JAM E TERA PRITJE
“Optimus Maximus”
(Epiteti i Jupiterit në Panteonin romak)
Jam e tëra pritje,
ndiej prarimin e një dielli mbi kokën time,
një diell që ka formën e pazhbëshme të një Zoti.
Shoh udhëtimet e gjata:
Në rrjedhat e lumenjve të zhdukur
për të cilët kemi nostalgji
si për dashuritë e humbura.
Mbi malet që i ka fundosur deti
me grahmat mitike nën ujë
mbështjellë me kurorat e argjendta të pemëve,
që na kujtojnë të vdekurit e pavdekshëm.
Në shtigjet e harruara,
të cilat ëndërrojnë ringjalljen që nga hartat e vjetra.
Nëpër kohëra të arta
të ndërprera prej katastrofash historike.
Në themelet e lirisë
për ta ribërë misionin e parë filozofik,
megjithë mjegullnajën e zymtë
që bie mbi dritën e mendimit.
HYJNESHAT
Ju çupëlina që ecni shpenguar,
Të patrazuara nga ligësitë e kësaj bote,
Jeni hyjnesha të vogla.
Sytë tuaj janë hëna të Jupiterit,
Gojët tuaja kanë formën
E trëndafilit të Engjëll Sileziusit
Duart tuaja shndërrohen në dafinën ku fjeti
Nimfa e dashuruar prej Apollonit,
Këmbët tuaja si dy kambanëza
Mbushin me muzikë rrugët.
Por kjo botë mizore
Nuk do t’ia dijë se ju jeni të perëndishme.
Ajo s’mund t’i shohë kopshtet në flokët tuaj
As dymbëdhjetë bilbilat që e bëjnë aty folenë.
Ajo nuk e kupton se harmonia
Buron nga shpirti juaj
Ashtu si agimet, ndërrimi i stinëve, prarimi.
Te ju ngjizet dashuria dhe përjetësia
Qysh nga qyteti UR i Abrahamit
E gjer te qyteti Zeta
Që rri i zhytur në mjegullnajën kozmike.
“ALEA JACTA EST”
Caius Julius Caesar
Do të pi ujë në Lete*
Pastaj do të zgjedh të jem më e thjeshta
E më e panjohura e grave
Dhe do të nisem.
Kasandrën nuk do ta lë
Të më parashikojë fatin.
Detet do të shtrohen
Sirenat do të ngurosen
Magjistarja Circe do ta humbasë magjinë
Polifemin do ta zërë gjumi i vdekjes.
Më pret Itaka.
Nëntor 1989
*Lumë i harresës (mit.).
PARIS
Unë të kisha sjellë mundimshëm
Në ëndrrat e mia.
Në këtë qoshe të harruar të Ballkanit.
Ti ishe llahtarisht i bukur.
I tejdukshëm si kristal,
I hollë si një fije e re bari,
Të ndriste balli nga mendimet,
Në zemër të buronte mirësia e botës.
Herë-herë të merrja në duar si lodër
Dhe flisja me ty në gjuhën sanskrite,
Në Champs Elysées dëgjoja “Nocturnes”
Të Claude Debussy-së,
Jeanne d’Arc qëndronte ende mbi kalë
prapa portës Saint Honoré
me një pellg të kuq gjaku në supin e majtë.
Dhe Proust që nga “Père Lachaise” më thosh “Eja!”
Për t’i sjellë këtë ditë dhjetori
Një trëndafil të kuq mbi varr.
Tani jam këtu
Si Eva në Eden
Nga t’ia nis nuk e di.
Paris, dhjetor 1993
LUMI I HERAKLITIT
“Jeta rrjedh si uji” – Herakliti
“Edhe ne jemi fluid si uji” – Borges
Fushë e korrur,
fëmijë që luajnë
dhe bagëti që kullosin në kallamishtë
Gjithçka është larë me shkëlqimin
e diellit perëndues.
Shtëpitë duken si të përmbytura
në dritë e ngrohtësi.
Ngjyra e dheut të kodrave
më kujton të kuqen e Onufrit.
Më tej malet e hirtë.
kthehen dalngadalë në argjend.
Këtë peizazh nuk do ta shoh më
Nesër diellin, kushedi, do ta kenë zënë retë.
Dhe shpirti im …
Ah, shpirti im!
Ndoshta s’do ta ketë më këtë mrekullim.
Peshkopi, korrik 1994
BIE SHI
“Lërmëni të qaj në breg të detit”
Gongora
Bleva një dhuratë për tim bir
Një tren lodër,
Që i ngjan trenit që s’ia bleva dot dikur,
Një tren që erdh e u bë një mal me trishtim.
Ku është fëmijëria e tim biri?
Pekin, 6 shtator 1995
TI ISHE QIELLOR
Ti ishe qiellor,
M’u desh të bëhesha me flatra për të të mbërritur,
Koha pas meje rrëshqiste si trëndafili i rërës,
Ditët e mia i ngjanin Spirales me ëndrra
Që e turbulluan Gëten.
Duke ardhur drejt teje
Sy burrash të tjerë më kanë vështruar,
Sepse çdo grua është një Tokë e Premtuar,
Por mua të tërë më dukeshin Zota pa qiell.
10 janar 1995
20 VJEÇ
Orionit, tim biri
Kur je 20 vjeç,
Të gjitha rrugët
Duken të drejta e të arritshme.
Qielli është përherë i yjezuar.
Lulet nuk i bjerrin asnjëherë petalet
Me një balonë të blertë ngjason dielli
Apo mbase me një portokall të kuq
Dashuria vjen si zog që këndon
Gjumi hyn pa trokitur
Të gjitha fytyrat hijeshohen
Lojë fjalësh është trishtimi
E përkohshmja transformhet në të përjetshme.
Dhimbja është një planet i panjohur
Një portë e hapur mirësie bëhet zemra
Dhe shpirti një ëndërr e bardhë
Realiteti mbetet gjithnjë një ide poetike.
Bota është shtëpia e të gjithëve
Kur je 20 vjeç …
15 janar 1995
FAQE AUTOBIOGRAFIKE
Kush jam unë?!
Jam koha ime
E copëtuar në vite, muaj dhe javë,
Në ditë dhe net
Dhe në çaste tragjike
Si ai i orës 12. 25, më 22 Janar 1996
Kur vdiq im atë.
Jam syri i tij lutës
Atë të hënë të zymtë
Për të cilën thonë se ndrinte nga dielli,
Por nuk dua ta besoj.
Jam regëtima e tij e mbrame
Jam apokalipsi i tij.
Sot s’jam gjë tjetër.