More
    KreuLetërsiBibliotekëIna Kosturi: Nga Bechtein te Bechtein

    Ina Kosturi: Nga Bechtein te Bechtein

    Hoteli gjendej matanë lumit, që dukej sikur veçonte pjesën historike të qytetit me zonën e qetë ku mbizotëronin ndërtime të larta të godinave që i përkisnin bankave. Rruga vazhdonte e njëjtë dhe përtej urës apo urave që të çonin drejt qendrës, mes atyre ndërtesave tipike ku në lartësi mund të shikoje lloj- lloj mrekullish. Nga tej lumit hoteli qëndronte si një vend meditimi ndërsa syri vështronte larg gjithë madhështinë që shfaqej në horrizont në atë pjesë të populluar me turistë, dyqane suveniresh që qëndronin hapur deri vonë midis dhjetëra fantazive të vendosjes së portreteve të Mozart-it dhe Klimt-it, të ideuara e stampuara në lloj- lloj suveniresh, si krenari e ligjshme e atij vendi, midis pikturës dhe muzikës si një pasaportë se e kishe vizituar atë shtet. Pasditja i gjeti në hotel e më pas kur qyteti ish ndriçuar prej dritave, ecën drejt qendrës. U vërtitën rreth zonës së Katedrales, ku fare pranë në një rrugicë të vogël gjendej shtëpia legjendë e gjeniut të muzikës, në të cilën pas disa ditësh do interpretonin si duo. Koncertistët, interpretuesit e muzikës klasike, instrumentistët, kishin ritualet, rregullat, disiplinën dhe regjimet e tyre, që përfaqësonin një botë krejt tjetër, ku profesioni i bënte të ndryshëm nga ai i njerëzve të zakonshëm, që mundoheshin të shëtitnin, vizitonin e fotografonin muzetë, vendet historike, kafenetë e vjetra të mbipopulluara. Muzikantët u nënshtroheshin kodeve unike, gjuhës universale, të pakuptueshme për të tjerët, ritualeve të studimit, provave në ditët para koncertit. Në atë orë mbrëmjeje qëndruan para derës së mbyllur të shtëpisë së dikurshme të gjeniut të muzikës, pozuan të dyja e veçmas, thuajse atje po realizonin një provë gjenerale të koncertit, që të kujtonte provat në tavolinë për vendosjen në skenë të ndonjë vepre skenike. Nga pas portreti i Mozart-it lëvizte pas xhamit me ngjyra në mënyrë të përsëritur si sinjali i mrekullisë që do ndodhte kur do interpretonin në atë sallë magjike. Ajo gjetje në dritaren e ndërtesës ngjante si kujtesë se kompozitori gjendej sërish aty me muzikën, dokumentat, fotot, violinat dhe se gjithçka duhej të ish e përsosur. Ishte hera e dytë që shfaqej aty, së pari si fituese në një konkurs kompozicioni, ku përkujtohej violinisti e pedagogu i shquar Arnold Rose, koncertmaestri legjendar i Filarmonisë së Vjenës. Ceremonia kish përfshirë dhe një tjetër konkurs interpretuesish violinistë e pianistë, niveli i të cilëve të linte pa fjalë. Fituesit e çmimeve të kompozicionit, si dhe pianistë e violinistë të kategorive të ndryshme ishin rreshtuar së bashku. E teksa ish ngritur për të marrë çertifikatat e dy fitoreve për dy pjesët e saj kish menduar se interpretimi me violinë atje do ish një mrekulli. Nga publiku i bënin me shenjë të ulte çertifikatat e çmimeve teksa fotografonin, po ajo thuajse nuk dëgjonte … Kish dashur të tregonte në vendin e saj të largët se rëndësi kish muzika, jo portreti.,, Ndoshta fytyrën e kish mbuluar disi e turpëruar për faktin se ndonjëherë kish ngritur zërin për programet e studentëve në provimet e violinës, ku koncertet e Mozart-it ishin të detyruara në hyrje e dalje të çdo cikli Bachelor e Master. Në mendje i erdh një moment nga rrëfimi i Markez-it, inati i tij në thonjëza me Shopen-in e madh për shkak se një punonjëse e bibliotekës i vendoste të njëjtën pjesë sa herë shkonte për të studiuar!

    Gjatë natës shiu pushtoi gjithçka në një stinë që i dukej e çuditshme. Rrobat e dimrit dukeshin mëse normale në atë vjeshtë pa emër ku gjethet në pemë ishin akoma jeshile. Një stinë e rrallë ku për siguri shalli e dorashkat shërbenin si ornamente të duhura për dikë që do interpretonte në koncert. Trami përshkroi në një trajektore thuajse rrumbullake një pjesë të madhe të qytetit, midis stacioneve ish shfaqur godina madhështore e Parlmentit ndërsa çdo vështrim përtej xhamit dhe shiut ndeshte me pamjet e ndërtesave unike dhe veprat e artit në to. Ecën mes shiut në rrugën e qetë që të çonte në derën e hekurt të Pallatit Ehrbar. Holli i katit të parë në kombinimin e të bardhës me të zezën ofronte një pamje gati misterioze. Në të djathtë gjendej salla e madhe, prej nga shkronjat në pianon e skenës i dhanë sinjalin e parë të mirëseardhjes. E vështroi gjatë sallën, pianon, derisa teksa ngjitej për në katin e dytë, ku ndodhej studio e provave u ndesh me një stendë të madhe që qëndronte në sheshpushimin midis kateve. Korridorri, në ndryshim me katin e parë ofronte një pamje moderne. Studio e provave quhej “Egmond”, gjendeshin në Konservatorin Beethoven, ndërsa para çdo studioje qëndronte një tavolinë rrumbullake, disa portrete dhe një vazo lulesh në harmoni e kombinim perfekt midis ngjyrës së bardhë, kremit dhe blusë. Në studio gjendeshin dy piano, njëra e madhe ose me bisht siç quhej dhe tjetra piano muri. Kombinimi brenda studios varionte, midis të bardhës dhe blusë, ndërsa në cep të dhomës bashkë me leggio-t ndodhej një tjetër vazo me lule mbi një tavolinë xhami, ku qëndronin dhe dy albume pikturash. Ishte një album i Claude Monet, që bashkë me kohën e dytë të sonatës që kish krijuar e interpretonte e çuan në kohë të largëta të liceut, kur piktorët impresionistë e të rrymave të tjera të konsideruar atëherë modernë ishin pjesë e kuriozitetit të saj dhe çdo informacion për ta konsiderohej i çmuar.  Albumin e vështroi nga larg, pasi programi i recitalit kërkonte përkushtim maksimal. Koha e dytë e sonatës e kthente tutje në kohë të largëta të shtëpisë së vjetër, në sa e sa momente perëndimesh, ngjarjesh. Hera- herës i duhej të shkëputej nga kjo ndjenjë e së shkuarës e të tregohej e vëmendshme me partiturën që gjendej para saj dhe luante bashkë me pianisten. Fakti që e kish shkruar vetë pjesën nuk i jepte ndonjë prioritet, përkundrazi një ndjesi gati të çmendur për të fantazuar mes notave…Edhe pse albumi i” babait” të impresionizmit gjendej në tavolinë, edhe pse e kish shkruar vetë atë vepër duhej ti qëndronte besnike partiturës. E vetmja lidhje midis pikturës impresioniste dhe interpretimit në instrument ish gjendja emocionale, intensiteti i vibratos dhe ndjenjës. Në pushim të provave u ulën në një lokal të vogël në fund të rrugës, në ca tavolina të drunjta me ngjyra ku ekspozoheshin dhe çanta të modeleve e madhesive të ndryshme, të punuara në ambientin ngjitur me kafenenë. Tavolinat e drunjta me ngjyrë i kujtonin fëmijërinë, pa ditur se pas pak do ndjehej si personazh romani. Në studion e provave po vendosej një piano fringo e re, marka e së cilës kish gjithë ditën që i shfaqej nga piano e sallës së madhe, stenda në sheshpushimin midis kateve. Ish larguar në distancë e kohë larg në vendin e saj ku një stol i rrumbullakët i të njëjtës markë Bechstein i kish shërbyer gjatë fëmijërisë për të bërë me komoditet detyrat e të rrotullohej me shpejtësi për tu kthyer në anën tjetër të dhomës. Jo vetëm kaq, stoli mund të ulej e ngrihej si një stol magjik që bashkë me mbulesën e tastierës kishin mbetur relikte nga një piano e mrekullueshme me bisht, tejet luks i asaj kohe po dhe kohës së sotme që gjyshja e saj nuk e kish më…Ish koha kur në vendin e saj në kohën e të parëve merrnin gjithçka, kur shtëpia historike në Bulevardin e Shën Gjergjit në Korçë ish rrafshuar dhe bashkë me të ish zhdukur dhe piano… Një piano me bisht të cilën me mundim e zbrisnin e ngjisnin gjashtë hamenj në rastet e ndonjë koncerti të rëndësisëhm në Kinema Majestic. Mbulesa e tastierës ishte një copë e gjatë e trashë e kuqe e mbi të ishin qëndisur lule ngjyrë lejla dhe jeshile. Ajo dizenjo kish mbetur e paharrurar në mendjen e saj për shkak se mbulesën apo shallin siç e kish pagëzuar e kishin ndarë në dy pjesë dhe ja kishin qepur si zbukurim në një kostum dimëror të vogël me fund e bluzë. Bluza mbërthehej pas ndërsa në pjesën e përparme qëndronin dy pjesë të mbulesës së qëndisur. Kjo ish një histori e çuditshme, e rrallë. Për zbukurim mund ti vendosnin shumë gjëra të tjera, copa me lule të mbetura nga pako që kishin ardhur nga Amerika, fundja mund tja kishin qëndisur atë kostum të vogël me pamje skenike. Me atë mbulesë të markës së famshme Bechstein kishin dashur ta bekonin, në pamundësi për të patur një piano tjetër … Nuk kish ndodhur ndonjëherë që mbulesa e tastierës që ajo e kish pagëzuar me emrin “shall’ të vendsosej në një kostum fëmijësh ! Ish larguar nga pallati Ehrbar mes shiut që vazhdonte shtruar drejt autobuzit të linjës nga dukeshin fasadat e pikturuara të disa ndërtesave. U gjend në qëndër pranë Operës për të vazhduar në të djathtë. Atë qytet nuk mund ta kuptonte pa një vizitë në shtëpinë botuese Universal Edition zyrat e së cilës gjendeshin nw Musicverein …Hynte me emocion në korridoret e ndërtesës së famshme nga hyrja për artistët, ngjitej në shkallët e mbuluara me qilimin e kuq, për tu përfshirë në biseda mbreslënëse me specialistet e publikimeve dhe njohëset të jashtëzakonshme të muzikës klasike të djeshme e të sotme, ndoshta për tu frymëzuar e shkruar një pjesë të re në të ardhmen.

    Së fundmi ish ndaluar në sallën ku do të zhvillohej koncerti.  Salla Bosendorfer në Mozarthaus ish e mrekullueshme për akustikën, magjinë, sesi zbrisje dy kate më poshtë e gjendeshe në një sallë intime që siç e quante pianistja, dukej se do shfaqej vetë Mozarti! Pianoja e një marke tjetër, nga e cila kish marrë emrin dhe salla të magjepste me tingullin e mrekullueshëm si dhe atë detaj të veçantë të trëndafilave që dukeshin në pjesën e drunjtë pas tastierës, në pjesën e kapakut.

    Koncerti në atë sallë me piano e akustikë të mrekullueshme ish kënaqësi e privilegj. Të nesërmen, në momentin e mbarimt të koncertit, dikush kish ardhur dhe e kish përqafuar. Muzika është e mrekulleshme i kish folur në një anglishte me theks të ëmbël e rrubullakosur ku dallohej gjuha e saj, portugalishtja. E mbante mend nga ceremonia e konkursit të kompozicionit në të njejtën sallë disa muaj më parë. E nderuar si pianiste e pedagoge ajo kish qëndruar krah emrave  të njohur të botës muzikore në atë konkurs. Ndërsa kjo koincidencë dhe fakti se ajo kish ardhur posaçerisht në koncert e të nesërmen nisej për Brazil e kish emocionuar. Në përqafimin e fjalët e saj kish gjetur ngrohtësinë e atij shalli të fëmijërisë qepur në kostumin e saj të vogël. E kishin kthyer në kohë të largëta e sikur kish ndjerë dashurinë e duartrokitjen e atyre që nuk ishin më, njerëzve më të afërm që ndoshta e bekonin nga larg. Me dashuri ja kishin qepur atë shall të pianos e në fakt në atë sallë kishin ardhur si shqiptaret e para, jo vetëm si interpretuese po dhe si krijuese e tre veprave. Përqafimi i pedagoges nga San Paolo, pamja e saj e bukur e fisnike, mirësia e dashuria e saj i kujtoi dashuritë e munguara të njerëzve më të afërm që nuk ishin më. Ish ndjerë si personazh romani… Fotografinë e vjetër dhe të sajën para stendës i vendosi bashkë ndërsa shalli i qëndisur ish rrugëtimi nga Bechtein tek Bechtein …

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË