Cordelia
Cordelia njeh,
Njeh qartë ajo natyrën njerzore,
Arkeologji shpirtnore,
shfaqje finale në dhomën mortore.
Cordelia jep,
mbi fillin e frymës saj,
ecë shpresa e nji dite besnike.
Drita e synit të saj shpon heshtshëm
mikro-ekranin e ndërgjegjeve tueja.
Cordelia don,
Çdo qënje hibride
mes shpërthimit qelizor dhe vesës së përlotun.
Cordelia vret,
Pa mendue, pa dashtë, pa veprue,
Gjest i shprehun nga thjeshtsija e
anarkisë saj.
Nata të njeh
Kur nata derdhet mbi qylymin e odës,
dhe fëmijët vrapojnë tashma ndër
andrrat e tyne.
Trupi jem i brishtë mshehet nën
jorgan
Dhe hedh do çaste, luftat e ditës
matanë.
Qerpiku i lehtë cakitë shokun e vet.
E bashkë festojnë natën që i pret.
Atëhere, e heshtun del një pikë loti,
dhe në erresinë, tretet dhe rrëshqet.
Në atë lot, jam un e tana.
Se te ai lot,
ty,
të sheh hana.
Fragment I
Universi çahet.
Nji perde hyjnore, e bardhë si qumësht,
më len me pa mes fleteve të lagta nga djersa e ankthit,
nji horizont pafund.
Sytë me djegin,
Ja e vërteta !
dhe papritë,
me mirësi, ajo më nxjerr nga vetvetja.
Mbrendësija
Sa herë rikthehem në barkun tand,
nxehtsija e zanit tand me lëkund.
Dhe ditët e mija janë shigjeta në ujë.
Ti je ngjyrë e kuqe.
E kuqe dhe blu.
Pak rozë gjithashtu,
si luleborat tueja,
mbështetuna mbi mur.
Koha kalon, ti rritesh,
Rritesh por nuk çlirohesh …nga ti.
Edhe se madhësija jote shkëlqen përtej
Si shkëlqen ftyra e nje vajze shtatzanë !
Edhe pse në rrugicat tueja vetëm
qeshje shpërthen,
Këto qeshje nuk i shqiten magmës së principeve tueja.
O Shkodër, o dashni.
Fragment II
Kur pika e gjakut bie në ujë,
Shumë shpejt ngjyra e saj
shkatrrohet…
Dhe ajo merr rrugen kadalë, kadalë…
Deri sa drita e së kuqes tretë pa za në transparencen e qetë të ujit.
Petalja e gërvishtun e drandifilles
Ka miresjellje që vrasin,
që me mjaltë të rjepin.
Ai respekt i tepërt,
acid mbi lëkurë,
thellësin e fjalës
e mban të ngurtë.
Disa nuk e dijnë se fjala çahet,
shpërthen në ftyrë, e ti hap rranjët.
Ata kanë fundin pak tepër të cekët.
Pak tepër të cekta,
i kanë edhe fajet.
Por do të tjerë, e dijnë fort mirë
që hija ka një anë të lirë…
Ku dielli rrjedh ngjyra t’papame,
Gërsheta të zjarrtë,
të fjalës së thanun.
Por kto të fundit, se l’shojnë përherë,
Fjalën e thellë, që sjell pranverë.
E mbajne në fyt, me litarë t’ngrehun,
Cerberë së mbrapshti të mbrehun.
Mue, më bezdis ky akt i tretun,
thesar i thurun dhe i pagjetun.
Me vjen shpesh herë,
me shume fuqi, nji spleen i thellë
ditën shoh zi.
Njerzve i iki,
vetmisë ia kërkoj fillin,
Në atë çast,
un jam,
petalja e gërvishtun e drandofilles.
******
Iris Simoni ka lindur në Tiranë dhe më
pas ka studiar filozofi dhe shkenca të
edukimit në Francë ku edhe jeton. Ajo
është mbesa e themeluesit të revistës
« Cirka » dhe përkthyesit të « Pinokut »,
Cuk Simonit, prej nga ndoshta ka marrë
diçka që e shtyn ta shohë botën nën hirin
e poezisë.


