Shkrimtari Fatos Kongoli, pas një periudhe të gjatë heshtjeje, rikthehet me një roman të ri të titulluar “Gënjeshtarë të vegjël”, botimet “Toena”. Romani u prezantua për herë të parë në panairin e librit “Fieri 2019”, mbajtur 9-12 maj.
Në fakt, në intervistën e fundit për “ExLibris”, Kongoli sikur e pati lajmëruar se çfarë do të përmbante në thelb një lëndë e re letrare për të, kur e pyetëm nëse do shkruante tani, cila do të ishte historia, p.sh. çfarë do të ngacmonte, prekur aktualisht?
Kongoli na u përgjigj: “Me siguri do të ishte një aventurë. Do t’i hyja një aventure që nuk e di se ku do të më nxirrte. Po, nëse guxon ndonjëherë t’i hysh një aventure, qoftë edhe në moshën time, nuk është ndonjë mëkat…” Dhe ja, është e vërtetë, tregimi më i ri i Kongolit është një aventurë kryeqytetase e protagonistit të librit, Alpinit ose Alpit, siç e thërrasin, një i ri me origjinë nga fshati. Aventurë që zgjat plot dymbëdhjetë vjet, në kërkim të një ekzistence të re, në fillim si student, më pas i punësuar në një nga ndërmarrjet e mëdha të kryeqytetit. Në kërkim gjithashtu të qenies ideale të ëndrrave të tij, një vajze që nuk e njeh, nuk e ka takuar kurrë, por që e përfytyron si një qenie me “bonsens”. Në këtë rrugëtim atij i shfaqen njëra pas tjetrës Viola, më tej Rovena, në fund Ema. Dashuritë e zhdukura nëpër botë pa lënë gjurmë të protagonistit. “Edhe në këtë roman të ri, përmes një proze që të mbërthen nga fillimi në fund, Kongoli shpalos mjeshtërisht një tablo të realitetit të sotëm shqiptar. Një realitet i egër, me problemet e shumta dhe kontrastet e thella. Individi i zakonshëm është tepër i dobët, pothuaj i pambrojtur në këtë realitet, në mëshirë të më të fuqishmëve. Po kush janë gënjeshtarët e vegjël?” – thotë për “ExLibris” botuesja Irena Toçi. Ja një fragment nga romani: “Ajo e mori në telefon në mes të natës. Prej gjashtë muajsh shiheshin vetëm kalimthi, me raste, nuk komunikonin dhe emri i saj ishte i fundit që priste t’i shfaqej në ekranin e celularit. Ai mbeti në mëdyshje, t’i përgjigjej apo jo; kapitullin me Emën e quante të mbyllur. Kapitulli me Emën ishte mbyllur dhe rihapur më se një herë, por gjashtë muaj të shkuar ai qe bindur përfundimisht: midis tyre nuk funksiononte. Ajo ishte e bukur, e lirshme, ndërsa ai xheloz. Kështu e akuzonte vajza. Dhe grindeshin. Pasi grindeshin, atij i ndodhte të vuante deri në atë masë sa, për të shpëtuar, ishte gati t’ia këpuste vetes. Ose të vriste Emën. Doemos, nuk bënte as njërën, as tjetrën. Përkundrazi, ajo zotëronte një aftësi të rrallë për të vendosur paqe midis tyre, kështu ai çlirohej nga idetë ogurzeza dhe gjithçka rifillonte si të mos kishte ndodhur asgjë. Këtë mendoi edhe atë mesnatë gushti, kur në ekranin e celularit iu shfaq emri i saj; po t’i përgjigjej, rrezik të binte pre e dobësisë së tij. Kjo do të thoshte të riniste historia e vjetër. Ai s’kishte kurrfarë dëshire për të rinisur historinë e vjetër. Gjashtë muaj të shkuar, pas përplasjes me Emën – thjesht një pretekst ky – kishte vendosur të ndërmerrte disa veprime që i bluante prej kohësh e që do të mund të quheshin radikale. Mbi të gjitha, të shkëpuste, më në fund, çdo marrëdhënie me kompaninë “Luga”, ku ishte i punësuar në zyrën e financave plot pesë vjet të shkuar. Mirëpo, tashmë i kishte ardhur në majë të hundës, nuk duronte dot më. Disa fytyra, duke nisur nga ajo e bosit, ia shpifnin. Kështu, i ngarkuar për gjashtë muaj radhazi me idenë e vjetër të një rebelimi, në kushtet e përballjes së përditshme me poshtërimin e vetes, ai mundi të hiqte dorë vetëm nga Ema, asgjë më shumë. ‘Çfarë dreqin kërkon ajo prej meje tani, – mendoi, – ç’hall mund të ketë që më telefonon në mes të natës?’”