KreuLetërsiBibliotekëJani Malo: Lakuriq (tregim)

Jani Malo: Lakuriq (tregim)

Ka një ngatërresë në të cilën nuk qorrollisen vetëm gazetarët axhami të terrenit, por edhe njerëz me një barrë mend e me përvojë. Kjo më shtyn të mendoj se, më shumë se ngatërresë, kemi të bëjmë me një padrejtësi të krijesës me emrin njeri. Thonë, bie fjala, natyrë e virgjër sikur vetëm njeriut ia paska dhënë Zoti të drejtën e natës së parë me natyrën, ndërsa krijesat e tjera, që lindin e vdesin po aty, që hanë e pinë, që dashurohen e shumohen mes tyre nuk paskan të drejtë të tundin flamurin e zhvirgjërimit. Këtë e dëgjoj përherë e më shpesh për plazhet. Madje këtu ngatërresa është edhe më trashanike. Thonë plazh nudo, sikur të jetë deti që del gollomesh para njeriut dhe jo ky i fundit para detit.

Këto mendoja teksa shkonim bashkë me Spiron tek ai gji i vogël. Më ka pëlqyer që kur isha fëmijë. Për të mos u ngrënë hakun, gjiret e shumta të detit në  atë zonë janë një mrekulli, njëri më i bukur se tjetri. Po ky seç kishte diçka të veçantë që na marroste. Kush e mban mend, ndodhte njëlloj si me ato fetat e bukës që na i lyenin gjyshet me vaj ulliri e me sheqer e ne ziheshim se cilën të merrnim. Ato njëlloj të shijshme ishin. Lufta bëhej për më të madhen. Me këtë gji ndodhte e kundërta. Ai shijonte më shumë mbase ngaqë ishte më i vogli. Rruga për atje kalonte fillimisht përmes dunave të rërës, ku fijet e drejta të zhukave zbardhnin deri në majë nga kërmij të vegjël si të shkuar në hell. Në dalje të një pylli me pisha ishte pusi, ku zakonisht pinim ujë kur ktheheshim nga plazhi e ishim të lodhur. Në mëngjes ndalonim aty vetëm për të luajtur me jehonën e zërit tonë. Mbaj mend se njëherë u tallëm me dy kushërinjtë tanë të ardhur nga Vlora. Ata ishin pak më të vegjël se ne dhe u thamë të mos shikonin nga gryka e pusit se aty brenda rri shejtani. Ka rënë në pus që kur ishte i vogël dhe askush nuk e ndihmon të dalë sepse ai është i keq. Provoni po deshët t’i flisni dhe do dëgjoni si përgjigjet. Sa lije pusin, po në të djathtë, ishte një liqen i vogël me ujë të ëmbël. Ndonjëherë hynim mespërmes tij, se liqeni thahej në verë. Zinim peshk të trullosur në turbullirën e llucës dhe ngjala me pinca ose pirunë që i merrnim enkas nga shtëpia.

Nga e majta, pasi lije një gji të madh, ku thuhej se dikur ishte menduar të bëhej një port, shtrihej një kodër e butë e mbushur me manaferra dhe që kundërmonte rigon në verë. Vetë gjiri ishte fshehur mes dy kodrave që binin thikë mbi det, me ca shkëmbinj që dukeshin si skulptura me forma të çuditshme dhe pa kuptim. Gjatësia e tij nuk i kalonte të njëqind metrat dhe mbyllej aty ku fillonin shkëmbinjtë dhe një shpellë jo më shumë se 10 metra e thellë që lagej nga uji deri në gjysmën e saj. E gjithë gjerësia që ndante detin me pjesën e veshur me gjelbërim të dendur shkurresh të ndryshme, pra i gjithë plazhi, nuk i kalonte 30 metrat dhe rërën kokërrmadhe të tij nuk e gjeje në asnjë nga plazhet e zonës.

Ne shkonim rrallë aty, se ishte larg nga fshati. Bëheshim gjithë-gjithë gjashtë çuna të një moshe. Më rrallë kalonim nga shkëmbinjtë dhe mblidhnim guaska shumëngjyrëshe e shumëformëshe. Një mëngjes fati më qeshi mua. Gjeta një top llastiku që e kishte nxjerrë deti. Në të ishin të stampuara fotografitë e futbollistëve të Milanit. E ruajta me fanatizëm për shumë kohë dhe nuk pranoja kurrë të luanim me të.

E bëra këtë përshkrim të gjatë në hyrje jo sepse desha t’ju jap kohën e duhur që të largoni fëmijët. Nuk është nevoja për këtë se ata, edhe pa ua kërkuar njeri, i rrinë larg leximit si djalli temjanit. Në këtë tregim mund të ketë ca rreshta të papërshtatshëm, por fëmijët e sotëm kanë parë nëpër ekranet e celularëve lloj-lloj skenash dhe dinë për lakuriqësinë ku e ku më shumë se vetë Adami dhe Eva. Edhe ju, pasi t’i keni shkuar tregimit në fund, ka gjasë të mos e merrni vesh arsyen e zgjatjes sime. Për të qenë i sinqertë, nëse ka një arsye, as unë vetë nuk e di cila është. Spirua, miku im, më tha se e paskam bërë nga nostalgjia për atë vend, për fëmijërinë, a për të dyja së bashku.

Mbase naiviteti i kujtimeve të fëmijërisë sime i rri ngushtë këtij rrëfimi, e sidomos titullit të tij, por më besoni, se edhe vetë do t’u kisha qëndruar larg atyre nëse nuk do të më ngacmonte historia që dua të ndaj me ju. E teprova që e teprova, tani bëni durim t’ju përmend edhe një detaj që më doli nga mendja dhe që për ne atëherë nuk thoshte gjë të veçantë, po është me vlerë për atë që do të tregoj më pas. Sa herë shkonim atje, ne luanim futboll pa brekë dhe pastaj, ashtu gjithë djersë siç ishim, kridheshim në det lakuriq. E bënim këtë thjesht se nuk kishim rroba banje dhe nuk donim të ktheheshim në shtëpi me brekë të qullura. Po edhe fare të pamëkat nuk ishim. Pasi dilnim nga deti, shtriheshim gollomesh në atë rërën kokërrmadhe që vërtet të përvëlonte, po edhe të joshte duke të gudulisur. Aty i tirrnim historitë tona të para të dashurisë. Kush e kush ta nxirrte veten më të zotin – dhe kush pa, ne që ia njihnim njëri-tjetrit dhëmbë e dhëmballë. Herë-herë shkriheshim së qeshuri teksa shihnim se si këto rrëfime të pafaja me seks zgjonin bibilushin po aq të pafaj të ndonjërit prej nesh dhe e bënin të lëvizte aty ku fillojnë shalët. Ai turpërohej e përpiqej ta mbulonte, po cironka e tij përpëlitej më keq në rërën e nxehtë të mesditës. Qëllonte që kjo sëmundje të përhapej si epidemi e shpejtë e të na zinte të gjithë.

Por le të kthehem te ngjarja që zu fill tre vjet më parë. Edhe atë ditë, bashkë me Spiron, vendosëm të shkonim te gjiri i vogël e i fshehur. I kthyer nga emigracioni i gjatë në Greqi, Spirua kishte vite pa vajtur në ato anë. E lamë makinën gati tre kilometra larg dhe e bëmë rrugën me nge. Mblodhëm rigon, hëngrëm manaferra dhe kulumbri. Vetëm peshk nuk mund të zinim. Liqeni i vogël me ujë të ëmbël ishte bashkuar me detin me një kanal që gjarpëronte përmes pyllit me pisha. Kur dolëm te gjiri, ishte qetësi. E njëjta pamje përreth, me shkurre të gjelbra. Të njëjtët shkëmbinj në të dy anët. Vetëm plazhi na u duk ndryshe. Gjithandej gjembaçë të mbirë nëpër rërë dhe leshterikë e mbeturina që i kishte nxjerrë deti, ishin shpërndarë në të gjithë sipërfaqen. Befasia ishte te shpella në të djathtën tonë. Jo se kishte lëvizur nga vendi. Në hyrje të saj dikush kishte lënë rrobat. Aty pranë ishte një shkëmb që zgjatej në det, pak mbi ujë si kurrizi i ndonjë peshku gjigant. Rreth 100 metra më tej, atje ku kurrizi nuk dukej më, pamë një siluetë njeriu. Me sa dukej edhe ai na kishte vënë re, po çuditërisht nuk po dilte nga uji.

– Është lakuriq, – theu heshtjen Spirua. – Ikim në anën tjetër të plazhit.

Në të majtë, në fund, atje ku shkëmbinjtë ishin edhe më të thepisur, dukej një lopë. Ngaqë edhe ajo pjesët intime i kishte të zbuluara, ne vendosëm të qëndrojmë në qendër të plazhit, aty ku ndaheshin gjurmët e njeriut dhe të lopës. Ishte ende herët dhe mbi rërën e njomur, në krahun e lopës, në largësi nga njëra-tjetra, nxirrnin avull ca bajga të mëdha të sapolëshuara. Tek-tuk zogj të vegjël, me puplat si e kaltra e detit uleshin, qëndronin pak sekonda mbi bajga dhe sakaq ngriheshin në fluturim me shpejtësinë e avionëve, derisa lartoheshin në qiell e dukeshin sa një pikë. Tej, në faqen e kodrës, në të majtë, dukej tufa e lopëve që kulloste.

Kur e pa se nuk kishte rrugë tjetër, burri u çua dhe e nxori gjithë trupin mbi ujë. Ishte lakuriq dhe ashtu bëri për nga bregu. Në dorë mbante një qese me midhje. Dy-tri minuta më vonë vumë re se burri ishte veshur dhe po vinte drejt nesh. Kur u afrua, e njohëm. Ishte Nakua. Ai është goxha më i vogël se ne në moshë dhe punën e lopçarit ka bërë gjithmonë. Është i leshtë, thoshin për të. I mbahet edhe goja. Rrokjet i nxjerr si me darë, po duhet të jesh i vëmendshëm të kuptosh se çfarë thotë. Megjithatë zëri i tingëllon si kambanë. Fjalët i tërheq zvarrë si një karro e ngarkuar dhe ato kërcasin me një zhurmë bezdisëse për atë që e dëgjon për herë të parë. Po ai ka një të mirë. Flet rrallë dhe akoma më rrallë me të panjohur. Gjithsesi ne jemi të mësuar me Nakon dhe atij me ne i zgjidhet gjuha.

– Pse nuk bëjmë këtu një plazh nudistësh, – tha Spirua papritur.

Unë ndalova për të kuptuar nëse e kishte seriozisht apo po tallej. Ndërkohë Nakua arriti dhe unë nuk pata kohë të përgjigjem.

– Nako, e bëke plazhin pa brekë, – i thashë.

Ai vetëm qeshi si i zënë në faj dhe mua m’u duk se u justifikua si ne dikur, se nuk donim të ktheheshim në shtëpi me brekë të qullura.

– Pse nuk e bëjmë këtu atë plazhin nudo? – u rikthye Spirua te pyetja e tij retorike dhe i hodhi një vështrim tërthor gjithë gjirit. Sikur po përfytyronte si do ishte plazhi i tij nudo.

Pastaj u kthye nga Nakua dhe i tha me shaka:

– Hë, si është më qejf të lahesh, me brekë apo pa brekë?

Ai përsëri vetëm qeshi. Dhe uli kokën sikur të turpërohej. Kështu bën sa herë i zë në gojë martesën e i premton se do i gjesh nuse. Aty për aty mendova të bënim një shaka me Nakon.

– Të kam gjetur një nuse të mirë nga Tirana, – i thashë.

– Mbeti tiranasja për mua, – tha me seriozitet dhe ngrysi vetullat e trasha.

Spirua u fut në lojë menjëherë:

– Ti je goxha djalë dhe pastaj ke goxha hallate. Po të pa ajo lakuriq, do çmendet…

Nakua lëpiu buzët dhe nxori e futi gjuhën nga goja dy-tri herë me shpejtësi. Sytë, madje edhe vetullat, i qeshën.

– Ik te shpella dhe zhvishu. Do të bëjmë ca fotografi dhe do t’ia tregojmë asaj tiranases. Të dielën tjetër do ta sjellim këtu që ta njohësh, – thashë unë.

– Në darkë, te Jorgo, ke edhe dy kriko të mëdha me birrë, – shtoi Spirua.

Nakua na pa me mëdyshje, po pastaj u kthye dhe të tre u nisëm për te shpella.

Ajo që ndodhi në ditët që pasuan me fotografitë që i bëmë Nakos i kaloi përmasat e një plazhi të vogël në një fshat të vogël. Ngjarja u vë virale falë rrjeteve sociale. Spirua e hodhi njërën nga fotot në faqen e tij në instagram. Natyrisht, nuk dukej fytyra e Nakos, po peizazhi përreth të linte pa mend. Poshtë fotografisë shkroi: “Çmenden turistët. Plazh nudo në …”

Nëpër rrjetet sociale fotoja u shpërnda me shpejtësinë e dritës dhe akoma më shpejt e më shumë rritej pirgu i komenteve. Tri pikat në fund nuk thoshin asgjë, nuk jepnin asnjë pikë referimi, por kjo nuk i pengoi fillimisht portalet e më pas televizionet lokale e kombëtare që ta bënin lajmin tërkuzë. U hamendësua për vendin, u tha se ishin turistë polakë që bënin orgji e të tjera e të tjera. Televizionet më të kamura dërguan grupe xhirimi në të gjithë Shqipërinë dhe zbuluan çdo cep ku bëhej plazh nudo. Këndvështrimet e ndryshme i hutonin njerëzit. Diku kjo shihej si një risi që do ta çonte turizmin e vendit në një stad të ri. Diku tjetër si diçka që i duhej vënë fre sa më shpejt e pa u përhapur si epidemi. Jepeshin kronika nga Gjipeja, apo gjire të fshehura e me guralecë të bardhë në Karaburun që cilësoheshin si të virgjër. Nudistë u zbuluan edhe në rezervuarët në periferi të Tiranës. Populli vigjilent, i nxitur nga këto kronika, filmonte me celularë turistë nudo apo edhe topless dhe ua dërgonte televizioneve. Dhe ata nuk ngurronin t’i shfaqnin nëpër emisionet e lajmeve, krahas vrasjeve e vjedhjeve, apo një operacioni policor me emër të bukur për arrestimin në masë të shpërndarësve të drogës. Nëse do bëhej një sondazh, ato ditë ky qe top lajmi.

Nuk di të them nëse ishte kjo arsyeja që e vuri në lëvizje policinë, por një gjë është e sigurt. Ato tri pikat në fund të shënimit “Çmenden turistët. Plazh nudo në…” nuk kishin asnjë enigmë për policinë. Nuk e vë dorën në zjarr për t’ia dhënë meritën e zbulimit dy satelitëve që kemi lëshuar si zagarë gjahu në hapësirë. Përtej hamendjes sime, e rëndësishme është që një ditë dy makina policie shkuan te gjiri i fshehur. Ishte mesditë. Nakua kishte ikur tok me lopët se vapa nuk u bënte mirë. Në procesverbalin e konstatimit u shënua se në vendngjarje nuk u gjet krijesë tjetër e gjallë veç karkalecave, ca fluturave, zogjve bishttundës e ndonjë korbi që vizitonte bajgat ende të freskëta të ndonjë lope. Nuk i shpëtuan përfshirjes në raportim edhe ca pulëbardha që e inspektonin bregun për arsyet e tyre si dhe dy topa të kalibrit të rëndë të ndryshkur, mbetur aty që nga koha e luftës me Italinë. Me kaq policët e quajtën misionin e tyre të kryer.

Kur shakaja jonë dhe lajmi që e pasoi po fashiteshin, shpërtheu papritur vala e dytë, më e fortë se e para. Siç ndodh me tërmetet. Disa nga portalet pranë opozitës shkruan se në një nga plazhet më të bukura e më të virgjëra të vendit u sajua kinse një histori me plazh nudo, se u filmua një fakir, kur në fakt i gjithë ai gji i mrekullueshëm i është dhënë një oligarku të lidhur me qeverinë për të bërë një resort luksi. Madje, sipas tyre, ishin parë edhe makineri të rënda, kishte filluar puna për të rrethuar vendin dhe askush nuk mund të hynte më atje.

Si kundërpërgjigje ndaj tyre, portale të tjera pranë partisë në pushtet folën për një bum të paparë të turizmit në atë plazh. Sipas tyre, dhjetëra kampera dhe qindra turistë e kishin zaptuar atë vend. Dhe si për ta bërë të besueshëm lajmin me nudistë, apo për të kundërshtuar kolegët e portaleve opozitare, ata shkruan se aty, veç polakëve, bënin orgji edhe ca ukrainas që i kishin ikur luftës. Për ilustrim u vu edhe një fotografi ku dukeshin dy të rinj hipur mbi grykat e atyre topave të luftës. Ajo që na bëri përshtypje ishte se askush nuk i mori seriozisht lajmet e portaleve, askush nuk pyeti ku ndodhet ky plazh, madje kësaj here as policia nuk e pa të arsyeshme ta krehë për herë të dytë terrenin.

Vetëm mua dhe Spiros, që shkonim thuajse përditë atje, na vinte për të qeshur me ato që lexonim. Shakaja jonë ishte si ai zjarri që i vihet me dashje një kullote dhe merr përmasa të paparashikueshme, madje edhe të rrezikshme. Plazhi vazhdonte të ishte bosh dhe Nakua e pastronte çdo ditë sa mundej – kishin kaluar dy javë – me shpresën se të dielën e radhës do t’ia sillnin aty nusen nga Tirana.

Dhe e diela erdhi. Unë dhe Spirua shkuam më herët atë ditë. Si dita e fundit e pushimeve të vitit. Po mendonim si do justifikoheshim para Nakos për nusen, ndërkohë që ai e kishte bërë detyrën e tij. Madje, veç leshterikëve dhe gjembaçëve, kishte hequr edhe bajgat e thara të lopëve. Të freskëta nuk bëhej më fjalë që ato të lëshonin buzë detit, sikur ta kishin besuar njëlloj si Nakua që do ia sillnim një ditë nusen. I gjithë gjiri ishte bosh. Edhe te shpella nuk kishte njeri. As në kodrën në të majtë nuk dukeshin lopët. Na shkoi mendja se dikush i kishte treguar atij për shakanë tonë dhe Nakua kishte ndërruar kullotë për të mos u përballur me ne.

Të vërtetën do ta mësonim kur u kthyem në fshat. Në kafene flitej vetëm për Nakon. Policia kishte vajtur në mesnatë në shtëpinë e tij. E kishin arrestuar.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË