Në kryeradhë bri këtyre shënimeve për librin «Kratere njerëzish» (Buzuku, 2024) të autorit Ballsor Hoxha na duhet të pohojmë se mënyra e rrëfimit dhe trajtimi i tregimit nga ky autor është i veçantë, befasues, i pasur në shtresa dhe nënshtresa kuptimore dhe ndërtimore, jo vetëm në përshkallëzimin gjuhësor dhe analitik të mënyrës se si ky tregimtar e trajton gjuhën e tregimit, por më gjerë, zhvendosjes korrekte të kësaj gjinie të letërsisë në rrugëkalime të reja, çka përbënë një prurje dhe mëvetësi për vet letërsinë.
Është e vështirë të kanalizosh shtratin e «Kratere njerëzish» si një libër që bënë pjesë në një rrjedhë të caktuar lineare rrëfimi. Sepse libri i Ballsor Hoxhës është si ata lumenjtë që burojnë nga brendia e mistershme e qenies. Vjen rrëmbyeshëm dhe gjen shtratin e vet natyror shtruar-shtruar drejt lexuesit. Në të njëjtën kohë kur ky i fundit, mendon se ka gjetur drejtpeshimin e duhur, rrëfimi i autorit ndërron shtrat, tejkalon lexuesin me një forcë mbinatyrore që vetëm një letërsi e mirë është e aftë ta bëjë duke i folur njeriut në atë çka ai ka më të qenësishme, më të fshehur e fashitur përmes traumave dhe plagëve, shkruar me analizë korrekte pa humbur asnjë fije nga qëndisma artistike e rrëfimit.
Gjendemi ballas “kanioneve” të papritura të subjekteve të tregimeve, të cilat shndërrohet dhe marrin brendi analizash psikologjike me një vërtetësi tronditëse madje edhe në aspektin historik. Çka e bënë lexuesin e Ballsorit një ndijues, dëgjues, nuhatës, shikues, perceptues shqisor. Lexuesi i «Kratereve» në mos po nuk është, në mos po duhet të jetë, më e pakta duhet të bëhet një eksplorator i të tjera nivele leximi duke e futur në atë çka i jep të drejtën këtij lexuesi të marrë mbi shpatulla barrën e rëndë investiguese të tekstit. Kjo është ajo që befason në tregimet e Ballsor Hoxhës i cili, të vendos përpara jo një formë soditëse, përshkruese, panoramike, por një gurrë të rëndë lidhur pas qafe që tërheq çast pas çasti, tregim pas tregimi, thellë e më thellë, ndërmjet të tjerash, për të prekur thelbin e çështjes se çfarë është letërsia ndërkohë? Autori e ka kuptuar këtë fenomen ndërlidhës midis jetës reale dhe magjisë së krijimit si formë e epërme e të shprehurit dhe e ka shndërruar në një fenomenologji që e ka përshtatur sipas përmasave të tij si shkrimtar, çka mendoj se përbën një arritje. Kjo nuk është pak, do të thotë vetëdije krijuese. Një artist i vetëdijshëm për atë që bënë ka aftësinë nëpërmjet teksteve të tij të rrezatoj atë lloj drite drejt lexuesit e cila ngelet për një kohë të gjatë si pikë referimi duke hyrë kështu te nevoja e një leximi të dytë, apo shfletimi të herë pas hershëm të librit.
Ne nuk jemi ende në gjendje të themi se çfarë ecurie do ketë fati i librit të tij. Sepse është herët ta themi këtë. Por ama ndijojmë risinë e këtij autori. Prurjen e mirë me të cilën Ballsori gatuan përmes një gjuhe të kultivuar artin me mënyrën më sqimatare të mundshme. Njësoj si ata mjeshtrit e vjetër shekullarë që i mbijetojnë kraterit post modernist të unit bombardues qysh pas ditës së parë të një tragjedie, lufte, apo katastrofe natyrore, e thënë kjo në kontekst të drejt për drejtë me rolin e letërsisë dhe njeriun e parë si fitues, si viktimë, si bashkëpunëtor, si personazh, si aktor dramatik, të fajësuar, absurd, si akt i veprimeve të veta në shkallë sociale, lokale, akoma më gjerë. Njeriun vragë të përshkallëzimeve dhe konflikteve të dhunshme ndëretnike dhe sociale si është rasti konkret i Kosovës. Njeriun e lirisë të prangosur të katër mureve të një kafeneje ku zhvendoset liria e fituar si objekt vëzhgimi. «Krater njeriun» që vëzhgon imtësisht krateret ende të hapura në sytë, gjokset, mendjet e të si ngjashmëve të vet njësoj sikur të ishte një banues i hershëm i tragjedive të Eskilit dhe Sofokliut, «veshur me diell e mbathur me hënë» si ne epos dhe legjenda, mbathur me «mantelin beketian» të pritjes absurde. Të një pritjeje të lodhshme, të stërzgjatur. Të gjitha këto, lexuesi i ndijon si pjesë të pa ndashme të anatomisë morale. Sigurisht, nëse morali e ka një trup, apo është në vetvete një «objekt i vëzhguar fizik». Këtu qëndron edhe një tjetër prurje e këtij autori e cila duhet theksuar. Duke vëzhguar me imtësi “moralin” e “njeriut modern”, format e tij të rrëfimit shndërrohen në fenomenologji të vëzhgimit si objekt në vetvete brenda vetes për këtë autor. Lexuesi fillon dhe sheh veten të projektuar poshtë një skaneri gati Eutopian do thosha, ku shihet dhe kryesisht fotografohet zemra e njeriut dhe problemet e saj (Të trashëguara apo të sotme? Vështirë të thuhet.) Frymët tona me të cilat mbartim ajrin e përbashkët të Prishtinës dhe Tiranës, apo Ballkanit. Truri dhe gjymtyrët me të cilat lëvizim drejt njëri-tjetrit. Muskujt e të shkuarës, së tashmes, edhe të ardhmes drejt kontinentit mëmë. Të gjitha këto ndërsa lexoja “Kratere njerëzish” rrezatuan si të thuash te unë si lexues jehonën dhe trajtat e ideve të More, Campanella, Bacon dhe Montaigne. E dëshmoj me sinqeritet se rrallë më ka ndodhur kjo ndërsa lexoj gjini të shkurtra të cilat për nga hapësira e kufizuar e tekstit nuk ta lejojnë këtë “luks” rrezatimi.
I shpreha ndoshta këto me një gjuhë të stërholluar që mund ta kisha shmangur. Por e ndjeva detyrim pas leximit të librit. Mundet të kisha thënë në mënyrë krejt sipërfaqësore atë çka rrjedh në syprinën e subjekteve si ndodh rëndomtë mes nesh dhe autorit. Por nuk e bëra sërish për hir të respektit që ngjall ky autor. Në dukje i vështirë, por i ndjeshëm ndaj detajeve shumëngjyrëshe. Autoritar në gjykim po aq sa i dedikuar ndaj tregimit që rrëfehet me disa linja paralele që kryqëzohen me të tjera linja duke krijuar atë tablo të kuqeje dhe të zeze që mbijeton në tërësinë e saj veç prej dinamikës natyrore që mbart karakteristika e këtij tregimtari. Një portretizim personazhi në sfondin e të cilit valëvitet një tjetër sfond blu qëndisur me yje të verdhë ardhmërie e cila na flet vertikalisht me të njëjtën gjuhë që flet e tashmja jonë e përbashkët.
Ballsor Hoxha është zë unik që vjen drejt lexuesit të tij me artin si urtësi, si maturi dhe si kulturë evropiane. Vjen me forcën e një rezistence ekzistenciale në tonin e vet si qytetar i lirë. Kjo falë letërsisë që ai bënë qysh prej një dekade në vazhdimësi në nivelin e dikujt që e dashuron këtë art. Sepse është pjesë e botëkuptimit të tij. Rruga për të mbërritur gjer këtu, kërkon mund, përpjekje, sakrifikim dhe mbi të gjitha sinqeritet. Sinqeritetin e të qenit vetvetja. Ballësor Hoxha është vetvetja, si autor edhe njeri. Vetëm kështu kapërcehet sprova, e pse jo qoftë edhe nëpërmjet letërsisë, si pasqyrë e zhvillimit moral të individit.