More
    KreuLetërsiBotime të rejaJorgos Seferis, poezia e dhimbjes

    Jorgos Seferis, poezia e dhimbjes

    nga Romeo Çollaku

    Në maj të vitit 1931, u shfaq në raftet e librarive të Athinës një përmbledhje e imët poetike, me dyzet e një faqe, me katërmbëdhjetë poezi gjithë-gjithë, pjesa më e madhe e të cilave, për sa i përket vargëzimit, llojeve të rimës e të metrikës, nuk është se dallonte edhe aq nga gjedhet e njohura të kohës. Ballinë e thjeshtë: emri, pothuajse krejt i palakuar deri atëherë, i poetit dhe titulli, mirëpo ky – një enigmë. Një fjalë e vetme, sa e zakonshme aq edhe pështjelluese në këtë rast, një fjalë e dykuptimtë, që do të thoshte njëherësh edhe strofë, por edhe kthesë. Kuptimi i parë mund t’u kujtonte lexuesve të thekur të poezisë titullin e atij librit aq të përmendur të një bashkëqytetari të tyre të dikurshëm, që hiri i prehej tanimë në Père-Lachaise: «Stances» e Jean Moréas-it. I dyti do t’i ndriçohej, gjithnjë e më shumë, me kalimin e viteve, kur të dëshmohej se përmbledhja në fjalë paskësh shënuar me të vërtetë një kthesë të spikatur në rrugën e poezisë së re greke.

    Veshi, deri diku, u ishte stërvitur me muzikën e atyre vargjeve, pesëmbëdhjetërrokëshi tradicional grek i poemës «Ligjërim dashuror» nuk ishte i huaj për askënd prej tyre, por qenë shtangur, ndërkaq, në një gjendje hutimi jashtë portës së mbyllur të kumteve. Gjer dhe plaku mendjemprehtë Kostis Palamas, përpara dijeve letrare të të cilit përkuleshin me nderim gjithë shkrimtarët e Greqisë, do të shprehej: «Poezitë e Kthesës janë kriptografike. U duhet një çelës. Nuk e shoh gjëkundi. Bëj pjesë ndër ata njerëz që kanë nevojë për çelës». Disa nga kritikët më në zë ose i mohuan tërësisht, duke i quajtur si të padenja, ose u vunë në siklet përballë atyre poezive, duke i cilësuar shkurt si syrrealiste, në një kohë kur poeti, megjithëse lëvizja e syrrealizmit po përjetonte kulmin e lulëzimit, kishte qëndruar ftohtë kundrejt prurjes poetike të saj dhe do të mbetej mosbesues edhe në të ardhmen.

    Nuk bëhej shumë kohë që autori i librit, Jorgos Seferisi, qe kthyer nga Parisi dhe, gjatë viteve të atjeshëm studentorë, ishin krejt të një natyre tjetër fizionomitë që i patën tërhequr vëmendjen: Jules Laforgue dhe Valéry i «Varrezës detare» e i «Zotit Test», fryma e të cilëve vërehet përkorazi në këtë periudhë të parë të krijimtarisë së tij, por, me sa duket, jo më pak edhe Paul Claudel, ndikimi i frymëmarrjes së thellë të versetit të të cilit, pavarësisht se nuk i është mëshuar, për mendimin tim, mjaftueshëm nga studiuesit, do të vazhdojë të ndjehet deri vonë në veprën e Seferisit, deri në vitet ’50.

    Teksa kritikat përshëndetëse ndaj «Kthesës» numëroheshin me gishtat e dorës, pasoi, mbas një viti e ca, në tetor 1932, «Sterra», një poemë kjo me varg të matur, por me rima të çrregullta, me asonanca e konsonanca, me pika heshtjeje, si dhe me një simbolikë po aq të fshehtë e në kufijtë e së padeshifrueshmes, që e rrëmojnë edhe sot e kësaj dite, duke i dhënë secili nga një interpretim të vetin dhe duke pikasur pas alegorisë së sterrës kush jetën, kush të kundërtën e saj e kush një histori dashurie të rinisë së hershme.

    Poeti, për të cilin sapo kishte filluar një odise tridhjetëvjeçare vërtitjesh nëpër botë, në shërbim të diplomacisë së vendit të tij, ndodhej ndërkohë në Angli, në atë vend «që nuk reshti kurrë së qeni ishull», siç e quajti ai aso kohe dhe ne sot habitemi e bindemi për vërtetësinë e plotë të këtyre fjalëve, tek i shohim pasardhësit e Shakespeare-it të zgjedhin vullnetarisht shkëputjen prej vëllazërisë europiane. Ishte vendosur me punë në Londër, ku, duke e mësuar anglishten me ndihmën e teksteve të dramaturgut elisabetian, po zbulonte, pas së parës, francezes, edhe një punishte të dytë, atë të mjeshtrave anglosaksonë. Po njihte, pra, Pound-in dhe Eliot-in, që, sa me ato poemat e mëdha, aq edhe me mësimet e paçmueshëm të eseistikës së tyre, do t’ia zgjeronin edhe më tej horizontin dhe do të luanin, sidomos i dyti, një rol vendimtar në formimin e mëtejshëm të tij.

    Qysh prej këtij çasti, ritmi i poezisë së Seferisit nis të ndryshojë, rrjedhshmëria melodike i shndërrohet në një tjetër rrjedhshmëri, më të ndërlikuar dhe më autentike, në një sintaksë gjithnjë e më jokonvencionale, herë të shtruar e herë me thyerje të befta, me ngërçe të qëllimshëm e me përsëritje, ndërsa toni i zërit të poetit fillon e merr nota më rrëfimtare, nota të theksuara dramaciteti, diku edhe tragjizmi, duke u bërë më i rëndë, sepse mjaft e rëndë edhe pesha e temave që do të trajtojë këtej e tutje. Dhe, ashtu si përmbledhja e tij e parë përbënte një kthesë në mbarë poezinë e Greqisë së Re, mund të themi se poema sintetike «Legjendat», e botuar më 1935, na paraqitet si një kthesë, edhe kjo, porse në udhëtimin vetjak, në zhvillimin e këtij personaliteti krijues. Veçoritë e reja që i shtohen ligjërimit të tij, sikurse i vumë në pah, bien menjëherë në sy te kjo vepër e organizuar në njëzet e katër pjesë, sipas shembullit të dy eposeve homerikë.

    Viti i botimit të «Legjendave», falë edhe një serie ngjarjesh të tjera që e shoqëruan, shquhet sot, me atë begati të pashoqe, si një kapërcyell i vërtetë, si një Pashkë, një stinë rënieje dhe ngjalljeje e një poezie të lartë, siç është poezia greke e shekullit XX. Pra, në këtë vit, kur një tekë e rastësisë e deshi që Palamasi, i mbiquajturi patriark i Greqisë shpirtërore pothuajse për një pesëdhjetëvjeçar të tërë, të botonte librin e lamtumirës, Odiseas Elitisi, duke u dorëzuar më në fund përpara këmbënguljes drobitëse të Seferisit, do t’i nxirrte disa prej vargjeve të tij nga sirtarët, për të debutuar me një cikël poetik. Po më 1935, bashkëmoshatari i këtyre, Andreas Empirikos, përveçse botoi një nga punët më të vlerta të tij në poezi, «Furrnaltën», mbajti në Athinë, para një auditori të gjerë shkrimtarësh, intelektualësh e lexuesish, një kumtesë me rëndësi historike rreth syrrealizmit dhe rreth ndodhive më të freskëta në letra, por edhe në psikanalizë e në fusha të tjera të mendimit. Gjithashtu, poetë si Sarandaris, Ricos e Vretakos, botuan përmbledhjet e radhës, me poezi që, tashmë, janë bërë antologjike dhe me vargje ende të paharrueshëm. Qysh në janar, kishte qarkulluar numri i parë i revistës Ta Nea Grammata, rreth së cilës u mblodhën penat më të zgjedhura të këtij brezi të artë të letërsisë greke, që do të përmendej më pas si brezi i viteve ’30.

    Kuadri historik, skena e përgjithshme mbi të cilën u shfaq ky brez, dallohet si një nga pikat më kyçe të helenizmit. Përpjekjet njëshekullore të grekëve, të filluara këto qysh prej kryengritjes për liri e pavarësi të vitit 1821, me synim përfshirjen në një shtet të vetëm të gjithë trojeve ku flitej greqishtja, u ndërprenë të pakurorëzuara pas mbarimit të luftës greko-turke të viteve 1919-1922. Qendrave të lavdishme të lashtësisë, Athinës, Spartës dhe krahinës së Maqedonisë, nuk iu bashkua dot edhe kryeqendra e Bizantit, që, bashkë me vendlindjen e Seferisit dhe me gjithë pjesën bregdetare të Azisë së Vogël, mbeti përfundimisht jashtë. Pas marrëveshjes së Lozanës, më të shumtët e shtetasve turq të besimit të krishterë, mbi një milion e gjysmë shpirtra, u detyruan t’i braktisnin vatrat e të parëve, për t’u shpërngulur në Greqi. Mes këtyre të çrrënjosurve numërohet edhe Jorgos Seferisi, i cili, që nga ai çast, vetëm si vizitor mund t’i shkelte sërish viset ku u lind dhe kaloi fëmijërinë, një plagë ngaherë e mahisur kjo për të, ndaj «kujtesa», do të thoshte më vonë, «kudo që ta prekësh dhemb».

    Dalja prej një fatkeqësie të tillë diktonte riorganizim forcash, përsiatje të kthjellët, rishikim të një trashëgimie, që ngjante, krahasimisht me popuj të tjerë, e paanë. Përkushtimi kryesor i Seferisit me shokë ishte ndriçimi i vlerave greke, i stacioneve të çdo epoke, në mënyrë që të bëhej e rrokshme dhe e prekshme ajo vijueshmëri prej gati tre mijë vjetësh. Dhe, afërmendsh, llogaritë më të koklavitura nuk mund të ishin tjetër veçse me periudhën më të ndritur, me rrënojat e tempujve dhe shtatoreve të antikitetit. Me bërthamën e asaj që emërtohet ndërgjegje kombëtare.

    Shenja e parë e kësaj sipërmarrjeje vigane të brezit në fjalë u dha, pikërisht, nga «Legjendat», një poemë kjo më pak e errët se dy librat e parë të poetit, e pajisur me kode më të lexueshëm, me disa nga çelësat që pati kërkuar Palamasi. Çelësa të llojit: «U zgjova me këtë kokë mermeri në duar / që po m’i rraskapit bërrylat dhe nuk di ku t’i mbështes». Te kjo poemë, pra, vërehet, mbase jo për herë të parë, por pa dyshim që më qartazi, një ndër shqetësimet themelorë të Seferisit, i cili, në vazhdim, do t’ia përshkojë gjithë veprën. Ndjenja e përgjegjësisë. I ndodhur përpara një tradite që paskësh qëlluar të ishte një prej thesareve më të vyer të njerëzimit, Seferisi nuk e ka mendjelehtësinë t’i gëzohet, të krekoset me të, por e kaplon një stepje. E mundojnë pyetje: A e mbajnë dot duart tona, të grekëve të sotëm në radhë të parë, por, më gjerë, edhe të qytetërimit të sotëm perëndimor, një barrë kaq të rëndë? Sa e meritojmë? Sa jemi në gjendje të përfitojmë prej një testamenti të tillë?

    Dhe përgjigjja që i përvidhet prej thellësive të ankthit, pasi vëzhgon një e më dy rretheqark, është, në rastin më të mirë, në rastin më kurajues, dyshimi. «Mbytet kush ngre gurët e mëdhenj», do të shprehet te «Gymnopedia»; pastaj «na zuri gjumi na morën për të vdekur» te «Fletore ushtrimesh»; dhe këtë kanosje të fatit ka për ta ndjerë e për ta theksuar – si gjasa më rrëqethëse që i kalon, me sa duket, nëpër mend –  hap pas hapi, deri në fund.

    Duhet të ketë qenë kjo ndjenjë e mundimshme përgjegjësie që i priu Seferisit, qysh në fillime, drejt përdorimit të vetës së parë të shumësit, të cilën e ndeshim kaq dendur në poezinë e tij. Ngritja e barrës së traditës shumëshekullore mund të arrihej vetëm me ndërgjegjësimin dhe me pjesëmarrjen e të gjithëve.

    Seferisi është, pra, nga ata poetë që, ndonjëherë, kur lypset t’i thjeshtëzojmë gjërat, i quajmë poetë të mendimit, mirëpo, në ndryshim prej disa shembujsh të tjerë të këtij lloji, që, për sa u përket manierave, na paraqiten të njëtrajtshëm apo të ngushtë, ai ishte çdo çast në kërkim të mënyrës më të saktë të të shprehurit, ishte tejçues i një mendimi të thellë, por edhe të stërpikur çdo çast me lirizëm. Dhe le të kujtojmë përsëri se, që në krye të herës, ajo ç’i interesonte më shumë ishte forma. Ngashënjimi i formës, me magjinë e me mundësitë që di të premtojë, pati qenë pika nga u nis dhe shohim se vëmendja ndaj saj nuk i venitet ndonjëherë, as kur lëvron vargun e bardhë dhe, kundruar për së jashtmi, të lirë. Tekefundit, basti kryesor, jo vetëm i atij, por edhe i gjithë brezit ku përfshihet si figurë qendrore, ishte zbatimi në traditën greke i mësimeve që dilnin prej veprave të modernizmit europian. Dhe, duke qenë se «fjalët tona janë fëmijët e shumë njerëzve» sikundër lexojmë te «Tri poezitë e fshehta», ndikimi, vërtet i dukshëm, në poezinë e Seferisit prej simbolistëve të vonë francezë e, në veçanti, prej ligjërimit eliotian, dëfton më së miri se ndikimet e frytshëm, me të cilët është bekuar rruga e letërsisë, ndodhin atje ku gjejnë një prirje të mëparshme, sepse nuk janë gjë tjetër veçse fara që mbijnë vetëm në truallin e përshtatshëm. I këtillë, i frytshëm dhe i fuqishëm dhe ende i paplatitur, do të ishte edhe ndikimi i zërit të vetë Seferisit mbi gjithë poezinë e mëpastajshme greke, por edhe te poetë gjuhësh të ashtuquajtura të mëdha, siç janë, fjala vjen, frëngjishtshkruesit Bonnefoy dhe Jaccottet.

    Pak a shumë, këto – udhëtimi në kohë i trashëgimive letrare greke dhe europiane, pemët më të larta gjenealogjike të tyre, ballafaqimet dhe marrëdhëniet e ndërsjellta midis njërit poet dhe tjetrit, midis njërës letërsi dhe tjetrës, virtytet dhe vështirësitë e poezisë së re, por edhe të arteve të tjerë, peripecitë dhe pengesat shpesh të pashmangshme gjuhësore – janë edhe çështjet që ftillon në veprën e tij të pasur eseistike, e cila sot është shndërruar në një doracak tejet të dobishëm për këdo që, si krijues apo si lexues, ndjen nevojën e një harte nëpër rrugët e metaforës. Edhe tek esetë, shohim po atë vetëpërmbajtje dhe maturi, po atë ndjenjë mase dhe saktësie që syri i kujdesshëm i vëren në poezinë e tij dhe që disa mendojnë se ia kaliti puna e diplomatit, teksa ka gjasë të jetë edhe e kundërta: t’i jenë mëkuar nga leximet e pareshtur të tragjikëve e të filozofëve të lashtë, si Herakliti, dhe, pastaj, t’ua ketë përcjellë edhe letërsisë e, pse jo, diplomacisë që ushtroi gjatë gjithë jetës.

    Për sa i përket fushës tjetër të veprimtarisë letrare të tij, përkthimit, kësi frytesh, merret vesh, u takojnë vetëm rrethojave të gjuhës përkatëse ku mbartet çdo tekst, prandaj le të mjaftohemi me shënimin se edhe këtu ndihmesa e Seferisit ishte e çmuar, duke qenë ndër të parët që i njohu bashkatdhetarët e vet me disa nga arritjet më madhore të poezisë, siç janë «Toka e shkretë», «Kantot», «Udhëtim në Bizant» apo «Një mbrëmje me z. Test».

    Në shoqërinë e këtyre veprave, e prurjeve më të mira të atij që mund ta quanim modernizmi themelor, qëndron edhe poezia e Jorgos Seferisit, me të vetmen mangësi të pafajshme dhe të pamënjanueshme se u gdhend mbi mermerin e një gjuhe «të përmendur në shekuj, por të kufizuar në trajtën e sotme të saj».

    Parathënie e librit Jorgos Seferis, Poezi, Përkthyer nga Romeo Çollaku dhe Alket Çani, Botimet Pika Pa Sipërfaqe, Tiranë 2019.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË