More
    KreuHistoriGjino Luka: Histori e shkurtë e nji Shpije shkodrane

    Gjino Luka: Histori e shkurtë e nji Shpije shkodrane

    Dihet se shqiptarët janë mikpritës, e nuk asht për me shitë mend, asht nji zakon i rranjosun qysh se s’mbahet mend. Shpija asht e Zotit e e mikut. Mirë se keni ardhë në këtë shpi: gjatë kohës qi të rrini mbrendë unë kam me kenë si Nausika, tuj shpresue qi ju të mos jeni si Antino…

    Shkodër, Shqipni

    Çka asht nji kujtim? Diçka qi ke apo diçka qi ke hupë përgjithmonë?

    Isabel Allende

    “Kush do të ketë jetue në atë Shpi?”. Kur asht ndërtue, si kanë jetue dikur gjindja? Sejcili prej nesh, përditë, shtegton me menden e vet në të kaluemen. Duket se kujtimet e të së kaluemes bajnë pjesë në të tashmen qi gjithnji bahet e kalueme…

    Kjoftë nji derë e madhe ose nji e vogël, hymja/dalja simbolikisht përfaqësojnë ndamjen ose komunikimin ndërmjet të jashtmes e të mbrendshmes ose anasjelltas, asht edhe si kalim ndërmjet familjares e të asaj qi asht e huej… 

    Dera kryesore

    Dera kryesore, hymja

    Dera asht ndërtue rreth vjetëve 1640-1700 kryesisht me dru kështeje shumë të qindrueshëm e të pakalbshëm. Përmasat janë të atilla sa me lejue hymjen e kuajve e të karrocave. Struktura asht e përforcueme me trena lisit e hekurit të farkëtuem: “Dyert kryesore janë të fortifikueme sepse ato duhet me përballue rrethimet e mundshme të cubave, pra, asht dashtë me kenë të gatshëm për mbrojtje”. Dikur dyert kanë kenë edhe prej hekurit; të randa e të forta. Pullazi i derës kryesore mbështetet mbi trenat e kështejës, gërshanët janë prej dullijet, dikur ky dru asht përdorë për me ndërtue voza sepse asht i qindrueshëm karshi mykut e kalbjes. Pullazi asht i mbuluem me tjegulla (tjegulla qi shtrohet mbi pullazinë e ka emnin ulluk, kurse ajo sipër asht kapaku).

    Tjegulla asht elementi ma tradicional i Shkodërs për sistemet e mblimit të pullazit, forma e saj si trug konit lejon nji tolerancë të madhe gjatë vendosjes dhe e ban atë nji element të gjithanshëm, të përshtatshëm për çdo lloj pjerrësijet.

    Përpara derës kryesore (dera e oborrit) dikur kanë kenë dy gurë të mëdha, të daltuem si nji kambë shkallet, qi quheshin guri i kalit për me hypë kollaj mbi kalë. E në secilën anë ka pasë nji unazë hekurit, të ngulun në murin e gurit, për me lidhë kuajt.

    Muret rrethuese të Shpisë, avullija, si shumica e shpijave shkodrane, janë të ndërtueme me gurë të nxjerrun prej shtratit të lumit Kir. Fillimisht muret kanë kenë të nalta deri në 3-4 m.

    Shtrimi i pjesës në hymje, kalldrami, asht nji lloj dyshemjet në natyrë, i ndërtuem me gurë të rrumbullakët, ose gurë zallit. Materiali asht marrë prej zallit të lumit Kir. Kalldrami mbështetet në nji shtresë rane, toke a zhavorrit qi shtrohet mbi tokën e nivelueme, ose mbi nji shtresë çaklli qi ka funksion drenazhues.

    Ky lloj shtrimi me gurë ka avantazhin se “e len tokën me marrë frymë” në sajë të hapësinave midis nji guri e nji tjetri; për ma tepër mundet me u përshtatë shumë kollaj me parregullsinë e tokës e asht shumë rezistent. Sidokjoftë, nuk garanton njëtrajtshmëninë e terrenit e, kur laget ose lustrohet për shkak të konsumimit, bahet mjaft i rrëshqitshëm.

    Dera kryesore, dalja

    “Kalimi, dera, asht edhe element i identifikimit të jetës, prej hymjes së parë në shpi, me lindjen, deri në dalje me dekën. Nji udhëtim gjatë jetës prej nji etape në tjetrën ….”

    Kopshti

    Muret rrethuese

    Shpija, e ndërtueme në qendër të qytetit të Shkodrës, asht e rrethueme me nji oborr, me nji kopsht e shumë pemë frutore (sot peizazhi asht ndryshe). Pjesa në anën e hymjes asht e zbukurueme me pemë si lari, shemshiri, manjola, mushmolla, lulevile e bimë dekorative: mimoza, marshallojë, lulemustak, jasemin, zambakë, etj. Shkodranëve u pëlqejnë shumë drandofillet e lulet e saksijave (mullaga, karajfila, lulekrap, begonie, dalia, margerita). Nji pjesë tjetër e kopshtit asht e kultivueme me pemë frutore: qershi, kumbull, pjeshkë, dardhë, ftue, mandarina, limona, portogala, shega e pa dyshim në çdo shtëpi shkodrane nuk mundet me mungue nji tandë hardhijet (për hije e fresk, qi zakonisht ka prodhue rrush tavolinet, tuj kenë se vena asht prodhue në vneshtat e Bardhejve, në pronën e familjes) e të paktën nji fik, simbas nji tradite të lashtë. Përveç shtazëve shpijake, në kopsht ka jetue nji Bollë, qi asht  konsiderue nji qenie mbrojtëse e Shpisë (Kulti i gjarpnit). Të gjitha familjet autoktone shqiptare kanë pasë gjithmonë nji bollë në shpi. Bolla asht ende sot e adhurueme, si mbrojtëse e shpisë shqiptare (autoktone shkodrane).

    Sigurisht ka edhe nji kopsht (ku kultivohen mollatarta, kastraveca, qepë, bishtaja, sallata etj.), fillimisht për nevojat shpijake por ma vonë për me kalue kohën.

    Kopshtet e Shkodrës janë të përmendun. Toka asht e shkëlqyeshme për kultivimin e pemëve frutore e të barishteve; edhe portogalat e limonët bahen të mirë kur mbillen në tokë.”, shkruente A. Baldacci nel 1913 në revistën «Italia».

    Shpija

    Fill mbas derës kryesore, djathtas ka kenë kulla e sanës e në të majtë nji jerevi. Çdo shpi shkodrane ka pasë nji pus e afër pusit nji lug, nji stjoll e nji pllakë gurit qi asht përdorë për me rrahë teshat e laguna me pirajkë për me hjekë ma me lehtësi ndysinën prej teshave. Si “detersiv” asht përdorë finja(nji solucion me ujë e hi. Sa ma i mirë me kenë druni, aq ma i mirë asht hini për finjën).

    Shpia shtrihet horizontalisht e asht e përbame prej dy katesh (tuj përfshi katin përdhes), hapësina ​​në hymje, në katin përdhes, qi asht e hapun në të dy anët quhet hajat: prej hajatit mundena me hie në ahër (ahur), e cila asht nji tjetër hapësinë ​​qi fillimisht ka shërbye si stallë e ma vonë si depo drushë e magazinë. Edhe dera e ahërit asht e fortë edhe e përforcueme kundër-thyemjes, kundra sulmeve të mundshme të cubave qi u ulshin shpesh prej maleve në qytet. Në muret e pjesës ma të vjetër të shpisë ka ende frëngji për me gjuejtë jashtë pa u rrezikue, në rastin e nji rrethimi.

    E kuqja ka kenë ngjyra kryesore me të cilën asht lye shpia.

    Hajati në verë asht përdorë për me ndejë në fresk ose për me organizue dreka e darka.

    Mbi hajat gjindet çardaku, edhe ky asht i hapun në të dy anët, prej të cilit mund të hihet në ambientet e tjera. Nji çardak tjetër ka shërbye si dhomë pritjet. Çardaku ka kenë edhe nji hapësinë ​​ku shumë shkodranë kanë mbajtë bylbyla, nji zog qi asht vlerësue për kangën e tij të kandshme; megjithatë, ka kenë shumë e vështirë për me e mbajtë, e asht dashtë me kenë të sprovuem për me e rritë në kafaz. Kështu pra ai zog u zëvendësue me gardalina, varduj e kanarina.

    Në dy krahët e çardakut gjinden dhomat e gjumit e disa ambiente anësore, nji dhomë qi asht përdorë si studio/bibliotekë, në fund të çardakut të dytë, nji dhomë për miqtë e dhoma kryesore, dhoma e bukës, kuzhina/dhoma e bukës (oda e zjermit) e pikturueme me bojë të kuqe me nji votër të madhe e me nji tavolinë të madhe ku kanë mujtë me ndejë lirshëm e me hangër rreth 20 persona. Përbri odës së zjermit ka nji qeler, dhomë shërbimi me nji stjoll të madh për lamje e sigurisht banjot alafranga (të modifikueme kah vjeti 1900), nji banjë (nevojtore) e përbashkët te çardaku i dytë e dy banja të tjera për dy dhomat e gjumit e të zotëve të shpisë. Në nji krah afër shpisë ka kenë i ndërtuem nji ambient për shërbyesit.

    Jeta e përditshme asht zhvillue në çardak e, në verë, në hajat (në kohët moderne, hajati në dimën u mbushte me saksija lulesh, limonash, etj., për me i ruejtë prej të ftoftit). Në dimën të gjithë janë mbledhë te oda e zjermit. Nën pullaz gjindet nji hapësinë ​​e mjaftueshme, trapazan, për me ndejë teshat e, bash në qendër, sipër mbi pullaz asht nji dhomë qi ekziston edhe sot e kësaj dite: nji studio e vogël prej ku kishte mundësi me u soditë krejt qyteti deri në Liqenin e Shkodërs (sot, kjo gja nuk asht ma e mujtun për shkak të ndërtesave të mëdhaja qi rrethojnë shpinë). Të tana dritaret e dhomave shohin kah kopshti. Dhomat e shpisë ende e kanë dyshemen me dërrasa drunit të papunuem. Muret ndamëse e ata të dhomës mbi pullaz janë të ndërtueme me çatëm: në nji kornizë drunit fiksohen listelat mbi të cilët lidhet nji rrëgostë kallamash, mandej perdja ndamëse mblohet me kashtë të përzieme me argjil e ma në fund veshet me llaç me gëlqere, mandej lyhet tuj krijue kështu nji efekt panelesh të bardhë. Kornizat e drunit të ekspozueme shifen vetëm rreth dyerve e raftave të murit. Muret mbajtëse janë të ndërtuem me gurë lumit, tuj fillue prej themelit me nji trashësi deri në 1.5 m. Praktikisht ndërtohen dy mure qi ngushtohen deri në maje me nji ndërmjetësinë të mbushun me helikë e llaç (edhe çakëll e materiale skarco ndërtimi) për me mbërritë deri në rreth 40 cm nën hatulla. Struktura asht e përforcueme me trena lisit e kështejet. Ekziston ende nji WC alaturka jashtë shpisë, në pjesën mbrapa, në rast nevoje.

    Mekenëse ka kenë e banueme prej nji familje tregtarësh, shpia e kopshti janë modifikue simbas nevojave të banorëve të saj. Kah vjeti 1900, rinovimi i banjave ka kenë nji prej përparësive të familjes: shndërrimi i Wc-ve prej alaturka në alafranga, me përdorimin e klozetit me shkarkim uji automatik me anën e nji zinxhiri. Kjo gja ka kenë e mujtun sepse ka përkue me ndërtimin e fabrikës së akullit, meqi me anën e nji pompe, qi furnizonte fabrikën me ujë pusit, u mbushte edhe nji rezervuar i instaluem nën pullaz qi furnizonte shpinë me ujë. Në atë kohë, ende nuk ka pasë ujësjellës në qytet.

    Ndërtimi i parë

    Jeta e Shpisë fillon kah vjeti 1640-1700, me ndërtimin e saj.

    Rreth vjetit 1700 familja Luka kishte disa prona në Shkodër (ndër të tjera nji shpi në Sarreq ku jetuen, mbas 1900-ës, muzikanti Karlo Pali e P. Ferdinand Pali në atë kohë latinist i mirënjoftun (kushërijtë e parë të fam. Luka). Qysh prej ndërtimit e deri në ditë të sodit shpija asht trashigue e ka mbërritë te na. 

    Shtëpia i ka qindrue tërmeqeve të vjetit 1837 e 1855 por me tërmekun katastrofik të vjetit 1905, ka pësue dame serioze, prandej detyrimisht edhe asht restaurue.

    Struktura modifikohet në pjesët e jashtme. Rikonstruktohet fasada tuj mbyllë çardakun e hajatin e ndërtohet nji shkallë e jashtme prej çimentoje, qi në fillim të vjetëve 1900 ishte shumë në modë. 

    Fabrika e akullit

    Lin
    Lin (Tregtar – Diplomue në Beograd, e ma vonë në Romë, Degustues i venës – Fotografi: 1925)
    Nush (Avokat – Diplomue në Universitetin e Bolonjës – nji prej futbollistëve të të parë të kombëtares shqiptare të futbollit Fotografi: 1935)

    Gjatë vjetëve 1920-25 Lin LUKA, tregtar me shumicë pijesh alkoolike (likere, venë e birrë), pronar bashkë me dy vëllazënit Gjon e Nush të Firmës Lin Vll. Luka, transformon kullën e vjetër të sanës në nji fabrikë akullit. Lin Vll. Luka asht partneri kryesor tregtar i Grupit Campari e Fratelli Branca për Shqipëninë.

    Fillimisht u pat ndërtue nji akullishte me muraturë, nji dhomë e thellë nëntokë për me ruejtë borën qi malësorët e bijshin prej maleve afër Shkodërs.

     Në Shkodër, gjatë kohës qi qyteti asht tuj u zgjanue, shtohet kërkesa për akull: furnizimi me borën qi vijte prej zonave malore nuk asht në gjendje me i ba ballë nevojës në rritje për akull.

    Fabrika vehet në funksionim prej nji motori diesel e ma vonë prej nji motori elektrik. 

    Në 1915-1918-ën, ma përpara hajati i Shpisë e mandej edhe ahëri transformohen në magazina pijesh alkoolike, kryesisht për me furnizue ushtrinë austro-hungareze. Magazina furnizohet ma fort me Kümmel (nji liker i ambël e pangjyrë, i aromatizuem me farë bargjumi e kopër). Shumë akull u konsumonte për dy mejhana, nji te Pazari i vjetër e nji tjetër në Lezhë, ku, në atë kohë, u konsumonte shumë Mastikë e Uzo (pije si puna e rakisë turke, për mos me u ngatërrue me rakinë greke e shqiptare, qi janë distilime të pastra mushtit e bërsish), këta pije shërbehen me shumë ujë e akull.

    Makineri për me prodhue akull simbas modelit F. Carré

    Dopolavoro

    1925-39, gjatë periudhës fashiste në Shkodër, u ndërtuen disa Dopolavoro, ku e kalojshin kohën punëtorët e ushtarët italianë qi jetojshin në Shkodër në atë periudhë.

    Fabrika e akullit e magazina e pijeve alkoolike furnizojnë edhe këto qendra Dopolavoro. Në vjetin 1939 vazhdojnë furnizimet për ushtrinë gjermane. Shtohet konsumi i rum-it, kümel (o doppel-kümel) e vov.

    Konfiskimi i pasunive

    1944-45, mbas Luftës së Dytë Botënore, fillon kalvari për familjen Luka. Qeveria nxjerr nji ligj qi vendos nji taksë të jashtëzakonshme mbi fitimet e luftës… Por cilën prej luftave: Luftën e parë ballkanike, Luftën e dytë ballkanike, Luftën e parë botënore apo të Dytën?

    Gjon
    (Llogaritar, Mjeshtër në prodhimin e birrës, Graz – Fotog.: 1930)

    Tuj mos kenë në gjendje me pague shumat e teprueme, firmës Lin Vll. Luka u konfiskohen të gjitha pronat, bashkë me shpinë e fundit ku ata jetojnë, qi ishte ble në kohë paqe, domethanë përpara luftënave të përmenduna ma nelt. Krejt familja nxirret në rrugë të madhe: Lini bashkë me gruen e tij Adelajde e të 4 fëmijët e tyne të mitun. Dy vëllazënit e tjerë, Gjon e Nush Luka, edhe ata pësojnë të njëjtin fat bashkë me Shaqen, nanën e tyne qorre dy sysh.

    Pjesa ma e madhe e kopshtit mbrapa shpisë përdoret për me ndërtue Kinema Republikën (sot Millenium). Ndërsa nji pjesë tjetër përdoret për me ndërtue nji pallat për strehim social përgjatë Bulevardit Stalin (sot Bulevardi Skënderbeu).

    Fabrika e akullit shitet copë-copë prej zaptuesve e Shpija shndërrohet në Qendrën e Zjarrfikësve, pjesa tjetër e Shpisë zgjidhet si banesë për nji kuadër partijet. Padyshim, me konfiskimin e aktiviteteve, dyqaneve e magazinave, me dheta punëtorë kanë mbetë pa punë. Në fillim Lin e vëllazënit Nush dhe Gjon arrestohen si armiq të popullit e të klasës punëtore, si tregtarë të pasun. Lirohen ma vonë sepse nuk kishin “kundërshtue” shpronësimet e ndryshme.

    Fabrika e akullit, mbas konfiskimit

    Biblioteka

    1967-1968, Revolucioni Kultural Shqiptar (simbas modelit kinez). Në këtë periudhë, ka mjaftue me pasë figurën e nji shenjti për me përfundue në burg. Sidokjoftë, shumica e librave u përdorën prej banorëve të ri të shpisë për me ndezë zjermin, si letër higjienike, për me pastrue kusijat, etj. Prej frigës së persekutimit, nji pjesë e librave, qi në nji farë mënyret kishin të bajnë me fenë, u shkatërruen ma vonë “vullnetarisht” prej vetë pronarëve. Pështuen rastësisht veç disa libra qi familjarët e qitun jashtë shpijet kishin marrë me vedi bashkë me pak tesha e sende personale. Ndërmjet dokumenteve të ruejtun, vlen me u përmendë nji dorëshkrim i kompozitorit Franz Liszt: nji partiturë me titull “Fantasia”, e nji letër e drejtueme Madame Marie Pleyel, të marrun në “ruejtje” prej Arkivit të Shtetit qi nuk iu kthyene ma kurrë pronarëve të ligjshëm.

    Qendra e Zjarrfikësve

    Shpia i qindroi këtij destinacioni të ri për disa vjet. Padyshim, mekenëse ishte shndërrue në nji pasuni shtetënore e ish pasuni e “kapitalistëve të urryem” ishte shndërrue në nji gja të braktisun e të degradueme. Ndërkohë, familja, e katandisun në varfoni absolute, jetonte me vështirësi, me ndihma të ofrueme tinës prej disa kushërive. Tuj u lutë përditë për me u kthye në shpinë e tyne, e vetëm kur Bashkia vendosi me e braktisë shpinë mbasi ishte e pasigurt, pronarët u kthyen në votrën e tyne. Me nji vendim të jashtëzakonshëm, Prefekti i Shkodrës ua ktheu pronën pronarëve të saj të ligjshëm. Shtëpia u dorëzue, e “pastrueme” prej të tana mobiljeve e pajisjeve. Sigurisht, sendet e vlefshme, qylymat, sixhadet, serviset e argjendit etj. ishin zhdukë gjatë konfiskimit të tretë.

    Me kalimin e vjetëve, vazhdojnë ndryshime të tjera, tuj e ba ambientin të përshtatshëm për stilin modern të jetës. Gjatë 50 vjetëve të fundit shpia asht ruejtë në stilin e saj origjinal, atë të vjetit 1900.

    Koleksioni i kontatorëve të energjisë elektrike

    1975, Kol, njeni prej djemve të Linit, ka punue si teknik për ndërmarrjen elektrike të qytetit. Ai shfrytëzon nji hapësinë në zonën e hajatit për me riparue disa pajisje elektrike të papërdorshme.

    Kontatorë të energjisë elektrike e voltmetra

    Apasionohet sidomos mbas kontatorëve të energjisë elektrike (sahata dritash), tuj krijue nji koleksion shumë të rrallë të këtyne pajisjeve, ndoshta i vetmi i këtij lloji në Shqipni. Koleksioni përfshinte të tana llojet e kontatorëve tuj fillue prej të parit qi asht instalue në Shkodër prej ndërmarrjes italiane të energjisë elektrike S.E.S.A, e shumë të marka të tjera: italiane, ruse, kineze, çekosllovake e marka të RDGJ.

    Kola krijoi nji ekspozitë në laboratorin e ndërmarrjes shtetënore. Drejtori i Ndërmarrjes Elektrike të atëhershme, sa e pa koleksionin e sahatave të dritave, e konsideroi atë si nji “manifestim sjelljesh të hueja në kundërshtim me ideologjinë komuniste” e vendosi me e konfiskue koleksionin: ai urdhënoi me përdorë sahatat e dritave për konsumatorët, tuj çue dam në këtë soj fejet disa vjet punë e tuj shkatërrue nji pjesë të historisë shqiptare.

    Little Italy (Italia e vogël)

    1991-93, Shoqata Italiane Mjekët Italian, Karitasi Dioqezan i Firences, Opera Madonnina del Grappa me Don Carlo Zaccaro, disa qytetarë italianë si Giulio Paperini dhe Clara Benelli të Kryqit të Kuq Italian, së bashku me shumë shoqata të tjera organizojnë në Firence nji mbledhje ndihmash humanitare e dërgimin e tyne në Shkodër. Në krye të koordinimit e të shpërndamjes  së ndihmave humanitare, bashkë me vullnetarët e tjerë, asht Liza Luka. Shpia bahet nji qendër për shpërndamjet e ndihmave e nji pikë kontakti ndërmjet autoriteteve italiane e shqiptare, midis bamirësve e nevojtarëve. Në këtë periudhë, tuj pasë parasysh fluksin e madh të italianëve, shpia quhet “Little Italy”, Italia e vogël.

    Misioni në Shqipni, murgeshat misionare Suore missionarie del Sacro Costato.

    1993-97. Në 1991-shin , fill mbas ramjes së regjimit komunist, disa misionare Missionarie del Sacro Costato, me në krye Sr. Vitalba Motolese, superiorja provinciale e tyne, mbërritne prej Italijet në Shqipni, në Durrës.  Kongregacioni vendosi me dërgue nji komunitet të përhershëm në Shkodër.

    Komuniteti i parë i krijuem prej suor Vitalba Motolese, suor Michelina Robertino, suor Miriam Nacucchi e suor Liliana Romano mbërriti në Shkodër në fund të tetorit 1993 e deri në vjetin 1997 zuni vend në këtë Shpi.
    Nji vjetë ma vonë në qytetin e Shkodërs filloi punën kopshti e shkolla fillore, qi i asht dedikue “Zemërs së Shejtë të Krishtit”.

    ONG COOPI

    1998, për 3-4 vjet Shpija u ba selia COOPI, Albania – Kooperimi Internacional për tutelën e ambientit e për me ndihmue peshkimin artizanal në Liqenin e Shkodërs.

     Eurologos-Shkodër

    2002, Shpia bahet nji filiale e Eurologos me seli kryesore në Bruksel. Nji ndërmarrje përkthimesh, shtypi e reklamash shumëgjuhësh me ma shumë se 40 zyra në të gjithë botën, nëpërmjet nji sistemi franchising. Nji prej këtyne filialeve ka kenë ajo e Shkodrës. Filiali u lidhte me filialet e tjera e me selinë nanë nëpërmjet nji sistemi hibrid interneti me rrugë satelitare Skynet, ka kenë ndoshta ndërmarrja e parë e përkthimit me nji sistem të tillë të instaluem në Shqipni.

    Ludwig-Pfeiffer Gruppe

    Rreth vjetëve 2012-2015 Shpia u ba selia e drejtorisë së ndërmarrjes qi asht marrë me administrimin e impiantit të depurimit të ujënave në Shirokë, restaurimin e rindërtimin e kanaleve kulluese e të rrjetit të kanalizimeve të Shkodrës.

    Hajati: e filloi jetën e vet si stallë, ma vonë si depo drushë, magazinë pijesh alkoolike, kapelë (Misionaret Sacro Costato) e sot asht rinjallë si Piano bar (Arka).

    Arka, Qendër rinore

    Ka rreth tri vjet qi Shpija asht ba selija e Arkës, nji qendër rinore qi ka nijet:

    Me punue në bashkëpunim me komunitetin, tuj ofrue programe edukuese, mbështetëse, rekreative, kulturale, sportive e të mirëkenies. Qendra siguron nji ambient të sigurt, të vëmendshëm e qi ndihmon përfshimjen e anëtarëve të ri të ARKËS në Shkodër, tuj promovue në të njëjtën kohë edhe mirëkuptimin interkultural.

    Ndërtimi i Arkës në “Schedelsche Weltchronik” (Hartmann Schedel, 1493).

     

    Arka si nji anije, simbol i pështimit

    Imazhi shoqënohet me mundësinë e lëshimit të “farëve” të jetës, qi munden me u pështue e me u hjedhë edhe nji herë (“farët” qi bujnë format e ndryshme të jetës në botë). Nëpërmjet sendeve qi shifen mundena me hjedhë nji sy te ata qi nuk shifen.

    Arka simbolikisht mundet me u konsiderue si nji shportë ku Mojzehin fëmi, “tuj lundrue” përmbi ujënat e Nilit, e patne pështue.

    Arka e Noehit ka pasë tre kate, simbolikisht janë tre nivelet e rruzullimit, kështu qi Arka mundet me u çmue edhe si nji model i botës.

    Nuk ka shumë shpija antike në Shkodër, epoka “moderne” e urbanizimit ka fshie pothuejse krejt kujtesën e qytetit, në vendin e tyne ka përbindësha të mëdhaj betonit qi janë tuj kollofitë edhe shpijat e fundit antike, të cilat ende janë tuj luftue me zor kundër rrjedhës së kohës. Kopshtet shkodrane, tashma, pothuajse të tanë janë shndërrue në beton … Epoka e ziftit ka zëvendësue atë të barit e të luleve …

    Prej Domus në Shpi me stil otoman, e rikonstruktueme kah fundi i vjetëve 1800, aktualisht në nji stil të përziem neoklasik e beton të ekspozuem, shpia vazhdon rrugëtimin e saj si “Arka” origjinare tuj përballue çdo ditë tallazet shkodrane…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË