Agron Tufa “Tenxherja”, “Koha ditore”, Prishtinë, 2011
Agron Tufa është autor i një morie veprash në fushën e poezisë, prozës e përkthimit të veprave nga fusha e letërsisë artistike. Kujtoj se veprat më përfaqësuese nga opusi krijues i tij janë romanet “Mërkuna e zezë” dhe “Tenxherja”. I pari ka si temë mitin nga koha e largët e matriarkatit, ndërkaq i dyti mbijetesën e individit e më gjerë nën makinerinë e dhëmbëve të mprehtë të ingranazheve të periudhës së totalitarizmit.
Shqyrtimin dhe përimitimin e veprës e nisim nga titulli i romanit “Tenxherja”. Në shikim të parë, kur ende s’je futur Brenda fortifikatës së tekstit romanor, thua ç’titull i padenjë ky, por pas leximit të vëmendshëm të veprës, kupton se as që mund të titullohej ndryshe, ngaqë tenxherja është jo sall mjet kuzhine, por është simbolika, “relikti” dhe vetë historia që në vete ngërthen një epizod tragjik të kohës së pakohë të totalitarizmit. Tenxherja në fakt është shkaku i cili në vazhdimësi do ta prodhojë pasojën. Protagonistët ballafaqohen me pasojën, ndërkaq shkaku shfaqet më vonë dhe kështu teksti romanor ndërtohet mbi veprimet shkak- pasoj dhe si derivate i kësaj janë ndërmarrjet absurdie të pushtetit.
Romani “Tenxherja” është sagë e udhëtimit të një familjeje të shënjuar që gjëllin nëpër errësirën e pashpresë , ku personi i shenjuar nuk do të shlyej “mëkatet” vetë, por me tërë familjen, përmes burgosje, linçim e rrënimit politik, psiko-social e fizik.
Vepra të kësaj natyre ka gjithandej në letërsinë shqipe, të cilat kryesisht janë prodhuar si publicistikë, memoare, biografi, por fare pak si tekste artistike romanore të mirëfillta. Shtrohet pyetja pse ngjan kështu? Është një rrezik shumë i madh që brumi, materiali i veprës që përimton një sagë të tillë të rrëshqasë nga të folurit artistik në një të folur të rëndomtë, madje dilentesk dhe kështu vepra të mos të zgjojë interesimin e lexuesit dhe të mos shënojë vlera letrare. Mjeshtëria e Agron Tufës bën që një materie e tillë e romanizuar me mjeshtri, jo vetëm të prodhojë një vepër artistike, por ajo të bëhet vepër tejet e rëndësishme si art dhe shenjim i një kohe traumatike.
“Tenxherja” është tekst romanor artistikisht i fuqishëm që bart peshën e një dokumenti artistik tronditës socio-politik, sagë së ekzistencës së në familjeje të përndjekur. Autori tërë ngjarjen na e rrëfen përmes narratorit të gjithdijshëm që në vepër është edhe karakter (Behari) dhe njëkohësisht vrojtues, veprues në ngjarjet, elementet që e ndërtojnë esencën e temës. Autori rrallëherë paraqitet nga ndonjë pozicion vrojtimi si narrator , pra gjithë barrën e bart personazhi. Narratori rrëfen kryesisht në vetën e parë njëjës dhe në vetën e tretë. I gjithë rrëfimi është linear me përjashtim të fillimit dhe ndërfutjeve të memoareve, të cilat vinë nga retrospektiva (kujtimet nga burgosja e babait të Filipit)
Pritja, ankthi i pritjes së dënimit, ankthi i pritjes së daljes nga burgu. Dy skaje Brenda të cilave zhgërryhet frika, dhembja e pasiguria dhe palëvizshmëria e kohës. Me që në sistemin totalitar dalja gjallë nga burgu nuk është kurrë e sigurt, pavarësisht peshës së aktakuzës, atëherë pritja është një pafundësi kohe, dalja një çast lumturie që mund të mos zgjasë shumë, si në rastin e familjes së Filipit.
“Tenxheja” është roman modern dhe jo vetëm ky roman, por gjithë krijimtaria e Agron Tufës i takon rrymës së modernizmit. Megjithatë aty-këtu hasim elemente postmoderne. Një element që është dendur i pranishëm edhe në veprat tjera romanore është citati.
Teksti romanor i Tufës tek “Tenxherja” qëndron mbi fushën e faktit, një fakt i cili bëhet artistik me ngjyrimet fiksionale me fjalinë e fuqishme polidimensionale si këtu: “…arrita në kohë ta gëlltis në kapërcyell hënën e madhe të asaj nate gushti. Ndjeva si kthehej praptazi disku i saj i verdhë, si kridhej në thellësi sërish të zinte vendin e vetë në atë qiell të vjetëruar përballë bodrumeve të mi. Le të dyshonin se e fshihja, por ama nuk do ta nxirrja jashtë “ (f.36.)
Tufa inkuadron momente e situate fiksionale dhe e fuqizon tekstin artistikisht. Përmes inkuadrimit të personazheve si Nëna e vogël me Mefistofelin. Këtu kemi dy figura: Firuzja e njohur edhe si Nëna e Vogël dhe dhia e saj Mefistofeli. Mefistofeli është djalli që si emërtim është huazuar nga “Fausti” i Gëtte-s. Këtu kemi të bëjmë me personazh epizodik e periferik në shikim të parë, por personazhi këtu është mistik, bart mesazh dhe veprën e fuqizon me koloritin fiksional që shkrihet Brenda reales. Vetë Mefistofeli (dhia e Firuzes) pa të cilën nuk lëvizë dot personazhi, veprimin, idenë dhe mesazhin e bën mistik. Shkrimtari e zbret në boten reale Firauzen kur lexuesi meson se ajo është bashkëpunëtore e sigurimit. Ajo është shoqëruesja e djallit. As Mefistofeli as ajo nuk jetojnë e veprojnë pa njëri-tjetrin. Këtu fuqishëm na shfaqet fenomeni i absurdit. Plaka e shushatur, rreckamane e djallëzore i shërben sigurimit të shtetit. Një personazh tjetër, tejet periferik, “plaka xhuxhe dhe topalle, Zemrika kockëdalë” (f.61) është pasqyrim i reales me irealen. Personazhi është real por veprimet jan ireale.
Filipi përmes rrëfimit lidhur me ngjarjen ku në qendër ka Zemrikën e pashpirt, çliron fantazinë e tij, dhe i lodhur nga realja e ankthshme do të ikë në irealen e vetëkrijuar përmes gënjeshtrës.
Autori e ka të qartë se nuk ka tekst artistik pa fiksion dhe së këndejmi ndërton veprën e cila të rrëmben edhe si document artistik edhe si tekst i fuqishëm fiksional. Të dyja këto të kombinuara kënaqin shijen estetike të lexuesit.
SUBJEKTI/ ESENCA
Babai i Filipiti i burgosur politik, nga burgu (burgje që quheshin kampe pune) ka një “relikt”: tenxherën. Në tenxhere është gdhendur një emër: “Ai (Pavllo Çatis) ka qenë një ndër miqtë e babait të të pandehurit, gjatë kohës kur këta kryenin dënimin në burgun e Spaçit. Ai ishte një rebel, që ngriti krye në revoltën armiqësore të Spaçit, në majin e vitit 1973”.(f.137) Pronari i tengjerës është pushkatuar në protestën e të burgosurve Meqë edhe babai i Filipit është ushqyer në të, e ka pranuar si të vetmin kujtim nga personi i pushkatuar. Kur ai e kujtonte Kohen në kampet e punës, ngjarjet në burgun e Spaçit si retrospektivë, ia behu pasoja, pastaj më vonë u kuptua shkaku. Aktakuza absurde e cila do ta shpjerë 10 vjet në burg Filipin. Edhe këtu shfaqet pritja si ankth dhe torture. Pritet disa muaj dhe pikërisht kur Filipi kishte mbushur 18 vite, po atë ditë, dënohet. Në përgatitjen e aktakuzës , dresimin e dëshmitarëve dhe aktin e ankthshëm të pritjes pasqyrohet fytyra e pushtetit diktatorial totalitar. Filipi pas kundërshtimit të aktakuzës me fakte e kupton se nuk mund të shpëtojë nga ky absurd, meqë këta (gjyqtarët e prokurorët) paguhen për t’i vrarë shpresën njeriu që e damkosin si armik të popullit edhe kur s’është i tillë.
Autori pozicionohet në krahun opizitar, pra madhëron individin dhe kolektivitetin që rropatet për mbijetesë shpirtërore, fizike e socio-politike. Këtë ia mundëson vetë materia, një retrospektivë e errët, në të cilën njerëzit nuk do të ktheheshin me asnjë kusht.
Në romanin “Tenxherja” emrat e personazheve bartin mesazh, veprim, shenjojnë një çështje, figurë a ide. Shembuj: Fisnik Blana. Fjala blana që në këtë rast është mbiemër, paraqet plagën e Fisnikut nga burgu, dhembjen që është gdhendur, është bërë Blanë, një plagë e njeriut të mirë me emrin Fisnik dhe kështu krijohet figura kontrast. Figurativisht do të thoshim mbi dritë bie errësira. Edhe te disa protagonistë tjerë emrat shenjojnë kuptime jo vetëm të emërtimit, por më shumë se kaq.
Gjatë thurjes së teksturës romanore te “Tenxherja” autori ndërton tekst të ngjeshur, rrëfim të qetë e të dhembshëm përmes narrativës, monologut, monologut të dialogizuar dhe më pak dialogut deri te pika kulminante e arritjes së qëllimit parësor që është ideoestetik. Dialogë të fuqishme që vepres i jepin kolorit dramaciteti kemi te kaptulli i XXII (f.85-88). Ndërkaq vlen të përmendet se autori e ndërton tekstin me mjete shprehëse figurative. Pikërisht në këtë kapitull kemi dendur të pranishme figurën e ironisë. Shembull:
“ – A e ke dyfletëshin ku të ka skicuar Filipi rrugën?”
“ – Jo, për fat të keq, shoku hetues. M’u desh ta përdorja në nevojtore për letër higjenike…
Vërehet se në shumë vepra të Tufes barren e veprimit e të mesazhit të temës e bartin adoleshentet. Edhe romani “Tenxherja” ndodhë njëjta gjë.
Romani përmbyllet me burgosjen e Filipit. Prindërit janë aty, por nuk mund të mbrojnë krijesën e vet të pafajshme. Ata duhet të presin në atë fushë të shkretë zhgënjimi e pashprese lirimin e të birit, që mbase edhe mund të ndodhë.