More
    KreuLetërsiBotime të rejaIginio Ugo Tarchetti, "Në kthetrat e dashurisë" - Botimet Polis

    Iginio Ugo Tarchetti, “Në kthetrat e dashurisë” – Botimet Polis

    Xhorxhoja, një burrë i ri dhe i pashëm, shkëputet përkohësisht nga jeta ushtarake për shkak të një sëmundjeje dhe shkon në Milano, ku njeh Klarën, një grua të bukur dhe plot jetë, e cila i përket një burri tjetër.

    Në kulmin e lumturisë, Xhorxhoja detyrohet të kthehet në detyrë, në një qytezë monotone, ku takon Foskën, kushërirën e kolonelit dhe njëkohësisht komandantit të tij. Ajo është një grua tejet e shëmtuar dhe e sëmurë, por edhe inteligjente dhe e kulturuar, ndien një tërheqje fatale për Xhorxhon.

    Klara përfaqëson dritën dhe jetën, ndërsa Foska terrin dhe vdekjen. Njëra dhuron lumturi, ndërsa tjetra ushqehet me energjinë e Xhorxhos dhe ia përthith gjithë harenë dhe freskinë e moshës djaloshare.

    Ajo çka e bën këtë histori aktuale edhe në ditët e sotme është ankthi, dyzimi midis realitetit të jashtëm dhe atij të ndërtuar në brendi, racionales dhe joracionales, dritës dhe hijes.

    Deri ku mund të shkojë ideja e ngulët e një gruaje?

    Si të shpëtosh nga kthetrat e dashurisë?

    “Unë kisha lindur me një pasion të jashtëzakonshëm. Nuk dija të dashuroja apo të urreja përgjysmë; nuk mund ta ulja shkallën e ndjenjave të mia në atë të burrave të tjerë. Natyra më kishte bërë rebel, krahas masës së përgjithshme dhe ligjeve të zakonshme. Ndaj ishte e drejtë që edhe pasionet e mia të kishin arsye, mënyra, zhvillime dhe përfundime të jashtëzakonshme.

    Pata dy dashuri të mëdha, dy dashuri të përjetuara ndryshe, gjithaq fatale dhe të jashtëzakonshme. Me to dhe për to u shua rinia ime.

    Do të shkruaj vetëm për njërën nga këto dashuri. Për tjetrën do të flas pak, sa për të treguar kontrastin e frikshëm që krijoi me të parën. Nuk qe aspak një dashuri fatlume. Ta rrëfeja, do të qe sikur ta përsëritja sërish historinë fill e për pe, por nuk ekziston deri më sot ndonjë krijesë që e kam njohur mirë pa e dashur. Ose na braktisin, ose braktisim – shpesh me dëshirë, të kënaqur nga kjo braktisje. E tillë është gatuar zemra njerëzore.

    Atë dashuri unë nuk e ndjeva: e pësova. Nuk e di nëse ka në botë të tjerë burra që e kanë kapërcyer një sprovë të këtillë, për më tepër në rrethanat që e kalova unë; nuk e di as nëse ata do t’i mbijetonin dot.”


    Iginio Ugo Tarchetti
    Në kthetrat e dashurisë
    roman
    Përktheu: Geverina Muzhaqi
    ISBn 978-9928-352-00-3
    Nr. i faqeve: 226
    Çmimi: 800 lekë

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË