More
    KreuLetërsiBibliotekëFranz Kafka: “Letër babait” (fundi)

    Franz Kafka: “Letër babait” (fundi)

    Përktheu nga gjermanishtja: Elda GJANA-BORIÇI

    Kurrë nuk më ke poshtëruar kaq shumë me fjalë, duke më shfaqur kaq hapur përbuzjen tënde. Kur fole me mua në mënyrë të ngjashme përpara njëzet vjetësh, mbase me sytë e Tu mund të kishe parë njëfarë respekti për djalin e qytetit të pjekur para kohe, i cili sipas mendimit Tënd mund të futej në jetë pa rrugë të tërthorta. Sot kur ti i sjell ndër mend këto gjëra, vetëm mund të ta shtojnë përbuzjen, sepse djali, i cili nisi diçka, ka ngecur brenda përpjekjes së tij, dhe sot Ty të duket më i papasuruar me përvojë, madje njëzet vjet më i mjerë. Vendimi im për një vajzë nuk kishte aspak rëndësi për ty. Forcën time vendimmarrëse ti e kishe shtypur gjithmonë (pa vetëdije) dhe tani besoje që e dije (pa vetëdije) sesa vlerë kishte. Nuk dije asgjë për përpjekjet e mia për të shpëtuar në drejtime të tjera, ndajnuk mund të dije asgjë as për mendimet që më kishin çuar drejt kësaj orvatjeje për martesë, duhet të përpiqeshe t’i zbuloje dhe, bazuar në gjykimet që kishe për mua, më këshillove gjënë më të neveritshme, më të trashë, më qesharake. Dhe nuk ngurrove për asnjë çast ta mbroje atë këshillë, në po të njëjtën mënyrë. Turpi, me të cilin më turpërove, për ty nuk ishte asgjë në krahasim me turpin, që do t’i bëja emrit Tënd nëpërmjet martesës.

    Tanimë mund të më japësh ndonjë përgjigje në lidhje me orvatjet e mia për martesë dhe e ke bërë: nuk mund të kishe shumë respekt për vendimin tim, kur kam prishur dy herë fejesën me F[1] dhe dy herë të tjera jam ribashkuar, duke të çuar ty dhe nënën më kot në Berlin për fejesën. E gjithë kjo është e vërtetë, por si u arrit deri këtu?

    Qëllimi kryesor i të dyja orvatjeve për martesë ishte krejtësisht korrekt: të krijoja një familje, të bëhesha i pavarur. Një mendim, që t’u duk i mirë, vetëm se pastaj, në të vërtetë, përfundoi si ajo loja e fëmijëve, ku njëri mban dorën e tjetrit dhe madje e shtrëngon fort pastaj thërret: “Ah, ik, e po ik përse nuk ikën?” gjë që sigurisht në rastin tone është ndërlikuar, që Ti shprehjen “e po ik!” e ke menduar sinqerisht qysh herët, sepse Ti po ashtu qysh kur, pa e ditur, më ke mbajtur shtrënguar pas vetes, ose më saktë më ke ndrydhur nën hijen e autoritetit tënd.

    Rastësisht, të dyja vajzat, qëlluan zgjedhje shumë të mira. Sërish një shenjë e keqkuptimit tënd të plotë, që bazohej në besimin se unë, frikacaku, i druajturi, dyshuesi, vendosa të martohesha me ngut nga joshja e një bluzeje. Të dyja martesat do të ishin bërë më shumë martesa me arsye, aq sa me këtë është thënë që ditë e natë, herën e parë vite, herën e dytë muaj, i kam kushtuar planit tërë forcën time të të menduarit.

    Asnjëra nga vajzat nuk më ka zhgënjyer, vetëm unë ato të dyja. Mendimi im për to sot është i njëjtë me mendimin që kisha atëherë, kur doja të martohesha.

    Gjithashtu nuk është e vërtetë që në orvatjen e dytë për martesë kisha shpërfillur përvojat e përpjekjes së pare, pra do të kisha qenë mendjelehtë. Rastet ishin krejt të ndryshme, pikërisht përvojat e dikurshme në rastin e dytë, i cili ishte shumë më premtues, mund të më jepnin shpresë. Nuk dua të flas këtu për hollësira.

    Atëherë, përse nuk u martova? Kishte disa pengesa të veçanta si kudo, por jeta na kërkon t’i kapërcejmë. Por pengesa thelbësore, që fatkeqësisht nuk varej nga rasti i veçantë, ishte se unë me sa duket jam i paaftë shpirtërisht për t’u martuar. Këtë e dëshmon fakti se, që nga çasti kur vendos të martohem, nuk mund të fle më, koka më përvëlon ditë e natë, nuk është më jetë, kalamendem rreth e rrotull i dëshpëruar. Në fakt, nuk janë këto shqetësime që e shkaktojnë gjendjen time – pavarësisht se serioziteti dhe pedantizmi im shkaktojnë shqetësime të panumërta – por ato nuk janë vendimtare, ato nuk bëjnë gjë tjetër veçse e përfundojnë punën si krimbat në kufomë, por goditjen vendimtare ma jep diçka tjetër. Është trysnia e përgjithshme e frikës, e dobësisë, e përbuzjes ndaj vetes.

    Dua të përpiqem ta shpjegoj më mirë: Këtu në përpjekjen për martesë dy gjëra me sa duket të kundërta takohen në marrëdhëniet e mia me ty aq fort  si askund tjetë. Martesa, me siguri, është garancia për vetëçlirimin më të madh dhe për pavarësi. Unë do të kisha një familje, gjënë më të lartë që mund të arrijë një njeri, sipas mendimit tim,pra edhe gjëja më e lartë që ke arritur Ti, do të isha i barabartë me ty, i gjithë turpi i vjetër e i ri dhe tirania që ke ushtruar ndaj meje do të mbetej pas, në të shkuarën. Sigurisht kjo do të ishte një mrekulli, por këtu qëndron e dyshimta. Është jashtë mase shumë, kaq shumë nuk mund të arrihet. Është si puna e atij të burgosurit që nga njëra anë ka si qëllim të arratiset, gjë që ndoshta mund të arrihej, e nga ana tjetër ka ndër mend ta shndërrojë burgun e tij në një vilë verore për veten e tij. Por nëse ai arratiset, nuk mund ta kthejë në të tillë, dhe nëse ai e kthen, nuk mund të arratiset. Nëse dua të bëhem i pavarur në marrëdhënien e veçantë fatkeqe që kam me ty, duhet të bëj diçka që mundësisht të mos ketë asnjë lidhje me ty – martesa është pikërisht zgjidhja e përsosur dhe të jep pavarësinë më të nderuar, por njëkohësisht ka lidhjen më të ngushtë me ty. Prandaj që të dal nga kjo shtjellë, ka në vetvete diçka të çmendur dhe çdo orvatje dënohet meçmenduri.

    Pikërisht kjo lidhje e ngushtë më josh pjesërisht edhe për t’u martuar. E përfytyroj këtë barazimi që do të krijohej midis nesh dhe që ti do të mund ta kuptoje si asnjë tjetër, piëkrisht për arsyen se do të isha një bir i lirë, mirënjohës, i pafajshëm, i çiltër, Ti mund të ishe një baba jo shtypës, jo tiranik, i kuptueshëm dhe i kënaqur. Por për të arritur këtë qëllim duhej fshirë gjithçka që kishte ndodhur, madje të fshiheshim edhe ne vetë.

    Por kështu siç jemi, martesa është e mbyllur për mua, për faktin se është fusha që të përket më shumë ty. Nganjëherë përfytyroj një hartë të hapur dhe ty të shtrirë kryq e tërthorë. Dhe pastaj më duket sikur për jetën time vlejnë vetëm ato zona që Ti nuk i mbulon ose nuk janë në rrezen Tënde të veprimit. Dhe këto janë ato që i përkasin përfytyrimit që kam për madhështinë Tënde, nuk janë shumë zona dhe nuk janë shumë ngushëlluese, sidomos martesa nuk është pjesë e tyre.

    Me këtë krahasim nuk dua të them aspak se ishte shembulli Yt ai që më largoi nga martesa, siç ndodhi pak a shumë me dyqanin. Ndodhi e kundërta, me gjithë ngjashmërinë e largët. Për sa i përket martesë Suaj, unë kisha përpara syve një martesë shembullore në shumë pikëpamje, shembullore në besnikëri, në ndihmën e ndërsjellë, në numrin e fëmijëve, të cilët, pavarësisht se kur u rritën jua prishinin gjithnjë e më shumë qetësinë, martesën nuk e cënuan në vetvete.  Ndoshta, pikërisht nga shembulli juaj u krijua edhe koncepti im i lartë për martesën; fakti që dëshira ime për martesë ishte e pafuqishme, kishte arsye të tjera. Ato qëndronin në marrëdhënien Tënde me fëmijët, për të cilën flitet në tërë letrën.

    Ekziston mendimi se frika nga martesa ndonjëherë lind prej druajtjes se fëmijët do të na detyrojnë të lajmë mëkatet që kemi bërë dikur ndaj prindërve tanë. Nuk besoj se në rastin tim kjo mund të ketë shumë rëndësi, sepse ndjenja ime e fajit vjen pikërisht prej Teje dhe është e papërsëritshme, ndaj duke qenë e tillë, bëhet thelbësisht torturuese. Gjithsesi, më duhet të them se do të ishte i padurueshëm një djalë i tillë i heshtur, i pandjeshëm, i thatë, i rrënuar; nëse nuk do të kishte asnjë mundësi tjetër, do të isha arratisur prej tij, do të kisha ikur, siç doje ta bëje Ti tani për shkak të martesës sime. Ndoshta paaftësia ime për tu martuar mund të jetë ndikuar edhe nga kjo gjë.

    Por shumë më e rëndësishme në këtë pikëpamje është frika për veten. Kjo duhet shpjeguar kështu: kam lënë të kuptohet se, në krijimtari dhe në atë që lidhet me të, kam bërë përpjekje të vogla për pavarësi, jam rrekur t’u largohem sukseseve shumë të vogla, ato vështirë se do të më çojnë shumë përpara, plot gjëra ma vërtetojnë këtë. Megjithatë është detyra ime, ose më saktë, qëllimi i jetës sime, t’i ruaj, të mos lejoj të afrohet asnjë rrezik që mund ta shmang, asnjë mundësi e një rreziku të tillë. Martesa është mundësia e një rreziku të tillë, sigurisht edhe mundësia e mbështetjes më të madhe, por mua më mjafton që është mundësia e një rreziku. Pastaj, çfarë do të bëja nëse do të ishte vërtet një rrezik? Si mund të vazhdoja të jetoja një martesë me ndjenjën, ndoshta të pavërtetueshme, por sidoqoftë të pranishme të këtij rreziku? Përpara kësaj unë mund të luhatem, por vendimi i fundit është i sigurt: duhet të heq dorë. Krahasimi i “harabelit në dorë dhe pëllumbit mbi çati” këtu është shumë i largët. Nuk kam asgjë në dorë, mbi çati është gjithçka, e megjithatë – kështu e vendosin kushtet e luftës dhe nevojat e saj – duhet të zgjedh asgjënë. Njësoj duhet të veproja edhe kur zgjodha profesionin.

    Por pengesa më e rëndësishme për martesë është bindja tashmë e paçrrënjosur se në mbarëvajtjen e familjes dhe në drejtimin e saj duhet të veproj sipas shembullit që kam parë te Ti, me të mirat dhe të këqijat, ashtu siç janë gërshetuar brenda teje, në mënyrë ogranike, tipare si forca dhe tallja ndaj të tjerëve, shëndeti i mirë dhe njëfarë teprie, talenti për të folur dhe pamjaftueshmëria, vetëbesimi dhe pakënaqësia me çdo njeri tjetër, epërsia ndaj botës dhe tirania, njohja e njeriut dhe mosbesimi ndaj shumicës, por edhe ato përparësi pa të meta si zelli, durimi, mendjeshkathtësia, qetësia. Në krahasim me ty nuk kisha thuajse asgjë ose shumë pak nga gjithë këto, dhe ku ta gjeja guximin të martohesha, ndërsa shihja se Ti vetë duhet të luftoje fort dhe madje humbisje beteja me fëmijët? Natyrisht, këtë pyetje nuk e bëja në mënyrë të drejtpërdrejtë e as nuk kisha përgjigje për të, në të kundërt shtjella e zakonshme e mendimeve do të më çonte të merrja si shembull burra të tjerë, të cilët janë ndryshe nga Ti (po përmend njërin prej tyre, që nuk ka aspak ngjashmëri me ty, xhaxha Rikardin[2]) dhe ekzistojnë martesa që nuk kanë dështuar, gjë që do të më kishte mjaftuar. Këtë pyetje nuk e kam bërë kurrë, ndonëse e kam përjetuar qysh në fëmijëri. Nuk e kam vrarë mendjen vetëm për martesën, por për çdo vogëlsirë. Nisur nga këto vogëlsira, ti, me anë të shembullit dhe edukimit tënd, kështu siç jam orvatur t’i përshkruaj, më ke bindur për paaftësinë time, ndaj, përderisa kishe të drejtë mbi vogëlsirat, natyrisht që duhet të kishe të drejtë edhe për gjënë më të madhe, martesën. Deri përpara orvatjeve për martesë u rrita si një tregtar, i cili ka jetuar me shqetësime dhe parandjenja të këqija, por pa mbajtur llogari të sakta. Ai ka patur disa fitime të vogla e të rralla, me të cilat krenohej dhe mburrej gjithmonë, por përgjithësisht kishte vetëm humbje ditore. Gjithçka regjistrohet, por bilanci nuk i bëhet kurrë. Tani vjen detyrimi për bilancin, do të thotë përpjekja për martesë. Dhe shumat e mëdha që do të përlloagriten, të bëjnë të mendosh se nuk ka ekzistuar as fitimi më i vogël, përveç një humbjeje të madhe.  Dhe tani martohu, pa u çmendur!

    Kështu përfundon jeta ime e deritanishme me ty, bashkë me shpresat për të ardhmen.

    Nëse do të vlerësoje argumentimin që i bëj frikës ndaj teje, mund të përgjigjeshe kështu: “Ti mendon se e kam të lehtë ta shpjegoj marrëdhënien time me Ty thjesht duke ta hedhur fajin Ty, por besoj se shpjegimi yt, megjithë përpjekjen e jashtme, nuk të bën më të vështirë, por shumë më të dobishëm. Në fillim ti heq nga vetja çdo faj dhe përgjegjësi, në këtë pikë sjellja jonë është e njëjtë. Por ndërsa unë, nga njëra anë, ta hedh haptazi tërë fajin ty, meqenëse kështu e mendoj, ti njëkohësisht do që të tregohesh “shumë i zgjuar” dhe “shumë i dashur”, duke më çliruar edhe mua nga çdo faj. Natyrisht që këtë të fundit e bën sa për dukje (më shumë Ti nuk do) dhe midis rreshtave, pavarësisht gjithë “shprehjeve” të tua për karakterin dhe natyrën, kundërshtitë dhe mungesën e ndihmës, del që unë në të vërtetë kam qenë sulmuesi, ndërsa gjithçka që ke bërë Ti, ishte vetëm vetëmbrojtje. Me mungesën e çiltërsisë Tënde do të kishe arritur mjaftueshëm, sepse ke vërtetuar tri gjëra, së pari që je i pafajshëm, së dyti që fajtori jam unë dhe së treti që je i gatshëm, falë zemërgjerësisë tënde, jo vetëm të më falësh, por të dëshmosh dhe të besosh se edhe unë, natyrisht në kundërshtim me të vërtetën, jam i pafajshëm. Kjo mund të mjaftonte, por ende nuk të kënaq. E ke ngulitur në kokë se do të jetosh në kurrizin tim. E pranoj që luftojmë me njëri – tjetrin, por ekzistojnë dy lloje luftërash: lufta kalorsiake, në të cilën kundërshtarët e pavarur masin forcat, secili lufton për hesap të vet, humbet apo fiton për vete, dhe lufta e parazitit, i cili jo vetëm të shpon, por, për të mbijetuar thith gjakun. Ky është mercenari i vërtetë dhe ky je Ti. Je i paaftë për të jetuar, por që të ndihesh rehat, i shkujdesur dhe pa e qortuar veten, ti provon se t’i kam gllabëruar të gjitha aftësitë e tua për të jetuar dhe i kam futur në xhepat e mi. Atëherë, çfarë të shqetëson tani, kur Ti je i paaftë për të jetuar, përgjegjësia është e imja. Ti shtrihesh i qetë dhe e dorëzon jetën tënde, fizikisht dhe shpirtërisht, tek unë. Një shembull: kohët e fundit, kur Ti doje të martoheshe dhe njëkohësisht të mos martoheshe, këtë e pranon edhe në letër, për të mos u munduar, më kërkove që të ndaloja të martoheshe për shkak të “turpit” që do të njolloste emrin tim. Por as që më kishte shkuar mendja te kjo gjë. Së pari, nuk doja të “bëhesha pengesë për lumturinë Tënde” dhe së dyti, nuk dua të dëgjoj kurrë një qortim të tillë nga fëmija im. Por a më ka shërbyer disi vetëpërmbatja, me të cilën të lejova martesën? Aspak. Neveria ime ndaj martesës s’do ta kishte penguar atë, përkundrazi do të kishte qenë për ty një shtysë më shumë që të martoheshe me atë vajzë, sepse “përpjekja për arratisje”, siç shprehesh Ti, do të ishte realizuar plotësisht. Dhe leja ime për martesë nuk i ka penguar qortimet e Tua, sepse ti vërteton që në çdo rast jam fajtori për mosrealizimin e martesës Tënde. Por, në fakt këtu dhe në gjithçka tjetër  për mua nuk ke vërtetuar gjë tjetër përveçse të gjitha qortimet e mia ishin të drejta, madje mungon edhe një qortim tjetër mjaft me vend, pikërisht qortimi për mungesën e çiltërsisë, për servilizmin dhe parazitizmin. Nëse nuk gabohem, edhe me këtë letër Ti po rron si parazit në kurrizin tim.”

    Po të përgjigjem, duke të thënë se e gjithë kjo vërejtje, e cila pjesërisht është kundër teje, nuk buron nga Ti, por pikërisht nga unë. Mosbesimi Yt ndaj të tjerëve nuk është aq i madh sa mosbesimi im ndaj vetes, të cilin ma ke mësuar Ti. Nuk e mohoj njëfarë të drejte të vërejtjes, e cila në vetvete ndihmon për karakterizimin e marrëdhënies sonë. Natyrisht, në realitet, gjërat nuk mund të përputhen me njëra – tjetrën, si me argumentat në letrën time, jeta është më shumë se një lojë durimi; por me ndreqjen që lind përmes kësaj vërejtjeje, me një ndreqje, të cilën  as nuk mund ta bëj në veçanti e as nuk dua ta bëj, sipas mendimit tim i është afruar aq shumë të vërtetës, saqë kjo mund të na qetësojë paksa të dyve, duke na e bërë jetën dhe vdekjen më të lehtë.

    Franci


    [1]  Kafka u fejua me Feliçen në maj të 1914. Ishin njohur në janar të vitit 1912, në shtëpinë e M. Brodit. Fejesa u prish në korrik të po atij viti

    [2]  Dr. Richard, avokat në Pragë, në shtëpinë e të cilit Kafka kaloi një periudhë kohe në vitin 1906

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË