More
    KreuLetërsiBibliotekëGjergj Meta: Krishtlindje në shtëpinë e Rasimit dhe bariu-fëmijë nga Tirana

    Gjergj Meta: Krishtlindje në shtëpinë e Rasimit dhe bariu-fëmijë nga Tirana

    Andante

    Megjithëse rruga për të shkuar në Lurë, në këtë amfiteatër të natyrës, sikurse ka thënë dikush që ka për detyrë të punojë për këtë vend, vazhdon të mbetet një tmerr i vërtetë, nuk kisha se si të mos shkoja e të kremtoja një meshë për këto ditë krishtlindjesh. Për të thënë meshën në orën 11.00 në Kishën e Lurës, duhet me patjetër të nisesh nga Rrësheni së paku në orën 8.00 të mëngjesit. E ne u nisëm plot katërmbëdhjetë veta, një ditë pas krishtlindjes, në ditën e Shën Shtjefnit, martirit të parë të Kishës.

    Kur arrin të Livadhi i Turkut, pasi ke kaluar asfaltin me gropa të rrugës së Prosekut e Perlatit, nis një kalvar i vërtetë. Megjithatë, kjo nuk më ndalon të bisedoj me ata që janë në makinë me mua e po ashtu herë pas here të përhumbem në mendime që më shoqërojnë sa herë sytë e mi ndeshen me bjeshkët e bukura të Mirditës. Çdo vend, çdo livadh në bjeshkë, çdo kullë e ndërtuar e çdo rrjedhë uji malesh, më duket si një vend perfekt teofanie, edhe pse braktisja të lë atë shijen e hidhur të zbrazëtisë.

    Perlat i Epërm, Tharri, Lkundë, Qafëpllumth e, më në fund, Kurbnesh. Në lokalin e vogël në hyrje të Kurbneshit, ish-qytetit që dikur kishte jetë e gjallëri sa ka sot Rrësheni (dikush thotë ndoshta edhe më shumë), ndalemi për të marrë pak ujë me vete. Shitësi nuk do të marrë as lekët. Aty janë vetëm pak punëtorë të firmës së hec-eve e askush tjetër. Kurbneshi tashmë është një qytet fantazmë, i denjë për filma horror, edhe pse aty vazhdojnë të jetojnë pak frymë njerëzish të pamundur për të shkuar gjetiu.


    Adagio

    Rruga vazhdon. Në të djathtë ngrihet krenar Kepi Gjon që me shekuj, mijëvjeçarë e ndoshta miliona vjet, i rri mbi krye Urakës, a thua se e drejton rrjedhën e atij lumi. Nuk ka arsye të ndalemi, por vazhdojmë drejt Mërkuthit, tashmë totalisht i pabanuar, me disa shtëpi të rrënuara e një ndërtesë që quhet qendër shëndetësore. Nuk dëgjohet as ndonjë zë bagëtie. Por edhe kur nuk ke arsye për t’u ndalur ti, të detyron një gomë makine të ndalesh, kur ajo shfryhet papritur nga thepat e gurëve të rrugës së horrorshme të Kurbneshit. Kjo ndalesë e detyruar ndodh pikërisht aty ku merr rruga për te Kroi i Bardhë, e nga ku sheh qartë një grykë në formë pllaje tek e cila ndodhen përsëri shtëpi e kulla të braktisura, gati si të përhumbura në një natyrë që as dimri, me zhveshjen e pemëve, nuk ka arritur ta shëmtojë.

    Udhëtimi pas pak vazhdon drejt Krej Lurës. Në skaj të rrugës gjenden përballë njëra-tjetrës një kishë dhe një kullë e vjetër. Aty diku para kullës janë një tufë delesh e tre fëmijë që i ruajnë. Më pëlqen të bëj ndonjë foto nga larg, por jemi vonë e nuk mund të ndalemi. Tashmë jemi 30 minuta përtej orarit, për shkak të ndalesës së papritur. Edhe pse dimri nuk arrin t’ia prishë bukurinë natyrës, madje i jep asaj ngjyrimin e tij të bardhë, duke u vendosur nga një kapuç maleve me borën që tashmë ka filluar të zbardhë kreshtat, në rrugën nga Krej Lura deri në Lurë kupton se njeriu është armiku më i madh i natyrës, pasi sheh hektarë pyje pishash të egra të prera nga babëzia njerëzore.


    Moderato

    Në Lurë tashmë na presin. Pak ditë më parë Lura, me aq pak njerëz sa kanë mbetur, ka përjetuar vdekjen e një vajze-burrneshë si e quanin nga kjo anë, Vasilika. Bashkë me familjarët lutemi e kremtojmë meshën për shpirtin e saj e për ngushëllimin e familjarëve. Kisha e Lurës, ajo e varrezave, është rindërtuar bukur, pikërisht nga një prej djemve të Lurës, Dodë Doçi, duke i ruajtur asaj themelet e vjetra, por duke bërë diçka të re, me gur, nga e para.

    Është meshë krishtlindjesh, edhe pse përkujtojmë martirin e besimit, Shën Shtjefnin martir, dhe ngjyra e veshjeve të meshës është e kuqja. Shën Shtjefni “thyen” rregullat dhe i jep një interpretim të ri të gjithë traditës hebraike të pritjes së Mesisë, me një vështrim drejt së ardhmes, për këtë arsye e paguan me jetën e tij. Po! Sepse shpesh ne risinë e shohim si blasfemi kur mbyllemi në dogmat tona fetare apo ideologjike dhe vendosim barrikada, pasi e reja na frikëson, të rinjtë na frikësojnë.

    Një natë para se të nisesha për në Lurë kisha marrë një ftesë për drekë. Ftesa ishte nga Luani, i cili kujdeset për kishën e Lurës. Ju që lexoni duhet të dini se Luani është mysliman, është djali i Rasim Doçit. Luani ka çelësat e Kishës, sepse ai me familjen tij jeton pikërisht pas Kishës së Shëmrisë. Në Kishë kishte ardhur edhe Rasimi, me djalin tjetër Leonardin. Edhe pse ishim shumë, ata kishin këmbëngulur që ne të shkonim në shtëpinë e tyre për drekë. Dhe unë e pranova ftesën jo pa një lloj ngurrimi, duke menduar mos t’i ngushtoj. Por lurakët nuk ngushtohen kurrë prej miqsh. Bashkë me motrat e Perlatit, me të rinjtë që kishim shkuar, dhe me Renuarin nga Rrësheni, që është edhe nip në Lurë, u nisëm drejt kullës së Rasimit. Ata kishin dashur të na bënin këtë drekë krishtlindjesh në shtëpinë e tyre.


    Allegro

    Te dera na priste vajza e Rasimit, e sapoardhur nga Greqia, që kishte pasur ditëlindjen pikërisht më 25 dhjetor. Po ashtu edhe nusja e Leonardit. Plot buzëqeshje dhe ngrohtësi të gjithë na ftuan të hyjmë brenda. Ngrohtë dhe pastër, si një vend përrallë. Dreka ishte shtruar tashmë. Tavolina ishte gati. Ulemi e fillojmë drekën. Bashkë me ne është edhe Llesh Doçi, i cili është edhe drejtori i shkollës e po ashtu kultivues i Troftës në Lurë. Lleshi është katolik, Rasimi është mysliman, por ata të dy janë kushërinj, janë një gjak. Rasimi nis e na tregon se doçët kanë qenë tre vëllezër dhe nga pasardhësit e tyre disa janë katolikë e disa myslimanë, por që ndihen një gjë e vetme e nuk bëjnë mort e dasmë pa njëri-tjetrin. Atmosfera është fantastike e Rasimi tregon me qetësi e buzëqeshje, pa ndryshuar asnjë intonacion e ngjyrim nga dialekti lurak. Jam mësuar deri diku me këtë të folme. Ndihemi mirë të gjithë: ngrohtësi, bisedë e këndshme dhe ushqim i bollshëm. Leonardi dhe Luani nuk ulen për asnjë çast. Janë djemtë e shtëpisë dhe rrinë në këmbë të shërbejnë. Nuk e kisha menduar kurrë se drekën e krishtlindjes në Lurë do ta haja te një familje myslimane. Dhe ata e kishin bërë me një bujari të jashtëzakonshme. Më në fund, vjen edhe vajza e vogël e Leonardit, besoj rreth dy vjeçe. Dukej se sapo ishte zgjuar dhe ishte e habitur duke parë aq shumë njerëz. Rasimi është nga ata që ka vendosur të mos shkulet nga Lura. “Asht’ kollaj me e shkrehë, – thotë, – por me e ngreh asht’ vështirë pastaj. Dom Gjergj, kurdo të kesh rast e mundësi, duhet të ndikosh të na ndihmojnë mos të vdesë Lura. Na duhet rruga, se për të tjerat mendojmë vetë”. E dëgjoj me vëmendje e më bien ndër mend fjalët që kam thënë para pak ditësh në një intervistë se këtu në Shqipëri ti mund të flasësh, por nuk dëgjohesh. Në fakt, e kam ngritur zërin shpesh për rrugët e tmerrshme dhe mungesat e theksuara infrastrukturore, por kur mungojnë veshët për të dëgjuar, goja bën punë të padobishme.

    Ka plot histori që gjallërojnë drekën tonë e nuk lodhemi aspak e as nuk mërzitemi. Pa kuptuar, kemi kaluar dy orë në tavolinë. Do donim të vazhdonim, por e dimë që do të duhet të ngrihemi e të largohemi, sepse kemi tri orë rrugë në kthim dhe erret shpejt. I rrisim nderën Rasimit e dorëzojmë gotat e rakisë (është raki kumbulle e mrekullueshme, pasi aty rrushi nuk bëhet e rakia mund të bëhet vetëm prej saj). Menjëherë vjen edhe bakllavaja e përgatitur për festë. Është krishtlindje!

    Pasi mbarojmë edhe bakllavanë, kërkojmë izën e ngrihemi të dalim. Oh mrekulli! Jashtë kanë filluar të bien disa flokë bore. Mblidhemi të gjithë bashkë me familjen e Rasimit përpara Kullës e duam të bëjmë një fotografi-kujtim. Rasimi thotë menjëherë: “Më sillni cucën e vogël se e dua në krah e dua të dal në fotografi me të.” Kur e merr në krahë, gjyshi kënaqet krejt me mbesën e tij të vogël. E flokët e borës sa vijnë e shtohen. Në dalje Luani me Leonardin na tregojnë për projektet që kanë, duke treguar një grumbull gurësh. Duan të ndërtojnë diçka për të filluar ndonjë aktivitet.

    Na përcjellin deri te makinat që janë përtej përroit e nisemi për në Rrëshen. E di se kemi edhe tri orë për të arritur e, megjithatë, nuk e ndiej lodhjen. Kjo drekë e kaluar ishte e mrekullueshme e njerëzit po ashtu.


    Adagio triste

    Por nuk ishte e thënë që kjo ditë do të përfundonte kështu. Diçka tjetër na priste në kthim. Krejt e papritur, nga ato befasi që lënë shenjë në jetën tënde.

    Kthehemi nga e njëjta, e vetmja, rrugë dhe surpriza e këtyre krishtlindjeve vjen sapo kalojmë Krej Lurën në kthim. Është një tufë delesh që më tërheq vëmendjen në anën e djathtë të rrugës në një livadh ku ka ende pak bar. Janë të gjitha në rresht, duke ecur, e pas tyre janë edhe tre apo katër keca e përreth sillen qentë e kopesë. Nuk shoh askund bariun. Në fakt, bariun e kishte zënë një shkurre që pengonte pamjen. Me të drejtë: bariu ishte një djalë rreth 12 vjeç ose edhe më pak. Nuk e di për ç’arsye m’u dha të ulja xhamin e makinës e ta përshëndesja. Ai më përshëndet e nga atje ku ishte tenton të thotë diçka. Nuk e kuptoj. Ai e nuhat moskuptimin tim dhe ngre zërin e më thotë:

    – A ke pak ujë?

    – Po, – i them, – eja e merre!

    Marr një shishe që kisha me vete, nga ato që kishim marrë në mëngjes, dhe sapo afrohet ia jap. O Zot, një fëmijë, i veshur keq që më shikon me sy tejet të trishtuar, por të thellë e jashtëzakonisht të bukur. E pyes aty për aty: 

    – A ke ngrënë drekë?

    – Jo, – më përgjigjet.

    Makinat i kemi ndalur e kemi edhe ushqim me vete. Ndërkohë që po nxirrnim ushqimin, e pyes:

    – Si e ke emrin?

    – Han, – ma kthen.

    – Han?

    – Po, Han…

    Nuk e di ende a e kam kuptuar mirë emrin, sepse fëmija fliste me zë të ultë e gati-gati sikur nuk i shqiptonte të plota shkronjat e fjalët. 

    – Je nga Krej Lura? – vazhdoj dialogun me të.

    – Jo, – më përgjigjet, – jam nga Tirana.

    Mbetem shtang.

    – Çfarë? – i them. – Nga Tirana? Po çfarë bën këtu?

    – Ja, ruaj delet.

    – Po sa vjeç je? – i them përsëri. Ai ngre supet e thotë:

    – Nuk e di. Nuk kam qenë kurrë në shkollë.

    – Po familjen ku e ke?

    – Nuk kam familje, – thotë. – Kam vetëm babanë.

    – Po vëllezër e motra a ke?

    – Kam një vëlla më të vogël.

    – Po babai ku është?

    – Ai mbledh kanaçe.

    Ka pak fjalë, pasi flet më shumë me shikimin e tij. Ndërkohë Marini, që është me ne, nxjerr aparatin e tij profesional dhe fikson këtë moment që unë nuk do ta harroj asnjëherë. I japim çka kemi dhe e përshëndesim. Më thotë me zë të ulët, ndoshta sepse nuk ka fuqi të flasë:

    – Unë ju kërkova vetëm ujë, por ju më dhatë edhe ushqim. Faleminderit!


    Epilog meditativ

    Ikëm. Për mua ishte krishtlindje. Ai fëmijë për mua ishte dhurata e krishtlindjes. Ai ishte Krishti për mua! Një fëmijë bari. 

    Largohemi, por të gjithë e kemi mendjen tek ai fëmijë dhe për pak minuta në makinë bie heshtja. Dalëngadalë e thyejmë heshtjen sapo i afrohemi shpellës së Shutrrisë. Ndalemi e shkojmë ta shohim. Ndihet gurgullima e pareshtur e atij lumi nëntokësor që del e përfundon në mënyrë të nëndheshme në liqenin e Urakës në Mat.

    Pastaj nisemi e, sapo mbërrijmë në Qafëpllumth, perëndimi është ndezur flakë, çka premton një ditë të bukur edhe nesër. Lodhja fillon e ndihet, por vetëm ajo fizike, sepse zemra është plot, me gjithë një grimcë trishtimi të shëndetshëm që Hani na cyti. Familja e Rasimit dhe bariu fëmijë nga Tirana ishin krishtlindja jonë.

    NJË KOMENT

    1. Jeni nje pene e forte,paç bekimin e zotit ne rrugen tuaj.Me mirditoret kam kujtime te mira e te pa harruara.Do te jesh i lumtur me ta e do te lumturosh edhe jeten e tyre.Shqipetia ka nevoje per njerez si ju.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË