamje me njerëz, më s’u bënë. Veçse, larg nga Shkodra, diku në Manastir, ca ushtarakë turq të “ngrirë”… lëvizje parakurdisun pranë armëve apo topit dhe përballë fotoaparatit… Për vështirësitë që sajoheshin, portretizime dhe njerëz si synim të parë, nuk u fotografuan më. Vetëm dy gratë në Shkodër qenë me fat. Qe bujari madhore e asoçasti që cyti e kurdisi ndjesi për shpirt artisti… Shkodranet e mira mbetën të vetme… Nuse Evi qe e para…
Dreka e së mërkurës (26.08.0863) ngjasoi me të djelën, u servir rishmëzi me peshk. Me krap dhe shije si m’a do. Edhe me pije… si të djelën. Mbasdreka, si kot! Muhabet, pushim dhe … pa synim. Me sa di: edhe pak gaztor… humor të mirë… bixhoz uist a brixh… Disi edhe siklete meraku për vonesë të Han-it… Qe ora 22.30 kur sosi Georg fon Han-i. Më pastajën, sikur e kemi thënë…
* * *
Kaq! Këtu, vetëm kaq… për lindjen dhe ringjalljen e Evit, nga këtu e ç’vjen, do të flasim prap, përherë…
* * *
… përtej në jetësi… Faleminderit Dr. Jozef Szèkely! Kape një çast dhe mirëpërcaktove saktësinë e një adresimi të kohësisë… Dhe, kurrë s’tu tha… dhe kurrë s’e more vesh, se ylli i fatit të përzgjodhi bujarisht për një fillesë mrekulli…(!) Faleminderit nuse Evi!… Ti, sigurisht, nuk e di, por, po ta them: në veçantinë e asoçasteve dritëyjesh, grimcuar dhe hapërndarë njënjëshëm nën purpurin tisperde të reve mburojë… u përzgjodhe parësia e vendit ku linde dhe linda… U pagëzove Eva e fotografisë shqiptare… dhe, diku humbe e, seç paske pritun kurajshëm për t’u ringjallun në Evi e ngopësisë që më jetësoi… Vakisi aty, në Shkodër, në darsmën fatlume të së djelës, në mbasdreke, me 23.08.1863.
Ç’saktësim kohe… që, meriton shembull panteoni...! Ç’vlerë flori e veprimeve të fotografit…! E domosdoshme… Historia do ta dojë shënimin domosdo, në mbasçastin e fotografimit… shënimin edhe sido telegrafik. Se, fotografia, premton pa mëdyshje që të mbetet, edhe vulë historie… Me cilin punim tandin ka ngjasi …darsma fatlume e së djelës, me 23.08.1863… o, Pietro Marubbi?! Për punët fotografike pyesim, veçanërisht. Nga ato që edhe në botimet e Albumeve enkas, imponueshëm, u poshtëshënohet diçitura: “Foto Pjetër Marubi, nga viti 1858 deri 1903.”