More
    KreuLetërsiBibliotekë"‘I ftuar’ në TV 13…" tregim nga Vangjush Saro

    “‘I ftuar’ në TV 13…” tregim nga Vangjush Saro

    Aty nga ora 11 e paradites, shkrimtari Sh. ishte duke ecur me kokën lart nëpër atë çfarë kishte mbetur (apo tjetërsuar tashmë) nga ajo që dikur i thoshin Kinostudio. Ishte vapë. Këndonin gjinkallat; kënga e tyre e bënte edhe më të rëndë zagushinë. Ngrehinat e reja, zgjatimet e atyre që kishin qenë edhe më parë, rruginat e pluhurosura, shkurret e mbetura nga kushedi qëkur, të gjitha këto ishin në sfond. Ai e kishte mendjen gjetkë; po kërkonte selinë e TV 13. Dhe pasi e gjeti atë, nxitoi brenda, gjithë me kokën lart.Eci një copë herë nëpër një sallon të laryshitur me gjithfarë zbukurime e ngjyra. Pastaj u përball me rojen, i buzëqeshi atij, i tha ashtu e kështu dhe, më në fund, bëri tutje.

    Shkrimtari Sh. nuk ishte i njohur; në kryeqytet e më tej. Megjithatë, ia kishte gjetur anën… ta fuste librin e vet në një listë rekomanduese të Ministrisë; kishte përcjellë në rrjete edhe ndonjë recension nga kolegë që, në të gjithë parametrat, ishin aty-aty me të; më në fund, e kishte ngecur librin edhe në nja dy a tre librari. Mirë edhe për kaq; por prapë ishte larg suksesit dhe vuante njëlloj mospërfilljeje. Ishte pikërisht atmosfera e ftohtë në të cilën po kalonte edhe botimi i librit të tij të dytë, ashtu, të tretë, që e detyroi atë të lëvizte pak. Kjo ishte sajuar pak a shumë në këto rrethana: Një nga aksionerët e TV 13, ishte i afërm i gruas së tij. Ajo i kishte folur të afërmit në lidhje me librin e burrit të saj; aksioneri kishte komunikuar me Shefin e Departamentit të Kulturës; ky i fundit i la njëlloj porosie moderatores së Kulturës; dhe kjo i bëri shkrimtarit Sh. një ftesë për intervistë. Tani, ai gjendej përpara gazetares në fjalë, një vajzë plot hire dhe e veshur si për në krevat.

    Në studio ishte qetësi. Shkrimtari Sh., i cili kishte me vete kartën e identitetit, disa kopje të librit të tij të tretë dhe një tufë me lule, po priste plot durim, veç i shpërqendruar disi nga emocionet. I dukej vetja shumë i vogël përballë Miss-it që do ta intervistonte. Ai ishte i një burrë i shkurtër, me një pamje dosido, madje pak i tukequr; sharmi i moderatores aq sensuale dhe veshja e saj, e kishin hutuar pak. Jo. Shumë. Kur ajo e pyeti pse gjendej atje – dukej sheshit që nuk mbante mend asgjë – ai tha vetëm kaq:

    -Unë jamë

    Nganjëherë, fliste në dialekt. S’ishte kjo arsyeja që moderatorja ende nuk po mundte të kapte si duhej situatën. Edhe ajo, me një tironçe të adoptuar, e pyeti sërish – më mirë ta kishte vrarë – çfarë ish tu bo ai atje (!) Emri i të ftuarit nuk i kumboi asgjë në vesh. Por sapo që tjetri përmendi bashkëpronarin e TV 13, gazetarja e bëri lidhjen sakaq. Megjithatë, ajo ende dukej pak konfuze. Nuk po e përcaktonte dot tematikën e bisedës; pastaj, vështrimi me gjasë i rëndë i shkrimtarit i dukej si një gjë komike, mënyra se si i mbante librat e tij në sqetull, edhe më për të qeshur.

    Moderatorja vetë nuk lexonte libra. S’mbahej mend kur mund të kish shfletuar ndonjë aso. Por ajo ‘shfletonte’ – me  pangopjen dhe kureshtjen që tashmë ka vënë në resht shumicën e popullatës – gjithfarë gallatash e ndodhish që gëlonin nëpër rrjete. Këto, si dhe njëfarë fjalori me terma që… ishin në kohë, e kishin përgatitur atë të përballej me çdolloj situate.

    Koha po shkonte gjithë në atë paqartësi e përhumbje. Më në fund, dikush tha se regjistrimi do të bëhej pas nja 15 minutash. Moderatorja po shkëmbente fjali me regjisorin. Ndërkaq, ngase dera e studios tjetër ishte ende gjysmë e hapur, vinin shtjella-shtjella fjalët e një kënge që thoshte pak a shumë: “Merre merre merre/ merre po ta dhanë/ por nuk mundesh ti/ jo jo jo…” Me siguri, po regjistrohej ndonjë video.  Ta këpuste shpirtin ajo këngë dhe ‘lirika’ e saj. “Ti më thua/ unë s’e dua/ kot mos ma kërko…”

    Moderatorja iu dha pak tualetit të vet, kohë gjatë së cilës i telefononte pareshtur i dashuri.  Ajo i thoshte atij me butësi: “O Taku, jom në punë, lale.” Kurse regjisorit: “Jena gati?” Dhe prapë të dashurit: “Jom në punë, o trangull. Folim më vonë.”

    Në një moment, vajza pa lulet që mbante në dorë shkrimtari Sh. dhe e pyeti me një fytyrë ku e ku më të lulëzuar nëse ia kishte sjellë asaj.

    -Jo jo, – nxitoi të shpjegohej ky. – Unë mendova se në përfundim të intervistës, ju apo dikush tjetër këtu mund të m’i dhuronte mua… Si ta them… A mund të fillojmë?

    Gazetarja shkëmbeu një vështrim me regjisorin.

    -Leji aty… Lulet, pra mo. Po mirë, edhe librat. Njonin mbaje n’dorë. Mbyllni derën, lale!

    Kamera e parë dha shenjën. Moderatorja vuri sakaq maskën.

    -Të nderuar shikues, – buzëqeshi ajo – në këtë emision do të flasim për letërsinë, si shprehje e vlerave që derivojnë në shpirtërat njerëzorë. Libri është mesazheri më i mirë për çdo kohë… Ë? Lene hyrjen, lale, – ia bëri me dorë regjisorit – e bojm’ i her’ tjetër… Por ne, – vazhdoi me sytë nga operatori përballë – kemi sot këtu autorin e librit për fëmijë “Dhelpra, qeni, gjeli, qengji, gomari, ketri, ujku, macja, bleta, pjergulla, kajsia, retë e bardha dhe flutura krahëshkruar”. Atëherë, pra, – u kthye ajo nga shkrimtari Sh., duke u treguar ndërkohë kamerave këmbë vërtet shumë të bukura – ju kini trokitur tashmë në vetëdijen e lexuesve me mesazhet tuaja. Apo jo? Teleshikuesit e TV 13 janë të interesuar të dinë motivet që ju çuan te ky libër.

    Shkrimtari i sajuar Sh. qërroi zërin dhe ia nisi me pak emocion:

    -Unë jamë autori i librit “Ujku, qeni, gomari…” Jo! Unë jamë autori i librit “Gomari, ujku, qeni…” Jo! Prapë. Unë ju përgëzojë për emisionin… Libri imë është një libër që vjen si një, si një… Prapë. Pse unë e titullova atë “Qeni, gjeli, gomari…” Jo! “Gjeli, gomari, ujku…” Jo! “Dhelpra, macja, ujku…” Jo! Po mirë, pse dhelpra është dinake, do të thoni ju? Jo! Prapë…

    -Zotëri – ndërhyri moderatorja, duke e parë që i ftuari ishte pak i hutuar – si e konceptoni ju komunikimin me lexuesit? Ju kini një kod letrar tuajin, sigurisht…

    -Kod?! Patjetërë! – tha shkrimtari, duke parë ndërkaq tavanin. – Po sigurisht; sepse libri imë “Ujku, qeni, gomari…” Jo. Prapë. “Dhelpra, ujku, qengji…” Jo jo! Por libri imë

    Vajza më kot i bënte shenja që ta lexonte titullin në libër; ai e kishte në dorë atë. Por tjetri po mbytej nga emocionet. Mbase aq e kishte gajden. Ndoshta edhe vajza po e tralliste keq e më keq me hiret dhe aromën e saj… Ajo vazhdonte të zbulonte edhe më shumë pjesët e zbuluara e, ndërkaq, fliste sikur të ishte duke udhëtuar për në Hënë:

    -Letërsia është një planet që rezaton, apo jo? Bota e fjalës e mbështjell subjektin njeri. Pra, ju…

    -Pra, unë… Libri imë… Subjekti i këtij libri… Subjekti i librit “Dhelpra, gjeli, ketri…” Jo! Prapë. “Ujku, qengji, ketri, macja…” Jo! Jo dhe jo!”

    Edhe pse herën e fundit kishte arritur të bënte bashkë katër nga kafshët e kafazuara në listën që, fundja, ishte titulli i librit të tij, shkrimtari i pafat nuk po mundte dot të dilte nga ai dreq çarku. E kishte menduar të lehtë këtë bisedë, ashtu siç edhe kur shkruante. Por tani diçka po shkonte ters. Papritur, iu ndërmend numri 13. Hëëë! Pse ky TV duhej të kishte atë emër?

    Gazetarja bëri një pauzë, gjatë së cilës shkëmbeu disa mendime me regjisorin, që gjithsesi e kuptonte, jemi në ekran lale, disa gjona shkojn’ mirë, disa jo… O Taku, iu kthye pastaj edhe njëherë të dashurit, po ça fol o lale, jom tu regjistru. Ik tani! Iiik!

    Ajo e kishte ngritur zërin kaq shumë dhe njëri nga tingujt kishte goditur kaq fort, saqë shkrimtari Sh., në pështjellim të plotë, pothuaj i trembur, u ngrit të ikte me të vërtetë. Moderatorja e zuri për krahu. Jo ju, zoti Sh. S’po flisja për ju. Pra, vazhdoi ajo duke i shkelur syrin regjisorit – o Zot, ishte si një shegë e përflakur, e shkalafitur, të tundonte – pra libri juaj ndjek disa kordinata… Apo jo?

    -Kordinata?! Patjetërë, ky libër, libri imë “Ketri, macja, ujku qengji, dhelpra…” Jo. “Qengji, ujku, dhelpra, macja…” Jo! “Ujku, qengji, dhia, jo, dhelpra, ketri…”

     -Vizioni juaj në këtë libër – ndërhyri sërish moderatorja – është, le të themi diametrik…

    -Diametrik, po. Qengji, ujku, macja…

    Vuu muzikae celularit, për të dhjetën herë. Qeni, ketri, zogu…

    “Takuuu! Më çmene sot, laleee!” Krejt papritur, vajza u ngrit dhe doli përjashta furtunë, por duke mos harruar t’i bënte shenja kameramanit përkundrejt të fokusohej te kopertina e librit. Celularin sa nuk po e kafshonte. Shkrimtari Sh., i cili mbeti atje si lloz, mori librat dhe i vuri nën sqetull. Pastaj i shkoi mendja edhe të lulet. Sidoqoftë, mbase edhe ai kishte nevojë për pak pushim. Duke shkuar pas moderatores, krejt i pakthjellët, në mos edhe i dehur nga kurmi i saj, nuk i doli nga mendja t’i thoshte, sa me fjalë, me shenja: “Po lulet?…”

    Dikush duhej t’ia jepte atij lulet. Ç’është kështu! I kishin mbetur në dorë… S’po merrte vesh kish mbaruar punë apo do ta thërrisnin prapë. Nga dera e sapohapur, një reze dielli kishte hyrë brenda sa për të projektuar grimcat e panumërta të pluhurit. Kurse matanë, nga studioja tjetër, vinte ende ajo kënga që thoshte pak a shumë: “Merre merre merre/ merre po ta dhanë/ por nuk mundesh ti/ jo jo jo…”

    Sa bukur! Po shkonte dreka…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË